Nr. 82 i gazetës në print

0
Çnderimi i nderit

A ka biznes ish-ministri Arben Malaj në Shkodrën e varfër?-

Keqpërdorimi i personalitetit kombëtar nga vetë shqiptarët ka bërë këto 15 vitet e fundit që ekzaminuesit perëndimor të krijojnë vlerësim të keq për ne. Nuk është thjesht e pavërtetë në media, pasi ajo kur përdoret caktimisht në situata të veçanta të tranzicionit nuk funksionon vetëm indietro, por është pikërisht pakujdesia në trajtimin e kulturës dhe nënkulturës së shoqërisë sonë, të dalë nga një diktaturë dhe skamje si kjo, që po i vë njollën e zezë realitetit shqiptar.

Qeveria e re u votua pikërisht për të luftuar krimin ekonomik që sipas ndërkombëtarëve është më i larti në botë. Është jashtë logjike të mendosh se biznesmenë të veçantë shqiptarë janë shumë më të suksesshëm se ata amerikanë. Themi kështu, pasi një biznes shqiptar i filluar nga hiçgjë, sot është më i fuqishëm se një biznes amerikan me veprimtari prodhuese mbi 50-vjeçare. Qeveria e duarve të pastra duhet të prekë pikërisht atje ku pret me padurim votuesi shqiptar. Flitet për biznese marramendëse të Xhoana Nanos. Madje edhe për helikopter për të cilin nuk ka paguar as taksë, as doganë prej shumë vitesh. Flitet gjithashtu se edhe ish-Ministri socialkomunist i Financave, Arben Malaj, i akuzuar botërisht shumë herë edhe direkt nga Kryeministri Sali Berisha për themelimin e firmave piramidale, ka biznese të fuqishme, madje edhe në Shkodrën kaq të varfër. Ministria që ai ka drejtuar thuhet të jetë aksionere në një bankë shqiptaro-të huaj. Trualli i asaj banke ishte blerë për shumën 80.000 USD kur dollari ishte rreth 700 lekë të vjetra dhe i është blerë pastaj blerësit B.Ç. për shumën 400.000 USD, ndërkohë që dollari ka qenë 1450 lekë të vjetra. Mbase mund të ndodhë që edhe paratë të likuidohen vetëm nga qeraja. Edhe për ndërtim pallatesh ka fjalë se Arben Malaj fshihet pas një shoku të vjetër të rinisë studentore, apo edhe të përdoret ndonjë Ukë për troje dyshe a treshe. Nejse, në këtë çështje është një dosje në gjykatë. Të presim ç’do nxjerrë. Ne këtu do jemi. Po, kështu flitet, por nëse pas bizneseve në Shkodër fshihen ish-socialkomunistë, a s’duhet filluar të paktën një hetim? Votuesit s’kanë bukë të hanë, biznesmenët blejnë edhe troje e ndërtojnë mrekulli edhe në bjeshkë! Nuk është koha të bëhet zhurmë për probleme dytësore e tretësore.

Joshet, kënaqet, impulsohet media, se fjala vjen një motër vret vëllanë, një baba vret të birin, një vajzë vret të “dashurin”…

Pra, sjelljet anormale zënë vend “nderi” në oazin e një shteti të korruptuar dhe që është spekulluar me taksat e skllavërimin dhe që quhet Shqipëri! Askërkund tjetër nuk ngjet kështu. Gjithkund kooperohet për qëllime të vlefshme shoqërore, duke investiguar e sjellë realitet, duke mbjellë e korrë dashamirësi, duke reklamuar përvoja të mira e të moralshme, duke kërkuar përshtatje e synuar vetaktualizim, edhe me trashëgiminë madje. Se një komb që s’di nga vjen, nuk di as për ku është nisur.

Një shtet si Shqipëria me 3.700.000 banorë, ku mbi 1.000.000 të migruar, që nëpër media publikon me krenari se ka mbi 65.000 prostituta udhëve të botës, ndërkohë që as edhe një statistikë perëndimore nuk dimë ta ketë shprehur këtë, s’ka shanse të pretendojë për një imazh pozitiv. E kundërta duhej të ngjiste, apo jo?! Pra, nuk duhet të frikësohemi se gabojmë, nëse përpiqemi të gjithë të vetëkrijojmë një imazh të mirë, pasi shembujt nuk na mungojnë, qysh para periudhës së Skënderbeut.

Jo vetëm në Shqipërinë e vogël, por kudo, jetën e ditëpërditshme e ndikojnë edhe faktorët e jashtëm. Rastet sporadike nuk është normale të trajtohen si model i sjelljes dhe jetës së shoqërisë shqiptare. Politika social-hajdute pikërisht për këtë u rrëzua dhe votuesi shqiptar pret deri në zgjedhjet e vitit tjetër për pushtetin vendor të ndëshkohen ata që kanë pirë djersë mbi fukarallëkun e kësaj shoqërie të emancipuar europiane. Modelet e veçanta të mosnormalitetit, të krimeve njerëzore e ekonomike, nuk përbëjnë assesi dominancën, paçka se përvojat nuk janë dhe aq të mira që në krijimin e bizneseve, me privatizimin e ca rrangallave ndërmarrje të Enver Hoxhës e paradokset në shitjen e tyre. Edhe strukturimi i sjelljes së ca biznesmenëve herë PD-istë e herë socialistë, herë socialistë e sërish gjoja PD-istë, është një fenomen për opinionin publik dhe për opinionin në këta pak rreshta qëllimmirë.

Fenomenet janë shumë ku nderi shqiptar çnderohet. Është edhe shkolla ndoshta, edhe jeta shoqërore, që ndikojnë në krijimin e një klime, o të mirë, o të keqe. Duart e pastra duhet të veprojnë shpejt e fort se për to u votua. Një studente e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të thotë se një pedagog i moshuar, kur fëmijët i ka rreth dhjetë vjet më të moshuar se ajo dhe që ka nisur punë si i persekutuar pas viteve 1992 aty, i thotë se paratë i kanë ardhur në majë të hundës, por ai ka nevojë pë vajza të bukura, si ajo, ndryshe… nota! Në qoftë ashtu, mund të themi se deri pedagogu kërkon të çnderojë nderin shqiptar.

Fenomenet negative ekzistojnë në çdo shoqëri, por këtu në Shqipëri janë të institucionalizuara dhe janë të lidhura jo pak njëra me tjetrën.

Me pak fjalë, e keqja është mirë të shihet e goditet aty ku ekziston, aty ku votuesi pret, jo aty ku nuk është.

Megjithatë, ne këtu do jemi. Herën tjetër do flasim me emra e dokumenta.

Sokol Pepushaj

 

38-vjeçari Fatbardh Hoxhiqi i kërcënuar nga hakmarrja

Pavarësisht se edhe shqiptarët jetojnë në shekullin 21, fenomeni mesjetar i gjakmarrjes dhe hakmarrjes vazhdon që të mbajë të ngujuar e të marrë qindra jetë njerëzish dhe kryesisht në Veriun e Shqipërisë, e veçanërisht në qytetin e Shkodrës, siç është duke ndodhur me 38-vjeçarin Fatbardh Hoxhiqi dhe familjen e tij në qytetin e Shkodrës, një ndodhi kjo vërtet tragjike. Po, si nisi kjo tragjedi? Ngjarja ka filluar më datën 18.10.2004, kur dy persona të armatosur kanë hyrë në dyqanin e babait të Fatbardh Hoxhiqit, me qëllim për të grabitur paratë që do të gjenin në dyqan, të mbledhura nga xhiroja e asaj dite. Gjatë asaj kohe Fatbardh Hoxhiqi nuk ndodhet tek dyqani, pasi kishte shkuar për të marrë furnizimin për ditën e nesërme. Babai i Fatbardhit i gjendur vetëm, i terrorizuar dhe për të mbrojtur paratë, tenton t’i marrë armën që e kërcënonte njërit prej grabitësve dhe për pasojë njëri nga grabitësit, gjatë përleshjes qëllon me armë dhe vret shokun e tij dhe plagos rëndë babain e Fatbardh Hoxhiqit, i cili  edhe sot e kësaj dite mbetet i paralizuar. Mirëpo historia dhe tragjedia vazhdojnë, sepse familja e të vrarit kërkon që të marrë gjak dhe të hakmerret ndaj familjes së Fatbardhit për djalin e vrarë. Katër muaj pas kësaj ngjarjeje, në shtëpinë e Fatbardhit ata vendosin eksploziv duke e lënë atë të plagosur rëndë, i cili detyrohet që të qëndrojë në Spitalin Rajonal të qyteti të Shkodrës për disa muaj dhe në kushte shumë të vështira sigurie, pasi që nga data 18.10.2004, Fatbardhi dhe familja e tij ndodhen në ngujuar në shtëpinë e tyre dhe të pambrojtur si nga shteti, si nga policia dhe pa asnjë burim financiar jetese dhe të trishtuar e të terrorizuar në çdo moment të jetës së tyre. Ata disa herë kanë kërkuar ndihmën e policisë, por fatkeqësisht nuk kanë përfituar asnjëlloj mbrojtjeje, duke ua mbyllur dyert dhe duke e lënë këtë familje të kërcënuar çdo moment nga vdekja dhe kryesisht Fatbardh Hoxhiqin, meqenëse ai është personi më i kërkuar për t’u hakmarrë. Prandaj, nëpërmjet këtij shkrimi dëshirojmë që të sensibilizojmë mbarë opinionin publik për fatkeqësinë që e pret në çdo moment familjen Hoxhiqi në qytetin e Shkodrës, të cilët kurrsesi në këto kushte, jo vetëm në Shkodër, por as në Shqipëri nuk mund të jetojnë.

Vasel Gilaj

 

KADARE: INTEGRIMI NË EVROPË DO T’I AFRONTE POPUJT E BALLKANIT

Intervistë me shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Kadare, pjesa më e madhe e veprës suaj është shkruar në Shqipërinë komuniste. Parë nga ky këndvështrim, çfarë do të thotë të krijoje në Shqipërinë e asaj kohe?

ISMAIL KADARE

Në Shqipërinë komuniste si në çdo vend komunist kishte dy lloj krijimtarish. Ajo që ishte e vërteta, letërsi e vërtetë, letërsi e madhe botërore, letërsi në gjurmën e traditës më fisnike të letërsisë, dhe një pseudo-letërsi, ajo që quhej letërsi e realizmit socialist, që ishte negacion i letërsisë, ishte propagandë dhe s’quhej letërsi. Prandaj të krijoje këtë propagandë ishte shumë e dëshirueshme për shtetin komunist, por po aq e padëshirueshme dhe anormale ishte të krijoje letërsi të vërtetë. Shkurt, që të bëje letërsi të vërtetë, në një vend komunist stalinist si Shqipëria ishte një gjë anormale, e keqe, e dënueshme, e parë me sy të keq dhe shteti do të përgjonte që të kapte rastin që ta ndalonte shkrimtarin që të vazhdonte këtë gjë.

RADIO EVROPA E LIRË

Si i shihni raportet mes popujve ballkanikë aktualisht?

ISMAIL KADARE

Popujt e Ballkanit kanë patur një periudhë kur janë marrë vesh mirë me njëri tjetrin, sepse është e kuptueshme, kanë patur një fatkeqësi globale, që t’u rrinte mbi krye; pushtimin otoman. Mirëpo kur ata dolën në liri, të pavarur, ata u bënë shumë të ashpër me njëri tjetrin, pra përjetuan një periudhë që nuk i nderon aspak. Pati shumë urrejtje, shumë zemërim njëri kundër tjetrit. Ajo që quhet patriotizëm, që është një ndjenjë e shëndetshme për një popull, duke u tepruar, duke kaluar çdo kufi të llogjikës, u shndërrua shumë herë në atë që quhet nacionalizëm, në armiqësi me popujt e tjerë. Kjo ka qenë fatkeqësi e popujve të Ballkanit. Pra kanë një traditë të keqe të marrëdhënieve midis tyre që duhet ta kapërcejnë. Ata ndodhen përpara një prove të vështirë dhe mendoj se aspirata e popujve të Ballkanit për t’u integruar për në Evropë, është një lloj orientimi, një lloj shenje që do t’i bashkojë të gjithë, mendoj unë, për t’u afruar me njëri tjetrin. Kjo, sepse procesi i integrimit në Evropë, është një proces i emancipimit të brendshëm për ata vetë.

RADIO EVROPA E LIRË

Do të mbetesha pikërisht këtu. Lidhur me veprën tuaj, e cila ka qenë shpesh herë në qendër të debatit për shkak të përkatësisë suaj etnike, apo ndonjë sulm kundër kësaj vepre. Çfarë do të thoshit në këtë drejtim?

ISMAIL KADARE

Për fat të keq popujt e Ballkanit, kanë sulmuar shpesh njëri tjetrin për arsye etnike, për arsye kufijsh, për arsye politike. Letërsia për fat të keq është gjendur gjithnjë në mes të kësaj lufte dhe ajo ka pësuar goditje nga njëra anë ose nga ana tjetër. Për shembull, në qoftë se unë në mënyrë të natyrshme si shkrimtar kam mbrojtur lirinë e popullit të Kosovës, natyrisht unë do sulmohesha nga ajo pjesë ballkanike, që ka qenë kundër kësaj lirie. Shumë shkrimtarë të Ballkanit kanë rënë pre e pasojave, janë gjendur, si të thuash, midis një sheshi lufte, midis një zjarri të kryqëzuar. Kjo ka qenë e pashmangshme, por ky nuk është një shqetësim për shkrimtarin. Nëqoftëse shkrimtari me ndërgjegje e bën një vepër, që është e plotë, e vërtetë dhe mbron në radhë të parë artin dhe nëpërmjet artit mbron gjërat më të shtrenjta që ka bota, ai s’ka pse të shqetësohet për këtë zjarr të kryqëzuar.

Intervistoi Iliriana A. Bajo

 

Heqja e imunitetit të deputetit, një domosdoshmëri

Futja e ligjit për t’u hequr imunitetin apo për ta dorëzuar vetë deputetët e sferat e larta të pushtetarëve e gjyqtarëve, është një domosdoshmëri jetike jo vetëm për të sotmen, por edhe të ardhmen e këtij vendi.

Në karakterin e tij, shqiptari ka shumë të meta të trashëguara a të fituara, siç janë: korrupsioni kur vjen në pushtet, nepotizmi e mashtrimi me fjalë të bukura pa bereqet. Ky është një konstatim i studiuesve të huaj, kujtojmë George Kastelan, profesor në Universitetin e Parisit për “Historinë e Ballkanit”.

Ta themi që në fillim se populli ynë në zgjedhjet e fundit votoi në mënyrë plebishitare për ardhjen në pushtet të demokratëve sall (pikërisht) se në mitingjet elektorale, përmes dr.Sali Berishës u tha se do ta luftonte korrupsionin, për të cilin flitej edhe nga ekspertët e huaj, se shqiptarët e shihnin ditën me diell.

Qenia deputet s’do të thotë se je shenjt a profet. Shumica nga deputetët e sotëm të të dy krahëve, përjashtuar ndonjë rast sporadik, janë fare rastësisht në Kuvend. Me këtë dua të them që s’u është dëgjuar emri as në krijimtari shkencore apo shkrime në media. U komanduan deputetë në atë mënyrë, sa edhe vetë çuditen…

Në atë Kuvend përflitet se ka deputetë që kanë harxhuar shuma kolosale gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Ka nga ata që mbetën jashtë Parlamentit, pavarësisht se shpenzuan, kuptohet jo paratë e veta, por vjedhja që i kanë bërë këtij populli, gjë e cila po tregohet kohët e fundit ku biznesmenë e “firma” fantazmë kanë filluar të shlyejnë detyrimet e prapambetura kush e di se të sa viteve.

Jo vetëm deputetëve t’u hiqet imuniteti, por edhe ish-pushtetarët e djeshëm të vihen para ligjit që të japin llogari gjer në një për bëmat e paskrupullta. Ata e patën kthyer zyrën e tyre në çiflig dhe jepnin tendera pa doganë kujt t’i donte prapanica.

Një artikullshkrues me inicialet M.M. (nuk e di nëse këto  dy “M” lidhen vërtetë me emrin e ndonjë “personaliteti” që dikur na paskësh gëzuar imunitet, por që tani paskësh rënë nga fiku), në gazetën “Shekulli” të datës 28 shtator 2005, propozon që t’u ruhet imuniteti “parlamentarëve, funksionarëve të lartë të shtetit, gjykatësve, gjithë atyre”. Kush e di se cilin deputet do ta ketë mik i shkreti M.M., që u qan hallin aq shumë, ndoshta tek ai e ka shpresën e fundit që ta shpëtojë nga korrupsioni i dikurshëm, kur ishte në majë të fikut.

Sipas artikullshkruesit, është e kotë heqja e imunitetit deputetëve e pushtetarëve, se ata nuk i gjen gjë. Dhe sjell shembullin e Fatos Nanos, i cili fitoi pafajësi dhe mori dëmshpërblimin. Duhet të dimë se “falja” e tyre ishte në kushte të tjera me të sotmet. Tani jemi të qetë e jo më kaçakë e hajdutë deposh ushtarake. Ndryshon koha, ndryshon ligji, ndryshon mentaliteti. Duket se shumëkush, edhe parlamentar, akoma s’e ka marrë vesh se “Është koha për ndryshim”.

Populli pranon ta shtypësh në diktaturë, t’i mohosh të drejtat e liritë, siç bëri E.Hoxha, por s’pranon ta vjedhësh e ta mashtrosh. Kjo gjë të jetë vath në vesh jo vetëm për ata që thyen qafën, por edhe ata që rrinë sot në “pope”.

Në qoftë se për hajdutët që vjedhin me maune e anije mijëratonëshe të cilët mund të gëzojnë të drejtën e imunitetit, që sipas dëshirës së deputetëve të krahut të majtë duhet ta gëzojnë përjetësisht, atëherë cilët do të dënohen për korrupsion? Mos vallë hajdutët e xhepave, apo ndonjë mikrokontrabandist që nxjerr me not nëpër Lumin Bunë një thes me cigare?!

Kur bëhej fushatë në një zonë elektorale të Rrethit të Shkodrës, ai që po përjargej për të dashurin e tij të zemrës, thoshte në konfidencë: “Ky s’ka nevojë për para e për rrogën e deputetit, se i ka siguruar gjithë të mirat djalë mbas djali e vajzë mbas vajze, se u ka lënë pasuri të tundshme e të patundshme, por e do vetëm për hobi.

Nuk e di nëse fitoi apo jo ai deputet, se të gjithëve u ishte mbushur mendja se do të hipin “n’shkam”, por merreni me mend se cilët persona janë bërë deputetë, që do të na miratojnë ligje kundër korrupsionit. Kësaj i thonë “Të çosh ujkun për të ruajtur dhentë”.

Të ndershmit, ata që nuk e kanë mizën nën kësulë, nuk kanë pse të tremben nga heqja e imunitetit. S’ka nevojë për lojëra fjalësh të njërit a tjetrit deputet se, gjoja preket Kushtetuta. Njerëzit e kanë bërë atë. Shtojeni e hiqini ndonjë amendament dhe ja ku i shpëtuat mëkatit…

Broz Simoni

 

DR. FRANZ BARON NOPCSA: SHQIPËRIA KATOLIKE E VERIUT

(Përktheu nga gjermanishtja: Arif Kutleshi)

Kur të kujtosh se Shqipëria nuk është shumë më larg nga bregdeti i frekuentuar nga turistët , -dalmatin, se sa Esztergom nga Budapeshti, pothuajse habitesh nga sa pak njerëz deri tash është vizituar pjesa malore e këtij vendi. Mungesa e komfortit dhe zani i keq, janë pengesat, që shumicën e vizitorëve e detyrojnë ta anashkalojnë Shqipërinë. Fakti, që këtu mbretëron mungesa e komfortit, askush tash s´mund ta mohojë, por që nga ana tjetër, një vizitë në pjesën katolike të Veriut do të ishte më e rrezikshme se sa një shëtitje e mbrëmjes në paralagjet e disa qyteteve të mëdha të Europës, kjo mbetet për tu hulumtuar. Në bazë të një përvoje përmbi gjashtëmujore pothuajse do të dyshoja në këtë. Ngatërresa të vogëla të paevitueshme, të cilat eventualisht mund të kenë edhe konsekuenca të mëdha, ta merr mendja që gjithkund e gjithëherë prandaj edhe në Shqipëri të ndodhin, kjo porse nuk është e veçanta- e këtij vendi. Përkundrazi: pakëndshmëritë e paparashikueshme ndodhin në Shqipëri më rrallë se tjetërkund, sepse me një aftësi të vogël të përshtatjes- në mentalitetin e njerëzve të këtushëm dhe me disa fjalë të mira këtu mund të arrihet shumë më shumë, se në çdo pjesë tjetër të Europës. Ato ´historitë e vetëpërjetuara të cubnive´ të atyre që e kanë vizituar Shqipërinë e Veriut, burojnë vetëm nga jozhdërvjelltësia e rrëfimtarëve. Unë gjithashtu, autori i këtyre rreshtave, do të dija të ofroja diçka të ngjajshme nga përjetimet personale nga Shqipëria, por edhe unë mund ta konstatoj – me sa vijon, vërtetësinë e fjalisë : Mea maxima culpa. Në rend të parë falënderojë zotërinjtë konsujë të monarkisë së dyfishtë austro-hungareze August Kral në Shkodër dhe Baron Gyula Bornemissza në Durrës, si dhe vicekonsujtë Kraus dhe Edl, që një program moti të përgatitur munda ta realizoj në nëntor 1905, duke i rënë gjashtë muaj malësisë së Shqipërisë së Veriut këmbë, kryq e tëthuer, në përcjellje vetëm të banorëve të këtushëm.Përveç përkrahjes së zotërinjve të zënë ngojë, të cilët unë i falënderojë ngrohtësisht, më ndihmuan edhe një sërë faktorë të tjerë. I tërë Episkopati dhe kleri tjetër katolik i Shqipërisë së Veriut, personalisht porse i përzemërti Monsignore Primus Doçi, Abat nullius* në Mirditë më kanë ndihmuar parreshtur dhe për të kushedi të satën herë sollen dëshmi për ekzistimin e mikpritjes së famshme shqiptare. Sa u përket vendësve, të ashtuquajturit kinse banorë të egër, kjo s´është pikëpamja ime. Për mua kjo është popullata më simpatike, të cilën unë, e kam parë ndonjëherë nëpër të gjitha ato vende që kam shkelur. Imazhi i prishur në pjesën më të madhe bazohet vetëm në shpifjet e armiqëve të saj politikë, përkatësisht të serbëve. Unë vetëm mund të them, që në mesin e popullatës katolike të malësisë shqiptare vërtetë kam gjetur miqë të mirë e besnikë. Që nga Jezoli deri në Mërtur, nga Spaçi deri në Bugjon, në Orosh, në Shalë, në Shosh ose në Gimaj, gjithkund takova unë njerëz edhe pse të varfër e pak të arsimuar, por në çdo pikëpamje miqësorë, të ndershëm e të hareshëm, besnikë dhe shumë intelegjentë, të cilët do të më mbeten prore në kujtesë. Nëse hapësira dhe rrethanat e tjera nuk më pengojnë, do të doja t´i përmend me dëshirë një nga një, një vistër emrash të miqëve e të njohurëve të mi.Se shqiptarët bëjnë pjesë në trungun gjuhësor Indo – gjermanik, se janë pasardhës të Ilirëve të vjetër, – pra nuk janë në farefisni me popullsinë sllave -, është e ditur në qarqet shkencore, por në ato laike megjithatë mbretëron përgjithësisht pikëpamja, simbas së cilës shqiptarët trajtohen si popull sllav. Në këtë kontekst fjalët sllave në gjuhën shqipe tashmë nuk dëshmojnë kurrgjë hiç, sepse ky konstatim në të cilin duan të bazohen, do të ishte i njejtë sikur njeriu nga të njëjtat arsye të donte diçka të ngjajshme të pohonte kur është fjala për Hungarinë dhe gjuhën e saj. Kur është fjala për gjuhën shqipe do të doja të përmend vetëm disa të dhëna linguistike: shqiptarët nuk numërojnë si serbët ´jedan, dva, tri, cetiri´ etj. Porse, ´një, dy, tre, katër pesë, gjashtë, shtatë, tetë, për 6, 7, 8 kanë forma krejtësisht të veçanta, që në asnjë gjuhë tjetër të Europës momentalisht nuk i gjenë. Si shtigje të tjera të piketuara të gjuhës shqipe do të ishin mes tjerash përdorimi i një forme të shquar dhe të pashquar të emrit-, mbas të cilit vehet mbiemri dhe i cili ndahet me një nyje (i, e, t). ´Pferd´shqip thuhet ´kalë´, ´Kuh´: lopë, ´Fleisch´: ´mish´, ´Brot´ : ´bukë´( krahaso fjalën gjermanisht ´backen´-pjek-ur), ´die Erde´ : ´tokë´, ´Wasser´ : ´ujë´ etj. Disa fjalë, si katund, (das Dorf), çoban, (das Hirte), dhe stan, (die Sennhütte), janë sigurisht me prejardhje të huaj dhe gjejnë përdorim që nga Shqipëria përmes tërë Ballkanit deri në Rumani dhe në Jug të Transilvanisë. Ndoshta ´bora´ (der Schnee) mund të ndërlidhet me bora, borën, dhe të ftohtit që sjell erën e karsteve të Istres. Më duket se vërtetë duhet të jetë domethënëse kthimi i emrave Velja dhe Dalmata në Shqipëri dhe në Dalmaci; më tutje janë emrat Lissos (tash Lezha) dhe Lissa (në Istër), Arbëria (Albanien) dhe Arbe në Dalmaci, me gjasë gjithashtu jo pa interes. Toponime të tjera, si Livadhia dhe Gropa ose për shembull Shpella e Belovuk-ut (Höhle des weissen Wolfes) janë me siguri me prejardhje sllave. Skala gjendet me të njëjtin kuptim në Greqi (p.sh. Kakai Skalai Salamis). Çafa kuptimi themelor i së cilës është i përbashkët në të dy gjuhët: shqip e rumanisht, etj etj ? Varianti i dialektit gegë i gjuhës shqipe në viset për të cilat unë flas këtu, në përgjithësi shfaqet në këto tri dallime: ai i Shkodrës, i Malësisë së Madhe (në veri të Drinit) dhe ai Mirdites. Një vendas mundet ndërkaq të dallojë (në të folur) madje një banor të Lezhës nga një të Shkodrës. Dallimi kryesor i të folmes së Shkodrës nga ajo e Malësisë (së Madhe) ka të bëjë në mes të tjerash në atë që, q – ja e fundit e shkodranve, ndeshet si ç dhe gj, për shembull tek fjalët çafa (Bergsattel), dhe Gjoni (Johan). Mirditori njihet sepse në vend të formave guri (der Stein) dhe gurra (die Quelle) përdor formën gjuri, respektivisht gjura. Në gjuhën e tyre Albanët quhen Shqiptarë dhe mbasi që shqipes i thuhet Adler (der) atëherë, kjo e ka kuptimin si ´pasardhës të Shqipes´. Në mënyrë krejt të ngjajshme në të vërtetë do të formohet nga katund – (das Dorf) katundar, (der Dörfler); mal – (der Berg), malësor – (der Bergbewohner), etj. Emri Arbaniten prej nga pastaj gradualisht doli emri Albaner – Shqiptar ( i italianizuar: Albanezi), përmendet qysh te klasikët e vjetër grekë, ndërsa nga Osmanët këta u quajtën Arnaut. Me ortografinë e gjuhës së shqiptarëve shikuar nga gramatika teorike, keq qendron puna,: së pari- në Shqipëri në të vërtetë ka shumë, tepër, tepër shumë analfabetë, (origj.: viel, sehr viel, viel zu viel Analfabeten); së dyti,- dhe kjo është edhe më e rëndësishme -, s´janë -përveç atyre, të cilët mund të lexojnë e të shkruajnë- të një mendjeje, mbi atë se, si duhet t´i transkribojnë ato zanore me të cilat gjuha e tyre është e pasur në gjuhën latine, për të cilat, ajo nuk ka shenja të veta. Sikur lufta e derisotme mbi këtë çështje të mos ishte kaq e rreptë – që të mos e dëmtonte në shkallën më të lartë tërë kulturën e vendit, atëherë kjo do të ishte një temë – (fletë) rrufe falënderuese, e cila do të merrej si tepër qesharake. Në këtë vend të vogël deri sot janë në përdorim kaq shumë ortografi me baza të ndryshme, sa që është vështirë, vetëm të mbahet në mend, numri i tyre; përveç kësaj, sot e kësaj dite shumë shqiptarë të arsimuar madje edhe nëse zotërojnë shkrim-leximin, megjithatë, ka mundësi që shkrimet e grupeve të tjera të mos munden fare t´i lexojnë. Është për t´u pritur që këtu me kalimin e kohës, do të këtë, më shumë ortografi (alfabete) – se sa që do të ketë njerëz të gatshëm për lexim. Partikularizmi, që qysh në këtë çështje ngatërron çdo gjë, ta merr mendja që është i një natyre të përgjithshme, se sa që mund të duket në shikim të parë, sepse ky është një tipar themelor i karakterit të shqiptarit.

*Marrë nga libri : ´DAS KATHOLISCHE NORDALBANIEN´, Wien 1908

*Vër. Përk.: quhet ´nullius´ sepse nuk kishte qytet

 

 

Shqiptarët në rrugën plot mundime

Është një kohë kur ende ligjet e shtetit nuk funksionojnë, është një kohë tepër e përshtatshme për krime. Shqiptarët kështu e ndjejnë veten të rrezikuar dhe rruga e jetës së tyre është e mundimshme. Ishte koha kur bandat kishin shpërthyer depot e armëve, kur dinamiti e tritoli pëlciste, thua se je në Irak. E pikërisht më 13 qershor 1997, disa persona që ishin mësuar t’u vendosnin gjoba pronarëve të dyqaneve e biznesmenëve, i kërkojnë para edhe zotit Ndue Meshaj. Kushtet e grabitësve, gjobëvënësve, ishin o të jepen paratë e kërkuara, ose ata të merrnin peng, bile edhe të ekzekutonin. Dhe atë ditë, në momentin që gjobëvënësit hyjnë në lokalin e shtetasit Ndue Meshaj, i cili debaton dhe nuk pranon t’u japë paratë e fituar me djersën e ballit, ata hapin zjarr dhe e vrasin atë, aty në lokalin e tij. Por, i biri, Artur Ndue Meshaj arrin të zbulojë personat që kishin vrarë të atin, arrin të mbledhë prova për t’ia paraqitur prokurorisë, por gjithsesi nuk arrin të finalizojë asgjë, pasi banda ishte shumë e mirëinformuar për veprimet e tij, ku disa metra larg shtëpisë së tij, më 20 mars 2004, i del në pritë dhe e vret. Kryeqendra e Veriut shqiptar, Shkodra, përgjaket, pjesëtarët e familjes terrorizohen e me këtë veprim kërcënohen që të mos gabojnë të merren më me çështjen e Ndue Meshajt. Por familjes Meshaj i kishin bërë edhe viktima të tjera. Në shënjestër ka qenë djali i Ndue Meshajt, Ardian Meshaj, lindur më 15 prill 1974 në qytetin e Shkodrës. Sipas burimeve të besueshme të gazetës sonë, janë bërë tentativa për ta vrarë, për ta çuar në varr tek i ati, edhe Ardianin. Por, Zoti ka qenë me të. Megjithatë, frika e hakmarrjes, pasi gjakmarrja në Shqipëri është e institucionalizuar, ka bërë që vrasësit e Ndue Meshajt të tentojnë të vrasin sa më shumë. Ata kishin arritur që një vit pas ngjarjes që ka hapur një konflikt që zor të mbyllet ndonjëherë, pra më 1998, të vrasin dhe axhën e zotit, Ardian Meshaj, të ndjerin Kolë Meshaj, dhe vajzën e tij, Fatjona Meshaj. Ndaj Ardian Meshaj dhe vëllezërve të tij, Andi Meshaj e Artur Meshaj ka patur shumë tentativa vrasjeje. Motivi: gjakmarrja. Pavarësisht kësaj katrahure, ku shteti nuk është në gjendje të vendosë autoritet, gjithë familja Meshaj, pra ata që kanë shpëtuar deri sot të gjallë, janë shumë të rrezikuar me jetën. Ata janë më afër vdekjes se sa jetës, asaj jete që normalisht mund ta marrë vetëm ai që ta jep, Zoti i madh.

Albert Vataj

 

Shteti të asgjësojë rrugaçët e të lartësojë fisnikërinë

Policia, prokuroria, gjykatat, gjenden para provës së madhe por edhe historike, të veprojnë urgjent e me efikasitet për të vënë shtetin ligjor në Shqipëri, e këtë vend a sundojë drejtësia, kultura, ligji e prosperiteti. Ky ishte mesazhi i votës së 3 korrikut, e s’ka tjetër, të tjerat janë cikërrima. Fiks një vit më parë, në këtë gazetë e kam thënë që e majta duhet të largohet nga pushteti, e deshi Zoti ashtu ndodhi. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur një mazhorancë dorëzohet para rrugaçëve, që duhet thënë ishin shteti vetë me të gjithë pjesët e tij politike dhe ekonomike duke degjeneruar në kaos moral. Aq e vërtetë ishte kjo sa që rezultati i 3 korrikut nuk ishte aspak surprizë. E vetmja surprizë ishte që socialistët morën për racion të tëra të zezat e këtij vendi, vetëm nga këmbëngulja e tyre për të mbajtur pushtetin e tyre me të gjitha mënyrat, duke bashkëpunuar haptas e pa frikë me të gjithë personat kriminalë që ishin e janë tmerri i qytetarëve ku jetojnë, e pikërisht në sajë të tyre fituan në disa zona periferike. Mos të ishte ky bashkëpunim, socialistët a do i merrnin apo s’do i merrnin 20 deputetë në total.

Kjo pra është surpriza e vetme që ata morën, aq sa nuk meritonin, por duhet theksuar se në realitet, në grupin parlamentar socialist gjysma i përkasin të majtës, e pjesa tjetër s’kanë asnjë lidhje me të. Prandaj po ndodh përçarja e madhe sot në PS, e siç shihen punët nga dhjetori i këtij viti do të lindë edhe një parti tjetër.

Arsyetimi të çon se s’ka asnjë shteg tjetër për Nanon dhe përkrahësit e tij. Gjithashtu mund të thuhet edhe për grupin tjetër mbas humbjes në kongresin e jashtëzakonshëm. Duke i lënë parashikimet se çfarë do të ndodhë në kampin socialist, po kalojmë atje ku e nisëm shkrimin, pra asgjësimi i krimit e kontrabandës, e vendosja e shtetit ligjor në vendin tonë.

Kryeministri Berisha e qeveria e re, siç shihet e kanë marrë seriozisht luftën ndaj krimit ordiner, politik e atij ekonomik, e rezultatet nuk mungojnë, por e ritheksojmë se bandat e banditët që kanë kapur peng jetën politike të qytetarëve e komunave mund të asgjësohen, jo vetëm nga qeveria e rrjeti i saj i mirë, por nga Prokuroria, SHISH-i, policia e gjykatat, prandaj një orë e më parë këto struktura, në qoftë se nuk janë të zotët të veprojnë e realisht nuk janë, duhet t’ia lënë vendin të tjerëve që janë të gatshëm të sakrifikojnë. Se e ndjejnë detyrim qytetar e moral vendosjen e ligjit, drejtësisë e prosperitetit në vendin tonë. Prandaj mazhoranca e sotme nuk ka kohë për të humbur aspak para tekave të njërit apo tjetrit, apo sfidave kooperativiste të disa politikanëve që gjuajnë rastin për të bllokuar iniciativën e njerëzve të mirë, për t’u punësuar në administratën shqiptare, ku dihet se në çfarë gjendjeje është kjo administratë, e pikërisht shqiptarët më 3 korrik votuan mazhorancën e sotme e z.Berisha. Për ndryshim rrënjësor të kësaj administrate të krimbur në korrupsion e imoralitet, për të mos thënë që në shumë raste edhe e kriminalizuar.

Gjithashtu më duhet të theksoj se partitë aleate të PD-së duhet të ngihen për aq sa kanë marrë, duhet të ulin kryet e të punojnë fort e me seriozitet, se të them të drejtën si aleatët e PD-së ashtu edhe anëtarët e KOPI-t që në fillim ishin njga 40 vetë, sot po na dalin 4000 të tjerë, fytyra të njohura e të panjohura, me kontribut apo pikë kontributi, apo edhe më keq se kaq, duke qenë mosmirënjohës ndaj njerëzve të sakrificës e të ndershëm, me një integritet të lartë qytetar e moral. Prandaj është e tepërt e fyese fjala militant kur në të vërtetë ata janë kavalierët e demokracisë si dje, sot, gjithë ditën e ditës.

Për çka u tha më lart, nuk e kisha fjalën për emërimet në qeveri, përkundrazi ato figura të KOPI-t të instaluara në qeveri e parlament i japin hijeshi qeverisë së PD-së, por fjala është për emërimet në administratë ku bie në sy tendenca e maskimit mbas fjalës aleat apo anëtar i KOPI-t e në realitet është e kundërta.

Për ta mbyllur ëmbël këtë realitet, koha për ndryshim përkthehet që aty ku është sakrifica mos të punësohet frikacaku, aty ku është ndershmëria mos të punësohet imorali, aty ku është aftësia e edukata mos të punësohet intriganti e i paedukati, aty ku është shteti e ligji mos të jenë antiligji, aty ku është leku mos të punësohet hajduti e me radhë, se koha nuk premton e zemra s’ma bën të vazhdoj më tej, e qejfi e shpirti ma do të jetë ashtu siç shpresojmë e besojmë se do të ndodhë.

Nikolin Pemaj

 

Statusi i nënpunësit civil, apo neni 55 i epokës socialiste

Ka rreth tre muaj që zgjedhjet u fituan nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, si dhe rreth një muaj që ka filluar punë qeveria e re demokratike, dhe administratat e tejfryra me militantë socialistë vazhdojnë të punojnë e mbrapshtojnë pa e bërë qejfin qeder. Ndërsa fituesit demokratë, si tash 8 vite në opozitë, enden të papunë e pse jo disi të zhgënjyer nga partia e tyre në pushtet, e cila vazhdon të tundohet nga një ligj i vitit 1999, që socialistët e kanë emëruar “Statusi i nënpunësit civil”. Në pamje të parë ky ligj mbron administratën dhe nënpunësit e saj nga largimet nga puna, edhe pse këta nënpunës i përkasin një force politike e cila nga viti 1997 ka pushuar pa kriter mijëra demokratë apo të dyshuar si të tillë në të gjithë Shqipërinë, të cilët u zëvendësuan në shumicën e rasteve me militantë të cilët tash 8 vite kanë përfituar gjithçka kanë mundur nga paratë e shtetit apo format korruptive që ua mësoi e lejoi partia e tyre socialiste. Motivi i pushimit të demokratëve nga puna mbahet mend nga kushdo që ka mend se ishte “të çmontojnë Berishistët nga pushteti”, pa asnjë kriter profesioni apo arsimi, madje në zonat e Jugut ky çmontim ishte mjaft i dhimbshëm. Sot PS-ja dhe ndonjë bisht i saj kanë filluar të qajnë para kohe se gjoja PD-ja do të largojë nga puna administratën e tyre, që ka statusin e nënpunësit civil. PD-ja nuk ka asnjë arsye të mendohet para kësaj karte që i vjen era barut, pasi nga parlamenti i kallashit e i barutit të vitit 1997 u miratua ky ligj, ku mjafton të kujtojmë se ky parlament kishte në gjirin e saj vampirë si Luiza Hoxha, që piu publikisht gjakun e një oficeri të shtetit demokrat, kishte kriminelë si Gafur Mazreku që qëlloi pa iu dridhur dora në parlament mbi liderin e demokracisë Azem Hajdari, apo deputetë të tjerë që kishin prodhuar Gjolek Malajt, Zani Çaushët, Tan Kateshët, Jaho Salihët, Nehat Kullët etj.,s që në mandatin e vitit 2001 vetë PS-ja u detyrua t’i largojë nga përfaqësimi i saj. Nëse këto hiena apo mbështetës të tyre u larguan nga parlamenti, përse u dashka që të mbahet tabu një ligj që i ligjëron e përjetëson në pushtet këta bij të kallashit… E ndërsa demokratët që populli i votoi, u dashka të vuajnë nenin 55 të kushtetutës famëkeqe komuniste, nen i cili u përdor gjatë qeverisjes socialiste, që nëse nuk korrigjohet shpejt, PD-ja shumë para kohe do t’i rikthehet opozitës së përjetshme. E themi këtë sepse drejtuesit e institucioneve të sotme dhe administratat e tyre jo vetëm gjatë 8 viteve, por edhe gjatë fushatës zgjedhore të 3 korrikut (dhe 21 gushtit), por edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë qendra të propagandës antidemokratike e anti-Berishë, kur për t’i shkurtuar jetën kësaj qeverie janë gati të bëjnë gjithçka, e këto ne kemi filluar t’i ndjejmë edhe këto ditë…, e do të vazhdojmë t’i vuajmë, nëse qeveria demokratike do t’i lërë në punë e konsiderojnë partner në qeverisjen e shqiptarëve, të cilët votuan për të mos i qeverisur kurrë më në çfarëdo niveli socialistët, por demokratët që u premtuan mirëqenie e zhvillim. E, natyrisht premtimet realizohen nga fituesit që kanë mandatin e sovranit e jo humbësit se me ta ky popull ka humbur boll kohë, mirëqenie, dinjitet, por mjerisht edhe rrugët që të çojnë në Europë. Ne nuk themi të hiqen specialistët e mirëfilltë e të ndershëm, por militantët që janë shumica, e ndërsa statusi i kohës së barutit të zëvendësohet me një status tjetër të kohës së re të demokracisë, që i vjen era Europë Perëndimore, e ka vend për të gjithë nënpunësit e vërtetë që i falen sovranit pa hile… Gjithsesi shpresojmë se ky është vetëm fillimi, por nuk duhet të harrojmë se populli thotë “Fillimi i mbarë, gjysma e punës së kryer…”.

Ndue Bacaj

 

KUR NDAHESH ME NJE MIK

Para pak javësh perfundoi mandatin e tij 3-vjeçar ne Shqipëri Atasheu i Sigurisë së Brëndshme praën Ambasadës Franceze në Tiranë, Jean-Marc Falcon.Me këtë rast ambasada dha një pritje.

Dy ditë para mbarimit të mandatit të tij në Shqipëri, Atasheu i Sigurisë së Brëndshme praënë Ambasadës Franceze, Zhan-Mark Falkon dha një darkë private me miqtë e tij më të afërt në ambientet e restorant “Zagoria” praën liqenit artificial.Mbrëmja në fjalë pasonte pritjen zyrtare që u organizua në rezidencën e kësaj ambasade në muajin korrik, rreth një javë pas kremtimit të festës kombëtare të Francës, para nisjes me pushime të përfaqësuesve të trupit diplomatik ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri Fransuazë Burrulo.

Ashtu si shumica e të ftuarve edhe kësaj radhe nuk mungonte Sekretari i Parë i ambasadës.

Rreth 40 të ftuar, kryesisht annëtarë të trupit diplomatik, kuadro të ministrisë së brëndshme si dhe miq të tjerë të Falkonit patën rastin të kalonin një natë të gjatë e të këndshme nën ritmin e muzikës franceze të viteve ’80 si dhe asaj popullore shqiptare, kryesisht të trevave të Jugut.

Shumë prej të ftuarve ishin fytyra të njohura që i kisha parë jo shumë vite më parë. Djem dhe zotërinj elegantë, të parët më të pjekur e të dytët më të thinjur.Po kështu zonja dhe zonjusha të stazhionuara.Ishim parë me siguri në kushte e rrethana krejt të ndryshme.Lexonim lehtësisht në fytyrat e njëri-tjetrit se mund të ishim parë diku.Dikujt mund t’i kujtohej vendi e dikujt tjetër jo.Por ama diku ishim parë…

Atëherë kur digjej Shkodra për së pari, së dyti e për kushedi të satën herë.Atëherë kur së bashku me katër-pesë kolegë të tjerë gazetarë e kameramanë patëm këllqe që të dilnim e të ishim dëshmitarë të atyre netëve të tmerrshme që kaluan institucionet e këtij qyteti (sot, mbase ndokush tjetër mund të pohojë të njëjtën gjë megjithëse në atë kohë fshihej pas ferrave-A.L.).Përshëndeteshim, bisedonim dhe trokisnim gotat sikur të ishim njohur prej kohësh.

Me këtë ritëm vazhdoi darka deri rreth mesit të natës, pikërisht atëherë kur edhe atmosfera filloi të ndizej edhe nga avujt e shampanjës.Ishte vërtet kënaqësi të shihje se si kërciste rroku nën tingujt e këngëve “Alexandra”, “Nuit de folie”(“Natë çmendurish”), kohë në të cilën Falkoni jetonte rininë e tij mbi 20-vjeçare.Po kështu edhe kolegët e tij shqiptarë tashmë silleshin më civilë se vetë civilët.Ndoshta për vetë faktin se kanë privilegjin që të jenë gjithnjë një hap përpara këtyre të fundit falë natyrës së profesionit që u ka rënë në hise…

Por më kënaqësi ishte tek shihja Falkonin, këtë beqar të regjur, tek kërcente dhe përshëndeste të ftuarit e tij san në një tavolinë në tjetrën.3 vjet në Shqipëri duket se e kishin ambientuar mirë me mentalitetin ballkanik.Kjo shpjegohet mbase me faktin se rreth 10 vite të karrierës së tij i ka kaluar jashtë vendit të tij.Mjafton t’i kujtosh Beirutin e viteve ’90, ku siç e pohonte edhe vetë, i duhej të rrezikonte jetën rreth një herë në muaj për të kuptuar se sidomos Tirana por edhe pjesa tjetër e vendit është krejtësisht e adaptueshme për një resident të huaj.

Por sidoqoftë lidhja e tij me Shqipërinë është disi më e veçantë.Sado që nuk është supersticioz, fakti që datëlindja e tij përkon me datën e festës sonë kombëtare nuk kalonte pa u vënë re gjatë bisedave me të..

Të nesërmen, teksa po pinim kafen e ndarjes në Rinas po bluaja me ngut se mos kisha ndonjë merak të fundit pa konsumuar me të…

-Nuk më ke folur asnjëherë për pasardhësin tënd.

-Punon në ministrinë e Punëve të Brëndshme.Vjen pas dhjetë ditësh.

-Për një parizien duhet të jetë më i vështirë se për ty ambientimi në Shqipëri.

-Kur të mërzitet nuk besoj se do të mbetet vetëm.Ti e pe vetë edhe mbrëmë.Unë i kam lënë mjaft miq.

..Teksa shihja rrotullimin drejt veri-perëndimit të avionit të shoqërisë “Austrian Airlines” mu kujtua një bisedë që kisha bërë me të në Shkodër para një viti te “Koloseu”:

“-Ti gjithmonë vjen vetëm.Pse nuk more edhe …që ma prezantove para një muaji në Tiranë? Do t’ia kalonim mirë në Velipojë.

-Unë nuk kam miq në ambasadë por vetëm kolegë.Në makinë fus vetëm miqtë.”

Kishte të drejtë.Në të gjithë botën, kjo kategori funksionarësh, e aftë që të rrokullisë ngjarje, karriera e madje edhe data, shihet me një lloj bezdie apo pasigurie nga të tjerët.Pra janë këta të fundit ëe u largohen.Për vetë faktin se ata përfaqësojnë arsyen më të paarsyeshme, më të rrezikshme por njëkohësisht edhe më të domosdoshme për kohën kur jetojmë.Arsyen shtetërore.

ARBEN  LAGRETA

 

Faik Konica: Porteti autentik i qytetarit europian

(Njëri prej korifejve të letërsisë sonë)

“Faik Konica është njëri ndër “pushtuesit” e “olimpit” të kulturës tonë nacionale, njëri ndër patriarkët e letërsisë tonë moderne” – (autori). Mendimet dhe gjykimet për Faik Konicën, sado kontradiktore qofshin, vijnë në përfundime pak a shumë të përbashkëta kur bashkojmë në figurën e tij (sipas përcaktimit të Nolit) stilistin e përkryer, eruditin e shkëlqyer dhe atdhetarin e madh. Janë këto tri dimensionet e personalitetit të Konicës, të cilat nuk mund të përfytyrohen dhe kuptohen pa kohën dhe mjedisin nga doli e u formua, pa rrethanat shqiptare dhe lidhjet me botën, pa dhuntitë e aftësitë e tij krijuese.

Faik Konica duhet parë më shumë si një dukuri novatore për botën shqiptare se sa si individ, mund të pranojmë me bindje të plotë se tek ai u harmonizua njeriu shqiptar i Rilindjes Kombëtare me shqiptarin europian, që i kapërceu kufijtë tradicional të kohës dhe u përpoq ta integrojë kulturën tonë me kulturën e kontinentit, (pikërisht të për të cilën po përpiqemi ne sot mbas kaq dekadash – M.B.). Konica hyn (siç e pohon vetë) në “Rilindjen Shqiptare” në moshën njëzetvjeçare, atëherë kur boton në Paris broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) dhe vendoset në Bruksel nga nisi të botojë revistën “Albania”, si organ i Partisë Autonome Revolucionare. Ndryshe nga rilindësit e tjerë, të cilët i kishin qendrat e tyre nëpër kolonitë shqiptare, si në Bukuresht, në Sofje e gjetkë, Konica do ta ngrejë flamurin e luftës në mes të Europës. Veprimtarinë e tij politike e kulturore ai do ta zhvillonte në vatrat kryesore të metropoleve europiane, si në Paris, Bruksel e Londër. Prej këndej, militanti i Rilindjes sonë do të mbante lidhje me lëvizjen nacionale dhe do të komunikonte me botën. Në qoftë se edukata dhe lëvizja nacionale i zgjuan dhe i ngulitën vetëdijen patriotike, edukimi shkollor, studimet franceze të kryera në Liceun Perandorak të Gallata Sarait e deri te Universiteti i Dizhonit e “College de France”, i dhanë një formim e kulturë të plotë oksidentale. Por, natyrisht ajo që ishte më e rëndësishme, formimi dhe kualifikimi i lartë oksidental i dha mundësi atij t’i shpëtojë ndikimit ballkanik-oriental, të shkëputet nga mënyra e jetesës dhe mendësia e ngushtë orientale, të ngrihet mbi gjykime të ngushta e shije të tejkaluara të Lindjes së prapambetur. Kjo është arsyeja që Konica do të frymëzohet nga ideale iluministe e humaniste dhe do të ushqehet nga mendimi racionalist, larg formave ekstremiste.

Kjo është arsyeja që edhe “Albania”, gjatë afro trembëdhjetë vjetëve, në 2500 faqet e saj, do të jetë një organ me frymë europiane, një enciklopedi shqiptare, një tribunë e letërsisë sonë nacionale.

Më 1901, Konica botoi vjershën “Anadollaku në mësallë”, një satirë mjaft e fuqishme, drejtuar kundër bejlerëve në planin etik, për jetën vanitoze që bënin. Është një portret i goditur i feudalit shqiptar, i dhënë përmes një imazhi konkret, me ngjyra groteske, ku fshikullohet injoranca, bota e varfër shpirtërore, lakmia e tij. Lirika e vetme që njohim prej Konicës është soneti “Helena e Trojës” (1937), një vjershë antologjike e shkruar në moshën e pjekurisë. Nga bota e ashpër homerike, poeti merr figurën delikate të Helenës dhe e trajton me një bukuri të re, gjithë elegancë dhe delikatesë. Përvoja e letërsisë së huaj, sidomos prozat e njohura të poezisë së Shatobrianit, nuk e kanë penguar Konicën e ri të jetë origjinal dhe t’i hapë rrugën në prozën e vonuar shqipe të asaj kohe.

Lëvrimi i prozës poetike mund të themi me bindje se fillon prozën moderne shqipe dhe që pa asnjë pikë dyshimi, krijues i kësaj gjinie është Konica. Kur Fan Noli e quan Konicën “krijues i prozës moderne shqipe” dhe “mjeshtri më i skalitur i prozës”, me këtë ka parasysh hopin cilësor që solli vepra e tij në rrugën e mundimshme të prozës sonë. S’ka dyshim se arritjet ma të mira të publicistikës, problemet e mprehta dhe patosi i saj i zjarrtë, begatimi i mjeteve shprehëse, shkathtësimi i gjuhës do t’i përgatisnin terrenin dhe do të ushqenin drejtpërdrejt prozën letrare. Proza letrare e Konicës është e shpërndarë në kohë dhe gjendet e pranishme pothuaj në të gjitha periudhat e jetës së tij krijuese. Fryma patriotike e Konicës na shfaqet me të gjithë madhështinë e saj edhe me një bazë të pasun emocionale të tregimit apo rrëfejza “Mrika”. Është fjala për vdekjen e lumtun të nji vajze shqiptare, që me trimërinë e gjakun e saj shpëton jeten e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Me gjithë fundin tragjik, dhënë në sfondin e detit të natës që vetëtinë nga bukuria e nënqeshja e Mrikës, ngjarja tingëllon optimiste. Ndjenja e fuqishme e atdhedashurisë dhe notat e një poezie humane janë ato që e kanë gatue këtë tregim që të mbetet në mendje.

Konica asht pararendës në evidentimin dhe skicimin mjeshtëror të lëvizjes sonë nacionale, ku mund të evidentojmë skicën “Ai që është gati të vdesë për Shqipërinë”. E ndërtuar kryesisht në trajtë dialogu, del mjaft i qartë tipi i demagogut, i njeriut pasiv ndaj fatit të atdheut, ai që merret me fjalë dhe sofizma. Autori s’e kursen ironinë e deri dhe fshikullimet satirike për të nënvizuar idenë se Shqipëria e robëruar kërkon veprime konkrete dhe sakrifica të vërteta. Faik Konica është mjeshtër shembullor në skalitjen e portreteve, ku “dalta” e tij e mprehtë tregon shkallën më të lartë të preçizionit. Ai, me një mjeshtëri të rrallë vendos raporte të drejta dhe funksionale në mes të psikologut, mendimtarit dhe piktorit. Hapësira që ai zgjedh, distanca që mban, linjat që heq, atmosfera që krijon përcaktohen në mënyrë definitive në dhënien sa më mirë të fizionomisë dhe personalitetit, thelbin e tij psikologjik e historik. Duke u mbajtur fort pas figurë dhe shëmbëlltyrës së saj, ai arrin të realizojë portretin, jo vetëm në mënyrë lakonike e me mjete të kursyera shprehëse, por me një thjeshtësi e qartësi shpesh herë sugjestive, që përcjellin te lexuesi gjendje shpirtërore e mendime të kthjellëta e fisnike.

Në galerinë e portreteve të Konicës do të gjejmë rilindësit e mëdhenj: Jeronim De Rada, Abdyl e Naim Frashëri, plakun dhe tribunin e maleve, Bajram Curri, mikun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë Fan Nolin, prelatin e shqiptarizmës, At Shtjefën Gjeçovin, secili brenda karakterit e natyrës së tij, secili në përmasat që i ka dhënë historia, të gjithë të ndriçuar nga drita e së vërtetës e të rrethuar nga atmosfera e dashurisë dhe e devocionit të autorit.

Faik Konica është i pari që i hapi udhë estetikës në letërsinë shqipe dhe është fakt se ai në një mënyrë apo në një tjetër, u mor gjithë jetën në këtë lloj që bashkon në një letërsinë me studimin. Në trajta të saj janë derdhur pasuri të mirëfillta intelektuale, meditime të gjalla e gjykime të mprehta, kërkime e zbulime, përshtypje origjinale nga bota njerëzore dhe universi kulturor. Një nga esetë më përfaqësuese të Konicës është ajo që njihet me titullin “Jeta dhe librat”, ose “Prometheu i lidhur” (1922), ngritur mbi një reliev të qartë shpirtëror të vetë autorit. Është ky një çast psikologjik me ndjeshmëri të lartë, që zgjon tek autori mendime e gjykime origjinale për librin, për fuqinë dhe peshën e tij kolosale. Gjithë fokusi në këtë rast përqendrohet te tragjedia “Prometheu i lidhur” e Eskilit, një libër i vjetë nga mosha (2400-vjeçar), por gjithnjë i ri për nga mendimet (siç shkruan vetë Konica). Prometheu për Konicën është idealisti që vuan dramën e përjetshme të lirisë së mendimeve, të dashurisë së madhe që ka për njerëzit. Një hero i tillë kish ç’t’i thoshte lexuesit shqiptar në vitet ’20, kur në Shqipëri luftohej kundër tiranisë dhe për lirinë e mendimit. Aluzionet janë veçanërisht për Ahmet Zogun, si njeri që synon të rrëmbejë “Pushtetin në rrëmujë e sipër”. Unë do të sugjeroj se liria e mendimit u dhunua me një intensitet akoma më të lartë gjatë regjimit totalitar pesëdhjetëvjeçar (M.B.). Jam gjithashtu i mendimit se, autorët që mblodhën dhe përgatitën materialet për veprën e Konicës, përkatësisht Nasho Jorgaqi dhe Xhevat Lloshi, kur flasin apo lakojnë emrin e Ahmet Zogut si diktator, për të qenë objektivë dhe të paanshëm, duhet të kishin lakuar edhe emrin e Enver Hoxhës, i cili e denigroi Konicën bashkë me Fishtën dhe Koliqin. Duke mos pasqyruar drejt realitetin historik do të mbajmë përgjegjësi para nipave dhe stërnipave. Jam i mendimit se çdo figurë historike duhet trajtuar në mënyrë korrekte jashtë kornizave të sentimentalizmit dhe simpative personale (M.B.). Faik Konica është një personalitet i shkëlqyer në forcën e logjikës analitike, ai me një kthelltësi të dukshme mendore dhe me “bisturinë” e tij të mprehtë, është në gjendje të operojë “apendisitin” social dhe kulturor të shoqërisë shqiptare. Ai, duke njohur thellë historinë e Shqipërisë, psikologjinë dhe natyrën e shqiptarëve, dhe nga ana tjetër duke pasë një vizion të gjërë për botën dhe duke e njohur dhe përjetuar atë nga kuotat e larta të qytetërimit e të zhvillimit bashkëkohor, ai nuk është i kënaqur nga realiteti shqiptar. Atë e trondit dhe e revolton (disa herë deri në neveri) prapambetja dhe padija e bashkatdhetarëve, fryma anadollake dhe plogështia e tyre orientale, dëshira e vakët për punë, vullneti i dobët, mungesa e aspiratave të mëdha etj. Të gjitha këto e bëjnë Faik Konicën të shtrojë para shqiptarëve detyra imperative për të dalë sa më parë nga stadi i prapambetur, ku e ka lënë padrejtësisht historia. Një popull i lashtë, me tradita qytetërimi si populli shqiptar nuk duhet të mbetet pas Europës – thotë Konica. Goditjen kryesore të kritikës së tij Konica ia drejton aparatit burokratik të mbretërisë shqiptare. Te ky aparat ai sheh elementin më negativ, nënpunësin pa kokë, njeriun automat, që vepron mekanikisht, robotin. Robotizimi është burokracia e kohëve të reja, janë ata që punojnë e drejtojnë pa mend, “që pijnë gjakun e Shqipërisë dhe i thajnë burimet e jetës”. Tepër aktuale kjo profeci e Faik Konicës (autori). Robotët shqiptarë, krahasuar me robotët botërore, paraqiten akoma më negativ po të marrësh parasysh se janë pjellë e nxënës të osmanllinjve. Në kritikën e tij të rreptë ndaj dukurisë negative, që konstaton në Shqipëri, ai përdor mjeshtërisht humorin e satirën e deri dhe sarkazmën dhe grotesken. Këtë e bën jo vetëm nëpërmjet karakterizimeve therëse e stigmatizuese, por edhe me anë të situatave, të përshkrimeve e të portreteve mjaft të goditura. Duhet theksuar se dy “armët” më të fuqishme të Fishtës (falë kulturës së tij të lartë dhe të lavdërueshme) janë produkt i njohjes dhe përvetësimit të mbi gjashtëmbëdhjetë gjuhëve të huaja. Nga anglezët mori humorin, ndërsa satirën e mori nga Franca. Frëngjishten e njohu me rrënjë ashtu siç njihte Barleti latinishten (me “kolorin” e së cilës ndërtoi veprën monumentale të Gjergj Kastriotit). Konica, me një njohje të gjithanëshme, të thellë, me sens realist dhe qëndrim objektiv por dhe duke vendosur paralele me botën, ai i tregon lexuesit se ç’përfaqëson populli i tij në bashkësinë europiane dhe më tej. Vetëm një njeri me formim dhe aftësi si Konica mund ta përcaktonte aq qartë individualitetin e shqiptarit dhe të ngrinte perden e jetës dhe historisë së tij në dritë-hijet e së vërtetës. Vështirë të gjendet një vepër tjetër e këtij lloji për Shqipërinë, që brenda kufijve të eseve, të derdhet aq informacion i pasur e i rëndësishëm, me një spektër tepër të gjerë dhe të paraqitet aq bindës, rrjedhshëm e këndshëm saqë vetëm penda e “temperuar” me lëngjet më të “yndyrta” të kulturës europiane e Faik Konicës.

Jam i mendimit se Faik Konica bashkë me Fishtën, Nolin, Gurakuqin, Koliqin, Pipën, Camajn e Kadarenë, mbeten kolona të “padizermueshme” të kulturës sonë nacionale dhe pararendës të qytetërimit oksidental, pa përjashtuar Profesor Sami Repishtin dhe Doktor Ibrahim Rugovën. Faik Konica mbetet gjithnjë aktual me profecitë e tij dhe me vizionin tepër të qartë, që do t’i shërbejë të sotmes dhe të ardhmes si një udhërrëfyes gjenial.

Mark Bregu

 

Politika vë në skenë dy telenovela: “Mbro të ardhmen” dhe “Koha për ndryshim”

E morët vesh? Ndërroi qeveria. Po habiteni? Megjithatë, ishte thjesht “vullneti i popullit”, d.m.th. vullneti juaj. A i patë, o njerëz, çfarë spektakli madhështor na dhuruan gjatë fushatës elektorale. Një telenovelë e bukur, por që për çudinë tonë askush nuk e mori vesh aktorin kryesor, pasi të gjithë, kush në një mënyrë e kush në një tjetër “vetëshpallej” si fitues, d.m.th. si aktor kryesor. Për aktor edhe po i besojmë, por atë vetëpagëzim “fitues” sikur nuk na kanë marrë leje ne më parë, pra popullit të thjeshtë. Se mos na kanë marrë leje ndonjëherë! Por ne jemi popull artdashës, apo jo dhe si të tillë nuk lëmë telenovelë pa ndjekur ku luanin aktorët tanë politikanë.

Telenovela moderne të luajtura me profesionalizëm dhe suksesi i tyre hapi jehonën anë e kënd.

Po ju pyes pak, a e keni parë telenovelën “Mbro të ardhmen” apo atë tjetrën “Koha për ndryshim”?! Se mos ndonjëri nga ju ka bërë gabim e nuk i ka ndjekur këto dy vepra madhështore. Ai që nuk i ka parë ka humbur rastin t’i dëgjojë ata “live” me një fjalor të përkryer, të zgjedhur e mendjeturbullues për të mos thnë mendjembushës. Dhe e dini sa ishte çmimi për këto telenovela, sa një votë.

Doni të dini a flisnin me emocion aktorët tanë? Aha, veç t’i shikoje e dëgjoje, lotët të shkonin përrua, në fakt disa edhe qeshën… megjithatë ishin batuta shumë të forta, mbresëlënëse që vetëm sa i kujton të rrënqethet mishi. Epo aktorë të lindur o njerëz, s’ke ç’i thua! Tani mbase ndonjëri apo ndonjëra ishin edhe pa shkollë, por kot të ankohemi, na kanë kënaqur me të vërtetë jashtëzakonisht. Tani sigurisht që gabonin sepse kishte raste që flisnin ndonjë herë ndonjë gjë që s’e di në ishte brenda apo jashtë natyrës së tyre.

Pa provoni pak t’i kujtoni fjalët emocionuese që mendoj ende kumbojnë nëpër veshët tuaj. “Ëndërrojeni” pak atë që për disa kohë i përkiste realitetit, kur protagonisti kryesor me një buzëqeshje naive që ta këpuste shpirtin, e me një çehre pak të çuditshme në fytyrë (të mos harrojmë se ai vetëm po luante rolin që i kishin caktuar në telenovelë) me plot emocion bindës fillonte monologun e tij prekës. E si të mos kujtohen ato fjalë aq bindëse me një ton të vendosur. E kujtonte kur fillonte: “Të dashur zonja dhe zotërinj! Po afron dita e madhe, kur të gjithë ju do të shikoni një Shqipëri ndryshe. Një Shqipëri që do të ketë ujë, drita, rurgë, arsim, zhdukje të varfërisë, punë… etj., etj. Duhet edhe pak ditë që vendi ynë i dashur të hyjë në rrugën e duhur pasi këtë do ta bëjë të mundur vetëm qeverisja jonë. Prandaj i dashur popull ju na jepni votën, ne ju marrim shpirtin!” (Tani këtë të fundit ata e thanë pa zë, sepse ashtu ishte skenari. Ata harruan të thonë gjithashtu se dritat do t’i keni me ndërprerje, ujin merren ku të doni, rrugëve do t’u hapim prapë gropa etj. Ndoshta edhe këto duhet t’i kenë thënë nën zë sepse i tillë ishte skenari).

Dhe në fund, për t’i vënë kapakun të gjithë njëzëri: “Mbro të ardhmen”…, dhe perdja ulej ngadalë (sigurisht ata na thanë të mbojnë të ardhmen për të cilën ata na folën gjerë e gjatë).

E ndërsa diku tjeër një tjetër telenovelë po aq e famshme po luhej. Titullohej “Koha për ndryshim”. Si për çudi n.q.s. ju e keni vënë re teksti ishte pak a shumë i njëjtë me telenovelën që sipërpërmendëm. Tani nuk jemi krejtësisht të sigurt nëse i ka shkruar e njëjta dorë, por a thua të jetë e vërtetë?! Nejse, rëndësi ka që ne jemi kënaqur, të tjerat edhe mund të durohen. Por për fatkeqësinë tonë ne filluam t’u besojmë me të vërtetë atyre telenovelave. E si të mos u besosh kur dëgjoje ato fjalë të bukura e marramendëse. Sikur na e kishte qejfi t’u besonim edhe pse e dinim fare mirë se në fund të fundit telenovela, telenovelë mbetej, d.m.th. e pavërtetë. Po mirë se po fillojmë të besojmë edhe atë çka nuk ka ndodhur të besohet më parë, një telenovelë por ne ishim në një dilemë të madhe se kë të quanim me të vërtetë telenovelën “Mbro të ardhmen” asaj “Koha për ndryshim” apo edhe ndonjë telenovelë tjetër të vogël që mbetej anonime por që edhe ajo me ngulm kërkonte besimin tonë, d.m.th. votën.

Tani problemi kaloi tek ne, ishim ne ato që duhet të vendosnim çmimin “posti” për telenovelat tona aq të dashura.

Po ç’u desh që u futët në një mesele të tillë, o njerëz?! Po me gjithë atë sukses e me ato aktorë, njëri më i bukur e më i talentuar se tjetri. Hajde zgjidh tani! Po fundi i fundit një duhet të zgjidhnim edhe ne, le pastaj që të dyja telenovelat ishin të njëjta vetëm aktorët ndryshonin. Dhe dita e madhe afroi, kur të gjithë, ca të vendosur e ca të pavendosur dhanë votën e tyre për “telenovelën më të mirë”.

Po ju që nuk keni votuar fare, mos më thoni se nuk keni besuar tek telenovelat. Sot jeni penduar, sepse e dini sa bukur është të besosh në diçka, (sidomos kur je më se i sigurt se asgjë nuk është e vërtetë), kaq të suksesshme sa ç’ishin telenovelat tona.

Siç e pamë të gjithë, fitoi “Koha për ndryshim”, d.m.th. ne i dhamë çmimin e madh dhe plot entuziazëm pritëm… Ndërsa humbësit dolën shumë të zhgënjyer… por morën çmimin e dytë që nuk është larg të parit.

E ne të shkretët pritëm… pritëm e po presim dhe sot kur të fillojnë të vihen në jetë gjithë ato premtime të bukura.

Ato premtime tashmë janë realizuar pasi ne kemi drita me ndërprerje, varfëri ekstreme, rrugë të prishura, papunësi etj., etj. Nëse ju kujtohet të gjitha këto i kanë thënë, edhe pse nën zë, por thënë i kanë ama!

Çfarë, nuk ju besohet?! Po mos u zhgënjeni, dhe më thoni se cila telenovelë është besuar ndonjëherë, vetëm ato shqiptare. Nesër sërish do të vijë rasti të rizgjedhim përsëri e ne sërish do t’u besojmë të njëjtave telenovela.

E përsa i përket faktit që Shqipëria të ketë një të nesërme më të mirë duket si pak i largët ky fenomen.

Megjithatë të mos biem në pesimizëm, sepse këta sapo kanë ardhur në pushtet dhe në një kohë rekord pothuaj kanë realizuar gjysmën e premtimeve, kuptohet ato që i kanë thënë nën zë, tani le të presim të tjerat… Presim, sepse gjithmonë të presim, të besojmë dhe të harrojmë janë tri gjërat që populli shqiptar ka ditur t’i bëjë më së miri.

E ne ndërkohë vazhdojmë të presim realizimin e premtimeve…

Emiranda Lukaj

 

Shkodra, kryeqyteti i mbretërisë ilire

I pari prijës që bashkoi fiset ilire dhe u bë mbret i tyre, ishte Bardhyli, i cili jetoi në kohën e Filipit të Maqedonisë. Në krye të trimave ilirë, Bardhyli luftoi për të bashkuar të gjithë popujt e asaj race nën kurorën e tij. Armata ilire pati sukses në fillim, duke pushtuar Maqedoninë dhe Epirin dhe duke detyruar sundimtarët e tyre t’i dërgojnë Bardhylit në kryeqytetin e tij, Shkodrën, djemtë e tyre si peng. Por, Filipi, i ati i Lekës së Madh, mbasi i dha fund luftës që po bënte kundër grekëve, marshoi kundër Bardhylit dhe e detyroi të tërhiqej nga tokat e Maqedonisë që i kishte zaptuar. Disa vjet më vonë, Filipi bëri përsëri luftë kundër Ilirisë dhe ushtria e tij prishi qytetet dhe shkatërroi fushat në mbretërinë e Bardhylit. Mbas vdekjes së Bardhylit, mbretërinë ilire e ndanë në mes tyre i biri, Kliti dhe kushëriri, Glaku. Klitit i ranë në hise tokat ilire në veri të Drinit, që përfshinin fisin e Tribalëve. Glaku mbretëroi mbi Taulantët dhe fiset e tjera deri në malet e Himarës. Të dy këta në fillim luftuan kundër Lekës së Madh dhe më vonë u bënë vasalë të tij për t’i dhënë ushtarë dhe të holla për ekspeditën e tij kundër persianëve. Gjatë rrëmujës që pasoi vdekjen e Lekës së Madh, ilirët rifituan lirinë e tyre dhe luftuan me sukses kundër Perandorisë Maqedone që ishte në shkatërrim e sipër. Glaku priti në oborrin e tij mbretëror në Shkodër, Pirron, i cili kishte qenë i detyruar të arratisej nga rivalët e tij për fronin e Epirit. Me ndihmën e mbretit të Ilirisë, Pirroja u kthye përsëri në mbretërinë e tij. Ai që njihet më mirë ndër mbretërit e Ilirisë është Agroni, i biri i Pleuratit. Agroni mbretëroi në shekullin e III-të para Krishtit dhe bashkoi nën sundimin e tij të gjitha tokat që përbënin mbretërinë e vëllait të tij, Bardhylit. Sipas historianit grek, Polib, mbretëria ilire arriti kulmin e pushtetit dhe të famës nën Agronin. Agroni kishte një ushtri dhe një flotë më të fuqishme se të gjithë paraardhësit e tij, – shkruan Polibi. Në vitin 231 para Krishtit, u vërtetua një gjë e pashembullt: Mbreti i Maqedonisë kërkoi ndërmjetësimin e Mbretit të Ilrisë (armikut tradicional). Kështu u çel rruga që i bëri grekët të njohin vetitë luftarake të ilirëve. Dhimitri i Maqedonisë i kërkoi Agronit që t’i shkojë në ndihmë kundër Akranonëve mbasi Etolasit kishin rrethuar qytetin e tyre, Medeon, në Gjirin e Ambracisë (Artës), për t’i detyruar të futen në lidhjen e tyre. Agroni dërgoi në ndihmë të forcave të rrethuara në Medeon, 1000 anije me rrema që quheshin “Lembi”, si dhe 5000 luftëtarë. Sa zbritën në tokë, ilirët u vërsulën kundër Etolasve dhe i thyen aq keq sa u detyruan të ngrinin rrethimin e qytetit Medeon, duke lënë prapa plaçka të mëdha. Grekët ishin hutuar nga tmerri. (Ref.: Hecquat – Historie dela Haute Albanie, fq.401).

Në analet e asaj kohe përmendet se Agroni vdiq menjëherë mbasi mori lajmin e fitores kundër grekëve. Thuhet se ai hëngri e piu tepër në gostinë që u shtrua për të celebruar tirumfin e armëve ilire. Agroni vdiq në vitin 231 para Krishtit dhe la si trashëgimtar djalin e tij të vogël. Mbretëresha Teuta u bë regjente dhe fitoi famë në histori me luftën që bëri kundër Republikës së Romës.

Në kohën e Teutës, mbretëria ilire përfshinte Shqipërinë e sotme deri në Vjosë, Malin e Zi, Dalmacinë dhe pjesë të Serbisë dhe Kroacisë, deri në brigje të Danubit. “Vlen në këtë rast për t’u kujtuar bashkëqytetarëve të mi, të cilët para tridhjetë vjetësh në “sugjeronin” në një shkrim, se Mbretëria Ilire (në kohën e Teutës) kufizohej nga Kotorri në Lezhë, jam i mendimit se kur flasim për ngjarje historike, duhet përdorur referenca.”

Kryeqyteti i Ilirisë ishte Shkodra e rrethuar me muret e Rozafës. Në bregdetin e Ilirisë, grekët e Korinthit dhe të Korfuzit kishin themeluar tri kolonitë e Apollonisë (Pojan), Epidamnit (Durrës) dhe Lisus (Lezhë) në shekullin VII para Krishtit. Korfuzi vetë kishte qenë në fillim një koloni e Korinthasve, prandaj këta të fundit kishin vendin e parë në kolonitë që themeluan së bashku më vonë. Rivaliteti që plasi (më vonë) në shekullin V para Krishtit, në mes të Korinthasve dhe Korfiatëve në Durrës, pati oshëtimë në Greqi dhe u bë një nga shkaqet e luftës së Peloponezit në mes Spartës dhe Athinës. Kolonistët grekë ishin ndërmjetësit e një tregtie të Taulantëve që banonin në ato vise dhe botës së jashtme.

Në lindje të Ilirisë ishin maqedonasit, mbretëria e të cilëve shtrihej deri në Detin Egje, duke përfshirë edhe Selanikun. Ata kanë lënë gjurmë të thella në histori nën Lekën e Madh, i cili mundi Persianët e prirë nga mbreti i tyre Dari (ose Darius), dhe shkoi për të zaptuar Indinë. Përveç sllavëve dhe turqve, në Maqedoni sot ka vetëm shqiptarë si raca më e vjetër e asaj krahine. “Një fakt ky që ligjëron autoktoninë e vëllezërve tanë në Maqedoni”, (M.B.). Kjo na jep arsye për të thënë se maqedonasit ishin të një race me ilirët, megjithqë këta dy popuj herë luftonin, herë bashkëpunonin mes tyre. Këtë e konfirmojnë dhe shkrimtarët grekë, të cilët i quanin maqedonasit “barbarë”, d.m.th. të huaj. Dihet gjithashtu se Filipi dhe Leka i Madh u flisnin ushtarëve të tyre në një gjuhë të cilën grekët nuk e kuptonin. Historiani anglez W.Tarn, duke shkruar mbi Lekën e Madh, bën këto vërejtje: “Shqiptarët thonë se është i tyre. Megjithatë, që të dy prindërit e tij pretendonin se ishin me origjinë greke, Leka i Madh, sigurisht, kishte nga i ati dhe ndoshta nga e ëma, pak gjak ilir, d.m.th. shqiptar”. Kjo shpjegohet mbasi e ëma e Lekës, Olimbia, ishte e bija e Neoptolemit t Epirit. Nga ana tjetër, arkeologu anglez Stanley Casson, i cili shihet si autoritet mbi këtë çështje, shkruan kështu: “Njësia e kulturës në mes të Bosnjës dhe Maqedonisë në kohën e qytetërimit të hekurit na jep të kuptojmë se ka ekzistuar një element i fortë ilir në jug. Por, maqedonasit e asaj epoke ndryshonin thellë dhe nga shumë pikëpamje prej ilirëve, mbasi Maqedonia në atë kohë kishte një popullsi të përzier dhe ilirët nuk ishin elementi racial më i fortë. Megjithatë ka shumë rëndësi fakti që është provuar identiteti i kulturës së Bosnjës dhe Maqedonisë, mbasi kështu shpjegohet prezenca e ilirëve në krahinën e Manastirit, që është në kufi të Maqedonisë. “Duke lënë mënjanë çështjen e origjinës Keltike të kulturës Hallsatit dhe të racës ilire që është lidhur ngushtë me të, duket si një gjë e provuar se ilirët e kohëve historike sollën kulturën e Hallsatit në Maqedoni dhe në Greqi. Kjo do të thotë se Bosnja, Shqipëria, Greqia e Maqedonia u invaduan nga ilirët. Nga kjo rrjedh medoemos se dorianët që invaduan Greqinë ishin nga raca ilire që zbritën prej veriut. Kjo vërtetohet edhe nga shumë aspekte të kulturës materiale e që janë njësoj në të gjitha këto krahina”. Gasson e përfundon këtë kapitull të veprës së tij me këto fjalë: “Ilirët vetë shiheshin si një racë me themeluesit e Maqedonisë dhe ndryshimet në mes këtyre dy popujve kanë qenë më tepër ndryshime të kulturës se sa të racës”. Në mes të Ilirisë dhe Greqisë së vjetër ishte Mbretëria e Epirit, që ka lënë gjurmë në histori, sidomos për shkak të luftërave të Pirros kundër romakëve. Fiset kryesore të Epirit ishin Thesprotët, Kaonët dhe Mollositët. Emri Epir vjen nga një fjalë greke që do të thotë kontinent. Historianët grekë e kanë përdorur këtë emër për të theksuar kontrastin në mes të Epirit dhe Greqisë që ishte një gadishull.

Epiri mori famë në histori me mbretërimin e Pirros, i cili ishte vetëm gjashtë vjeç kur vdiq i ati, që ishte princi i Mollositëve (Mallakastra e sotme). (Ref. “Stanely Gasson – Macedonia, Thrace and Illyria”, fq.309-326).

Pra, siç thamë më lart, gjithnjë sipas arkeologut Gasson, nga gërmimet arkeologjike u zbuluan mjaft gjëra sa për të provuar se qytetërimi i Hallsatit u përhap edhe në Shqipërinë e sotme. Në fshati Koman të Rrethit të Pukës, është zbuluar një neprokale (varrezë) ilire, prej misionit arkeologjik italian të kryesuar nga Luigji Ugolini. Simbas zakonit të kohës ilire, pranë kufomës varroseshin armët, veglat dhe orenditë vetjake të burrit ose gruas së varrosur. Në Koman janë gjetur pjesë armësh prej hekuri, vathë, gjerdanë, karfica, unaza dhe breza prej bronxi që janë pikë për pikë njëlloj si ato të zbuluara më parë në Hallsat dhe në Gallzinos të Bosnjës. Në Veri, ilirët ishin fqinjë me Keltët, të cilët hapën më vonë qytetërimin e hekurit në Europën e Mesme, në Francë e deri në Spanjë. Historiani francez, Gamille Julian, autor i një vepre klasike mbi Galët, stërgjyshërit e francezëve të sotëm, shkruan se gjaku i Keltëve u përzie me gjakun e ilirëve dhe u formua një racë e re, Kelto-Ilire, e cila u përhap në Shqipëri e në Ballkan. Ndonëse kjo hipotezë nuk mund të quhet krejtësisht reale, gjithsesi studimet serioze të mëvonëshme mund të ndriçojnë çdo dyshim për të arritur tek e vërteta. Problemi nuk mund të zgjidhet definitivisht deri sa arkeologjia nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit. Sidoqoftë, prezenca e një elementi keltik në tiparet raciale të ilirëve nuk mund të vihet në dyshim. Nëse ekzistenca e kelto-ilirëve, si një racë e veçantë mund të vihet në dyshim, ajo e thrako-ilirëve është një fakt i provuar. Thrakasit që ishin si të thuash, kushërinj me ilirët, u vendosën në Rumani, në Bullgari dhe në Thrakinë e sotme. Ata kishin shumë kontradikta raciale dhe gjuhën e përbashkët me ilirët, aq sa albanologu i mirënjohur austriak, Norbert Jokli, është munduar të provojë se shqipja e sotme e ka origjinën në një dialekt të gjuhës së thrakasve. Thrakasit, si ilirët, ishin një popull i ndarë në fise dhe ata që përmenden më tepër në histori janë Besët dhe Tribalët. Mbasi ranë nënsundimin e romakëve, ata harruan gjuhën e tyre dhe u latinizuan krejtësisht. Megjithatë, në rumanishten e sotme ka ende fjalë që janë njësoj si në shqip: buzë, bukur, etj. Janë siguruar prova se deri në shekullin VI mbas Krishtit, Besët flisnin një gjuhë që nuk ishte latinishtja dhe që besohet se mund të ketë qenë një dialekt ilir. Fakti që në Rumani gjetën mbështetje shumë rilindas, mund të na çojë drejt asaj tërheqjeje “magnetike” të genit Iliro-Thrakas. Ajo që më shtyn të studjoj historinë tonë dhe të shfletoj me ëndje çdo fletë të saj, është intersimi për të hulumtuar në çdo “skutë” për gjetjen e rrënjëve tona etno-kulturore, që fillojnë nga pellazgët, për të ardhur tek ilirët, arbërit e deri në ditët tona. Mendoj se është vërtet krenari dhe mburrje kur konstaton (historikisht) se Shkodra ishte kryeqyteti i Ilirisë dhe pikërisht kryeprijësit ilirë ishin Bardhyli, Genti e Teuta. Jam gjithashtu i mendimit se duhen bërë më shumë studime dhe kryesisht Komani duhet parë si një thesar vlerash që paraqet interes të veçantë. Vetëm përmes këtyre studimeve serioze, do të hedhim poshtë çdo orvatje të fqinjëve të cilët më shumë se njëherë janë munduar të mohojnë prejardhjen tonë iliro-pellazge dhe të na quajnë “turma nomadësh”! Një ballafaqim i kulturës tonë të lashtë besoj se duhet të “zbusë” sadopak kërkesat e standardeve për të hyrë në Bashkimin Europian.

Ne, që i dhuruam Romës 15 perandorë dhe që e nxorëm nga krizat e shekujve III-IV para Krishtit, me Klaudin, Aurelianin, Probin, Dioklecianin dhe Kostandinin e Madh, meritojmë më shumë vëmendje nga Europa.

Mendoj gjithashtu që Italia duhet të bëjë më shumë për Kosovën, për hir të tre perandorëve me origjinë dardane, të cilët në momentet më deçizive që po kalonte Perandoria e saj Romake, gjatë shekujve III dhe IV, e nxorën nga krizat. Historia është nëna e “kujtesës” dhe këtë më mirë se ndonjë tjetër e njohin italianët, të cilët i dhuruan botës të parin universitet, atë të Bolonjës, ndaj duke kontribuar më shumë për Kosovën, në kancelaritë europjane, nuk bëjnë asgjë më shumë veçse shlyejnë një borxh të vjetër. Është folur shumë për pushtimin romak, por simbas mendjes time, ky pushtim ngjason më shumë me vetëpushtim, ose e thënë më shqip, ne e paskemi pushtuar Romën.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Bizantin, ku katër perandorë që sunduan mbi këtë perandori ishin me origjinë ilire.

Turqisë vërtet i dhuruam 28 kryeministra, por asnjëri prej tyre nuk e sundoi Perandorinë Otomane, dhe pikërisht sepse Veziri i Madh vinte i treti në radhë në hierarkinë otomane, d.m.th. mbas Sulltanit dhe Sheh Ul Islamit. Ndaj dhe versioni i hedhur nga ndonjë individ se ne e kemi pushtua Perandorinë Otomane është i pasaktë dhe pa asnjë bazë historike.

Një meritë e jashtëzakonshme e Perandorit që sundoi mbi Romën, Kostandinit të Madh, është se duke ligjëruar krishtërimin në Romën pagane, bëri hapin më progresist të kohës. E pra ky burrë i madh dhe i papërsëritshëm ishte prej Nishit të Dardanisë (Kosovës së sotme). Ishte pikërisht Kostandini që e hapi kristianizmin deri në brigjet e Indisë, duke i dhuruar botës fenë e mëshirës dhe të harmonisë. A nuk është ky një premis për të zgjuar ndërgjegjen mbarë ndërkombëtare për një përkujdesje më të madhe ndaj atij populli që i “dhuroi” botës të tilla vlera? A nuk ishte shpata e fuqishme e Gjergj Kastriotit ajo që ndaloi vërshimin e hordhive aziatike, duke i bërë një shërbim kaq të vyer krishtërimit dhe qytetërimit europjan?! Atëherë pse fëmijët tanë duhet të bredhin udhëve të Europës, kur Europa ka mundësi të bëjë më shumë për t’u siguruar një të ardhme më të begatshme në tokën e tyre, e cila në të njëjtën kohë është tokë europjane! Të gjitha këto pikëpyetje e pikëçuditëse duhet të jenë “trokitje” në ndërgjegjen e kancelarive europjane për më shumë përkrahje dhe trajtim sa më dinjitoz, për stërnipat e Klaudit, Probit, Aurelianit, Dioklecianit, Kostandinit, e deri tek miku i madh i Alfonsit të Napolit dhe papëve të shenjtë të shekullit XV, strategut dhe gjeniut të Arbërisë, Gjergj Kastriotit.

Ne i kemi treguar me kohë botës se nuk jemi “barbarë” dhe se përveç forcës së shpatës kastriotiane, kemi edhe mishërimin e mëshirës dhe dashurisë kristiane, mesazh të cilin do t’ua përcjellim brezave përmes kampiones së mëshirës dhe dashurisë, shenjtëreshës së ardhëshme, Nënë Terezës.

Janë këta korifej që na bëjnë të ndihemi krenarë dhe që çdo ndihmë që mund të na serviret, të mos konsiderohet si mëshirë apo dhuratë, por një detyrim dhe borxh i hershëm.

Vërtet se për t’u anëtarësuar në BE duhen realizuar standardet, por duke patur parasysh sakrificat që kemi kaluar nga pushtimet dhe aplikimi i ideologjive dekadente, vëmendja e Europës duhet të jetë më evidente, një Shqipëri stabile garanton edhe qetësinë rajonale e cila është e domosdoshme.

Mark Bregu

 

Bota sillet rreth grave

Prelë Milani vjen si një zë i fuqishëm në gjininë e poezisë satirike. Vjen me autoritet e kulturë. Vjen me bagazhin e një krijuesi të mprehtë dhe fishkullues, vrojtues i hollë i gjithë jetës që e rrethon, ku moraliteti jeton në ujëra të turbullta, idealet përdhosen, perënditë bien, capërlohen dhe në vend të tyre ngrihen idhujt e frikshëm, përbindësha me pelerinë engjëjsh, epiqëndra kobzeza rreth të cilave sillet krimi dhe amoraliteti, kurse larg tyre vuajnë dhe përpliqetn vlerat, virtytet e nëpërkëmbura, ëndrrat dhe shpresat e zhgënjyera. Dhimbje dhe alarm rropotitet në vargjet e Prelë Milanit dhe një frikë për të ardhmen. Një frikë se nga e kaluara po marrim vetëm të zezën dhe jo të bardhën, të keqen dhe jo të mirën. Dy botë që ballafaqohen idhshëm:

Ne u bëmë afaristë, bosa apo mjeranë

Gjithkush ka një fat në jetë

Dikush ministër, deputet a sharlatan

Ti mbete veç me një biçikletë…!

A është faji i profesorit që ngeli me biçikletë, apo i nxënësve të tij që shpartalluan këtë vend? Kush na çoroditi kështu? Këtë pyetje drejt apo tërthorazi bën autori i këtyre vargjeve. Ndaj tallet me mllef ndaj idhujve të rinj të politikës dhe shoqërisë që jetojmë.

Bota e tyre sillet rreth parasë, paraja sjell krimin, krimi dhe kriminelët jargaviten dhe zgërlaqen ndaj një minifundi…

Kjo është tema rreth së cilës orvatet të qajë dhe të bërtasë, të tallet e të fishkullojë autori i këtyre vargjeve. Lexojeni dhe nëse nuk do të shihni veten aty, së paku do të shihni tipa dhe “heronj” që ju i njihni dhe sillen rreth jush.

Satira e Prelë Milanit ka erën dhe freskinë e malësisë, butësinë dhe aromën e stërholluar të qytetit. Ka mirësinë, ka përvojën, logjikën e ftohtë, guximin e gjyshit të tij patriot, babait të vet viktimë e intrigave të së keqes, ka fatin e zakoneve të mira malësore, por të veshura me larushinë e qytetit. Vjershat e Prelë Milanit janë të shkurtëra, shpesh i ngjajnë epigrameve ku me pak fjalë thuhen dhe nënkuptohen shumë gjëra. Prelë Milani ka krijuar individualitetin e vet të spikatur shumë origjinal në vatrën e humorit shqiptar, në Shkodër, ku vërtet humori ka djepin dhe është sa e frikshme dhe e vështirë ta lëvrosh, por që poetit nuk i mungon guximi të demaskojë të keqen dhe të shëmtuarën, me të cilat nuk pajtohet kurrsesi por u shpall luftë me topuz duke qëndruar brenda parametrave estetikë të humorit e satirës të cilat na i jep me një art lehtësisht të perceptueshëm shlodhës e zbavitës. Milani ndonëse të duket se e tepron dhe i bie në qafë më tepër se sa duhet seksit femëror, prapë ti bindesh se edhe në këtë rast mungon ai banalitet i shpifur që sot është bërë i modës në jetën artistike që na rrethon. Për një gjë kërkon të na bindë autori kur trajton erotikën në stilin malësor dhe kjo është: “Nuk është faji i femrës nëse bota sillet rreth saj. Faji është diku tjetër. Faji është më i madh. Atë kërkojeni jo tek femrat, por më lart se ajo. Kërkojeni tek shteti dhe te shtetarët që na drejtojnë dhe të cilët ne i përgatitëm sepse votuam dhe brohoritëm për ta”.

Fadil Kraja, shkrimtar, dramaturg, publicist

 

Emigracioni dhe emigrantët

“Emigracioni dhe emigrantët” titullohet romani më i ri i shkrimtarit të mirënjohur, doktorit të shkencave Nikë Bunjaj, botuar prej Shtëpisë Botuese “Helena Kadare”, me sponsorizim të biznesmenit bujar Tomë Doshi, tashmë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ky roman është një prurje e veçantë në llojin e romanit kronikal, i shkruar me ndjenjë dhe dhimbje të madhe, ndjenjë që buron nga shpirti atdhetar e human i shkrimtarit, i cili me një stil realist na pasqyron një nga dramat tona më të dhimbshme kombëtare që zë fill qysh me vdekjen e Gjergj Kastriotit dhe merr përmasat e një epidemie të pashëruar në vitet pasnëntëdhjetë. “Emigrantët dhe emigracioni” është një elegji e kënduar me lot në sy, është një dihamë që gufon nga dërrasa e kraharorit, është një gjamë kombëtare që vjen nga thellësia e shekujve, është një morde që po na përpin rininë e po na lë arat djerrë, po na lë kurrat ndry, djepet thatë, nuset e veja, nënat pa djem dhe djemtë pa varre. Ky roman është një mallkim me shami të zezë për sejmenët e drogës dhe prostitucionit që nuk njohin shoqëri, nderë as atdhe, ata që e kanë shëmtuar me paudhësitë e tyre imazhin e shqiptarit dhe të Shqipërisë në botë. Shkrimtari lutet “Mos Zot më keq!”. Ai nuk qan por ka një ëndërr dhe një shpresë për një ripërtëritje të re kombëtare. Ai në veprën e tij këndon një ninullë të cilën e skalit në kapitelin e djepit të nënës së re Nora që u martua me Xhevahirin në kampingun e Tiranës vetëm pak ditë pas masakrës gjakatare kur bisha serbe u kishte shkretuar shtëpinë pa u lënë njeri të gjallë. Ky çift i ri u martua në emër të vazhdimit të jetës dhe ekzistencës kombëtare dhe duke zbatuar amanetin e fundit të prindërve të tyre që u kishin lënë për ditën e dasmës e cila nuk duhej të shtyhej kurrsesi. Në epilogun e dhimbshëm të prindërve Kastrioti dhe Eva, autori nga rrëfen se duke udhëtuar me gomonen e vdekjes, ata humbin kolopuçin trevjeçar, lulen e shpirtit të tyre, të cilin ua përpin nga duart vala e tërbuar e detit, por në sajë të vitalitetit që e karakterizon, ky çift i plagosur pëllumbash gjen forca të sfidojë tragjedinë dhe mbi dhimbjen e plagës së vjetër ripërtërin jetën e cila duhet jetuar sido që të na imponohet ajo. Shkrimtari na jep idenë se shqiptari rilind edhe nga hiri i tij, rrëzohet por ngrihet, aksidentohet por ripërtërihet, ndryshon por nuk transformohet duke i qëndruar besnik identitetit iliro-arbëror.

“Na leni pak atdhe se jemi shqiptarë edhe ne… Na leni pak atdhe se një ditë do të trokasim në portën tonë, të gjallë apo të vdekur”. Me këtë refren rrënqethës me këtë betim solemn “se jemi shqiptarë, jemi guralecë të tokës mëmë, Shqipëri, ndonëse të gërryer nga erozioni i papërmbajtshëm historik, i cili na shpërndau anembanë globit, duke formuar një mozaik ornamental spontan simbiozë dhe shëmbëlltyrë e shqiptarisë. Vepra në fjalë ka një gjeografi interkoninentale atje ku jetojnë mbi 1.5 milion shqiptarë, ka një diapazon kohor që fillon me surprizën e çuditshme të ambasadave më 2 korrik 1990, eksodet e njëpasnjëshme të viteve ’92-’93, tragjeditë 1 e 2 të Otrantos etj., etj., ikje dhe vetëm ikje pa mbarim. Nikë Bunjaj, me një gjuhë të thjeshtë pa stërhollime e abstraksione të panevojshme shpalos qartë profilin e vet si prozator dhe rrëfimtar, si ledhatues i fjalës dhe përçues i mendimit të vet në mënyrën më të perceptueshme për lexuesin, i cili në çdo fragment të romanit gjendet përpara një të panjohure, përpara një dileme, një shprese e një zhgënjimi, gjendet përpara një imazhi realist që autori e ka fokusuar në vëzhgimet e tij të kujdesshme në kontakt me personazhet, ndodhitë e të cilëve ngjajnë si aventura në botën e çudirave. Nikë Bunjaj është një nga ata të paktë që me guxim e vendosmëri ngre zërin kundër bandave kriminale greke që gjatë viteve 1991-1997 kanë grabitur, përdhunuar e vrarë qindra e mijëra shqiptarë. Ai sjell fakte të gjalla tronditëse ku mizoria raciste nuk njeh kufi, duke mbërritur deri në kanibalizma të tillë si në rastin kur një pronar grek nga Selaniku, i cili së bashku me të vëllanë polic, Stavro Balati, në bashkëpunim me mikun e tyre Dhimitris Savelidhi, u kanë grabitur hakun e punës dyvjeçare të dy shqiptarëve që punonin në pronat e tyre dhe pastaj në mënyrën më çnjerëzore i kanë vrarë e zhdukur nga kjo jetë.

“Letra e dhimbshme”,  “Familjet shqiptare 10 vjet në ankth”, “Dhimbje e lot”, “… 6000 fëmijë shqiptarë i shkëputen kombit dhe trafikohen në Greqi”, “Vrasje dhe keqtrajtime të policisë greke s’kanë të sosur”, “Greqia ngre flamurin helen në Shqipëri, kurse Parlamenti hesht”, etj., janë disa nga titujt më të spikatur që përbëjnë kryefjalën e kësaj proze kronikale që nga njëra anë dënon papërgjegjshmërinë, heshtjen memece deri në përulje të politikanëve tanë që e kanë kthyer Shqipërinë në një serë ku lulëzojnë trafiqet dhe lënda e parë për prostitucion, pa të cilin Evropa plakë nuk rron dot. Nga ana tjetër Bunjaj shkopsit vellon e grisur duke nxjerrë në shesh lakuriqësinë e paturpshme nacional-raciste të qarqeve të caktuara helene, italiane etj., që çdo të ligë që ngjet në vendet e tyre ua faturojnë shqiptarëve. Galeria e personazheve dhe e karaktereve që portretizon autori është mjaft e larmishme si vetë llojet dhe tipologjitë floristike të emigrantëve tanë. Vlen të veçohet Bujari, intelektual i flakur nga 24/1, Perikliu, shef personeli i pushuar nga puna nga padroni i firmës “Kastriot”, me motivacionin për korrupsion, por që të njëjtin fat të emigrantit ka tani edhe ish-bosi i tij, Gjini që pas një jete të çthurur falimenton duke u kthyer në profesionin e vjetër të punëtorit të krahut së bashku me Marien, gruan e tij fisnike e dinjitoze. “Kujtime të një nate tmerri” është një nga fragmentet më interesantë, më impresionues dhe më magjepsës të këtij libri, është një rrëfim inteligjent për një histori të marrosur ku ndërthuren intriga, komploti, epshi shtazarak dhe etja për para e cila i shndërron personazhet në lugetër dhe përbindësh me fytyrë njeriu. Historia ngjason si një gjëagjëzë ku një ish-gazetare e “TVSH”, e cila tashmë jo vetëm prostituon në Itali, por është kthyer në tutore, ku viktimë e saj e radhës tani bie një ish-studente e cila rrihet, torturohet dhe përdhunohet në mënyrën më shtazarake në prezencë të një grupi tutorësh e drogmenësh, aq sa një tregtar i pluhurit të bardhë trishtohet dhe u lutet për mëshirë këtyre përbindëshave të cilët e qortojnë: “Po të jesh burrë i mirë nuk helmon gjakun e njerëzve me heroinë, prandaj qepe se të fluturoi kaptina!”. Rrëfimtari na tregon se kësaj viktime të pafajshme iu imponua profesioni më i vjetër të cilin tani e ushtron me pasion duke iu shtuar falangës së frikshme të prostitutave shqiptare që, sipas autorit, numri i tyre arrin në 65 mijë. Autori duke i rënë pash më pash ferrit, qan, mallkon, ulërin, qëllon me shigjeta rrufeje tutorët shpirtkatilë, tregtarët e mishit dhe pluhurit të bardhë, këto jashtëqitje të neveritshme kombëtare, parazitë të ndyrë që jetojnë reth vrimës anale të putanës Evropë e po ia nxin faqen Shqipërisë e shqiptarëve. Bunjaj, pasi kacafytet me lugetërit e ferrit nga ai terr dhe tmerr drithërues kalon në dritë dhe në diell dhe ia thotë këngës së gëzuar për engjëjt e emigracionit, punëtorët duarartë, balldjersitur dhe mëngëpërveshur, biznesmenët e suksesshëm, nxënësit e talentuar që shquhen ndër të tjerë falë genit dhe inteligjencës natyrore shqiptare, studentët e shkëlqyer, intelektualët mendjendritur, poetë, artistë të përmasave të mëdha, patriotë të vërtetë që e duan Shqipërinë dhe e ndjejnë veten krenarë se janë shqiptarë. Prandaj lajtmotivi që e shoqëron këtë vepër është pathosi tërësisht patriotik të cilin autori e ka nënvizuar si rrefren: “Na leni pak atdhe, sepse një ditë, të gjallë apo të vdekur, do të trokasim në portën tonë!”.

Prelë Milani, kryeredaktor i gazetës “Dukagjini”

 

NA ISHTE LABEATI

Sot u banë 12 muaj që ekipi Labeat ka nderprer aktivitetin e tij sportiv dhe asnji nga përgjegjësit e nuk ka kurajo të kërkojë për ato cka banen,por unë inë do të mundohem të referoj diçka.Në qershore të vitit 2000 në famullinë e Zonjes  Rruzare tek Arra e Madhe me inisjativen e Rroksan Sheldis dhe të Kastriot Prekës si dhe me mbështetjen e famulltarit të saj kohe P.Flavio Cavallinit ish ministër provincial u hodh idea eafrimit te grup moshave të ndryshme në ambjentet e famullisë.Ideja e këtij grupimi nuk ishte thjesht sporti,por ishte largimi i këtyre djmve nga veset e shoqsiërisë dhe formimi she edukimi i tyre në mënyrë që neser këto djem të jenë dej për shoqërinë.Menjëher nisi puna për krijimin e këtij grupi dhe për një periudhe dy mujore u afruan 130 fëmijë kryesisht mosh 8-16 vjeç.Me kujdesin dhe përkushtimin e madh që tregohej ngdaj tyre si dhe duke e pare frekuentimin e jashtëzakonshëm të fëmijëve fretnit,krijuan ambjente zbavitëse pra rregullual dy fusha sportive ajo e futbollit dhe ajo e basketbollit.Ne këtë grup u dalluan disa element mjaft te mire per sportin kështu që duke parë dhe dëshoren e madhe të fëmijeve si dhe miratimin e famulltarit u vendos marrja pjes në kampionatin zonal që zhvillohej në qytet.Por në vitin 2001 me srdhje e famulltarit të ri P.Marjan Lumçi gjanat do të kishin një ndryshim të madh duke filluar me krijimn e nje stafi pune si dhe krijimin e një shoqate sportive.Kështu që më datë 18.10.2001 me kërkes të grupit nismëtar të cilët ishin P.Lumçi president,Kastriot Preka sekretar,Robert Simonelli adminstrator,si dhe Ded Gjoka e Gjon Kola në rolin e antarëve krijuan shoqaten sportive LABEAT.Objektivat e kësaj shoqate ishin të shumta dhe qarta por më kryesoret ishin edukimi,formimi,zbavitja si dhe pjesmarrja me dy ekipe ne ligen amatore në futboll.Krijimi i shoqates me riorganizimin e ri filloi të jepte frutet e veta.U formuan tre ekipe zingjir para te rij dhe të rritun gjithashtu u formua edhe ekipi i vajzave per basketboll.Një e veçante e këtij stafi dhe kësaj shoqate ishte klima dhe harmonia që ekzistonte në mes tëgjith grup moshave.Nën drejtimin e presidentit dhe famulltarit P.Marjan Lumçi organizoheshin takime,festa dhe udhëtime të ndryshme me të gjitha grup moshat ku mund të permendim kontrbutin për festen e famullis për katër vjet si dhe për tre vjet rresht pjesmarrja në festen tashme  tradicionale për qytetin tonë atë të Karvan Karnavalit.Arritet e shoqates ishin të mira dhe shpenzimet ishin të mëdha duke filluar me riparimin e fushave,krijimin e një mini bari për sportistët,rregullimin e dhomave të zhveshjes dhe të dushave,blerja e bazës materiale si komplete,këpuce,topa etj.Për shoqaten objektivi kryesorë ishte dalja në ligen e dytë me një konkurim të dej dhe jo me çdo kusht dhe e çdo mënyrë siç ishte për disa ekipe.Kështu që në mënyre mjaft të organizuar shoqata rritej dhe emri i saj lakohej në shuë ekipe dhe ambjente të Shkoders.Lakohej në edukaten sportive,për deshirën dhe shpirtin e gares që tregonte në fushë,për harmonin dhe rrezultatet që kanë arritue për katër vjet.Vlen të permendim ekipin e parë të të rijve në sezonin 2002-2003 zuri vendin e dyte ne shkalle rrepublike ku mori edhe komplimentat nga të gjithë organizatorët dhe trjnerët për mënyren e lojes  dhe edukaten që treguan lojtarët e LABEATIT,kurse ekipi i te rritunve eshte tre here pjesmarrësnë play oof për ligen e tretë ku në sezonin 2003-2004 ka edhe bumin e vet duke arritur deri në katershe të play oof dhe largohet nga kompeticioni me vendim  të federates,vendim që akoma nuk i gjendet shpjegim.Në këto vite në ekipet tona kishte dhe u formuan shum lojtarë clsorë si Alfonc Kabishti,Vitor Gjoni i cili luan për Terbunin,Ardit Behari mbron ngjyrat e vlaznis në kalçeto,Luçjan Pjetri dhe Ilir Çermeli luajnë në ligen amatore në itali,Emiljano Murana,Elton Dekovi,Fabian Pjetri,Pjerin Marku,Pjerin Mirdita,Emiljano Lazri,Bruno Kepi,Adriatik Avdia,Aldo Kola,Bledar Shytani etj.pamvarsisht kush ishte dhe ku u krijua LABEATI ata mbrojnë me dinjitet emrin e tij.Pa mohuar meritat e kërkujt,merita kryesore i takon krijuesi të kësoj shoqate P.Marjan Lumçi që me durim dhe maturi arriti të krijoj këtë grup të bukur që ekishin zili shume ekipe.Po cilët ishin shkaqet apo shkaktarët që quan ose lanë në harres këtë ëkip kaq të lezetshëm duka ja degjeneruar të gjitha vlerat që ka.Janë ata që në mënyre indirekte në fiilim dhe direkt tash në fund banë të gjitha përpjekjet që ky emer të mos ekzistojë.Por unë ju baj thirrje largoni ndjenjat e këqija largoni gjelozine që keni dhe mos shkatërroni atë asht ndertu me kaq mund për katër vjet se koha ka me e kallzu se kush fiton se asht një fjalë e urtë popullore që thotë qesh mirë kush qesh i fundit.Duke e mbyllur me shpresën se kan mem kuptu dhe me deshirën se nuk ka me ken koh e largët kurë të shfaqet prar LABEATI  këta do ti vras ndergjegja për tan këtë shkatërrim moral dhe materjal që kanë ba.Se këtu nuk u shkatrru një individ por u shkatrrun ëndrrat e shum fëmijëve,djemve dhe vajzave që mendonin se neser do të ishin dikush.Por ata na kan kuptu dhe dijne me dallu të mirën prej të keqes prandaj nuk e kane të vështirë me kuptu se kush jeni ju.

KASTRIOT  PREKA

 

Jeta: Edhe mjaltë, edhe baltë

Madje aspak nuk më duket i arsyeshëm mendimi i disave kur thonë se jeta asht shum e shkurtë, ajo të rrëshqet si pa u ndij, sot mjaltë e nesër baltë, a me gjithë mend nuk e dijnë këto karabusha se jetgjatësija në Shqipni asht rekord botnor?

Po të marrim ato qindra e mija të burgosun që rregjimi i gozhdoi me nga 20 a 30 vjet pa iu shmangë asnji orë torturave, pyetni dhe ato me siguri do t’u thonë se çdo vjetë ishte për ne nji shekull… Pa harrue sigurisht të gjithë popullin e mjerë që rrijshin çdo ditë përballë kalendarit se kur po vjen dita e rrogave, tue e dijtë këto mjerana se dita e rrogave vinte “njiherë në vjetë”… Thojshin gjakpirsit se çdo muej u japim nga nji kile mish apo djathë e kafe, por ma besoni se moji i racionit, sidomos për fëmijë, vinte njiherë në gjashtë muej… Se ma kur thona pritëm 50 vjet me thy qafen diktatura rrejmë sigurisht, se nuk ishin 50 por 50.000 e përtej… A e shihni tashti se çfarë fatit kemi ne shqiptarët nën këtë “liri” që na e ka zgjatë jetën si çimçakezi, sa që sejcili prej nesh dishroi vdekjen tash e parë, ngaqë jeta e “ambël” nuk mbaroj kurrë.

Gjosho Vasia

 

Kutija e llokumit

Për kush ka mend në krye besoj se i kujtohet

Kur shkojshin për vizita me nji kuti llokum,

Megjithse duket pak, por duhet të vlersohet

Nji e treta e pag’s ditore, për ne kushtonte shum.

 

U sillshim maratonë nën sjetull me kuti,

Prej Rozës te Rrustemi, n’Serreq e der Spathar,

Njiher kutija jonë kje kthye përsri në shpi

Mbasi i kish ra rrotull qytetit mbrapsht e mbarë.

 

Vorfnia këtë “Llokumin” e bani shumë rrugaçe

Kalonte dorë më dorë i ndrronte dyert për ditë,

Edhe pse merrte t’shkyeme dhe u nxite ndër dy faqe

U pshtillte me pak letër e fillë e për vizitë.

 

Kto raste na ndihmuen së pakut me ndejë bashkë

Sa me i sha nanen regjimit der n’shtatë brez,

Se ma kur ishim shum n’Krisht-lindje a por për Pashkë

I bijshim mbarë Shqipnisë tue shkelë mbi faqezez.

 

Nji zojë na erdh n’vizitë, por shpija s’kishte asgja,

Atherë kutinë e sajë e hapëm në nji çoshe,

Por mbrenda asaj kuti besoni çka kemi pa

Në vend t’atij llokum gjashtë drrasa katerqoshe.

 

Me siguri urija e kishte ba ketë mëkat,

Por shum ma mirë me drrasa të ngjituna n’bitum

Se prite Zot n’kuti po t’futshin aparat,

Atherë në sigurim na bajshin krejtë llokum.

 

Partija marimangë na kishte mbyllë “n’pëlhurë”,

S’u ndinte ma erë mishit, asgja nuk merrte shkrum,

Mendo se nji gjysë shekull tue u rrahë nën diktaturë,

Kish mbetun shpija shkret, me nji kuti llokum.

Mërgim-Fruer-2005

V.O. Nji kuti e tillë me 6 copa drrasash ia kanë sjellë Paulin Sekujt me rastin e nji vizite…

 

Veset e transportueme…

Mos e harroni vllazën ç’na rrxoj ai hylli i kuq,

Gjithë pesha e randë e tij na bani krejt palmuç,

Të gjitha rropullitë që patëm në mbrendi,

Me thoj e me çapoj i bani lesh e li.

 

Pa dhimbë na zhguli zemrat e mbrenda vari gurë

Atë gurë e soll nga mali kur erdh për diktaturë,

Çdo ditë në lufta t’klasës e pon’atë të fesë

Ai guri shum iu desht me i ra të urtit kresë…

 

Na nguli nëpër radha mëngjezi ende pa dalë,

Porse gjithherë ndër radha spiuni “kapte” fjalë,

Polici ishte gadi me t’lidhë dorën mbi dorë

Se Spaçat e Maliqat kërkojshin shumë puntorë.

 

Nai lidhi zorrët ny si veç t’na masakrojnë

Sepse tue mbetë n’uri do t’vrasim shoqishojnë,

Prandej shqiptari pat ma shumë anmiq se miq,

Der shihen vlla me vlla e nuk përshndeten hiç.

 

Në përgjithsi ky popull u nda në grimë e copë

Në anmiqsi t’papame, me shtye shoshojnë në gropë,

E u mbyll secili n’mure pa njoftë ma miqasi,

Njisoj si muri i hekurt atje në Gjermani.

 

Fëmijve i jepshim kshillë: “Kujdes se asht spijue,

Shikoni se dy veshët ka ju i ka drejtue,

E ka edhe nji shok që n’burg ka futë dyrnjanë,

Ka mik edhe nji hajn që vjedhin bashkë me t’vllanë.”

 

Në fund morëm mërgimin gjithë etje për liri

E puthëm shum Prendimin të mbushun me qetësi,

Por për çudi mbas nesh pamë klyshat e partisë

Të shtymë prej regjimit vrap dolën prej Shqipnisë.

 

Mjerisht me kto përbindsha u mbush Prendimi plot

Me mija komunista që nuk numrohen dot,

Spijuj e plot mafioz të pjellun n’diktaturë,

Sa që na detyruen dhe ktu m’u nda me murë.

 

E ndyta histori na bani grimë e copë,

N’nji anmiqzi të tillë me shtye shoshojnë në gropë,

Prandej dhe ngulem mure, t’mos duket kund parti,

Edhe pse muri i hekurt asht shembë në Gjermani.

 

Majmunat dhe njerzit…

Erdhën partizanët ngarkue me dituni

Por n’mungesë të truve e mbajshin n’mbrapanicë,

E përmes pantollash të bame birali,

Shkapërdajshin n’popull dijet me shumicë.

 

Nga nji birë mësuem cili kje Lenini,

“ai që afroi turmat me i rrejtë n’tribuna”,

bira e dytë na tha kush ka kenë Darvini,

“ai që tha se t’parët i kemi pasë majmuna”.

Nuk vonoi partija na gozhdoi ndër rradha

Hyjshim që n’mesnatë nën rrebesh e acar,

Ose nën tribuna ku tregojshin prralla,

Por çdo prrallë e tyne mbrenda kishte zjarr.

 

Nuk vonoi partija n’atë fushatë t’tërbimit

Vuni stivë të vramit, ngriti nji Golgotë,

Nguli rrotull tij kampe perqendrimit

E do qinda burgjesh t’mbushn plot e plot.

 

Nuk vonoi partija ndezi anmiqsi,

Helm na futi në gjak shokun me e paditë,

Për çdo ditë na jepte t’njajten porosi:

“Për ju dera e burgut hapun rrin çdo ditë”.

 

Nga kjo frikë servilat u përthyen kular,

Të burguemit moren bojen e qiriut,

Garravaç u endte çdo spiju tinzar

Deri ai ma trimi hyni n’birë të miut.

 

Nuk kaloj shumë kohë e shqiptarit t’mjerë

Ja përzhiten trajten, s’e lanë ma njeri,

Ai u kthye n’majmun, i pa pamë ndojherë,

N’atë majmun që bota bani shum çudi.

 

Në këtë jetë shtazore gojen qepë me kordhë

Edhe fye e pshtye ditë e natë nga dhuna,

Pse s’e pau Darvini para se me ngordhë

Se me komunista ndrysh do t’i shkojnë puna?

 

Punës s’tij shkencore me ia futë nji pordhë

Kur nuk tha se dhuna njerz’t i ban majmuna.

 

Eja se ra muri

E kam nji shok për zemër, besnik e sa fisnik,

Ma trim nuk e gjenë burrin, kurr mik me çdo anmik,

N’atë kohë kur diktatura mbi gjak na kishte shtri,

Ai mori sa herë shtegun me thye ndoj copë kufi.

 

Por gjithsaherë trathtari trathtisht e pat hetue,

I lidhun trimi n’hekur nder burgje pati shkue

Rininë e tij të mjerë, porse gjithherë tue thanë:

“Atë ditë që t’dal prej burgut do i dal kufisë m’atë anë”.

 

Andrronte nder biruca Europë pa diktaturë,

E dritë e diellë m’atë anë, tue ndritë lirija nurë,

Nji popull me virtyte e për çdo kand drejtsi,

E gaz, e punë, e bukë, e kangë n’demokraci.

 

Por “Muri” kur u rrxue e ngjarjet moren vrap,

Ky miku im çudi nuk shtrini asnji hap,

S’i luejti tokës nanë, s’i hodh kufinit sy

Ngaqë nuk kish ma “Mure” që me kërkue me thye.

 

Tash sillet përmbi plehna e n’gropat mbushë me ujë,

Pa i thanë asnjiherë mendes me dalë te toka e huej,

Edhe pse prap gjaksorët po enden gurë më gurë,

“Asgja nuk ka zotni, mjafton që s’kemi Murë”.

 

E ditët kanë me ardhë, lirija ka me ndritë,

I keqi prej së mirës n’pendime ka me mrrijtë,

Shqiptari s’do t’i ketë ma hekurat ndër duer,

Shqipnija s’do ta shohë vetveten mbyllë me “Murë”.

 

Spijujt e kombit

Mjerë votra e jonë shqiptare, vogsi e dalun dore

Që kur ia shkimi zjarrin guksima e Azisë djallzore,

Në atë errsinë të rrastë virtytet kjenë verbue,

Der nisi vllau me vlla pa lek me spiunue.

 

Kur hyni komunizmi shqiptarin gjer për mik,

Atë mik që lante trunin gjithë diten me jebrik,

Se nana e komunizmit ka lindë diku n’Azi,

Prandej i shtuen spiunat ka nji a dy për shpi.

Edhe pse sot ti tokë e mbushun me blerim,

Me sa lumej te kjartë që bora i sjell n’kullim,

Edhe pse dendë me lule e malet plot me druj,

Por dije sa ke druj, aq ke edhe spijuj.

 

Edhe pse je e mirë si nuse me t’vërtetë,

Ku flladi shkapërdahet prej bjeshkës në bregdetë,

Ku përmi valë përhidhet delfini me barbuj,

Por aq sa ke barbuj, aq ke edhe spijuj.

 

Ti histori banale e mbetun pa prandverë,

Me popull që ban vepra të ngjyme veç në vnerë,

Nji popull “malarik”, kular nderi ndër gjuj

Që kur atë bark robnija e msoj me lindë spiuj.

 

Të ndjek spiuni n’hap mor thue se e ke zagar,

Nji vesh ta shtjen në xhep n’e paç edhe kumbar,

Der hana ban çudi se kurr nuk paska pa,

Shqiptar edhe trathtar, spiuna vlla për vlla.

 

Liviz mori Shqipni, lsho gjamen n’per Europë,

Ta zhgulin prej çapojve ketë popull shtrij në gropë,

Me lot shikjo në Qiellë e ndihmë kërko n’ketë kand,

Të sjellin musht prandvere me shndrrue gjakun tand.

Krijimtari nga Gjosho Vasia

 

Neoenverhoxhizmi

 “Avokati” e turpshme historike dhe  “avokatmbrojtësit” aktual të E. Hoxhës!

Për reabilimin e plotë të Enver Hoxhës! 

Fenomeni Liliana Hoxha e Sokol Hoxha  e futi sa pak kokën “me sensasione” në shtypin gazetaresk dhe dora-dorës, qysh nga ato emisionet televizive të Çanit, u shtrua   këmbëturqisht vëndçe i kombinuar në të dy mediat. Fillimisht menduam se mos ishte ndonjë lojë, pastaj si ndonjë zënkë e rëndë vjehërr-nuse, me qënë se kjo nuse na kishte qenë si një kaurreshë depresive e pa dëshiruar dhe e dashuruar jashtë mase me Sokolin, si të thuash i kishte mbetur në derë. Më tej supozuam edhe ndonjë xhelozi të mundshme të Nexhmijes ndaj nuses dhe natyrisht edhe zënka të brendëshme për përpjestim pasurie. Më në fund u pa se kishte pak vend edhe për divergjenca politiko-ideologjike. Por edhe duke i marrë të gjitha këto sëbashku të mirëqena, ka gjasa se mund të ketë diçka edhe më të thellë!

Po bëhen disa muaj që një pjesë e konsiderueshme e shtypit shqiptar dhe e mediave televizive, po bombardohet me një fushatë histerike: me intervista, me materiale “dokumentare” e “arkivore”, me ish divergjencat e klaneve kokëngrënëse të Hoxha-Shehëve, me “proçes verbale” të daktilografuara, me komplote puçiste, me listat e bashkpunëtorëve e agjentëve të CIA-s, Inteligjent Servisit, KGB-së, Sigurimit Shqiptar, Shërbimeve Sekrete Turke etj, me “agjentë falsë sovjetikë me dosje të djegura”, me filmate e foto të zgjedhura, me përgjime të revizionistëve në Zvërnec…

Që nga varri e nga “arkiva” Enver Hoxha po bën “reflektime”, pse jo edhe disa “reabilitime-lehtësime” të bujshme, ndërsa pjesën tjetër po e bëjnë avokatmbrojtësit dhe analistët… Po shkruhet për pafajësinë e krimeve të Enver Hoxhës në vitet 44-48, kur ligjin e bënte Koçi Xoxe, pastaj ajo “Shoqëria e Miqësisë” me BRSS me 220.000 anëtarë, gjoja më e madhe e më e fuqishme se vetë Partia, po shkruhet edhe  për pafajësinë në vitet 1944-1948-1953,1953-1955, 1955-1960, 1960-1971, 1971-1985. Sokoli shkruan si pa gjë të keqe edhe për krimet përbindshe të Mehmet Shehut si në kohë të luftës ashtu edhe në kohë të socializmit…Me një fjalë Enver trimi po na del i larë, jo si një kriminel e terrorist, as si fajtor sepse i mbeten akoma edhe shumë “merita”, por shumë-shumë si një njeri me ca gabime. Më tutje përgjegjësia i mbetet Ramiz Alisë, i cili nuk i zbatoi porositë dhe parashikimet e gatshme që ia la Enveri. Madje ka gjasa se ka edhe materiale sekrete përfshi këtu edhe strategji tip Katovice si dhe lista se nëpër cilët kuadro e parti duhej të kalonte “proçesi i pluralizmit e tranzicionit demokratik”, pra si projektuesi i Demokracisë në Shqipëri…Në finale Enver Hoxha, përveç atyre turrave me merita themeluese, arkitekturale, poliedrike etj, mbetet si klasik, si babai i proletariatit e revolucionit botëror dhe i shtetit botëror të Internacional/Umas me fenë e enverhoxhizmit, padyshim më i madhi i të mëdhenjve, pas nja dyve…!

Shquhet sidomos gazeta “Panorama”, që nuk nguron edhe t’i ribotojë disa herë, herë tek e tek e herë të përmbledhur, përfshi këtu edhe “artikujt e mrekullueshëm e sensasionalë” të Liliana Hoxhës, që e mban unazën në gishtin e vogël, për të mbajtur kujtesën e betimin e fundit para Enver Hoxhës, që përpëlitej nga dhëmbjet histerike për pak kafshim mishi dhe pirje gjaku…  Pastaj ia bën shpërndarjen e analizën Korrieri i Blendit, sipas racionit që i takon secilës gazetë e revistë. Kohët e fundit po ndodhin edhe “mrekulli”: ka mësuar të flasë deri 5 mujorshia e Kondit dhe Qafokut “Tirana Observer” dhe foli direkt e sapopjellura ABC-ja e Nazarkos, nga ku nuk mungon të marrë hua leje-ribotimi edhe veterania “Shekulli” i Kokëdhimës, me qënëse nuk e siguron nganjëherë mallin “si dorë e parë”…

 Liliana Hoxha avokat-mbrojtësja me liçensë monopol e Enver Hoxhës.

Pavarësisht divergjencave herë më të buta apo më të egra, midis fraksioneve e sekteve: hoxhistëxhunglinistëve, ramizalieviqëve, kapollarëve, lilihoxhisteve, omar-agollarëve, shehistëve, myftinjëve etj, vazhduar me të tërë sojin e sorrollopin e kënetës së Partisë Socialiste e Partive Xhuvel-Laço, të gjithë po kërkojnë si e si t’a reabilitojnë kriminelin Enver Hoxha! Me hir apo pa pahir, ky reabilitim luhatet nga masa sadopak deri te sa më shumë që të jetë e mundur! Nano seriozi e zbatoi këtë pa fjalë, me fjalë e me buzëqeshje dhie e tha disa herë Pandi, ndërsa Berisha në “proçesin e reformim/ndryshimit me duar të pastra” po merr madje edhe fletë-lavdërime me Çantë nga ish eproria Liliana…

Nëqoftëse klanet a fraksionet e ndryshme e kanë pak si me nge këtë punën e reabilitimit të plotë të Hoxhës (se duan të ruajnë edhe reformimin e tyre), nuk pret më asnjë sekondë nusja e djalit të dytë të Enver Hoxhës. Liliana Hoxha, ish drejtoresha e revistës “Shkenca dhe Jeta” ka marrë përsipër të bëjë avokat-mbrojtësin e Enver Hoxhës, sidomos për periudhën ramiziane. Në funksion të reabilitimit, Liliana madje tash na propozon, që një thelë e majme e përgjegjësisë së fundit të regjimit të “Komunizmit Orjental të Kazermës së Enver Hoxhës” t’i faturohet dyshes së dashuruar politikisht vejushes vjehrrës Nexhmije Xhuglini Hoxha dhe vejushit Ramiz Taip Alijeviq. Sipas Lilianës, pasi i bëri një goxha shantazh Ramizit brenda në zyrë sëbashku me Adilin dhe një grup enveristësh, Nexhmije/Hylle “Delikatja” ra në dashuri me Ramizin, me konditë që t’ia lëshonte postin dhe pushtetin Ilirit dhe jo Sokolit sikurse kishte qenë amaneti i fundit i Enverit… Por, Ramizi devijoi akoma më shumë, pasi zgjodhi një pesëshe pluraliste kolegjiale, shoqëruar edhe me pesëshe të rezervave…

Kështu Ramizi dhe Nexhmija, megjithse të zbuluar vonë, përbëjnë një si biçim grupi komplotist terrorist si tipi i Çan Çinit, gruas së Maos dhe të riut Van Hun Ven, në atë  “Katërshen e Shangait”. Liliana pretendon se këtë komplot e ka zbuluar e para e se madje në pamundësi ia ka fryrë në vesh njërit që të distancohej shpejt nga Ramizi…Aktualisht, e me qenë se ka kaluar shumë kohë, pastaj edhe se masën e burgimit e kanë kaluar, Liliana vendos ca kondita: boshnjaku nga Sanxhaku Ramiz Alieviq duhet të bëjë autokritikë e të kërkojë falje publike haptas në shtyp e televizion, ndërsa vjehrrë dibrania e tartaria Nexhmie mund ta bëjë këtë edhe brenda families! E bindur se me këtë lëvizje do të ketë shanse për marrjen e pushtetit, Liliana bën kurban edhe kunatin Ilir Hoxha me gjithë nuse, dmth në atë stilin që kur zgjidhet sulltani i ri, duhet të eleminojë në vend vëllanë dhe të gjithë haremin e tij t’a mbysë në Bosfor…Në këtë stil të kompletuar me kokaprerje, sulltanët e Turqisë ia shpërblenin të gjithë atyre që i kishin bërë të mira, mjafton t’i hedhim një sy edhe asaj listës së atyre dinjitarëve e pashallarëve të lartë shqiptarë me të cilën edhe sot shumë budallenj krenohen! Dhe me këtë kokprerje të rrethprerëve, Enver Hoxha ishte në rregull për “Pashallarët e Kuq”, aq më tepër se siç po e vërtetojnë katërcipërisht të gjithë dokumentet dhe dialogjet e multilogjet që po botohen në gazetat shqiptare, se ata qafirë ishin më shumë fajtorë. Enveri, ca nga padijenia informative, ca nga pamundësia shëndetësore, ca nga tradhëtia e Nexhmijes, ca nga helmimi i CIA-s me veprim në tru, nuk ishte fajtor…

Enverit si klasik, i ngjau pak a shumë po ashtu si Leninit që e kishte izoluar komploti i Stalinit dhe po ashtu si Stalinit që e kishte helmuar komploti i Hrushovit me “Bluzat e Bardha”. I shkreti Enver, i izoluar dhe i helmuar, i braktisur edhe nga shoqia Nexhmie dhe shoku Ramiz, që ishin bërë edhe si “vëlla e motër”… e vetmja rreze drite, shpresë, erë e mirë, freski dhe ngushëllim ishte Liliana…

-Ramiz, vëlla, Enveri na la!

-Mbaje veten motër Nexhmije…

 

Dhe “avokatura e reformuar e orës së fundit” e xhaxha Ramizit…

Abc-ja, pastaj edhe “Shekulli” (që ndërpreu “Agjentët falsë”, 3 tetor 2005), botuan intervistën e re të shokut Ramiz Alia. (“Shekulli”, 4 tetor 2005) Nazarko Mentori, në një dalje në televizion, si “analist” dhe si “pronar” gazete, jo vetëm që nuk gjeti më kritika ndaj Berishës, siç tradicionalisht, por paralajmëroi edhe disa pikpamje të reja të pa trajtuara ndonjëherë dhe shumë interesante të shokut Ramiz Alia.

Ramizin me sa duket e kanë shkundur kritikat e Lilianës dhe ka vendosur edhe ai të bëhet si avokat e të bëjë avokaturën e Enverit, për ato kohë që Liliana nuk i mbulon dot. Mirëpo Liliana, sado që tash ka goxha stazh, nuk e kupton nganjëherë. Kur Ramizi tha se Mehmet Shehu nuk ka qenë poliagjent, ai nuk donte të thoshte se nuk ka qenë fare as agjent i Enver Hoxhës, por se ka pasur edhe një lloj “agjenture të papërgjegjshme” pa dosje e kartela…E shumta Mehmeti ishte agjent trivalent e jo polivalent, sepse polivalent, ka qenë vetë Enver Hoxha…

Sidoqoftë edhe Ramizi po jep shembuj se mund të ribëhet avokat jallan shahit i Enver Hoxhës, bile edhe si gjykatës e prokuror në kuadrin e “kohës për ndryshim”. Ja ndonjë: “Unë nuk e mbroj Enver Hoxhën. Jam dakort që Enver Hoxha ka gabuar…por prapë edhe avokat i Enverit do të bëhem, sepse ka edhe rrethana lehtësuese…tani duke kërkuar fajin e vetëvrasjes së Nakos tek të tjerët, përshtypja ime dhe këtë do t’ia thoja edhe Liri Belishovës në sy, është që mbrohen Titoja dhe jugosllavët. Jo, ata janë që e vranë Nakon…Koçi Xoxe në atë kohë ka patur një pushtet të madh, madje më të madh se Enveri…Thashë Koçi Xoxe kishte pushtet të plotë…”.

    Po sikur t’i kujtohet paksa Nexhmijes, Ramizit se përflitej aso kohe se shokun Nako Spiru u ekzekutua në zyrë me urdhër direkt të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes, nga dy atentatorë të lartë…Ata duhet ta dinë këtë…Titua dhe PKJ-ja kishin pakënaqësi e më shumë se aq, e mundet edhe t’ia kenë kërkuar një gjë të tillë, se nga këto punë kryheshin aso kohe, por ekzekutuesi kryesor ka qenë Enver Hoxha, pastaj për atë shkrepjen e revolverit thuhet se ishin…

Unë kam shkruar për këtë temë vjet te “55” dhe jam gati t’ja them edhe në sy shoqes Lirie, po qe se më fton në ndonjë intervistë më të gjerë kolektive sy më sy te TV Klani, pse jo edhe me shoqen Nexhmie e me shokun Ramiz. Të sqarohemi paksa njëherë edhe për “Historinë”, për 1944-1947-1948, për 1948-1953, 1953-1955 dhe në fund edhe për punën e asaj Polemikës së Gjovalin Lukës me Enver Hoxhën më 18 Qershor 1955 dhe atë Letrën e konvertuar si “autokritikë”, dërguar Nexhmijes “mbas gjashtë muaj torturash e “kurash” maksimale të një të sëmuri mendor”. Kam shkruar mbi këtë temë qysh më 1991, por Nexhmia, Ramizi, tërë kallam kusuri kanë mbajtur heshtjen absolute dhe çuditërisht ka heshtur edhe Lirie Belishova në Demokraci?!

(shih edhe E. Hoxha, “Ditar 1955-1957, Vëll. 1, f 77, bot. 1985)

Por, puna është se ata (dhe po kështu edhe Presidenca e PS-ja) jo vetëm që nuk e reabilitojnë Gjovalin Lukën, se e kanë frikë, por kanë monopolin e plotë se cilin, si e sa duhet t’a reabilitojnë ose ta mbulojnë me heshtje varri.

Më 9 Maj 2005, enveristët më kërcënuan me vdekje se guxova dhe e denoncova me të drejtë me disa fakte interesante komprometuese Enver Hoxhën si poliagjent internacional dhe maniak kriminel. Gazeta PANORAMA (10 Maj 2005) që nxitoi e para për të mbyllur incidentin, lëre se ma deformoi edhe emrin tim nga Agron Luka në Artur, por e deformoi komplet atë “incident”, duke mos harruar sipas korespondent/informatorit enveristo-fetar te “Shkodra TV1”, se “Arturi përsëriti pas 50 vjetësh xhestin e të atit më 1955”. Dhe PANORAMA nuk begenisi as ta botonte së paku të shkurtuar replikën time të dërguar me E-mail…Për Lilianën avokaten e Enver Hoxhës ka vend sa të duash, për viktimat e Enver Hoxhës nuk ka!

Le të begenisë e të më dalë në një replikë diskutuese shoqia apo zonja Liliana dhe t’ia tregoj unë se si janë ato shërimet nervopsikiatrike të Enver Hoxhës dhe ekipit të tij mjeko-ligjor, le të më dalë paksa edhe Ramizi dhe të shohim se si do t’ia bëjmë  “avokaturën” Enverit…Nuk lahen këto me një shprehje të ndyrë të Sokolit “të përdorurit”…

Do ta mbyllim paksa në mënyrën komike-tragjike, e në stilin e Enver Hoxhës. Njëherë duke kritikuar mënyrën se si e kuptonin marksizmin disa “marksistë” francezë, sidomos në disa ide për shoqërinë e ardhshme, vetë Marksi deklaronte: “Unë di vetëm një gjë, se nuk jam marksist”. Ndërsa avokatët e Enver Hoxhës na thonë: “Enveri  ka thënë:”unë nuk jam tiranozaur kanibal antropofag enverhoxhist, por jam vegjetarian”.

Na besoni ne more vëllezër”!

Agron Luka

 

PSE DUHET NJË SHKRIM PËR BUJQËSINË?

Mediat e shkruara dhe ato elektronike luajn një rol të rëndësishëm në pajisjen e shoqërisë njerëzore me informacionin e duhur në fushat e ndryshme të jetës. Duke informuar me pervojen e brezave, me njohuritë teorike dhe shkencore, me shprehitë, me gjithë veprimtarinë e njerëzve  ato ndihmojnë në zhvillimin e porgresit njerëzor, në rritjen e mirëqenies materiale dhe kulturore të shoqërisë.

Bujqësia, një nga degët kryesore të ekonomisë kombëtare, ka krijuar një defiçit të madh në produktin bujqësor vendas sepse deri tani shteti shqiptar ka ndjekur një politikë ekonomike që jo vetëm nuk e ka favorizuar  zhvillimin e bujqësisë, por  përkundrazi, e ka denigruar ate. Në tregjet tona kudo nga veriu në jugë, gjenë prodhime të vendeve fqinjë, si Maqedonia, Greqia, etj. të cilat kanë qenë monopole të qeveritarëve, duke krijuar një sistem korruptiv në krye të shtetit mafioz.

Një pengesë tjetër për zhvillimin e bujqësisë ka qenë ndarja e tokave me ligjin 7501, një ligj teje komunist, i cili është bërë barierë e pakapërcyeshme  për  kalimin e tokës tek ish pronari i ligjshëm. Në një shtet demokratik,kushti kryesor për të qenë i tillë është pikërisht prona. Prona është e shenjtë dhe e paprekshme në çdo shtet demokratik në botë. Duke mos shkuar prona tek i zoti kanë ndodhur konflikte të mëdha sociale, që shpesh herë kanë çuar në derdhje të gjakut të pafajshëm të qytetarëve shqiptarë që kanë luftuar për mbrojtjen e pronës legjitime. Në këte mënyrë shoqëria shqiptare ka qenë në një gjendje amullie, as me pronë, as pa pronë. Toka ka mbetur si jetime, pa pronarin e saj dhe si e tillë ajo nuk është punuar.

Të gjitha qeveritë deri tani, qysh me përmbysjen e sistemit diktatorial të partisë shtet, e kanë lënë bujqësinë në mëshirën e fatit, duke mos i ndihmuar fermerët shqiptarë me makineri bujqësore, me kredi, me mjete të tjera materiale e monetare, në mënyrë që t’i japin një shtytje përpara zhvillimit bujqësor.

Vendi ynë ka një popullsi ku rreth 65% e saj jeton në fshat, pra afërsisht dy të tretat e potencialit njerëzor i aftë për të prodhuar të mira materiale. Ne e dijmë të gjithë se me përmbysjen e sistemit  diktatorial, familjet shqiptare kanë patur një ekonomi nën minimumin jetik të jetesës, pra pothuajse kanë jetuar në një varfëri absolute.Të ndodhur në kushte të tilla të rinjtë e zonave rurale, si të gjithë të rinjtë shqiptarë,  ndoqën rrugët e emigracionit, në rrugë të ligjëshme dhe të paligjëshme, duke e paguar shpesh herë dhe me jetën e tyre. Një gjendje e tillë la si shkretë tokat bujqësore, pasi pleqët e plakat nuk kishin mundësi ta punonin ate.

Në regjimin monist kishte mjaft informacion për bujqësinë,  pavarësisht se ky material përshkohej fund e krye nga vija dhe ideologjia marksiste-leniniste e partisë në pushtet. Të dhënat nga literatura bujqësore  i shërbenin politikës ekonomike të vetë sistemit, megjithate kishte edhe të dhëna agronomike, teknike dhe teknologjike që ndihmonin për zhvillimin e bujqësisë në sektorët shtetëror dhe kooperativist. Toka bujqësore ishte pronë shtetërore ose pronë  e grupit, pra ishte e sistemuar në parcela dhe deri në një farë mase e pajisur me kanale kulluese dhe ujitëse. Kjo gjendje ndihmonte shumë rritjen e shkallës së mekanizimit, të ujitjes dhe të shërbimeve.

Sot toka bujqësore është e ndarë në parcela të vogla të fermerëve shqiptarë që në këtë gjendje bëhen mjaftë pengesë për zhvillimin e bujqësisë. A mund ta kapërcejmë këtë pengesë ? Unë mendoj se po. Dhe si mund ta kapërcejmë gjenden rrugët por duhet të kemi vullnet të mirë :

Një nga pikat e programit të qeverisë Berisha është edhe amendimi i ligjit 7501  dhe kthimi e kompensimi i pronave pronarëve legjitim, gjë që do të zbusin konfliktet dhe do të krijojnë një hapsirë të mjaftueshme për të gjithë ata fermerë që duan të punojnë seriozisht  në bujqësi  duke vendosur në efiçencë të plotë kapitalet e tyre të disponueshme, ose do të marrin kredi nga shteti për të investuar në këtë sektor.

Një vështirësi të madhe paraqet çeshtja e bashkimit të tokave të një grupi fermerësh për të ndihmuar në rritjen e shkallës së mekanizmit bujqësor për një shërbim të mirë të kulturave bujqësore. Kjo, mendoj unë, në rradhë të parë ka të bëjë me ndryshimin e fermerit në koncept. Për të bërë një projekt për një kulturë bujqësore të çfarëdoshme, ose çdo projekt tjetër,në rradhë të parë ne duhet të ndryshojmë në koncept, dhe kur e them këtë kam parasysh që secili fermer duhet të jetë i bindur se bashkimi i tokave i disa fermerëve që ndodhen me pronësi pranë njeri-tjetrit, krijon premisa për rritjen e mekanizimit të shërbimeve, për rritjen e rendimentit të prodhimit bujqësor, për rritjen e të ardhurave në njësinë e sipërfaqes për secilin fermer, dhe përfundimisht për rritjen e mirëqenies ekonomike të familjeve në komunitet. Pasi të kemi krijuar koncepte të reja për administrimin e tokës bujqësore në përputhje me kushtet e reja të shtetit demokratik ne nuk do të kemi asnjë pengesë për të përgatitur projekte të ndryshme për kultura bujqësore duke filluar që nga kulturat perimore e bimët e arave e deri tek vreshtaria, pemtaria,ullishtet, agrumishtet, etj. Një rol të rëndësishëm këtu duhet të luajnë specialistët e bujqësisë si dhe intelektualët e zonave rurale.

Bujqësia, njera nga degët kryesore të ekonomisë  kombëtare, disponon rezerva të mëdha potenciale, të cilat po t’i vemë në punë efektive do të kthehen në burime të mëdha materiale dhe njerëzore. Ato do të rrisin ndjeshëm ekonominë e secilit fermer si dhe ekonominë kombëtare.

Hapja e kësaj gazete informative në shërbim të bujqësisë do të ndihmojë shumë fermerët e zonës veriore, aq e domosdoshme për ta  si dhe për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë. Në këtë gazetë do të gjendet gjatë vijimësisë së numrave të saj, informacion i nevojshëm dhe i domosdoshëm, për secilin fermer, i cili do të ndikojë ndieshëm në rritjen e produktit bujqësor.

Riza Spahija

 

Heroi i mohuar nga komunizmi

Në gjithë trevën e Dukagjinit, Mehmet Shpendi mund të quhet padyshim si figura më e aktivizuar në çështjen e mbrojtjes kombëtare të shek.XX. Figura e këtij burri i plotësonte të gjitha karakteristikat e një njeriu të nderuar si, thjeshtësi, trimëri, mençuri, besë dhe një shpirtmirësi të veçantë.

Ai ishte bërë emri më i njohur i këtyre maleve për gjeneralët agresorë të portës së lartë. Emri i këtij burri qëndronte dhe në gojën e popullit të Dukagjinit gjatë bisedave që zhvilloheshin për ngjarjet e lavdishme apo për vuajtjet e mëdha të rezistencës kundër pushtuesve. Ky emër gjithashtu ishte në mendjen dhe pendën e studiuesve të jashtëm dhe të brendshëm. Me ardhjen e regjimit komunist në fuqi, figura e Mehmet Shpendit fillimisht do të mbetej në heshtje, por më vonë ajo do të përflitej si figurë patriotike. Madje për këtë figurë do të shkruhej dhe do të botohej monografi e jetës së tij, por një monografi e cunguar sepse shkruesit nuk i lejohej të qartësonte veprimtarinë heroike të bashkëluftëtarëve të Mehmetit në betejat e përbashkëta. A guxonte Pal Doçi të shpjegonte trimëritë e zjarrta të burrave të Shoshit në këtë luftë? Përgjigjja është Jo! Bile po të tentonte një gjë të tillë edhe do ta merrte një dënim të rreptë.

Shkrimet e asaj kohe ishin jashtë realitetit për betejën e Qafë-Agrit më 13 korrik 1910, pa përmendur krahun e djathtë të Mehmet Shpendit, figurën e nderuar e të pandarë në asnjë betejë, Deli Marashin e Shoshit, i cili natën e festës lëshoi shtëpitë me gjithë luftëtarët e bajrakut të tij dhe i ndezën qirinjtë në Qafën e Agrit në zjarrin e luftës kundër gjeneral Shefqet Turgu Pashës. Delia luftonte heroikisht kundër çdo pushtuesi, kështu që në atë kohë nuk i shkonte në mend se 31 vjet më vonë do të sundonte një regjim i drejtuar nga shqiptarët që do të mohonte figurat e luftëtarëve në përballje me pushtuesit e huaj. Tani, pra për pasardhësti e Deli Marashit e Mehmet Shpendit do të vinte koha që të quheshin jo vetëm armiq të partisë, por edhe të popullit për të cilin derdhnin gjakun. Ishte data 13 korrik 1967, dita e 57-vjetorit të ngjarjes së madhe kur në qendrën administrative, në Breglumi të Shalës kishin ardhur nga Tirana një grup studiuesish të histori-filologjisë. Bashkë me historianët, atë ditë kishte ardhur edhe Gjeneral-Major Hito Çako. Qëllimi i tyre ishte të merrnin dëshmi nga njerëz të ndryshëm për figurën e Mehmet Shpendit. Nëpërmjet këtyre dëshmive ata donin të plotësonin biografinë e figurës së tij për ta propozuar për titullin “Hero i Popullit”, i parashikuar të jepej më vonë me rastin e 30-vjetorit të themelimit të partisë më 1971, të asaj partie që vetë do ta mohonte për shkaqe politike dhënien me meritë të këtij titulli, duke e ndarë në rrugën e lavdisë nga shoku i armëve, trimi Ded Gjon Luli, i cili ishte i rekomanduar po në atë kohë për dhënien titulli bashkë me Vasil Laçin. Grupi i studiuesve e hapi bisedën e lirë në mes shumë pjesëmarrësve të ftuar e të paftuar të moshave e të fshatarve të ndryshëm. Shumë burra të vjetër që kishin bashkëjetuar me heroin, folën fjalët më të mira duke dëshmuar ngjarje edhe të panjohura deri atëherë lidhur me patriotizmin dhe trimëritë e tij. Studiuesit interesoheshin të hapnin biseda edhe me të rinjtë, për të dëshmuar sa është trashëguar në brezat jehona e veprave të tij.

Kur bisedat kishin arritur kulmin, një zë doli e tha: Mendohuni mirë ju që diskutoni, se nuk duhet harruar se Pjetër Mehmeti është vrarë në përpjekje kundër pushtetit popullor. Kaq u desh dhe për një moment biseda u ndërpre. Njerëzit shikonin njëri-tjetrin. Studiuesit shikonin popullin si do të reagojë. Nisma e diskutimeve thuajse u paralizua. Mbas një heshtjeje të shkurtër, një burrë i vjetër nga Vuksanajt, duke thyer këtë heshtje, tha: Mehmet Shpendi meriton çdo lëvdatë që mund t’i bëhet një dukagjinasi, pavarësisht se kush ishte i biri. Shumë burra të vjetër e miratuan fjalën e shokut të tyre nga fshati Vuksanaj. Duke marrë zemër nga rikthimi i diskutimeve, një djalë i ri tha: Edhe Pal Mëlyshi e mban titulli e heroit të popullit duke qenë i biri dhe i nipi dy prej aktivistëve më të mëdhenj të Mirditës kundër regjimit tonë, Nikollë e Ndue Mëlyshi. Mbas kësaj fjale këtij të riu iu drejtua punëtori operativ i zonës, duke i thënë: Ti djalë, sot po diskutojmë Mehmet Shpendin e jo Pal Mëlyshin. Toni i ashpër i operativit i paralizoi komplet diskutimet. Njerëzit mbetën të hutuar. Të rinjtë dhe ata që nuk ishin nga Shala nuk e kishin ditur më parë historinë e djalit të Mehmet Shpendit, dhe ai personi që e hapi këtë debat me siguri nuk e njihte as historinë, as veprat e këtij burri të madh. I pari i djelmnisë së Shalës, sikur asnjë vepër tjetër historike të mos kish kryer, por vetëm më 1911 ai e meritonte titullin e lartë, si udhëheqës i 300 burrave nga Dukagjini në ndihmë të forcave të Ded Gjon Lulit për ngritjen e flamurit në Malin e Deçiçit në prill të atij viti.

Kush ishte Mehmet Shpendi më mirë se askush e dinin bashkëluftëtarët e betejës së madhe të vitit 1911. Kush ishte ai, e dinin Gjelosh Kola e Pjetër Voci nga Kiri dhe Ndok Martini nga Boksi Plan që jetuan me dhjetra vjet me plagë të mara nga plumbat e kësaj lufte të drejtura nga Ded Gjon Luli e Mehmet Shpendi dhe shumë herë bisedonin për trimëritë e këtyre trimave në luftë kundër Turgut Pashës. Këta tre burra nga Pulti u plagosën në brigjet e Lumit Cem të Malësisë së Madhe. Ata i panë me sytë e tyre bashkëluftëtarët nga Kiri, Prek Gjonin, Marash Kolën, Lekë Nduen dhe Gjelosh Ujkën nga fshati Mgullë që dhanë jetën në këtë luftë e për të mos u kthyer më në vendlindje as kockat e tyre duke u varrosur përjetësisht në brigjet e Lumit Cem në varre të paditura.

Kjo luftë e përgjakshme nuk kishte veçse 9 muaj kohë nga ajo e Qafës së Agrit. Këta të mbijetuar të kësaj lufte na tregonin: “Nga 3 bajrakët e Pultit ishim 25 vetë dhe nga gjithë Dukagjini flitej për 300 vetë. Burrat e Malësisë së Madhe na thoshin se jemi përballë një ushtrie turke shumë herë më të madhe dhe më të armatosur se ne, por ajo që zotëronte luftën ishte trimëria e burrave të maleve. Kur gjenerali turk Shefqet Turgut Pasha mori vesh për ardhjen e Mehmet Shpendit në ndihmë të Ded Gjon Lulit, ai lajmëroi të vini forca të reja nga Gucia dhe përveç njëzet e sa mijë forcave që kishte sjellë, atij i erdhën edhe 5000 të tjera nga Gucia të komanduara nga Et’hem Beu. Këtyre forcave të reja u takoi të përballen drejtpërdrejt me forcat e dukagjinasve, të cilat i detyruan ushtarët pushtues të tërhiqeshin me humbje drejt Koplikut. Kjo është e vërteta e dëshmitarëve okularë për veprat e këtij heroi që diskutohej aq shumë për meritat e tij të mëdha e madje këtë titull e kishin marrë njerëz me merita disa herë më të vogla se Mehmet Shpendi e ndoshta edhe armiq të vërtetë të popullit të pafajshëm.

Si Mehmet Shpendit, edhe dy dëshmorëve të parë të Luftës së Planit, iu mohua e drejta të dilnin në dritë si 79 të tjerë, emrat e të cilëve ishin të radhitur në lapidarin e Kodër Qereshit të Gjurajve. Këta ishin Nikë Çuni, bajraktar i Xhanit dhe Mark Sadria i Toplanës, i cili dha jetën me armë në dorë kundër malazezëve në Qafë-Mgullë më 12 korrik 1915. Që të dy këta trima dhanë jetën në prezencën e Mehmet Shpendit.

Arsyeja e vetme e mospasqyrimit të emrit të Nikë Çunit ishte se kishe tlindur e rritur në familje bajraktari dhe i dyti ishte vëllai i Shpend Sadrisë, i cili u bë si Pjetër Mehmeti, armik i partisë pas 29 vjetësh, më 1944, duke dhënë jetën në Qafë-Agri kundër komunizmit, po në atë vend ku babai i tij kishte luftuar kundër pushtuesit turk me heroizëm. Mehmet Shpendi thoshte: Arma më e keqe është pabesia për burrin. Kjo u vërtetua më 1915 kur tradhëtia e detyroi të vritej në rrethana të papranueshme për trimin. Edhe pas vdekjes tradhëtia i sillej rrotull emrit e lavdisë së tij. Enver Hoxha ishte vrasësi i 178 vëllezërve dukagjinas të Mehmet Shpendit, duke përfshirë 10 vetë njëherësh në Qafë-Thanë, më 17 nëntor 1944. Ai nuk erdhi kurrë për të nderuar varret e të rënëve në luftërat anti-turke e anti-serbomalazeze. Dukagjinit ai i sillej rrotull, Tropojë, Pukë, Malësi e Madhe, se nuk i pëlqente të hynte në kalanë e lirisë shekullore, ku për 4 ditë më 1915 kishin humbur jetën plot 81 vetë kundër pushtuesit malazez. Ai shkonte në festën e Reçit, që ajo luftë ishte shumë herë me përmasa më të vogla se 1910-a e 1915-a, pa përmendur madhështinë e 1911-s, por për E.Hoxhën respekt prioritar duhet të kishin vetëm ato luftëra që drejtoheshin nga soji komunist, qofshin edhe kundër popullit shqiptar. Lavdia u qoftë edhe atyre që kontribuan duke sakrifikuar edhe jetë njerëzish që të vinte dita e mendimit, shprehjes e veprimit të lirë, që Presidenti i nderuar Alfred Moisiu t’i jepte Mehmet Shpendit dekoratën e lartë “Shqiponja e Artë”, pa patur nevojë të pyeste komitetin qendror të partisë.

Zef Zeka

Korrespondent vullnetar

Gjergj Kastrioti ndikoi në rrugën e qytetërimit europian

Në këtë përvjetor të gjashtëqindtë të lindjes së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ne shqiptarët, kudo që ndodhemi jemi krenarë për kontributin dymijëvjeçar që kemi dhënë në përhapjen, mbrojtjen dhe konsolidimin e besimit dhe qytetërimit kristian në Europë e më gjerë. Për këtë mjafton të kujtojmë se të parët tanë ilirët, përqafuan dhe përhapën pa mëdyshje doktrinën e Jezu Krishtit që në shekullin e parë, kur Shën Pali, në vitin 53-58 kaloi nëpër trojet ilire duke përhapur Ungjillin dhe mësimet e Mesisë. Që nga ajo kohë ne shqiptarët i kemi dhënë kristianizmit rreth 600 martirë e shenjtorë, ku një pjesë e shenjtorëve edhe sot kanë ditët e tyre të shenjta në kalendarët katolikë. Ne i kemi dhënë Selisë së Shenjtë katër papë, të cilët kontribuan për Kishën Katolike si pak barinj të tillë shpirtërorë, edhe pse në ato kohë nuk ishte e lehtë. Kujtojmë se këta papë ishin Shën Eluteri nga Nikopoja, që drejtoi kishën e Shën Pjetrit (Romë) nga vitet 174-189, Shën Gaji ishte papë nga viti 283-299, ky papë ishte nga trevat tona (pse jo nga Malësia e Madhe etnike), Shën Gjoni II ishte papë në vitet 640-642, ku edhe ky ishte nga Shqipëria Veriore, dhe i katërti Papa Klementi XI që drejtoi Selinë e Shenjtë nga vitet 1700-1721, dhe ishte me origjinë po nga trevat e Veriut. Por, mbi të gjitha këto qëndron e do të qëndrojë sa të bëjë dritë mbi dhe besimi dhe qytetërimi kristian, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, i cili për një çerek shekulli (1443-1468), ishte forca tokësore e hyjnore e kristianizmit për t’i bërë ballë tërbimit të Perandorisë Otomane që kërkonte të gllabëronte e shkatërronte gjithçka kishte ndërtuar besimi e qytetërimi kristian në 14 shekuj në Shqipëri, e mbi të gjitha në Europën plakë. Mjerisht otomanët për të realizuar qëllimet e tyre pushtuese kishin ditur të zgjidhnin kohën e momentin që Europa plakë ende dridhej nga humbja katastrofike e betejës së Fushë-Kosovës të vitit 1389, që në fakt në këtë betejë kontributi i Europës ishte tepër i vogël për Koalicionin Ndërballkanik. E, ndërsa rreziku otoman afrohej, Europa grindej e frikësohej. O Zot, po të mos kishte lindur në trevat tona Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, Europa do të ishte krejt tjetër, pasi ajo do të ishte përshkuar e tëra në “hellin” e sulltanëve, që padyshim sot qytetërimi do të ishte krejt tjetër dhe pa hapësirat magjepsëse që gjenden vetëm në qytetërimin kristian. Të paktën gjysma e popullsisë të Europës, femrat nuk do të guxonin të frekuentonin lirshëm plazhet, turizmet, arsimin, dhjetëra profesione që i bëjnë të barabarta me burrat, madje do të ishin të mbuluara dhe do ta kalonin kohën duke numëruar gurët e oborreve e kopshtijet e tyre, e jo si sot që me modat e qejfet e tyre numërojnë yjet e qiellit të pafund.

Gjithsesi, Gjergj Kastrioti kishte lindur në fisin famëmadh të Kastriotëve në vitin 1405, dhe ishte prej mish e gjaku shqiptar, që në atë kohë këto troje njiheshin si Arbëri. Ishte pikërisht ky fis që luftoi si askush tjetër në krye të Principatës së tyre kundër hordhive otomane që kishin gllabëruar mjaft nga tokat e Azisë, Ballkanit e pjesë të tjera të Europës. Kryetrimi i këtyre luftërave ishte babai i Gjergjit, Gjon Kastrioti. Natyrisht edhe Gjergji i vogël i shihte dhe i ndjente këto luftëra e sakrifica të pafundme që bënin të parët e tij, që mjerisht pas një lufte e qëndrese të gjatë, ranë në duart e turqve të tmerrshëm, që siç shkruan Tajar Zavalani tek “Historia e Shqipnisë” (fq.115) “… Si shpendët e qiellit, islamikët u përhapën kudo tue vra njerëz dhe tuj marrë rob ata që mbeteshin gjallë. Vendi u shkretue nga njerëzit, kafshët dhe pemët e tokës. Nuk kishte ma princa, as prijës, nuk kishte ma kush t’i dilte zot dhe të shpëtonte popullin nga ky rrebesh. Frika e islamikëve i bante të gjithë me marrë arratinë dhe zemrat e heronjve dridheshin nga tmerri, ma keq se të grave. Kishte arritë puna saqë të gjallët me ua pasë lakmi të vdekunve!”, (Citimin T.Zavalani e ka marrë nga Ch.Diehl – Le monde Oriental de 1081-1453).

Në këtë tmerr pafund u fundos edhe familja e Gjon Kastriotit, të cilit i morën peng katër djemtë, duke përfshirë edhe djalin e tij të vogël, Gjergjin, i cili ndonëse u shkollua e u edukua nga Sulltan Murati II, për asnjë çast nuk harroi kushtrimin e të parëve, për fe dhe atdhe. Në atë kohë, në Europë flamurin e kryetrimit që mbronte qytetërimin e besimin kristian e mbante kapedani hungarez Janosh Huniadi. Pikërisht në një nga këto beteja, kur kapedanin Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, e kishin dërguar otomanët të luftonte kundër ushtrive kristiane me në krye Huniadin, ai gjeti rastin e shumëndërruar për të braktisu përfundimisht ushtrinë otomane që po i merrte frymën e fundit Shqipërisë (Arbërisë). Me sa duket edhe treva shqiptare e Nishit, ku do të zhvillohej beteja influencoi të bindë përfundimisht Gjergj Kastriotin që fuqinë e tij mendore e fizike të mos e përdorë në favor të otomanëve, por të vendit të tij të robëruar. Pikërisht më 3 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti braktisi përfundimisht sulltanin dhe ushtrinë e tij, ku në krye të 300 trimave kthehet triumfalisht në tokën arbërore. Pasi dëbon me diplomaci dhe luftë taborret turke nga kështjellat arbërore, më 2 mars 1444 realizon Kuvendin historik të Lezhës, ku arrin të bashkojë pa mëdyshje të gjitha principatat dhe faktorët shqiptarë, madje edhe në bashkëpunim me Stefan Cernejoviqin e Malit të Zi. Princat shqiptarë të ndërgjegjësuar se çfarë i pret nga hakmarrja e Sulltan Muratit II, emëruan njëzëri Gjergj Kastriotin si prijës të tyre. Betejat që u zhvilluan në mes Gjergj Kastriotit me ushtarët e tij dhe Perandorisë Turke janë rreth 22, ku duke i marrë një e nga një mësojmë se mbi trojet arbërore vërshuan rreth njëmilion ushtarë e kapedanë turq, të armatosur me armët më moderne të kohës, por edhe humbën jetën rreth 300 mijë pushtues otomanë, si dhe humbën betejat me turp para forcës ushtarake mbrojtëse të Gjergj Kastriotit, që asnjëherë ushtria arbërore nuk i kalonte 20 mijë ushtarët. Trimëria dhe forca e Gjergj Kastriotit e ushtarëve dhe kapedanëve të tij mahniti Europën e ligështuar si asnjëherë tjetër.

Europa kristiane e asaj kohe në Shqipëri përfaqësohej nga Venediku, i cili kishte disi edhe një rol okupues në skelat e Tivarit, Ulqinit, Lezhës dhe Durrësit. Kjo fuqi kristiane në fakt ishte e dobët për t’u përballur ushtarakisht me ushtritë osmane, e si rezultat u tregua mjaft skeptike në raportet me prijësin legjendar të shqiptarëve. Natyrisht duhet theksuar se Skënderbeu sapo kishte arritur në tokat arbërore ishte kthyer në besimin e tij kristian, gjë që e bëri të detyrueshme për të gjithë shqiptarët. Sulltan Murati II, lajmin e kthimit të Skënderbeut në origjinën arbërore e priti me hidhërim e zemërim të thellë, ku kërkoi menjëherë ta ndëshkojë, duke dërguar në qershor 1444 një ushtri 25 mijë vetësh, ku shumica ishin kalorës të sprovuar. Beteja u zhvillua në Luginën e Dibrës, ku armiku turk u thye me turp duke lënë në fushën e betejës 7000 ushtarë, por edhe Skënderbeu humbi rreth 2000 trima. Për këtë betejë, Marin Barleti (prifti dhe historiani bashkëkohës i Skënderbeut) shkruan: “U ndeshën luanët me luanë”. Kjo fitore e parë e Gjergj Kastriotit mori jehonë në mbarë Europën kristiane. Papa Eugjeni IV, Mbreti Vladislav i Hungarisë e Polonisë dhe Duka i Borgonjës, Filip le Bon e brohoritën me entuziazëm. Një i dërguar fuqiplotë i Hungarisë u nis për në Krujë për të lidhur në aleancë me mbretin pa kurorë shqiptar. Beteja e dhjetorit 1444 ishte rasti i parë i një lufte të përbashkët të Skënderbeut me Mbretin Vladislav III, kundër forcave turke në Varna të Detit të Zi. Mjerisht kjo luftë e përbashkët nuk u realizua pasi Despoti i nënshtruar i Serbisë, Gjergj Brankoviç, nuk lejoi kalimin e ushtrive të Skënderbeut për në Varna. Mjerisht arma kristiane me këtë rast pësoi një disfatë dërrmuese, kur Kardinali Cesarini, bashkë me Mbretin Vladislav mbetën të vrarë në sheshin e betejës…” (T.Zavalani, “Historia e Shqipërisë”, fq. 121-122). Një betejë e famshme në histori njihet ajo e vitit 1450, kur Sulltan Murati II vjen tek muret e Krujës me të birin, Mehmetin në krye të 100 mijë ushtarëve të pajisur edhe me topa e armatim të shumtë shkatërrues. Skënderbeu në atë kohë kishte rreth 17500 luftëtarë… Rrethimi i Krujës vazhdoi nga muaji maj deri në muajin tetor 1450, në këto luftime turqit humbën rreth 20 mijë ushtarë në vend dhe rreth 10 mijë në kthimin e turpshëm të vetë sulltanit nga kishte ardhur. Asnjëherë nuk kishte ndodhur që sulltani kur i printe ushtrisë së tij të humbiste me kaq turp sa me Skënderbeun. Ai u kthye me turp në Edrene dhe i dëshpëruar vdiq pak javë më pas, në janar 1451 (Edvin Zhak “Shqiptarët”, fq.207). Mahnitja dhe hareja e Shqipërisë u përhap në të gjithë botën e krishterë. Ambasadorët nxituan menjëherë në oborrin e Krujës. Dhuratat e shtrenjta dhe luftëtarët vullnetarë vërshuan nga të gjitha anët. Skënderbeu dhe kalatë shqiptare ishin e vetmja shpresë e dëshpëruar e qytetërimit europian kundër hordhive turke… (E.Zhak, “Shqiptarët”, fq.208). Duhet theksuar se Skënderbeun shpesh e tradhëtuan apo i dezertuan disa nga bashkëluftëtarët e tij, duke pasur fatin disi si të Jezu Krishtit që ndonjë nga apostujt e tij e kishte tradhëtuar, por me ndihmën e vetë Jezusit ose ishin penduar, ose vetë Zoti i kishte ndëshkuar. Gjithsesi Gjergj Kastrioti zhvilloi edhe dhjetra beteja të tjera, që të gjitha i fitoi, natyrisht me ndihmën e forcës hyjnore që ia jep vetë Jezu Krishti në qiell.

Në vitin 1453 nga Kostandinopoja vjen një lajm tjetër i keq për botën kristiane, kryeqendra e Bizantit kishte rënë nën pushtetin e otomanëve, tashmë Bizanti i shkatërruar prej vitesh “vdiq” përfundimisht. Gjithsesi shpata e gjallë e qytetërimit kristian, Gjergj Kastrioti ishte i pamposhtur. Perandoria Otomane ishte ndalur para forcës ushtarake e pse jo hyjnore të shqiptarëve. Trevat arbërore ishin bërë muri i pakalueshëm i hordhive të Mehmetit II, që pati thënë: “Mos të kishte lindur Skënderbeu, unë do të kisha martuar gjiun e Adriatikut me Republikën e Venedikut dhe do t’i kisha vënë çallmën në kokë Papës, e hënën drapërore mbi kupolë të Shën Pjetrit”. Gjergj Kastrioti luftoi e fitoi pa pushim në mbrojtje të besimit e qytetërimit kristian deri sa më 17 janar 1468, kur shpirti i tij shkoi pranë mbretërisë së qiellit, pranë frymëzuesit dhe adhuruesit të tij, Jezu Krishtit, ndërsa trupin e tij e la në tokën arbërore, të cilin e varrosën në Kishën e Shën Kollit Lezhë. Pas kësaj, lajmi nuk u besua për shumë kohë, pasi ai njihej si i pavdekshëm. Pikëllimi i Europës ishte jashtëzakonisht i madh, ajo dalëngadalë filloi të kuptojë se kishte humbur mbrojtësin e vet dhe qytetërimit të saj kristian… Të vetmit që u ngazëllyen për këtë humbje ishin Perandoria Otomane dhe Sulltan Mehmeti II, i cili porsa besoi lajmin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, bërtiti: “Mjerë krishtërimi që ka bjerrë shpatën dhe mburojën e tij, tash më në fund Europa dhe Azia janë për mua, ruajna Allah që të kemi armik një tjetër luan si ai…”. Kur Mehmeti II përgatitej të triumfonte përfundimisht mbi botën kristiane dhe simbolin e saj, Selinë e Shenjtë, vdiq papritur gjatë një ekspedite. Me sa duket vetë Zoti e ndaloi, pasi popullsia kristiane me në krye Skënderbeun, kishin dhënë prova se e meritonin vazhdimin e jetës e qytetërimit kristian. Bota kristiane me në krye Selinë e Shenjtë, e vlerësuan e lavdëruan Gjergj Kastriotin. Papa Kaliksti III e kishte emëruar Gjergj Kastriotin “Kapedan të Selisë së Shenjtë”, “Ushtar të Krishtit me krahun e palodhur”, “Birin tonë të Shenjtë”. Gjergj Kastrioti u quajt “Atlet i Krishtit”, “Produkti më hyjnor i racës arbnore”. Vlerësime kishte nga Papa Piu II, Papa Nikolla V, Papa Pavli II e të tjerë. Në qendër të Vatikanit dikur ka qenë ngritur përmendorja e  Gjergj Kastriotit si mbrojtës i Selisë së Shenjtë, ku kjo përmendore ka qëndruar me shekuj, e ndërsa sot në Romë gjendet emërtimi Sheshi Shqiptar, por edhe emërtime rrugësh të tjera me emrin e Skënderbeut, këto emërtime i gjen deri në Spanjë, Angli etj. Vlerësime e bashkëpunime kishte me mbretër e princër të kohës nga shumë shtete të Europës, ku ndonjëri nga ata e quante “Babë”, për mbrojtjen që u kishte bërë republikanëve të tyre gjatë 25 viteve të luftës pa kompromis me turqit. Për Gjergj Kastriotin u shkruan mijëra e mijëra faqe librash historikë, artistikë e shkencorë nga studiues, historianë e shkrimtarë të ndryshëm, shqiptarë apo me një shtrirje thuajse nga e gjithë Europa e Bota, dhe këta nga shumë studiues njihen, por interesant është se për Skënderbeun kanë shkruar edhe mjaft historianë turq, ku vlen të shënojmë Idriz Bitlisi, historian osman, Kemal Pasha Zade, historian osman dhe Ibn Kemal edhe ky historian i njohur osman, të cilët në veprat e tyre pranojnë trimërinë dhe sukseset e Skënderbeut mbi Perandorinë Otomane.

Vlen të theksohet se në disa kryeqytete të Europës u hapën muze historikë për Skënderbeun, ku kampion mbetet edhe sot Vjena, në të cilën mund të gjejmë të gdhendur në ar në përkrenaren e tij të shkruar “Jezusi i Nazaretit bekon Gjergj Kastriotin, Princin e Matit, Mbretin e Arbërisë, Tmerrin e turqve, Mbretin e Epirit”.

Dhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut turqit arritën të pushtonin trojet shqiptare dhe ndërsa hapën varrin e tij, eshtrat i morën si hajmali për t’i shpëtuar nga vdekja. Mjerisht, siç shkruan Fan Noli tek “Historia e Skënderbeut” (fq.269): “…Së bashku me trupin e Skënderbeut u varros edhe Shqipëria…”, u bë realitet për shumë shekuj, ku qytete të lashta dhe të lulëzuar me kështjella, tempuj, kisha, kuvende dhe monumente të kulturës dhe të fesë u rrafshuan përtokë ose u lanë të shemben vetvetiu (T.Zavalani, vepër e cituar). Për ta mbyllur këtë mjerim të pafund ne po citojmë diçka nga letra që Papa Pavli II i dërgon Dukës së Burgonjës për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në ditët e para të pushtimit otoman, ku ndër të tjera lexojmë: “… Njeriu nuk mund të vëzhgojë pa iu mbushur sytë me lot anijet që degdisen në brigjet e Italisë të mbushura me njerëz që vijnë nga Shqipëria. Këto gra të veshura si mos më keq dhe me fytyra të pikëlluara nga dëshpërimi, çojnë krahët nga qielli duke vajtuar me një gjuhë të pakuptueshme. Armiku (otoman, N.B.) i ka detyruar të lëshojnë plang e shtëpi dhe kur mbërrijnë në Itali mbesin atje ku zbresin nga anijet, mbasi nuk dinë ku të shkojnë as si të flasin…” (Camille Paganel, “Histoire de Scanderbeg, fq.417). Duke përfunduar këtë kumtesë modeste për Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, unë nuk po mundem pa thënë çfarë më ndjen zemra e shpirti, për këtë kryehero, i cili për mua është si kryqi të cilit i shërbeu në luftën e shenjtë, dy dimensionesh: horizontal, pra tokësore dhe vertikal, hyjnore, por që mjerisht ne populli pasardhës i Gjergj Kastriotit edhe sot në fillimet e shekullit XXI jemi gati aktual në përshkrimin “biblik” që cituam më sipër të Papa Pavlit II… Ndonëse për besimin dhe qytetërimin kristian të Europës kemi kontributin më të madh nga të gjithë popujt, por fatkeqësisht “shpërblimin2 më simbolik të kontinentit plak… Gjithsesi shpresojmë…

Ndue Bacaj

 

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu