Ligji i ri: Amerika lehtëson procedurat për azilkërkuesit
Emigracioni shqiptar Ishte normale që pas vitit 1990 shumë shqiptarë të preferonin lirinë, qytetërimin. Fillimisht, ishin Italia e Gjermania vendet e ëndrrave, paçka se Greqia si shtet u bë strehë e shumë herë më shumë emigrantëve. Kjo për arsyet e thjeshta të mundësive shumë më të lehta për të shkelur tokën helene. Por tashmë vendi më i preferuar është Amerika. Atje jeton një komunitet i madh shqiptarësh, që megjithëse kryejnë punë që amerikanët i përbuzin, ndihen mirë. Në Amerikë procedurat e fitimit të qëndrimit legal janë të ndërlikuara edhe për faktin se azilkërkuesit nuk kanë njohuritë e nevojshme për ligjin. Veç ndërgjegjes së pastër dhe dhënien e intervistës, vërtetimit me fakte të arsyes së kërkimit të marrjes së statusit të emigrantit, deri tashti duhej që aplikanti të kishte hyrë në mënyrë të rregullt brenda territorit amerikan. Raste të veçanta pranoheshin edhe kur azilkërkuesi kishte shkelur tokën amerikane ilegalisht. Por ligji i ri i emigracionit në Amerikë e thjeshton këtë kërkesë dhe disa të tjera.
Kush mund të aplikojë për legalizim? Senati Amerikan po punon për projektligjin për reformimin e sistemit të emigracionit. Komisioni Juridik i Senatit ka miratuar programin e punësimit të përkohshëm, ku emigrantët e paligjshëm mund të aplikojnë për të fituar të drejtën e qëndrimit, bile edhe për t’u bërë nënshtetas. Pra, edhe shqiptarët mund të aplikojnë dhe duke patur në konsideratë edhe gjendjen jo të favorshme për një jetë normale e pa rreziqe në Shqipëri, kanë shanse të mëdha. Është fakt i trishtë që shumica e shqiptarëve ilegalë sot në SHBA kanë hyrë në rrugë jo legale. Punojnë në të zezë, me paga të papërfillshme, nuk gëzojnë të drejta dhe shumë enden të papunë. Sot ligji amerikan u hap dritaret për t’u integruar në shoqërinë më demokratike të botës. Gjithsesi, duhet bërë kujdes që para aplikimit të ketë këshillime juridike, pasi jo kushdo mund të përfitojë.
Administrata e Bushit vlerëson emigrantët Projektligji i dhjetorit, pas protestave të qindra mijëra emigrantëve në Amerikë, bie poshtë. Administrata e Bushit, megjithë kundërshtimet edhe të Partisë Republikane, krijon lehtësira. Presidenti Bush është shprehur se “Emigracioni është tipar i një kombi të vetëdijshëm dhe të suksesshëm. Fakti që shumë njerëz nga gjithë bota largohen prej familjeve dhe braktisin vendet e tyre, duke rrezikuar gjithçka për të ardhur në Amerikë, flet diçka për vendin tonë. Talenti i tyre dhe puna e rëndë e kanë bërë Amerikën një ndër vendet kryesore të botës së lirë”. Pra fronti i shkëmbët i republikanëve bie dhe çelet drita jeshile për çdo emigrant që ndodhet në Amerikë. Nga kjo dritë jeshile i kanë shpresat rreth 13 milion emigrantë ilegalë në SHBA dhe shumë të tjerë që vazhdonin të konsideroheshin si kriminelë. Influenca e ligjit do i fusë në një kapitull shprese të gjithë. Por të gjithë është mirë të kenë disa njohuri elementare, të paktën për ligjet, pasi janë alfa e të jetuarit në Amerikë. Sokol Pepushaj
17 vrasje në Shqipëri dhe arrestohet në Turqi Kapobanda e Lushnjes, Aldo Bare, krimineli autor i rreth 17 vrasjeve makabër, megjithëse i njohur publikisht për krimet e pashoqe që në vitin 1997, ka shëtitur i lirë jo vetëm në Shqipëri, por në disa shtete, deri pak ditë më parë që u arrestua nga forcat e policisë turke. Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, në pronat e tij ka ekzekutuar njerëz për hakmarrje, u ka prerë kokat dhe ka luajtur edhe top me kafkat. Policia shqiptare po vazhdon kërkimet në lagunën e Lushnjës, pronë e Bares, duke gërmuar tokën. Deri tani, sipas burimeve policore, vërtetohet se krimineli është autor i 17 vrasjeve. Bare në Shqipëri akuzohet për pesë vepra të rënda penale. Ndërkohë edhe shteti italian e kërkon killerin shqiptar, pasi është i shumëkërkuar edhe atje. Gjithsesi, Bare ndodhet i burgosur në Ankara dhe shteti shqiptar ka filluar procedurat për ekstradimin e tij. Baren e arrestoi fatmirësisht policia turke, pasi po të ishte për policinë shqiptare ai mund të vazhdonte serinë e vrasjeve. Edhe në Parlamentin Shqiptar, deputeti Ylli Pango akuzoi botërisht ish-ministra, deputetë aktualë, të lidhur me killerin shqiptar. Pango madje iu drejtua se “kur prisni ngushëllime për arrestimin e Aldo Bares”. Dosja e Bares i është vënë në dispozicion Ambasadës Turke në Tiranë, nga ku po i përcillet Gjykatës së Ankarasë. Ekstradimi do të kryhet në rrugë diplomatike brenda 40 ditëve, por shumë dosje krimi ka në Shqipëri. Ato duket se nuk do të hapen nëse një shërbim i huaj nuk ia sjell Shqipërisë kriminelët. Pikërisht kryekomisari europian Barroso i tërhoqi vëmendjen shtetit shqiptar për angazhimin në luftën kudër krimit të organizuar, korrupsionit, forcimit të shtetit ligjor, në kuadër të axhendës europiane. Duhet përgjegjshmëri, drejtësi, përkushtim. Këto deri sot mungojnë. Segmentet e krimit janë të lidhura ngushtë me politikanë e pushtetarë, ndaj në Shqipëri janë qindra dosje “të rënda” krimiale që kanë vënë “ndryshk”. Është një shtet frike, terrori. Edhe dosja e veprimtarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Naim Pepa, i cili qe vrarë dy ditë pas votimeve të 1 tetorit 2000 për pushtetin vendor, pikërisht më 3 tetor 2000, ende nuk është çelur. Ai ishte kryetar komisioni në një qendër votimi dhe pasi nuk pranoi të manipulonte votat, para daljes së rezultatit, u pushkatua. Gjithë shtypi shqiptar i asaj kohe e trajtoi vrasjen e Pepës. Por thjesht vetëm zhurmë mediatike. Autorët, megjithëse të identifikuar dhe të denoncuar, ende nuk janë kapur. Por kush siguron që ata vrasës nuk kanë vepruar njëlloj si killeri Aldo Bare, i arrestuar nga policia turke ditët e fundit. Familja e Naim Pepës ka qenë vazhdimisht e kërcënuar me jetë, saqë gruaja dhe dy fëmijët janë detyruar të mos jetojnë në Shqipëri. Ata normalisht do pushkatoheshin. Është koha për vrasës, për kriminelë, sa kohë që shteti nuk prangos kriminelët që marrin përditë jetë të pafajshme njerëzish. Jetmir Delaj
Nanë Tereza dhe namet që bahen në Shkodër Pikënisun prej kundështimi të që disa shoqatave myslimane të Shkodrës i kanë ba vendosjen në qytetit një shtatore të Nan Terezës. I shtymun prej kurrfar pikëpamje religjoze, për më pak, me ken i yshtun prej ndonji hopi mërie, apo diçka tjetër të njiksaj natyre, po due edhe unë si qytetar i lire i Republikës së Shqipërisë, për me e than menimin tem për nji haber, aspak për marshalla qi ka flatrue prej nga Shkodra tuj mush me poterë gjithë dynjanë. Konkretisht, për t’thanmen me nji JO turravrap, shenjtores shqiptare, asaj qi i janë përkul me respekt burra shtetesh, asaj qi i jan bind edhe ma jakatarët e kohës së sotme, asaj që jeta nuk i mjaftoi për me i shërbye të pamundunve, të sëmurve, të braktisunve, të gjymtumve prej kacafytjeve për pushtet, asaj që ditwn e marrjes së Nobelit shqiptoi fjalwt: “Kam ba gjana të vogla, por me dashuni tw madhe”. Përndryshe, me i nejt besnik vedit tem, për me i than të tjerëve atë ç’ka vedja jeme menon për njiket gja. Kjo poterë që ka zanafillën në Shkodër, në atë qytet ku jam lind e jam rrit, pikë së pari ka dëshmu se gjithçka munet me kenë e kenun nw njiket kohë që po duen disa me i thanë demokraci, por unë pa u ndrojt fare po due me e kuptu si porllokraci. Qe këtu po e nis pa ju tollovid me fjalë e tollovi. Me i ra troç muhabetit, gati sa s’u besova veshve nji ditë të bukur me diell, në nji bar të periferisë. Nuk di se te kush nga moria e televizioneve qi shpërndajnë habere për miletin, nigjova, se disa shoqata myslimane kishin shpreh vullnetin kundër vendosjes së nji shtatoreje të Nan Terezës në hymjen e këtij qyteti, apo në qendër(pak rëndësi ka vendi). Me sa maj men, propozimi ishte ba prej ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj. Për nji dekik e humba fillim, por mendova me vedi, se do të kishte kenë ndonjë pasaktësi mediatike, kaq e populluar në t’tan kët sallamahi new-zesh. Nejse, thash me vedi, pa e ba muhabet me kurrnji, bujta në redaksi. Përnjiher, i hodha nji sy faqeve online të lajmeve, atyne shqiptare dhe joshqiptare. Përnjimen kishte ba vaki, t’tetana e kishin njiket kokërr lajmi. Thash me vedi “E paska rrue Perja edhe Shkodrën”. Haksha për mu nuk ishte noj gja e re dhe e panjohun deri në të qënin kabull tronditës, jo naj kijamet jo. Kjo pasi, në Shkodër kisha mujt me kenë në dijeni të shumë e shumë gjanave të tjera kaq pezante, me njiksi prapavije. Kam nigju se njaty, bash njaty n’Shkodër asht qit amëlcinë falas për të festue, siq po muj me e kuptu unë, “fitoren mbi Amerikën”, ditën e sulmet kamikaze më 11 Shtatorit, kur nën gërmadhat e Kullave Binjake piqeshin mijera jetë njerëzish. E masanej, si për sfidë, kam pa me sytë e mi teksa udhëtoja për në Tiranë në zemrekë orësh tek tundej koka e Bin Ladenit. Por duke i dhanë të drejt gjithkujt me menu dhe me vepri me menen e vet, kam mujt me i mirëkuptu. Ata në hesapin e tyne, e unë në hesapin tem. E kështu tuj pa sejcili punën e vet, kena mujt shumë gjana me i lan mira apo keq, njashtu siç, janë e qe besa e shumë të tjera me i çu edhe ma përdreç se sa pikënisën. Sa ma nalt shkruva, si parantezë noshta s’ka të bajë kurrnji sen me venosjen ose jo të shtatores së Nan Terezës në qytetin e Shkodrës, thjesht deshta me tregu se me e rujt toruan në një shoqni të hapun, në nji system demokratik, po asht tuj kenë mjaft ndërmarrje e vështirë, por jo e pamundun. Tuj gjurmu dita-ditës përparimin e këtij lajmi konstatova kontradikta, mosrakordanca, menime pro & Kundwr, dhe tek tuk naj ngritje supesh. Prap ju ktheva avazit të vjetër: puna e tyne! Që prej asaj dite, qi bujti sefte kjo vaki, kam mujt me duru pa e than menimin tem hapun, jo për vendimin e shoqatave, apo individëve që përfaqësojnë vendimmarrjen e komunitetit mysliman në qytetin e Shkodrës, por për me i shtu nji arsye miletit, se pse duhet me e kundërshtu kundërshtimin e atyne që i thonë jo vendosjes së shtatores së Nan Terezës në Shkodër. Edhe për ma profanin, do të ishte i besueshëm fakti se nji konsideratë të tillë, një nder që përcjell në vetvete ky propozim, nuk do t’i refuzonte asnjë shtet në botë, veç 123 vendeve ku misioni i saj humanitar vepron. Pamun në këtë prizëm, do të ishte e mjaftueshme për me besu, se vendime të tilla nga kushdo, nisuar nga cilado pikpamje dhe logjikë, asht nji rrugë pa krye. Asht apo sasht nji vendim i drejtë kjo nuk asht detyra jeme me e gjyku, për ma pak s’kam asnji arsye për me i dhan nji drejtim tjetër karuselit të logjikimit të të kenit i yshtun me besu se asht ba kiameti. Do të ishte veçse qytetari vendosja e kësaj shtatoreje, pak rëndësi do të kishte vendi, megjithëse ajo meriton të jetë në zemër, se kontributi dhe emni i saj asht i përmasave të atilla, që nuk do të kishte shesh për ta xan madhështinë e saj. Këtë nuk kam kurajo me e than unë, këtë e kanë thanë të tjerët, e ka pohu ma së miri kontributi i saj vetmohues në emën të mirësisë dhe paqes, këtë ka marr përsipër me e tregu dhe Nobeli, çmimi prestigjoz qi ju dha asaj. Situata në të cilen jena nuk asht në favor të kurrnji koloriti të intolerancës fetare. Bashkëjetesa mes besimeve asht nji shemull, për të cilin, në ka nji vend në botë që duhet nënvizu asht Shqypnia. Por me sa konstatoj e me sa di me gjyku me mene të ftohtë kjo vendimmarrje nuk asht shtegtu dhe aq nga se Nan Tereza përfaqëson besimin katolik, se sa asht nji lloj mani e kundërshtive për gjithçka e në çdo gja që hamendësohet se vjen nga nji burim me prapavijë amerikane. Antiamerikanizmi I verbër nuk të shpie në një gjykim të saktë, edhe nëse ka guximin me kën edhe nji anti tjetër çfarëdo. Pas nji propozimi të nji ministri unë nuk kam mujt me shiku gjithmonë proamerikanizmin apo anitamerikanizmin, e që kjo masanej të jetë shtysë që gjithçkaja që vjen prej sandejmi asht amerikane dhe duhet ba gati “me i nejt me pushkë në faqe”. Gjithsesi pakëndej nuk ka asnji randsi nëse do vendoset ose jo shtatorja e Nan Terezës në Shkodër. Simas gjykimit tem edhe n’meze t’venit po i thamë bujrum kësaj inisjative, ata qw e pikënisën kwtw JO, aq ban, “e ka marrë ferra uratën” tash. Cilido të jetë vendimi që do të pasojë, vendimmarrjen e parë të shoqatave myslimane të Shkodrës, edhe nëse ata tërhiqen dhe guxojnë të kërkojnë falje publike, vetëm për dobsi do të merrej. Deshifrim tjetër simas kësaj rradakes teme nuk do munet me pasë tërheqja. Fundja nëse ajo është propozuar për t’u vendosur në Shkodër ajo do të vihet. Shteti ka struktura dhe hallka që I lot fenë venimit të vendimit. Nga Albert VATAJ
Papa më njerëzor. Një vit pas vdekjes së Papës Gjon Pali II Ai ishte një person që duhej nga të gjithë: Kudo që shfaqej Papa Gjon Pali II njerëzit gëzonin dhe i bashkangjiteshin kolonës. Ai vuante nga sëmundja e parkinsonit dhe kur vdiq më 2 prill të vitit të kaluar, qindra mijëra njerëz morrën rrugën për në Vatikan. Zëdhënësi i Papës, Joaquin Navarro-Valls kishte lotë në sy kur tha: “Ndoshta Papa i shoqëronte të gjithë këta të rinj me mendimet e tij kudo. Kur pak më parë i treguam sa shumë njerëz janë mbledhur në shesh, ai tha `Më parë vija unë e ju kërkoja, tani po vini ju tek unë. Ju faleminderit`.” Të shtunën më 2 prill të vitit 2005, kardinali Leonardro Sandri doli përpara mikrofonave: “Të dashur vëllezër dhe motra, në orën 21.37, Papa ynë i dashur dhe i shenjtë Gjon Pali II, u kthye në shtëpinë e Atit Tonë. Le të lutemi për të.” Sipas traditës italiane, qindra mijëra duartrokitje pasuan për minuat të tëra, si shenjë respekti për të vdekurin. Miliona njerëz nga e gjithë bota shkuan në Romë, për t´u lutur sa më pranë trupit të Papës së ndjerë: “Unë nuk kam ardhur për t´u lutur për të, sepse Ai lutet tani në qiell për ne, për të gjithë botën dhe për të gjitha fetë. Unë shpresoj se kur të shpallet i shenjtë, ai do të kthehet në tokën polake, në Krakovën e tij” – thotë një grua. Sllavi i parë në karrigen e Shën Petrit ishte njëkohësisht edhe papa i parë i epokës së masmdiave. Papa i parë që udhëtoi në mbarë botën. Dhe kështu miliona njerëz morrën rrugën për t´u ndarë personalisht nga Papa më njerëzor që kishin përjetuar ndonjëherë. 6 ditë duhet të kalonin, përpara se të zhvillohej ceremonia e varrimit. Ish dekani i kardinalëve dhe Papa i ardhshëm Josef Ratzinger, tha: “Mund të jemi të sigurtë se Papa ynë i dashur qëndron tani në dritaren e shtëpisë së atit të tij dhe po na bekon. Po, na beko, Baba i Shenjtë, ne i besojmë dashurisë tënde dhe shpirtit të nënës së Zotit, nënës tënde, që të shoqëron çdo ditë. Ajo do të të tregojë tani rrugën drejt lavdisë së përherhshme të djalit të saj, Jezu Krishti, Zoti Ynë, amen.” (Gregor Hoppe). Përkujtohet një vjetori i vdekjës së Papa Gjon Palit të Dytë Rome:Në një vjetorin e vdekjës së Papa Gjon Palit te Dyte besimtaret katolike ne gjithe boten e kane perkujtuar edhe njehere Papen.Para me shume se dhjete mije vetave, per Papa Gjon Palin e Dyte ka folur Papa Benedikti i 16,i cili ka thene se ai ishte njeri qe ka lene gjurme te thella ne historine e kishes dhe te njerezeve.Benedikti i 16 ka perkujtuar qendrimet politike te paraardhesit te tij, sic ishin kerkesat per paqe.Ne atdheun e tij ne Poloni jane mbajtur disa mesha dhe organizuar koncerte ne shenje perkujtimi.Pika kulminante e ketyre ceremonive pritet te jete sonte ne Rome kur pritet nje pjesemarrje e qindramjera besimtareve katolike. Sokol Pepushaj
Nanë Tereza dhe sëmundja e fondamentalizmit Dr. Ardian Ndreca, Itali Kush e kishte mendue se asaj që ka kurue pa u kursye: lebrën, kolerën, tuberkulozin, marrinë, kancerin në të gjithë botën – do t’i duhej nji ditë me u përballue me sëmundjen vdekjepruse të fondamentalizmit në atdheun e vet!? Me tolerue arrogancën dhe fondamentalizmin, ka shkrue Churchill-i, asht si me i dhanë me hangër krokodilit tue shpresue se kështu ai ka me na hangër në fund krejt. Kjo asht nji shpresë tepër e vorfën për me mbajtë gjallë njerzit që kanë sadopak arsye dhe logjikë të shëndoshë. Nji tipar themelor (i vetmi tipar) i fondamentalizmit asht se nuk din me ndërtue por vetëm me shkatrrue, nuk njeh rrugëzgjidhje përveç mohimit të tjetrit, nuk ka asnji vizion pozitiv përveç errësinës logjike, shoqnore dhe kulturore që propagandon. Fondamentalizmi, i çfarëdolloj ngjyre qoftë, asht nji antihumanizëm absurd që përhapet dhe mbështetet prej vetë «njerzve». Me i quejt «njerz», në ketë rasë përban vetëm nji respekt për at’ çka ata kanë qenë para me se me i humbë tiparet njerzore. Rreziku ma i madh i shteteve demokratike sot, në nji kohë që ideologjia komuniste ka marrë fund, vjen prej totalitarizmit fondamentalist – i cili përpiqet me të gjitha mënyrat (aty ku mundet) me influencue politikën e shteteve laike dhe me ndërhye haptas në jetën politike dhe shoqnore – në kundërshtim me ligjet themelore të Shtetit .
* * * Kur nji organ qeverisës, i zgjedhun demokratikisht, merr nji vendim siç asht nderimi i Nanë Terezës me nji bust në hymje të Shkodrës – dhe shoqata «bamirëse» apo edhe «intelektuale» kundërshtojnë nji gja të tillë si provokacion fetar, kjo gja tregon intolerancë dhe fondamentalizëm, tregon mungesë atdhetarizmit dhe cënim të demokracisë. Nderimi i ministrit Leskaj (nji vlonjat që përpiqet me nderue Shkodrën asht në vetvete nji nderim, tue qenë se vetë shkodranët flejnë) ndaj figurës së Nanë Terezës s’ka të bajnë thjesht me qenjen katolike të kësaj figure, por me çmimin Nobel si bamirëse dhe paqeruejtëse të pashoqe, e cila (ndryshe prej disa shoqatave bamirëse të tjera) nuk shihte aspak besimin e atyne që ndihmonte, qofshin këta indu, myslimanë, të krishtenë apo animista. Nga ana tjetër Nanë Tereza nuk ka qenë klerike katolike (mbasi dihet se në gjinin e Kishës katolike femnat nuk mund të ndërmarrin nji rrugë të tillë) ajo ka qenë thjesht nji besimtare e kushtueme Zotit, që ka punue për paqen dhe për të vorfnit. Jo vetëm që sytë delikat të fondamentalizmit shkodran u fyekan prej nji grueje – praninë e së cilës nuk e ka refuzue as vetë Nexhmije Hoxha – por ata thjesht nuk e duen tue u nisë prej besimit të saj. Me refuzue diçka asht e drejta e gjithë personave që gjykojnë, por në qoftë se me të vërtetë gjykojnë, atëherë këta përsona duhet të na tregojnë se kë dëshirojnë me vu në hymje të qytetit të Shkodrës – mbasi mos me vu askënd asht si me u deklarue të pa atësi? Gjergj Kastrioti kam frikë se nuk u pëlqen (pse s’ka qenë shkodran, kuptohet), Marin Barleti ka qenë prift, Beçikemi, Buzuku, Fishta, Gurakuqi…. Hasan Rizai – ky s’ka qenë shkodran!!! Kë me vu pra? Ndoshta duhet me vu bustin e këtyne intelektualve (te ne për me qenë intelektual en masse mjafton me pasë shkue 4 vjet në nji shkollë të naltë) e bamirësave – që me paret e s’di se kujt s’po pushojnë tue ba mirë ditë e natë. Intelektualët në fjalë, në mes të cilëve ka edhe ndonji historian, e dinë mirë se kjo nuk asht hera e parë që Nanë Terezës nuk i lejohet me u kthye në Shkodër, historiani i sh(q)uem Enver Hoxha (admirues i Haxhi Qamilit dhe udhëheqës që s’ka nevojë për prezantim) ia pat ndalue Nanë Terezës kthimin në Shqipni. Por fatmirsisht shoqnia shqiptare në nji anë dhe rrethanat e politikës ndërkombtare në anën tjetër, bane që veprat e Enverit të përbuzeshin dhe të digjeshin, ndërsa veprat e dashunisë që Nanë Tereza ka ba në gjithë botën, të admiroheshin dhe të lëvdoheshin. Kajherë e kam mendue Shqipnin tonë si nji balonë aerostat të tipit të vëllezënve Mongolfier, mbrenda së cilës kanë fry gjithmonë me tanë forcën e bulshijve bijtë e saj mâ të mirë, prej Jugut dhe prej Veriut. Mâ të mirët bij të Shqipnisë, ndër të cilët edhe Nanë Tereza, jepnin frymën e tyne pse donin që kjo balonë e vorfën, me arna dhe me bira, të ngrihej nalt, drejt qiejve, prej ku ta admirojshin dhe ta nderojshin kombet e tjera. Por, fatkeqsija jonë mâ e madhe ka qenë se për çdo frymë që donte me e çue në qiell Shqipnin, delshin me dhjeta partalla që e mbushnin balonin me plehna dhe me zhele, me handrak dhe me hekurishte për mos me e lanë kurrsesi me u ngjitë nalt. Asgja nuk ka ndryshue. Edhe sot ka asish që japin frymën e vet për Shqipnin, e ka edhe prej atyne që mundohen mos me e lanë me u naltue, këta të fundit përfaqsojnë forcat që duen me na lidh dhe me na heqë lirinë, tue na mbajtë të poshtnuem përpara kombeve tjera. Sot shoqnia shqiptare duhet të vendosin se çka don me ba në të ardhmen: me u zvarritë apo me fluturue krahas me kombet e përparueme!?
Retorika e “munguar “ e Edi Rames Arti I retorikes dhe I te berit retorike ze nje vend te rendesishem net e berit politike.Retorika mbeshtetet mbi principin e dhenjes se mesazhit I cili sherben per te dhene idene e mire ose te manipuluar publikut.Nje prej armeve te fort ate edi Rames ishte edhe manipulimi qe nepermjet retorikes shpesh banale arriti disa suksese. Per filozofin antic Plato,retorika ishte”Fitorja qe mendja njerezore arrin nepermjet fjales”.Kurse per filozofine moderne arti I te bereit retorike quhet”arti I te bindurit” qe do te thote qe nepermjet fjales arrihet qe te binden te tjeret per nje fenomen ose ne politike ka vend te rendesishem.Ne kete fushe rroli I retorikes eshte shpesh percaktues. Qe prej Izokratit,demostenit,Plato qe paten nje fjalor politik te larte I cili mbeshtetej ne disa principe,qe ishin:Inventio,Dispozito,Elecutio,Memoria dhe Pronuntiatio e deri tek revolucioni francez me gabrielin,Robespjerin,Napoleonin ne gjermani me bismarkun dhe ne revolucionin e Tetorit me Trockin ,Leninin dhe deri tek retorika e Nacional socializmit me Gebels e Hitler e gjer tek krimineli Hoxha ky art sic eshte retyorika percaktoi ne sukseset dhe humbjet e tyre.Prandaj Rama I ka dhene shume rendesi retorikes qe nepermjet manipulimit pat arritur te bind jo pak shtresa shoqerore. Por cfare njet sot me retoriken e Edi Rames? Retorika e deshtuar e Rames! Me qellim per te dhene nje informacion per lezuesin,sqarova dicka ne planin teorik per retoriken dhe rendesine e saj ne politike por qellimi I shkrimit eshte nje tentative per te argumentuar qe kryetari I PS Rama krahas humbjeve ne olanin politik mbrenda PS dhe ne opinionin public ate politik ose jo politik eshte edhe niveli I ulet I retorikes qe ai sot po perdor.Pra nje prej armeve te tij te forta sic ishte fjala sot eshte ne nivele nen mesatare. Nepermjet nje retorike qe Rama perdorte ai fitoi shpesh “zemrat” e disa shtresave te shoqerise kryesisht te rinjve e qe me performancen ekstravagante rama arriti te bind jo pak public.Por fjalet e bukura te Rames gjithmone kane qene ne kontradite me veprat e tija. Pasi ai krijoi nje opinion fals nepermjet fjales,gjesteve ,veshjes,njgjyrave ne kohen kur ishte minister dhe gjate qeverisjes se tij ne bashkine e Tiranes,me nje fjalor qe ashpesh ja kalonte rruges neoermjet banaliteteve ekstreme sot ne pozicionin e kryetarit te forces opozitare me te madhe ai e ka shume te veshtire te ndertoj performancen e komunikimit pasi e cila eshte e lidhur me qenjen ePS ne opozite.Ne fakt Nano pat ndertuar nje tjeter forme retorike e qe Rama e ka te veshtire ta arrije. Retorika qe rama perdor sot po kthehet ne nje element qe po e con drejt humjes mbrenda PS dhe ne opinionin public jo politik. Qenja ne krye te PS nuk te jep shansin te proncohe as me fjale arti as me banalitete te cilat Rama I ka perdorur vend e pa vend.Kryetari I patise opozitare duhet te kete formim per fushen e ligjit,ekonomise ,politikes se jashteme etj. Fusha te cila Rama nuk I njeh mire e qe prodhojne nje retorike qe shpesh nuk eshte bindese as per elektoratin e majte. Nuk duhet harruar qe Edi I ka humbur te gjitha debatet me median e shkruar dhe ate vizive te majte,djathte ,liberale dhe conservative.Debatet e zhvilluara u shoqeruan me nervozizem te larte dhe mungese te plote argumentesh ne fusha te caktuara. Pra ajo pike e forte qe ai ka patur fjala,manipulimi pra retorika sot gjindet ne pike te hallit. Manipulimi qe ai dikur perdorte nepermjet fjales e qe dikur konsiderohej performance moderne,e ne thelb vepra e tij u shoqerua me skandale e korrupsion,sot nuk I qendron kohes dhe pozicionit te te tij ne rrolin e kryeopozitarit.Fjalori I varfer,gjestet nervoze pa kontroll,lojrat me bojrat dhe grafikat qe ju ka dale boja nuk imbushin mendjen me asnjeriu dhe nuk sugjestionojne kerkend.Bile as adresa e shkruar me te kuqe mbi parlatorin ku flet WWW.PS.Al. nuk perben ndonje risi per publikun e gjere e nuk pasuron performancen e tij komunikative. Githashtu nuk duhet harruar se qeveria aktuale krahas nje seri reformash te ndryshme qe po ndermerr,ka permisuar dhe rritur ndjeshem menyren e komunikimit me publikun nepermjet spikerave,ministrave qe jo vetem po perpiqen te realizojne premtimet ,por perdorin edhe nje retorike te standarteve europiane e cila eklipson retoriken boshe te vjeter te deshtuar te Edi Rames qe dikur pati sukses. Evidente eshte forma si komunikon p.sh.ministri I puneve publike Basha menyre ecila ngjet me format me te perparuara te komunikimit perendimor komunikativ. Pra krahas pa aftesise per te bere opozite dhe tentatives per te mbrojtur te inkriminuarit ne PS,Rama po perballet me reoriken e munguar te tij,arme qe jo pak e ka ndihmuar ne rrugen e tij politike prej jo politikani sic shprehet deputeti Pango. Qamil Gjyrezi
Një javë në Austri dhe Itali Shënime udhëtimi Zyra “Albruak-Albania” që koordinon biznesin austriak me atë shqiptar, duke shmangur “kalvarin” që i duhet një shqiptari për vizë “Shengen” na mundëson udhëtimin e një grupi specialistësh dhe biznesmenësh për në Austri, me qëllim njohjen me arritjet e tyre në fushën e mbarështimit të blegtorisë. Gazetarët s’kanë problem për pajisjen me vizë. Me një avion komod të “Austria-Airlines” udhëtojmë drejt Vjenës duke lënë në të ftohtin e vet lindjen e një dite të re dimërore. Në pistën e Rinasit ka dhe një shi të lehtë të tipit kadarejan. Kur avioni merr lartësinë një kafe e ngrohtë sikur të largon nga mendimet që të shoqërojnë në udhëtimet ajrore të kohëve të sotme. Kur dita shfaqet plotësisht jemi sipër reve që ngjajnë me grumbuj pambuku nuanca-nuanca e që kur davariten, në tokë nuk dallojmë gjë veç bardhësisë së dëborës që ka mbuluar tërë Europën, kontinentin e vjetër. Vjena që na pret, për së dyti herë është e ftohtë, me dëborë dhe e hijshme. Në dalje të aeroportit na presin të gatshëm për të udhëtuar qindra kilometra specialistët austriakë Hans Spielberg, Riegler, përkthyesja e shkathët Bianca Hoxha e në shofer tjetër. Gjatë udhëtimit prej 300 km arrijmë në veri të Austrisë, gjithnjë të shoqëruar nga bora që binte por me rrugë që çuditërisht nuk bllokoheshin asnjëherë, çudi që vinte nga krahasimi me rrugët e këtushme që bllokohen menjëherë sa fillon dimri. Austria, thotë specialisti veterinar i kërkimeve gjenetike në derra, Albert Geissler, një djalë i ri rreth të 30-tave, mbarështon mbi 5 milion krerë derra. Shumica e fermave janë të automatizuara, çka sjellë rritje të rendimenteve të mishit dhe të cilësisë së tij. Pyetjeve të biznesmenit Dedë Smakaj, Alberti u përgjigjet me shumë kujdes duke siguruar se zbatimi i teknologjive të automatizimit është e vetmja rrugë për të siguruar nevojat e konsumatorëve për mish derri. Vizitojmë një stallë me 1200 krerë derra për majmëri. Ne habitemi me mrekullinë e teknologjisë së informatikës. Në këtë stallë shërbente vetëm një punonjës. Gjithçka e automatizuar, ajrimi, ndriçimi, ngrohja, pastrimi i plehut, e mbi të gjitha të ushqyerit. Në veshët e derrave dalloheshin sensorët në trajtë pullash të verdha që bënin të mundur “njohjen” dhe dhënien e racionit ushqimor nga kompjuteri. Kompjuteri për nga “saktësia” dhe “ndërgjegja” ia kalon dhe njeriut, prej duarve e mendjes së të cilit ka dalë. Nuk “lë” asnjë derr pa ngrënë dhe njëkohësisht nuk “favorizon” apo mban me “hatër” asnjë individ. Shumica e reformave teknike dhe legjislative të BE-së në fushën e blegtorisë eksperimentale dhe provohen në Austri, na thotë përgjegjësi i zyrës së Almakos, z.Spielberg. P.sh. në Austri me ligj nuk lejohet lidhja e kafshëve në stallë për arsye të shumta teknike, shëndetsore por edhe për shkak të faktit se “lidhja e kafshëve cënon liritë dhe të drejtat e tyre”. Ky koncept kur bie në veshin tonë se si të provokon. Edhe pas 15 vjetëve të rrëzimit të diktaturës hasen një mal me dhunime e cënime jo më të të drejtave të kafshëve, por edhe të njerëzve. Gjëja që ne shqiptarët në këtë tranzicion nuk po mund të kuptojmë është fakti që rruga e demokratizimit të shoqërisë tonë nuk është “autostradë” e drejtë, por një rrugë me plot kthesa e gropa e me shumë të papritura, por mbi të gjitha me shpresën se do të drejtohet një ditë… Vjena, një nga kryeqendrat europiane në mbrëmje ndonëse është 6 gradë nën zero, ngjan me një kryevepër arti, ndërtesat jo më shumë se 5-6 katëshe, kishat antike të përmasave e bukurive të paimagjinueshme, bulevardet, tramvajet, madje edhe udhëtimet me karroca të tërhequra prej kuajve. Në Vjenë shikon dhe njerëz të “habitur” që flasin me vete, që me siguri për paaftësi për të përballuar sfidat e egra gati të pamëshirshme që ofron ekonomia e tregut, njerëz që nuk gjejnë dot veten dhe që nuk shfrytëzojnë liritë e të drejtat që u ofron ky sistem shoqëror-ekonomik i provuar si më i suksesshmi në botën tonë moderne. *** Në grupin tonë veç meje, bëjnë pjesë Dedë Smakaj, biznesmen, Ndue Maroçaj, biznesmen, Pjetër Ndoja, veteriner dhe Ndue Guri, ekonomist e tre specialistë blegtorie nga Elbasani dhe Kavaja. Duke shfrytëzuar ftesën e disa të afërmve tonë, ne shkodranët vendosëm të shfrytëzojmë rastin e të shkojmë në Italinë fqinje. Pavarësisht nga shpenzimet kur kujton “kalvarin” e një vize italiane që duhet marrë në Shqipëri për ne s’ishte asgjë. Me tren nga Vjena për 802 km udhëtojmë tërë natën për në Milano, një udhëtim i lodhshëm por i bukur. Në Milano na presin njerëzit tanë që gjatë gjithë kohës na telefononin dhe mezi na prisnin. Secili tek të afërmit e tij. Disa prej tyre na kanë ofruar edhe mundësinë për të vizituar ndërtesa blegtorale me qëllim përvoje. *** Në Arzinjano-Vicenza arrijmë aty rreth orës 14.00. Pak përgjumje në autostradat moderne italiane (për rrugët nuk të falin italianët, mbaj mend nga gjyshi), ku të krijohej përshtypja se më shumë kishte rrugë sesa tokë të lirë. Në një ambjent të pastër, sytë të përshtaten lehtësisht, por ngacmimi i krahasimit me qytetet tona nuk të lë rehat. Një qeveri që nuk pastron dot qytetin e vet, çfarë mund të bëjë, thotë një bashkatdhetar që ulet me ne në kafe, me të marrë vesh se jemi “turistë”. Pastrimi fillon nga shtëpia jote, shton një tjetër: një klasë politike e papërgjegjshme. Me shumë mund dhe djersë shumica e shqiptarëve kanë ndërtuar jetën e tyre dhe natyrisht kjo i bën më të kursyer në fjalë (me sa duket puna nuk i lë kohë të lirë të mendojnë). Megjithatë edhe në politikë padashur e shfaqin veten. A i ka lënë marrinat Sala, thotë një i panjohur, ndonëse ishte i mirëinformuar për jetën politike të vendit. Tash e ka parë Zoti Shqipërinë, thotë një tjetër, me Berishën gjërat do të shkojnë më mirë. Edhe këtu opinionet ndahen në të majtë dhe të djathtë por jo çuditërisht në ekstrem. Duke lëvizur në rrugët e qytetit, Beni, shoferi që na shoqëron, thotë “i shkreti” për një burrë rreth të 50-tave që po bënte mur. Ndjeshmërisë time për gjithçka që shihja dhe dëgjoja ai e shpjegoi: Është një qytetar nga Lezha. Para disa muajsh i vdiq djali i vetëm nga droga, mbidoza. Në të tilla raste i shkuam të gjithë shqiptarët e zonës që sa dëgjuam për ndihmë e ngushëllim. Të gjithë i ofruam çfarë kishte nevojë. S’kam njeri atje, tha, djalin po e varros përkohësisht këtu. Mori me qera 500 euro një copë tokë për pesë vjet dhe varrosi të birin. Po pas 5 vjetësh, pyes në heshtje?! I duhet të largojë eshtrat për në Shqipëri, thotë ai. Tashmë jeton me dy vajzat. E dhimbshme. Duke qenë në dynja edhe këto ngjarje ndonëse absolutisht të padëshiruara, janë pjesë e jetës dhe je i detyruar t’i pranosh. Çfarë nuk vizitojmë. Kështjellën Romeo-Zhuljeta. Në pak minuta përjetimet shekspiriane transmetohen në ndjenjat e një vizitori që vjen për herë të parë. Megadyqanin e yllit italian të futbollit, Roberto Baggio që me talentin e tij çuditi futbolldashësit e mbarë botës. A mund të anashkalohen 3 orë qëndrimi në Venecia a Venedik. Një kafe e “kripur” katër euroshe mbahet mend gajtë sa për çmim aq edhe për vendin, në Sheshin e Shën Markut. *** Më 16 shkurt ne marrim rrugën e kthimit me itinerarin Milano-Vjenë me tren dhe Vjenë-Tiranë me avion. Aeroporti i Vjenës është i lagët por ajri më i butë se çfarë e kishimi gjetur para një jave. Shkëputja nga pista është çuditërisht e furishme por gati e padallueshme. Rituali me avion është i njëjtë. Gjithnjë kam preferuar dritaren për të mos humbur asgjë nga vështrimet. Udhëtimi është në mesin e ditës. Pranë meje është një qytetare serbe, të paktën nga mbiemri, ndonëse nuk shkëmbejmë fjalë. Jemi qytetarë që aspirojmë lirinë e një bote të lirë. Në Vjenë kemi bërë zhurmën mediatike të fillimit të bisedimeve mbi pavarësinë e shtetit të Kosovës. Për një javë udhëtimi në Austri dhe Itali askush nuk më pyeti për pasaportën. Mjafton që të mos cënosh lirinë e kujt, të demonstrosh lirinë tënde dhe kufiri mbetet vijë në hartë. Kjo arrihet me shpalosjen e plotë të demokracisë kudo. Në Rinas një diell i bukur pas shiut i ka dhënë tjetër pamje. Jemi rikthyer në “folenë” tonë, por me të tjera bindje, me një tjetër eksperiencë. Nga i dërguari ynë Mark Preçi
Nard Ndoka “skllav” me numrin “49” në listën e z.Neritan Ceka Me pushkë në gjoks nuk bëhet kush as vëlla, as shok, as mik, por “skllav” apo hipokrit. Limonit i kanë mbetur edhe pak pika… Kryetari i grupit parlamentar të PDR, z.Nard Ndoka, a jeni “skllav” i një loje të servirur me nr.49 në listën e z.Neritan Ceka, Majko dhe Meta? Ka ardhur koha kur çdo deputet të ketë të drejtë të improvizojë çfarë t’i dojë qejfi dhe secili e bën për veten e vet. 15 vjet janë vetëm një ditë për kohën që iku, por zemra rreh vetëm për Shqipërinë kur do të hyjë në Europë dhe për popullin shqiptar kur do t’i hapen vende pune për të punuar. Populli e konsideron parlamentin dhe qeverinë e krijuar me votën e tij të 3 korrikut 2005, legjitim, ku populli ka shumë të ngjarë që t’i bindet edhe ligjeve të qeverisë. Sot në demokraci mund të merresh me politikë dhe mund të shkruash atë që ndjen, kurse në kohën e komunizmit po të merreshe me politikë dhe po të shkruaje lirisht do të të fusnin në burg, të pushkatonin dhe të internonin gjithë familjen. Juve, z.Nard edhe gjethet jeshile në pranverën 2006 po i bëni të kuqe në Parlament. Me të drejtë më lind një hije dyshimi tek qenia e juaj si depute i rizgjedhur nga vota e popullit të Laçit të Vaut të Dejës, Gurit të Zi, Kaçë-Naraç, Hajmel, Stajkë, Pistull etj. Juve po mundoheni të përçani koalicionin e mazhorancës me sa duket për interesa vetjake. Juve dilni në krye të Parlamentit me një mospërfillje ndaj Kryetares së Parlamentit duke “rrahur” me duar dhe këmbë si “gjel deti”. Pse doni të bllokoni punimet e Parlamentit dhe qeverisë, negociatat në fillim ishin mirë, ku ju është prishur linja? Tek ju, populli në diskutimet dhe deklaratat duke ju shikuar në televizor ka krijuar një krizë morale, etike dhe besimi. Një ditë disa shkodranë demokratë më thanë: Pse don ta “rrëzojë” qeverinë aktuale Nard Ndoka? Europa e afërt dhe e largët për ne, flet qartë për korrupsionin dhe drogën e prostitucionin që është manifestuar nga opozita e sotme, duke transportuar me gomone në Itali, Greqi dhe Mal të Zi. Bilbilave dhe borive opozita e sotme që u bie me vetëkoshiencë për mosheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, apo shkaku vota e fshehtë për znj.Topalli? Jo, z.Nard, lufta përbrenda PS-së ka filluar me Nanon që më 18 nëntor 2004 dhe vazhdon edhe sot me Edvinin-Kodhelin mars 2006. Kanë filluar t’i dalin “petët lakrorit” si korrupsioni i Telekomit, Ministrisë së Mbrojtjes 187 milion dollarë, krimi i organizuar i bandës së Lushnjës, Durrësit, Tiranës etj. Në politikë ti nuk ke ardhur për t’u bërë ministër, se u bë Pollo, por për t’i qarë hallet popullit dhe elektoratit të zonës ku të dhanë votën. Dhe ta fali dr.Berisha, duke sakrifikuar z.Pjetër Arbnori. Vendlindja jote nuk është Tirana, as Parlamenti, ktheje fytyrën tënde që të të rrahë zemra për bashkëfshatarët, elektoratin dhe popullin e Shkodrës, ku janë pa drita, ku sipërfaqen e tokës ua ka zënë liqeni i H.Centralit, janë pa punë, janë pa shtëpi, duke jetuar një pjesë në barakat e H.Centraleve. Duket se nuk të ka munguar kufizimi i tryezës socialiste. P.Demokratike e ka mazhorancën e shëndoshë dhe elektoratin, kjo që po bëni ju është një “lojë adoleshenti” djathtas kundër mazhorancës dhe kalove “skllav” me nr.49 me opozitën. Mos ki frikë nga peshkaqenët e mëdhenj të P.Socialiste, kontrolloje më shumë votën dhe bashkëqeverisjen reale. Gomari nuk fluturon por ecën dhe vasal i kujt mos u bëj. Peshkaqenët e P.Socialiste kemi për t’i pasur gjithmonë të gatshëm, të mendojnë ndryshe, të flasin ndryshe, dhe të veprojnë ndryshe për ndryshimin e ligjeve të Parlamentit ku ata vetë i miratuan kur ishin mazhorancë nuk na pyetën. Ti duhet ta dish mirë si politikan i ri se Partia Demokratike pa aleate nuk fiton dot. Bëhet fjalë për dukuri politike “shkollë diplomatike” keni shumë, por mos i turbullo problemet. Mos u mundo t’i vësh “shkopin ndër rrota” se rrezikon veten duke bërë “kurthe” si “diplomat” në “luftën” që krijoni juve. Telekomanda jote që përdor për “bombat” e hedhura në Parlament të duket një “mrekulli” për të kundërshtuar përballjen me PD-në dhe dr.Berishën kryesisht. Juve duhet t’i tregoni Europës dhe botës, duke u bashkuar dhe jo duke u ndarë si mazhorancë jeni duke luftuar deri në zero korrupsionin për të shkuar sa më parë në Europë. Mos harro se je rritë bashkë me shkëmbinjtë e maleve që ruajnë kujtesën e kohës së kalitur në çdo stinë. Hasan Kurtaj
Fier: Hakmarrje dhe dhunë Pasi ka marrë pushtetin në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, Partia Demokratike tashmë në pushtet, ka ndërmarrë një sulm të hapur ndaj komisionerëve të PS-së, duke i akuzua për manipulim të votave. Një nga rastet më flagrante është ai i komisionerit të PS-së në Fier, Pilo Koçi, i lindur më 31 maj 1966 në Zharrëz. Me profesion agronom në Komunën e Zharrëzës, Pilo Koçi është bërë anëtar i PS-së që në vitin 1994. Ai është dalluar si një veprimtar i shquar i kësaj force politike. Në vitin 1997 ai është pjesëmarrës edhe në demonstratat e mitingjet e organizuara në atë kohë për përmbysjen e qeverisë së PD-së. Disa herë gjatë këtij viti, ai është rrahur dhe keqtrajtuar fizikisht nga policia. Më 12 tetor 2003, i është provokuar një aksident me makinë në vendin e quajtur “Kthesa e Patosit”, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka qëndruar në spital një muaj. Disa ditë pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, pikërisht më 9 korrik, i shkojnë në shtëpi dhe i rrahin të atin Todi Koçi, si dhe gruan e tij. Në të njëjtin muaj, pra në korrik 2005, edhe vetë Pilon e rrahin në afërsi të shtëpisë së prindërve të bashkëshortes ku sërish si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, ai detyrohet të marrë kujdesin mjeksor në spital për një javë. Revanshi nuk mbaron me kaq. Është momenti kur duhet të ndëshkohen edhe me ndërprerjen e “bukës”. I largojnë nga puna, Pilon dhe bashkëshorten e tij, e cila ishte thjesht një mësuese në Komunën Portezës në Fier. Më 20 shtator 2005, në vazhdën e sulmeve ndaj tij, i djegin shtëpinë në Zharrëz, Fier. Fati i Pilo Koçit dhe i familjes së tij është një nga shembujt e revanshit që është ndërmarrë ndaj përkrahësve të forcave të majta, veçanërisht anëtarëve aktivë të PS-së. Në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një çift intelektualësh, të cilët janë ndjerë gjithnjë të rrezikuar. Martin Kola Agjentë me influencë në Kosovë Aktualisht, në Kosovë veprojnë agjenturat influente të shteteve që ia duan të mirën Kosovës dhe të atyre shteteve që kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës. Ndër këto agjentura më e rrezikshmja është ajo serbe. Gjatë historisë së njerëzimit përmes logjikës së shërbimeve sekrete, janë realizuar veprime të cilat nuk kanë mundur që t’i realizojnë ushtri të tëra. Sinonim i kësaj është i ashtuquajturi Kali i Trojës (Ilionit), përmes të cilit grekët mbërritën ta pushtojnë qytetin e fortifikuar, të cilën me luftë nuk arritën ta pushtonin dot, edhe pse dhjetë vjet me radhë e kishin mbajtur të rrethuar. Edhe sot, historianë të shumtë kanë dilema se si trojanët ranë në karremin e servuar nga grekët (Odiseu)? Në Iliadë, Homeri përshkruan kohë pas kohe veprime zbuluese të ndërmarra nga ushtria greke, por nuk flet për asnjë moment për një shërbim të centralizuar, i cili merret me këtë punë. Vet akti i sajimit të mashtrimit mund ta vërtetojë ekzistencën e një shërbimi zbulues, i cili me kalimin e viteve me sa duket ka arritur te ngjitet shumë lartë në strukturat komanduese të ushtrisë së Priamit. Pushtimi i Trojës nuk ka ndodhur për faktin se grekët e ndërtuan një kalë të drunjtë dhe atë e lanë jashtë mureve të qytetit. Grekët edhe më parë kanë mundur të ndërtojnë turma kuajsh të drunjtë, por ata do të kishin mbetur jashtë mureve të qytetit sikur dikush me influencë nga radhët e strukturave udhëheqëse trojane të mos kishte urdhëruar futjen e tyre brenda. Kështu, vetëm futja e dhjetëra ushtarëve sa ka zënë brendia e kalit të drunjtë nuk do të kishte paraqitur ndonjë problem për sigurinë e qytetit, sikur dikush me influencë nga udhëheqja trojane të mos e sabotonte shërbimin e zbulimit, i cili e kishte për detyrë që t’i përcjellë aktivitetet e ushtrisë greke gjatë tërheqjes. Siç duket pas vdekjes së Hektorit, Priamit plak i kishin dalë nga dora shumë gjëra dhe në hierarkinë e tij shtetërore grekët kishin rekrutuar njerëz me influencë dhe e kishte bërë atë që të marr vendime të gabuara. Agjentura influente është në veprim Termi “agjenturë influente” bëhet i njohur së pari nga një fjalim i shefit të KGB-së, Vladimir Kluçkov i mbajtur para deputetëve të Sovjetit Suprem më 17 qershor të vitit 1991. Kluçkov, duke iu referuar një dokumenti të cilin KGB-ja ia dërgonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BRSS-së më 24 qershor të vitit 1977, para deputetëve sovjetikë i prezanton përmasat e rrezikut të shkatërrimit të shtetit sovjetik nga “Plani i CIA-s për rekrutimin e agjenturës influente nga radhët e qytetarëve sovjetikë”.Në kuadër të debateve se si u shkatërrua perandoria sovjetike, shumë analistë këtë ia atribuojnë aksioneve sekrete të CIA-s, në radhë të parë e potencojnë veprimtarinë e agjenturës influente, e cila duke qenë në vendet kyçe e ka sabotuar funksionimin e sistemit shtetëror në të gjitha segmentet e veçanërisht në atë ekonomik dhe politik. Në këtë kuadër, sot e kësaj dite “perestrojka” e Gorbaçovit, e cila merret si paraprijëse e shkatërrimit të shtetit sovjetik, shikohet si projekt i prodhuar nga agjentura influente e rekrutuar nga CIA. Kush janë agjentët influentë? Agjenti influent nuk do të thotë të jetë njeriu i parë i një shteti. Janë raste të rralla në histori kur njeriu i parë i një shteti ka arritur që të rekrutohet nga shërbimi armik. Agjentët me influencë, zakonisht i përkasin nivelit të dytë ose të tretë në institucione drejtuese, ku shërbimi armik e bën lojën e vet në mënyrë të heshtur dhe pa u hetuar. Kjo do të thotë se ata janë persona, të cilët me autoritetin e tyre politik (nganjëherë edhe ekonomik) ndikojnë te personat vendimmarrës në marrjen e vendimeve të gabuara, të cilët shkojnë në dobi të armikut. Zhvillimi i kësaj veprimtarie nuk mund të ndodhë i veçuar. Ajo do një përfshirje të gjithanshme, e cila gjithsesi duhet të ketë mbështetje mediale. Veprimi i gjithanshëm në fushata të këtilla të sofistikuara, mbërrin që me vete të marrë edhe shumë persona, të cilët pa vetëdije futen në këtë lojë, por që janë influentë në rrethin ku jetojnë dhe veprojnë. Nëse vetëm pak shikojmë nga e kaluara jonë jo e largët, sigurisht se do të na kujtohen veprimet e agjenturës influente serbe, e cila ne gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjeta provonte që shqiptarët e Kosovës t’i fuste në kuadër të sistemit jugosllav të administrimit. Aktualisht, në Kosovë veprojnë agjenturat influente të shteteve që ia duan të mirën Kosovës dhe të atyre shteteve që kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës. Ndër këto agjentura më e rrezikshmja është ajo serbe, e cila është instaluar gjithandej dhe herë pas here nga mbështetja e paqëllimtë e disa mediave, Kosovës i shkakton dëme të papara. Le ta marrim vetëm një segment, atë të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK). Sipas publikimeve të bëra, personi i cili ishte i autorizuar për rekrutim, sistematizim dhe gradim në kuadër të SHPK-së, ka kërkuar azil politik në Angli dhe ka pranuar se ka qenë agjent i shërbimit serb (BIA). Deri sot, nuk është bërë publike asnjëherë nga organet e specializuara të SHPK-së, se cili është dëmi që ky person i ka shkaktuar këtij shërbimi. Nga dëmet më të mëdha që mund të ketë shkaktuar ky person është mënjanimi i personave intelektualë nga strukturat komanduese të SHPK-së dhe instalimi i rrjetit të tij në këto struktura, ku për pasojë kemi një zbulueshmëri shumë të ulët të krimeve nga SHPK. Është e pakuptueshme se si në kuadër të SHPK-së gradohen pjesëtarë, të cilët e kanë të dyshimtë diplomën e shkollës së mesme, ndërsa mbeten pa grada inxhinierët, ekonomistët, juristët… Kjo më së miri e vërteton praninë e agjenturës influente në këtë institucion, por edhe në institucionet tjera. Secili që ia do të mirën Kosovës, le të shikojë se kë ka afër tij! FADIL KAJTAZI Autori është analist ushtarak dhe autor i librit “Armët dhe Lufta”
“Heroit” dhe “Mësuesit të Popullit”, L. Gurakuqi, në 81-vjetorin e vrasjes Çfarë ka qielli që gjëmon Kjo ushtimë që vjen nga deti: Mbi tokë bie një luan Tundet vendi nga tërmeti.
Shkrepë rrufeja nalt në qiell Dridhen fusha, male e shkrepa Si kometë asht shkëputë një hyll Vajtojnë foshnjat nëpër djepa.
Lotët rrëke zbresin prej malit Bashkë me ujin që rrjedh nga gurrat Vajton Vlona e Ismail Qemalit Bjeshkët që lindën Dedë Gjon Lulat.
E ka ndalë turrin Bistrica Kanë ndalë hovin valët e Drinit Vajton thekshëm Mitrovica Bashkë me kulla t’Boletinit.
Dukagjini ka ulë kokën Me respekt e dhimbje t’thellë Për atë burrë që dridhi tokën Me Mark Milan e Babun Celë.
Vjen Valbona me stuhi Nuk ka “digë” me ia ndalë turrin Si vullkan bjen mbi tradhti N’Dragobi kanë vra tribunin.
N’majë t’Velës, orë e zana Lshojnë kushtrimin mbi Kurbin Sot t’ndriçojnë dielli e hana Nuk lind Shkodra si kët trim.
Burrë i pendës e i besës Zotit Flamurtar i Pavarësisë Gjak i dejve t’Kastriotit Pushka e ndera e Shqiptarisë.
Gurakuq, jo nuk ke vdekun Bir i shtrejtë i Shqipnisë Legjendar, udhëton ndër shekuj Nuk të vret plumbi i tradhtisë.
Sa t’rrjedhë Vjosa e Shkumbini Sa t’jetojnë bjeshkët me lisa Gjin Pervisë do t’lindë Kurbini Preng Bib Dodë do t’rritë Mirdita.
Gurakuqë e Dedë Gjon Lula Do t’përkundë djepi i Shqipnisë Boletinë, Kaçorrë e Curra Toka jonë gjithmonë do t’rrisë.
Brohoret sot mbarë Shqipnia Anë e kand tokës etnike: Gurakuq të qoftë lavdia Je vullkan zemrash kreshnike. Mark Bregu
Riciklimi mediatik i një çmendurie kolektive, kthjellim vetëdije apo një tjetër yshtje rebelimi Nga Albert Vataj Gjithmonë e kam parë dhe kuptuar me rezerva proverbin: “Kush nuk shikon prapa ju verboftë njëri sy, kush nuk shikon, ju verbofshin të dy”. Pork am ndërruar mendje. Sinteza e kësaj fraze si shumë e shumë të tjera që silurojnë logjikimin tonë të të përcaktuarit të gjendjeve dhe situatave orjentohet nga një synim jo i rastësishëm. Megjithëse nuk ka shumë ditë kalendarike që kemi behur në vitin 2006, që përkon me 10-vjetorin e riciklimit në pushtet të Berishës, nëpërmjet një palë zgjedhje të manipuluara. Të paktën kësaj teze I është përmbajtur deri sot, çka do të thotë se s’kishte se si të ishte ndryshe. Rimandatim që do t’I kushtonte shumë shtrenjtë vendit dhe vetë demokratëve, të cilët u gjenden pakuptimisht shumë komod në qerthullin e piramidave që po rjepnin për së gjalli ekonominë latente të shqiptarëve. 2006-1996 ka një ngjashmëri, por kjo nuk do të thotë se numerikisht do të kishte po këtë ngjashmëri apo përkim aritmetik 2006-1997. Viti 1997, të cilit megjithëse nuk u kursyen ta pagëzonin me gjithfarë epitetesh të Shtatë Rrathëve të Dantes, papritur ka rënë si nga qielli e në meidanin e relitetit kokëprerë shqiptarë. Fushata mediatike e vitit 1997 në pamje të parë duket si nevojë për konsum, në kushtet e inflacionit mediatik. Parë me një sy disi më të ngeshëm, ajo të ngjeth me idenë e të gjendunit në 10-vjetorin kur opozita gatuantë në kuzhinat e saj çorbën e ’97-tës, çorbë të cilët shqiptarët e hëngrën dhe po e vjedhin dhe do vazhdojnë tërë jetën. Pse dhe qysh, kjo nuk do koment, sekush di dhe mundet të heqë një paralele të pësimeve dhe pësimeve që gjasat i ka të mos na bëhen mësime. Makthi i atyre ditëve, marrëzia kolektive që ngërtheu si një mallkim çdo cep të Shqipërisë me flakë dhe ferr, as nuk ishin, nuk janë dhe nuk do të jenë një kujtesë që fashitet lehtë në kujtesën e çdonjerit. Është kaq herët të besosh se njerëzit e kanë harruar këtë realitet katrahure. Sikurse është kaq e pavend rikthimi mediatik i atyre ditëve të atij viti. Kjo pasi media duhet të jetë e vetëdijshme se ka përgjegjësinë e saj të patjetërsueshme për gjithçka pllakosi Shqipërinë e atij viti terratisjeje. Ajo, media dhe ithtarët e saj më të devotshëm në emër të lajmit, ndoshta vetëm kaq, dhe skam pse të mendoj ndryshe, ishin përcjellësit më të shkëlqyer të zjarrvënies nga Jugu në Veri e më pas deri në skutat më të largëta të vendit. Ajo, pra media, e cila i rikthehet ’97-tës, ndoshta për të rikthyer në pushtet sërish të majtën përkundrejt skenarit me fillesa 10 vite më parë, ose ndoshta për t’i bërë një autopsi kësaj vdekje klinike të ndërgjegjes kolektive, kurrë nuk u kujtua, moralisht të kërkonte falje. Nëse ajo nuk është e ndërgjegjshme për rolin që pati për atë që ngjau në vitin 1997, mjer për të. Por nëse thellë në vetëdijen e saj, ajo vazhdon të pranojë se s’ka bërë asnjë mëkat duke informuar opinionin publik, kjo mbetet një problem me të cilin duhet të merren mjekët. E nëse ajo me tendencën për t’i bërë atopsi atij viti ogurzi nëpërmjet këtij riciklimi mediatik, në një farë mënyre lan duart si Ponc Pilati, do të ishte një gjellë bajate për t’u ngrënë, gjithsesi do ta hanim. Bën vaki se pas këtij rikthimi në ngjarjet e marsit 1997 ajo po riformaton skenarin e të gjithëve kundra Berishës, duke harruar se kjo përkthehet të gjithë kundër njëri-tjetrit. A nuk do të ishte më pak e përfolur kjo betejë mediatike sikur të ruhej toruaoja për më 2006-n dhe t’i përkiste këtij viti jubilar rikthimi i kësaj kohe kujtese, për të cilen do na vinte turp çdonjërit. Megjithëse jo gjithçka do të fshihej pas “përvjetorit” do të ishim më pak të prirur për të paragjykuar se çfarë fshihet pas kësaj dhe të rendisnim PSE? pafund. Gjithsesi tashmë në jemi vetëm soditës të këtij “zbulimi” mediatik, sikurse ishim dhe nuk do të na kursentë askush të jemi sërish viktima të vitit 1997. Ajo që duma të mos lexojmë qartë është ajo për të cilën as nuk u penduam dhe as që do pëndohemi. Eshtë fjala për yshtjen e njerëzve për ta gjetur veten me urët e zjarrit ndër duar. Ata janë gjithnjë të gatshëm për tu versulur si ulkonja mbi këluyshët e saj, vetëm se nuk u mungon kurajoja për t’iu bindur verbërisht thirrjeve të vullnetit për të besuar ftesën verbalë “ja vdekje ja liri” të paranojak të politikës. Nga momenti në moment ata mund t’i kesh në shesh, nga ku t’i vërtitësh sipas dëshirës për realizimin e gjithçkaje të përpiluar në skenarin e qëllimeve tuaja. Logjika e turmës është si orjentimi i të verbërit në një rrugë të panjohur. Kjo mjafton që mjeshtëria politike të ketë një terren të bollshëm për të luajtur skenat e përgjakshme të kolltukifikimit. Pamotivimin e riciklimit të ngarjeve të marsit të vitit 1997 e shoh gjithashtu si një rrezik edhe në prizmin gjithshqiptarë. Krijimi i kushteve për një stabilizim të lëkundjeve sizmike ku shqiptarët e kanë gjetur vetveten ndër shumë vite, do të ishte një shkas të besojmë se fati do të ishte më dashamirës me ne, gjithnji nëse ne kemi dashur të besojmë së jemi të ndëshkuarit e fillit të fatit e jo nervit të pandreçshëm ballkanik. Një maisje e problemeve shqiptare dhe relieve gjithëshqipfolëse do të vijonin të mbetnin të thyera. Viti 1997 nuk ishte ogurzi vetëm për metrat katrore të Republikës së Shqipërisë. Jo rastësisht atë vit makina ushtarake serbe ndërsa kishte lyer duart me gjak në Bosnje-Hercegovinë po zgjaste thonjt drejt Kosovës dhe bëri vaki ajo për të cilën jemi dëshmitarë të gjithë. Ngase kjo ngjau kështu kishte të drejtë dikush të mendonte se pas vitit 1997 dhe ngjerjeve që agravuan deri në limitet e një lufte civile, ishin nje mekanizëm që vihej në lëvizje nga pansllavizmi, Greqia në njëren anë dhe Serbia në tjetrën. E kush ta dinte se domosdo duhej të ishin aq të thella punët, sa metastazat e krimit të shtriheshin si qiej që na rrinin kundrulla fateve tona. Nejse kjo duhet t’i përkasë të ardhmes, të davaritur nga koha dhe të gërmëzuar nga historianët. Viti 1997, sipas meje duhej të ishte më shumë një motivim akademik për të vënë pikat mbi “I”, se sa tokë e majme mediatike ku të merret takes nga viktimat. Rikthimi tek një çmenduri, ku sejcili ka rracionin e tij të përgjegjësisë, ndërkohë që tek të gjithë ka munguar kurajoja civile e pendesës është tamam-tamam një rikthim në dashurinë e vjetër, për të cilën ke mallë, prej së cilës do marrësh atë që të ka munguar. Kjo ndjesi mazohiste nuk më përjashton të përjashtoj njëriun shqiptar nga ky krahasim.
Kush kërcënohet nga Irani? PolitikëEkzistojnë shumë fakte që pohojnë se lufta ndaj Iranit është kurdisur këtu dhe shumë kohë më parë. Njëkohësisht që përgjigja amerikane për rrëmbimin e diplomatëve amerikanë gjatë Revolucionit Islamik-Shiit -mbase një nga revolucionet me popullaritetin më të madh të shek. 20- në 1978/79, nuk ka ardhur ende. Studiues seriozë pretendojnë se luftërat në Ballkan dhe lufta me Afganistanin apo me Irakun nuk ishte gjë tjetër veçse përgatitje për përleshjen kryesore, atë me Iranin. Më poshtë piketohen disa elemente në të cilët këta studiues dedikojnë strategjinë e ShBA-së apo të NATO-s mbi zonën që përfshin “trekëndëshin e pasigurisë globale”, Ballkan-Kaukaz- Lindje e Mesme: 1) Tkurrja e influencës ruse në zonë. Hapi i parë i kësaj strategjie sipas analistëve ishte spostimi i frontit antisovjetik/antirus, nga Europa Lindore në Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Po në këtë spostim fronti dedikohet edhe shpërbërja e Jugosllavisë, regjimit të fundit filorus në Ballkan (këtu e ndjej për detyrë të citoj se kjo recetë e thjeshtëzon së tepërmi problemin jugosllav). 2) Gjetja e një armiku të ri i cili do iu lejojë liri në veprime. Ky armik duket se po merr emrin ‘Islam’. Po të kemi parasysh se Islami është fenomen i pranishëm i rreth 1400 vjetëve të Historisë Botërore/Mesdhetare, gjatë të cilëve luftërat ndërkristiane apo ndërmuslimane ishin më të shumëfishta në numër sesa luftërat ndërfetare atëherë do mundeshim të thonim se kjo lufta ndërfetare apo ndërkulturore që na fishkëllehet, deri diku duket si e sajuar! 3) Shpërbërja e shteteve që tradicionalisht përbënin vegla të espansionit rus (Jugosllavia, Iraku dhe tani Irani me Sirinë). 4) Përdorimi dhe kontrolli i gazit natyror dhe naftës. Kjo pikë sipas këtyre analistëve shpjegon edhe politikën amerikane në Ballkan, zona që pritet të jet kanali transferues i këtyre pasurive kundrejt Europës. 5) Mbrojtja e shteteve aleate të ShBA-së (Izrael, Turqi). 6) Reklamimi apo imponimi i protipeve perëndimore, që në vetvete fshehin nevoja të kapitalit dhe të globalizmit neoliberal! 7) Përkufizimi i antiamerikanizmit. 8) Pengimi i fuqizimit të shteteve jo të pëlqyera nga ShBA. 9) Bindja gjeopolitike se kush kontrollon Europën Lindore dhe Lindjen e Mesme mbikëqyr Eurazinë, dhe kush mbikëqyr Eurazinë mbikëqyr Botën! Kjo bindje e gjen ushqimin e vet në disa botëkuptime tradicionale të shkencave strategjike, dhe kryesisht në analizën e Anglezit Mackinder në fillimin e shekullit të 20. Personalisht e ndjej të nevojshme të shpjegoj se këta studiues e kanë thjeshtëzuar së tepërmi strategjinë amerikane në zonë, në një kohë që politika dhe diplomacia nuk mund të shpjegohen kurrë me ekuacione. Aq më tepër kur flitet për politikën e jashtme amerikane, ku skemat e Max Weber apo Graham Allison duket se bëhen më të vlefshme se dogma tradicionale e “faktorit të arsyetueshëm” -që e vendos shtetin në rolin e një organizmi fizik me personalitet tërësor automatik. Janë këto skema që e shpjegojnë politikën e jashtme më tepër si rezultat të proceseve brendashtetërore ku burokracitë apo organet e ndryshme gjenden në një konkurrencë të vazhdueshme. Pikërisht rezultati i kësaj konkurrence, sipas z. G. Allison, shpjegon edhe sjelljen e jashtme të një shteti. Megjithatë, përtej këtyre mangësive politiko-shkencore që ngjyrosin kërkimet e këtyre studiuesve ajo që ka më tepër rëndësi është se pikat që u sipërpërmendën lakojnë me njërën apo tjetrën mënyrë Iranin. Pra nëse vërtet janë këta elementët që përkufizojnë strategjinë amerikane në zonë atëherë Irani i plotëson të gjitha kushtet për tu gjendur në të njëjtën fushëbetejë me ShBA-në, në krahun e kundërt sigurisht! Nga ana tjetër, çështja kompleksohet kur bëhet fjalë për rrezik bërthamor. Dhe pyetja kryesore është nëse Irani e posedon atë aftësi që do i lejonte të kryej një sulm bërthamor apo jo. Nëse Irani nuk e posedon këtë aftësi por mundohet që ta zotërojë në të ardhmen atëherë lufta pothuajse bëhet e pashmangshme si nga aspekti i shtetit që vepron mekanikisht, teoria e “faktorit të arsyetueshëm”, si nga aspekti i shtetit që vepron në sajë të konkurrencës së pranishme midis burokracive apo grupeve të interesave. Në aspektin e parë lufta është zgjidhje për vet shkakun se shteti amerikan e arsyeton si të domosdoshme përballë një Irani kërcënues. Kurse në aspektin e dytë bëhet zgjidhje nëse mendojmë se grupet e interesave që konkurrojnë në këtë moment në ShBA janë grupe që ndjekin një politikë të caktuar në zonën e Lindjes së Mesme (për më tepër lexoni artikullin e L’Espresso të datës 28/12/2005 mbi skandalin e lobeve në ShBA). Dhe kjo politikë veçse ndesh mund të bjeri më Teheranin, aq më keq kur Teherani bëhet kërcënues/sfidues. Pasiguria më e madhe është se cilat do jen vendimet apo lëvizjet e Uashingtonit nëse vërtetohet që Irani gëzon aftësitë e një goditjeje bërthamore. Megjithëse mundësia që Irani të gëzojë fuqi të atillë që mund të kërcënojë vet territorin amerikan përjashtohet, një sulm ndaj Iranit do shikohej si jo-efikasës. Dhe kjo sepse do kërcënoheshin aleatët e ShBA-së në zonë por edhe sepse në një zonë ku goditja bërthamore lë shenja nuk ka vend për njerëzit e jo më për interesat amerikane! Pra nëse e konceptojmë ShBA-në si një shtet me personalitet tërësor-automatik që përballon vetvetiu nën ligjin vepër-kundravepër çdo rrezik, sipas teorisë tradicionale, atëherë lufta me Iranin bërthamor është e pamundur. Por nëse politika e jashtme amerikane konceptohet si rezultat i konkurrencës të organeve/grupeve brendashtetërore amerikane, sipas teorisë së z. Allison, atëherë çdo rezultat mbetet i mundshëm! Dhe nëse lufta bërthamore bëhet fakt –megjithëse e shikoj si të pamundur- atëherë ai që kërcënohet nuk është ShBA por Lindja e Mesme dhe Ballkani. Sepse, siç e citova më sipër, Irani nuk do mundej të ketë fuqi të atillë që të kërcënojë territorin e ShBA-së. Këtë do mundej ta bënte vetëm me zotërimin e predhave bërthamore ndërkontinentale, të cilat kërkojnë një teknologji tepër të lartë ushtarake- privilegj ky i një numri shumë të vogël shtetesh. Pra përballë një superfuqie amerikane nëse Irani bërthamor vendoste pro përdorimit të këtyre armëve atëherë shënjestër do mundeshin të bëhen aleatët e ShBA-së në zonë (si p.sh. Izraeli dhe Turqia) dhe vendet e afërta me Iranin ku strehohen bazat ushtarake aleate. Gjithashtu një goditje ndaj Izraelit do mundej t’i jepte edhe ngjyra ideologjike – „antisioniste“- përpjekjes iraniane. Sidoqoftë konkluzioni kryesor që mbetet është se shtetet europiane do bënin mirë ta shqyrtonin më tepër fërkimin irano-perëndimor. Përderisa rreziku i radioaktivitetit, nën hipotezën e një goditjeje bërthamore, kërcënon oborrin e Europës -Lindjen e Mesme dhe Ballkanin- më shumë se çdo zonë tjetër të planetit! Pra kur bëhet fjalë për rreziqe të kësaj grade nuk do mundej Europa të rrijë duarkryq përballë zgjidhjeve amerikane. Sepse ajo që ka më tepër rëndësi për te gjithë –më tepër se dhe “demokratizimi” i Iranit- është mosekspozimi i qenieve njerëzore përballë rrezikut nuklear! Dhe nëse Irani posedon predha bërthamore atëherë rreziku nuklear nuk shuhet me luftë –me luftë rritet me tepër ky rrezik- por me afrimitet diplomatik! Erjus Mezini Koncepti strategjik i NATO-s PolitikëNë takimin e Samitit të Uashingtonit në prill të vitit 1999, Aleatët e NATO-s aprovuan një strategji për të pajisur Aleancën për sfidat e sigurisë dhe mundësitë e shekullit 21 si dhe për të udhëhequr zhvilimin e saj të ardhshëm politik e ushtarak. Koncepti Strategjik i kohës sjell udhëzim të gjithmbarshëm për zhvillimin e politikave të detajuara dhe të planeve ushtarake. Ai përshkruan Qëllimin dhe Detyrat e Aleancës dhe ekzaminon Perspektivat e tij Strategjike në dritën e mjedisit strategjik që po evoluon dhe të sfidave të sigurisë dhe të rreziqeve. Koncepti parashtron Qasjen e Aleancës ndaj Sigurisë në Shekullin 21, duke rikonfirmuar rëndësinë e lidhjes transatlantike dhe të mirëmbajtjes së aftësive ushtarake të Aleancës. Ai ekzaminon rolin e elementeve të tjera kyçe në qasjen e gjerë të Aleancës ndaj stabilitetit dhe sigurisë, gjegjësisht Sigurinë Evropiane dhe Identitetin e Mbrojtjes; parandalimin e konfliktit dhe menaxhimin e krizës, partneritetin, bashkëpunimin dhe dialogun; zgjerimin; dhe kontrollimin e armëve, çarmatimin dhe mospërhapjen. Koncepti gjithashtu jep Udhëzime për Forcat e Aleancës të bazuara mbi parimet e strategjisë së Aleancës dhe mbi karakteristikat e pozitës së forcave të Aleancës. Këtu përfshihen pjesët që adresojnë misionet e forcave ushtarake të Aleancës dhe udhëzimet për pozitën e forcave të Aleancës, si dhe karakteristikat e forcave konvencionale dhe bërthamore. Koncepti Strategjik është publikuar së pari më 1991. Versioni i vitit 1999, si dhe paraardhësi i tij, është deklarim autoritar i objektivave të Aleancës dhe sjell udhëzimin e nivelit më të lartë rreth mjeteve politike dhe ushtarake që duhet të përdoren për t’u arritur ato. Formulimi fillestar i strategjisë së NATO-s njihej si “Koncepti Strategjik për Mbrojtjen e Rajonit të Atlantikut të Veriut”. I zhvilluar midis tetorit të vitit 1949 dhe prillit të vitit 1950, ai parashtronte një strategji të operacioneve në shkallë të gjerë për mbrojtje territoriale. Nga mesi i viteve 1950 u zhvillua strategjia e “kundërgoditjes masive shpaguese”. Ajo theksonte sprapsjen të bazuar mbi kërcënimin se NATO do të përgjigjej në çdo agresion kundër vendeve anëtare me të gjitha mjetet që disponon, duke përfshirë në mënyrë të veçantë armët bërthamore. Diskutimet për ndryshime të mundshme në këtë qasje strategjike filluan më vonë në vitet 1950 dhe vazhduan deri më 1967 kur, pas debatit intensiv brenda Aleancës, “kundërgoditja masive e shpaguese” u zëvendësua me strategjinë e ”përgjigjes fleksible”. Kjo përqendrohet në dhënien NATO-s të përparësive të fleksibilitetit dhe në krijimin e pasigurisë në mendjen e çdo agresori potencial rreth përgjigjes së NATO-s në rast kërcënimi të sovranitetit apo pavarësisë të cilitdo vend anëtar. Koncepti ishte planifikuar për t’u siguruar se agresioni i çfarëdo lloji do të merrej se involvonte rreziqe të papranueshme. Strategjitë e sipërme mbaheshin në dokumente sekrete, që u ofronin qeverive kombëtare udhëzim dhe pika reference për aktivitetet e planifikimit ushtarak. Ato nuk i adresoheshin publikut të gjerë. Edhe pse konceptet në themel njiheshin mirë, shumë pak diskutim publik rreth detajeve të tyre ishte i mundshëm sepse efektiviteti i tyre varej kryesisht nga fshehtësia. Ato reflektonin realitetet e Luftës së Ftohtë, ndarjen politike të Evropës dhe situatën konfrontuese ideologjike dhe ushtarake që karakterizonte marrëdhëniet Lindje-Perëndim për shumë vite. Derisa po vazhdonte Lufta e Ftohtë, ndërkaq, Aleanca gjithashtu kërkonte të zvogëlonte rreziqet dhe të shtronte bazën për progres drejt marrëdhënieve më pozitive me Bashkimin Sovjetik dhe me vende të tjera anëtare të Paktit të Varshavës. Raporti Harmel, i publikuar më 1967, themeloi kështu një dialog rreth mbrojtjes, duke përfshirë kontrollin e armëve, si dy shtylla të qasjes së Aleancës ndaj sigurisë. Me përfundimin e periudhës së Luftës së Ftohtë, situata politike në Evropë dhe situata e gjithmbarshme ushtarake u transformuan. Një Koncept Strategjik i ri evoluoi gjatë dy viteve pas rënies së Murit të Berlinit. Ky është debatuar dhe diskutuar brenda Aleancës dhe është kompletuar në nëntor të vitit 1991. Duke qenë shumë pak në relacion me konceptet e përparshme, ky theksonte bashkëpunimin me ish kundërshtarët në vend të konfrontimit. Ai ruante sigurinë e kombeve anëtare si qëllim fundamental të NATO-s por e kombinonte këtë me obligimin specifik për të punuar drejt sigurisë së përmirësuar dhe të zgjeruar për Evropën si tërësi. Në pikëpamje të tjera, po ashtu, Koncepti Strategjik i vitit 1991 ndryshonte në mënyrë dramatike nga të mëparshmit. Ai u lëshua si dokument publik, i hapur për diskutim dhe komentim nga parlamentet, specialistët e sigurisë, gazetarët dhe publiku më i gjerë. Më 1997, liderët e NATO-s u pajtuan se Koncepti duhej të riekzaminohej dhe të sillej në hap me kohën për të reflektuar ndryshimet që kishin ndodhur në Evropë që nga miratimi i tij, duke konfirmuar angazhimin e Aleatëve për mbrojtjen kolektive dhe lidhjen transatlantike dhe duke u siguruar se strategjia e NATO-s u adaptohet plotësisht sfidave të shekullit 21. Është ndërmarrë punë intensive kudo në Aleancë për të përmbyllur revidimin para ardhjes së Samitit të Uashingtonit. Sikur edhe për punët e tjera të Aleancës, aprovimi i Konceptit kërkon konsensus si për përmbajtjen e dokumentit ashtu dhe për gjuhën e tij nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës. Kundruall sfondit të pranimit të tri vendeve të reja, përfaqësuesit e Republikës Çeke, të Hungarisë dhe të Polonisë ishin të pranishëm që nga fillimi i diskutimeve. Koncepti Strategjik është deklarim autoritar i qëllimeve dhe detyrave të NATO-s dhe udhëzim i nivelit më të lartë rreth mjeteve politike dhe ushtarake që duhet të përdoren për të arritur objektivat e tij. Koncepti i vitit 1999 konfirmon se qëllimi esencial dhe i qëndrueshëm i Aleancës është të ruajë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj me mjete politike dhe ushtarake. Ai pohon vlerat e demokracisë, të të drejtave të njeriut, dhe pushtetin ligjor dhe shpreh angazhimin e Aleatëve jo vetëm për mbrojtje të përbashkët por për paqen dhe stabilitetin në rajonin më të gjerë të Evro-Atlantikut. Strategjia gjithashtu definon detyra fundamentale të sigurisë të Aleancës, si në terma të mbrojtjes kolektive, që ka qenë në qendër të Aleancës që nga themelimi, ashtu dhe në terma të aktiviteteve të reja në fushat e menaxhimit të krizave dhe të partneritetit që po ndërmerr Aleanca me qëllim që ta shtojë sigurinë dhe stabilitetin në rajonit e Evro-Atlantikut. Koncepti përshkruan mjedisin strategjik dhe vlerëson sfidat dhe rreziqet e parashikueshme të sigurisë. Ai vëren se në vitet e vona mjedisi është shenjuar nga një ndryshim i vazhdueshëm dhe përgjithësisht pozitiv dhe se Aleanca ka luajtur rol themelor në forcimin e sigurisë Evro-Atlantike që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Sa u përket rreziqeve, dokumenti rikonfirmon konkluzionin në Konceptin Strategjik të vitit 1991 se rreziku i luftës së përgjithshme në Evropë virtualisht është zhdukur por se ka rreziqe të tjera dhe pasiguri me të cilat përballen anëtarët e Aleancës dhe shtetet e tjera në regjionin e Evro-Atlantikut, siç janë konfliktet etnike, cenimi i të drejtave të njeriut, jostabiliteti politik, brishtësia ekonomike, dhe përhapja e armëve bërthamore, biologjike, dhe kimike si dhe mjetet e dërgimit të tyre. Një nga tiparet dalluese të strategjisë së 1991-shit të Aleancës ishte përvijimi i një qasjeje të gjerë ndaj sigurisë, duke kapërthyer mjete plotësuese politike dhe ushtarake dhe duke theksuar bashkëpunimin me shtetet e tjera që ndajnë objektivat e Aleancës. Kjo qasje gjithëpërfshirëse mbetet tipar qendror i Konceptit Strategjik të ri dhe përfshinë këto elemente themelore: Ruajtjen e lidhjes transatlantike. Koncepti Strategjik nënvizon pandashmërinë e sigurisë evropiane dhe të Amerikës së Veriut dhe së këndejmi del rëndësia e një partneriteti të fortë dhe dinamik midis Evropës dhe Amerikës së Veriut. Mirëmbajtja e aftësive ushtarake efektive. Strategjia bën thirrje për aftësi ushtarake që do të jenë efektive në një gamë të plotë të rrethanave të parashikueshme, nga sprapsja dhe mbrojtja kolektive deri te operacionet në përgjigje të krizave. Koncepti Strategjik gjithashtu ofron udhëzim specifik mbi aftësitë e domosdoshme. Zhvillimi i Sigurisë Evropiane dhe Identitetit të Mbrojtjes brenda Aleancës. Koncepti Strategjik konfirmon se Siguria Evropiane dhe Identiteti i Mbrojtjes do të vazhdojnë të zhvillohen brenda Aleancës në bazë të vendimeve të marra nga Ministrat e Jashtëm të Aleancës në Berlin më 1996 dhe më pastaj. Ai thotë se ky proces do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë midis NATO-s, Unionit Evropian Perëndimor dhe, nëse dhe kur është e duhur, Bashkimit Evropian. Koncepti konfirmon se ky proces do t’u mundësojë të gjithë Aleatëve evropianë për të dhënë një kontribut më koherent dhe efektiv për misionet dhe aktivitetet e Aleancës; ai do të përforcojë partneritetin transatlantik; dhe do t’u ndihmojë Aleatëve evropianë të veprojnë më vete ashtu siç kërkohet përmes gatishmërisë së Aleancës, mbi bazën rast-për-rast dhe me konsensus, për t’i bërë aktivet dhe aftësitë e saj të disponueshme për operacione me udhëheqje evropiane në të cilat NATO nuk angazhohet ushtarakisht, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e plotë e të gjithë Aleatëve evropianë po qe se ata do të zgjidhnin kështu. Parandalimi i konfliktit dhe menaxhimi i Krizës. Koncepti definon një rol të rëndësishëm për Aleancën sa i përket parandalimit të konfliktit dhe menaxhimit të krizës, pasi që operacionet në përgjigje të krizës si ato në Bosnjë dhe në Kosovë kanë gjasë të mbeten një aspekt kyç i kontributit të NATO-s për paqen dhe sigurinë Evro-Atlantike. Partneriteti, bashkëpunimi dhe dialogu. Koncepti thekson vendosmërinë e Aleancës për ta ndjekur politikën e vet të qëndrueshme të partneritetit, bashkëpunimit dhe dialogut me të gjitha vendet Evro-Atlantike demokratike, me qëllim të ruajtjes së paqes, të avancimit të demokracisë dhe për t’i kontribuar prosperitetit dhe progresit. Ai thekson se kjo qasje synon shtimin e sigurisë së të gjithëve, nuk përjashton askënd, dhe ndihmon të tejkalohen ndarjet që do të mund të çonin në konflikt. Ai gjithashtu përshkruan instrumentet kryesorë të kësaj politike – Këshilli i Partneriteti të Evro-Atlantikut, Partneriteti për Paqe, marrëdhëniet speciale me Rusinë dhe Ukrainën, dhe Dialogu Mesdhetar. Zgjerimi. Koncepti konfirmon hapjen e Aleancës për anëtarë të rinj sipas Artikullit 10 të Traktatit të Uashingtonit dhe rithekson se NATO pritet të bëjë thirrje të mëtejshme për pranim në vitet që do të vijnë. Kontrollimi i Armëve, Çarmatimi dhe Mospërhapja. Më në fund, Koncepti Strategjik parashtron politikën e Aleancës të mbështetjes për Kontrollin e Armëve, Çarmatimin, dhe Mospërhapjen. Ai nënvizon synimin e Aleancës për ta mbajtur këtë aspekt të qasjes së saj ndaj sigurisë në harmoni me qasjen e saj ndaj mbrojtjes; dhe gjithashtu pohon se do të kërkojë ta shtojë sigurinë dhe stabilitetin me nivelin me ulët të mundshëm të forcave në përputhje me aftësinë për të përmbushur gamën e plotë të misioneve të saj. Pjesa e fundit e Konceptit Strategjik themelon udhëzimet për forcat e Aleancës, duke i kthyer qëllimet dhe detyrat e pjesëve të mëparshme në instruksione praktike – edhe pse domosdoshmërisht të përgjithshme – për planifikuesit operacionalë dhe të forcave të NATO-s. Strategjia thërret për zhvillim të vazhdueshëm të aftësive ushtarake të nevojshme për gamën e plotë të misioneve të Aleancës, nga mbrojtja kolektive deri te mbështetja e paqes dhe operacionet e tjera në përgjigje të krizave. Ndër aftësitë e spikatura si veçanërisht të rëndësishme janë aftësia për angazhimin e forcave kundërshtare efektivisht; mundësia e dislokimit dhe mobiliteti; mundësia e mbijetimit të forcave dhe infrastruktura; mbështetshmëria, dhe ndëroperueshmëria – duke përfshirë ndëroperueshmërinë me forcat e vendeve Partnere. Përveç këtyre, strategjia nënvizon rolin e pazëvendësueshëm që luajnë forcat e Aleancës në adresimin e rreziqeve që shoqërohen me përhapjen e armëve bërthamore, biologjike dhe kimike dhe me mjetet e dërgimit të tyre. Koncepti Strategjik po ashtu parasheh se Aleanca do të ruajë në të ardhmen e parashikueshme një përzierje të duhur të forcave bërthamore dhe konvencionale të bazuara në Evropë, të mbajtura në hap me kohën aty ku nevojitet, në nivelin minimal të mjaftueshëm. Marion Gajda Student i shkencave politike
ISHIM BASHKË E BASHKË NUK ISHIM Befasitë poetike dhe artistike mund t’i hasish edhe në vëllimin e parë të një autori i cili me njëmijë mundime ka arritur të botojë vargjet e tija .Kështu ndodhi edhe me Lazer Kodrën,u zhyt në dtin e trazuar të poezsë dhe sakaq u bë pjsë e asaj aventure të puhishme që flladitë gjokset e efshta dhe buzët e rreshkura të dashnorve të dehur nga kjo melodramë kundëruse e shpirtit njerzor. Në shtegtimin e vet poetik pasjonant autori Kodra na paraqitet në dy ekujnokset e motit me dy vëllime poetike “Mos më lexoni” dhe “Ishim bashke e bashkë nuk ishim” të cilat si dy anë të një medaljoni në mënyrë simetrike formojnë imazhin më të mirë të atyre vlerave, që herë si pjesë e traditës dhe herë si pjesë e risisë ,bëhen kujtesë e ëndjeve potike të shoqërisë sonë.Poeti mediton dhe kumton me të gjitha moshat.Prandaj thuhet se poeti nuk ka moshë .Në të vërtetë çdo poet ka ëndërr një verdikt të tillë.Të qënit i pranishëm dhe i gjithëkohshim është kryeambicja e çdo poeti. Duket se Lazër Kodra ka shkruar poezi që herët dhe se ka dashuruar njëkohsisht , duket se mës këtyre dashurive është rritur dhe vazhdon të qëndrojë i dehur me moskokçarje duke sfiduar botën e intrigës veshur me zhgunin arkaik të thashethemnajës dhe refleksin e pa kushtëzuar të gjitarit njeri ku pasjoni i shfrenuar i stomakut mposhtë ndjenjat ideale të shpirtit. Në faqet e vëllimt “Ishim bashkë e bashkë nuk ishim” lexuesi gjenë oaze të mrekullushme lirike nga jeta e përditëshme e autorit dhe e pësonazheve të tij,gjenë akuarele shumë ngjyrshe të qellit , malit ,lëndinës, reve ,shiut, bores,flladit , zagushisë, shkelqimit , rezatonjës, murlanin dhe stuhisë.Lazër Kodra na paraqitet, vazhdimisht i veshur me një pelerine të lehtë trishtimi, herë duke endërruar si gjimnasit romantik që dashuron e xhelozohet, herë mediton e filozofon si plak i urtë për Dukagjini e vjetër dhe të ri , që mberthen drama njerzish që nga bariu në mal,nga dëshira që nuk plaket kurrë(familja fisi shqëria që na rrethon), vajza e vetmuar, tinguj ,krize , muzkë pa ngjyrë deri tëk maska rrenegatësh e gracka të pa besa që trondisin jetën tonë të prditësme .”Ishim bashkë e bashkë nuk ishim” është poezia rrefren dhe udhërrëfyese e këtij vëllmi, është një kryetemë e mbartur në mënyrën më sipërore nga honet e folkut , është një kryedashuri dramatike e konceptuar në mënyrë dialektike si fundi i një fillimi.Të gjitha strofat nisin me epitete si përqasje dhe ledhatim ndaj së bukurës dhe cilësive hynore të kësajë kategorie estetike, e cila ka krijuar precepsjon të mrekullushëm të komunikimeve shpirtërore të ndjesive më fisnike të poetit i cili paranon edhe nektarin edhe thumbin e idhtë të fatit .Fatin e dyzuar poetit nuk e vajton duke filozofuar se edhe humbja është një ogur i mrë në spiralen e jetës së dhuruar nga nëna natyrë. Mides nesh Të tretë nuk pati Kaq pedant Na qënka fati
Bashkë nuk ishim Ti si thua? Shpresa vdiq A m’u duk mua?
Hajt t’ia marrim Lehtë një kënge Pa musht shqope Pa palcë brënge Figuracini është i larmishëm dhe i përzgjedhur me kudjse në funksjon të idesë poetike ku vënd të veçantë zenë visaret dukagjinase si nëndialekt i pa lëvruar i gegnishtës tashsamot me përjashtim të Cmajt.(rremi i syrit, pishak diellit, shpuzë , curril, synori, musht shqope,palcë brenge, shkorreta,sumbulla e djersës, duhma e eshkës,hajt të lodrojmë, në zgrip të humnerave, mustakoç,rudinë plot gjeth) :Autori vazhdon udhën prigjeve duke mbledhë një buqetë me densitet të ngjeshur figurativ .Figuracioniet e Kodrës duket se peshojnë sa një “vikamë”që në kanunomenë poetike këtyre rregullave u thonë apostropfe, prej nga marrin udhë si delet e bariut dukagjinas mbi pllajë edhe tufat metaforike të strofave kryesisht me katër vargje që rrjedhin si ujvarë i kristaltë në harmoni të plote me dukuritë glacjale të florës magjepse alpine duke mbështetë njera tjetrën dhe formue një pejsazhë origjinal sa të virgjër ,aq edhe të larmishëm në element poetik,ku me habi çdo poet zëmermirë ka të drjtë të thotë:Se në këtë oaz të pa eksploruar na u çfaq një ” Robin Son Kruzo” i lloijt tonë .Dashuria për natyrën, Dukagjinin dhe njerzit e tij është një dshuri që buron nga thellësia e krhërorit që i ka të gjitha gjasat brënda vetës.Për të gjenë gjithnjë fjalë, vargje , madje krijon edhe fjalë të reja si (Mudhuar i thinjur,, gulshonte prej magmës ,qerpik si heshta,verteber kërrleshur në dallgë, kraholin e pate manjolë poezie,nip i pishës dhe i kandilit, hejbet e halleve, malli vjen e bëhet krushk etj).Poezia e Kodrës është një melodi e jete që rrjedhë e jeton në fërshfërimën e gjetheve të lisit shekullor dhe picakut të ri ku melodia e gjetheve që luahatë era ndër to është një simfoni ndjenjash që ledhaton shprtin , është një dashuri djaloshare për zanën bareshë , është një notë e hellur në pentagram , që këndohet me nostalgji në telat e zemrës së poetit .”Jam lis në kroje”,”Një ditë dhe vetëm një ditë”:Janë dy poezi ku dashuria dhe nostalgjia jetojnë si një spunzë e fjetur në llavën e brengave e të lafitjeve poetike të autorit.Ja si shprehet poeti tek poezia e parë : Se jam pishë që veç loton Ditë për ditë e pak nga pak, Nuk jam thanë majë shkrepit Që nuk shkundet pa dajak!
Në poeznë e dytë poeti tashmë me flokë të lulëzuar kërkon të endet në gjurmët e adolishencës të cilat janë tretë së bashku me gjethet e stinës , kërkon bareshën e tij të adhuruar të cilën s’ dihet se ku e shpuri moti së bashku me tufën e sajë.Bisteku kurmzi poetit i rron ndër sy dhe me pëndën e kurmit të sajë shkruan me një mallë të pashuar,këngën e vet të pa kënduar. pa frikë Bareshën matanë e përballi Të bukur ashtu si në vogli Kurorën me lule ta ketë Të vetmën por më të bukurën stoli.
Të më thërrasë me zerin si mjaltë Lazr-o, hajde të lodrojmë bashkë, Tri herë t’i vijmë rreth e rreth Mullarit të thinjur me kashtë…
Autori është një supstrat i botës së pasur alpine , i gatuar gjenetikisht si i tillë me shije mitologjike i cili nuk i shpëton dot kësaj magjie për krijesat e veta poetike që solli në jetë.Kodra perms aforizmave metaforike vizaton kronika plot drtë dhe errësirë , plot mall e dhimbje ,plot dallgë e qetsi. .Kontraste bardhë e zi që shëndërrohen në vlerë. Guvat e kanë ngrënë Nëper skuta borën, Në gjoks mban zumarën Si dashi kumborën ……………….. Edhe nisë të këndojë Një këngë dashurije, E joshin harabelët -Sa të paska hije! Te poezia “Portreti i bariut në mal”,poeti na rrefen se bariu dhe fylli janë një binom i lashtë sa vetë jeta baritore ,fiylli është simfoni e melodies baritore, të natyrës së qetë dhe të vetmuar me tinguj madhëngjyes që paralajmron takimin mes , vajzës në vrri dhe djalit(bariut) në bjeshkë një takim i paralajmruar të cilin e ngjallë kjo melodi në kohën kurë djelli ulë qepallat e lëshon hijen e flladitëshme në shpatull të lendinës. “Lahuta dhe drurët” është një tjeter poezi që ia vlen të veçohet nga kjo hallakatje poetike , është një melodi që shëndrrohet në dialog në marrveshje në një intimitet jatsore , për të cilin qënja njerzore ka aq shmë nevojë .Dhe poeti, në këtë mënyrë bëhet interpret jo vetëm i etimologjisë sonë por edhe i kujtesës poetike duke na derguar në labirintet e ekzgjences universale,ku gjejnë vetvetën të gjitha trevat gjinitë dhe moshat.Duam s’duam Kodra është një ralitet , në të cilin gjendet një gershetim racjonal i konceptimit poetik dhe i shëndrrimit të emocioneve njerzore. Poeza e rregullit, ka në gjithë hapsirën e vet një metrike të njohur dhe të përdorshme tradicjonalisht nga poetët e traditës shqiptare,ka një marëdhënje aktive dhe vepruse me traditën dhe kulturën popullore ,fort ndikuse dhe mjaft e njohur në trevën nga vjen poeti.Pjesa dermuse e këtyre poezive rrekën pas temës së njohur të afeksjonit njerzorë vizjoneve precepsive që burojnë nga kontekset delikateske të poetit në raport me ralitetet poetike. Duke rrjedhur në një shtrat të tillë krijohet një rrgallinë metaforash dhe figurash estetike, të cilat formojnë një kumt lirik me mesazhe të kupushme por edhe apreceptive si dhunti e magjetarit poet që herë na çfaet lakuriq e herë i kopsitur deri në fyt, herë uniformë e herë lara, lara si vetë natyra e specjeve të oazit ku autori sjellë pejsazhin e vet si pjesë e poezisë duke e berë vargun penel pikturimi .Poezia “Ora e gjyshit”ka një imazhë, sjell një emocon, revokon një kohë ,zbirilon një ralitet të trishtë të së shkuerës një nyje të zgjidhur tashmë veç nga vdekja e një berzne që na dhuroi gjithësesi jetën ndoshta si të vtmën trashigimi më të vyer që kemi. . Gjyshi Kur lante rrezja e dillit Atë faqe shkëmbi poshtë si thikë, dilte nga shkorretat E na thosh:U bë mesditë Kodra përdor mirë strofën e rregullt qoftë me rimë të puthitur dhe me të kryqëzuar ,ç’ka flet për disiplinën e qartë poetike por nuk është dhe nuk mbetet rob i skenave statike ai përdorë edhe “kutin” lirinë potike të lejushime duke transfiguruar ku diferënca metrike është fare e paktë dhe pa një “hierarki “të dukshme Vargu gjashtë rrokësh perms lirive poetike shkon në 7 rrokësh, 8 rrokshi në 9 rrokësh dhe vargu 12 rrokësh në 11 e 10 rrokësh Kur poti i këndon dshurisë poezia e tij bëhet më qumshtore më e brishtë, më e rrjedhshme më e dashur dhe më e trishtë njkohësisht duke krijuar një gjëndje emocionale krejt të veçantë .Lirikat e Kodrës shpesh huazojnë nga eposi i maleve tona (p.sh figura e zanës) si një nga qënjet më të përsosura frymore por në ndyshim nga eposi i kreshnikëve nuk kemi të bëjmë më një qënje të ngurtësuar, përkundrazi ndodh e kundërta zana merr shpirt sensual bëhen njerzore e ndjeshme efshnjdjellsë,besnike, lozonjare e psejo edhe tradhëtare e fatkeqe E Porosit hënë-zanën Të më flasë me gojë Por me zë të ultë Natën t’mos më zgjojë
Hënë të lutem shumë Të jeshë kumbarë për ne Në token që ti ngroh Dy miq më tepër ke Duket se poeza e Kodrës është spontane por në shumicën e rasteve do të thonja ngrihet mbi vëzhgime të hollsishme dhe përceptime ndjesore të fuqishme të cilat kanë lënë gjurmë të thella në ndrgjegjën e poetit i cili ka kaluar një jetë plot përvoja të mundimshme duke ecur shkurreve e drizave ,lëndinave, parqeve në brymë e në afsh edhe zbathur edhe me todhumbe.Vocrrak në borë e në murla më trastën e librave nënsqetull ,në “mejdan e bejlek si kampjon”i topi të leckës, në ograjë si bari harrakat që i humbin kecat ,në auditorë si argat i djerstur i kalemit,si prind dhe edukatorë në shkollë, si dashnor tipik i epokës romantike poshtë një dritarje,diku në një krua apo në një lëndine i gulshuar nga troku i gjatë, shpesh i ndrujtur dhe më gjuhën e lidhur nyje përpara atyre që e deshën po edhe s’e deshën, që ikën e se kuptuan që u kthyen e nuk e gjetën.Që të jeshë poet i vërtetë duhet të jeshë i regjur së bashku me vuajtjen Lazer Kodra është bashkëvuejtës ai vuan dhe përjrton rëndë amaoralitetin njerzor dhe plagët e shoqërisë së sotme ndaj të cilave proteston dhe thumbon me pënë të vetmin pushtet dhe priviligj që ka nga kjo shoqëri shpesh e shpërfëtyruar “Bashkë ishim e bashkë nuk ishim” është një libër me një lëndë gjuhsore me të cilën autori krijon hapsirën dhe “gjeografinë” shprehëse të larmishme dhe të veçantë. Poeti na sjëllë disa elemet të gjinsë poetike (vjershën etydën, fabulën dhe poemën e shkurtër).Sikur në një vëllim poetik i hajshim e ca më shumë i vëllimshë në qoftë se gjendën 10-të apo 12 poezi që të pëlqejnë që në leximin e parë, por që edhe ke dëshirë të ndezur t’i rilezosh, të qënderoish në supstamcën e tyre poetike, në muzikalitetin, ritmikën figuracjonin ndiesinë e fjalëve , kjo nuk është pak.Kjo difton se midis fjalëve të pakta apo të shumta ke takuar poetin thotë kritiku i mirnjohur Adriatik Kallulli Libri i Lazër Kodrës kur t’i rikthehësh bëhet më i dashur si vera e vjetër e cila nuk të ngrohë me një të puthur të gotës por as nuk nuk të zhgënjen as asnjë herë.Kjo difton se autori ka hyrë në komitën e poetëve dhe se po ecën në rrugë të mbarë.A mundë të ishte diftuar më dorështërnguar.Tolstoi ka thënë se gjithmonë në ato që kemi shkruar, gjithmonë mundë të hiqet diçka .Poeti i strukur në në vetminë e një letërsie pa kritikë rrin e pret më shpresë se kur do të vinë ajo e bardhë ditë që krijimtaria e tij dhe kolekëve të vet të futet në zhalonin e rivelimit të një kritike profesjonale.
PRELË MILANI FATIME KULLI |