Nr. 93 i gazetës në print

0
Kushtetueshmëria e moralit jokushtetues të një kryeprokurori

Kushtetuetshmëria e Kuvendit të Shqipërisë duket se po ndesh në disa barriera të antikushtetutshmërisë, me të cilën ata kanë ndër mend ta flakërojnë zotin kryeprokuror të përgjithshëm nga karrika e tij e shtrenjtë. Beteja për karrike e Prokurorit të Përgjithshëm, po tejkalon çdo parashikim të mundshëm. Vënia përballë akuzave, ngritja e një Grupi Hetimor Parlamentar ka gjasa të jenë vetëm starti i kësaj përballjeje. Fshehja pas Kushtetutës dhe disa pretendimeve tip klauzolë të ligjeve, me sa duket po favorizon në kohë këtë zotëri, dhe pothuaj një pjesë e konsiderueshme e politikës ka drejtuar antenat e vëmendjes nga kjo “ndarje e shapit nga sheqeri”. Banaliteti i kësaj difensive të zotërisë në fjalë qëndron më së tepërmi tek “të ngulurit këmbë si mushka” për të vijuar të jetë kryeprokuror. Ani pse pushteti e ka akuzuar atë për mbi 80 dosje të kthyera në shtretër për flirtet e minjve të zyrave të institucionit që ai drejton. Sikur ky vend të mos kishte hall tjetër vetëm atë të të ndenjurave të kryeprokurorit, nuk do të kishte ndonjë ngarkesë dhe aq emocionale. Nuk do të merakosej dhe aq shumë ndokush për ta bërë me gjasa se ku e ka kokën e ku bythën kryeprokurori që ishte ai që është apo ai që do të vijë. Por kur ka “me thes” halle ky vend, kjo “punë krahu” e politikës do të ishte po kaq e rëndësishme sa hapja e një kanali të KESH për futjen enjë linje të tensionit të lartë, pa mbyllur ende kanalin tjetër që ka hapur, pak a shumë për të njëjten gjë. Ngulmimi i kryeprokurorit “për të hedhur viskla” natyrisht që “s’do shumë mend e kalem” për të pranuar se “ku ka zë s’është pa gjë”. Fshehja pas “të zezës mbi të bardhë” që “pin ujë” vetëm për të mbrojtur karriken e vet, duhet t’i shërbente këtij burri, që ma ka veshur veten me ligje, të kujtohej se kjo punë më së shumti ka një moral. Nëse atij “si bën syri tërt” s’ka pse të tollovis andej e këndej e të kapet pas ligjeve apo klauzolave të ligjeve “si i mbyturi për shkumë”. Të dorëzojë vullnetarisht detyrën, të pranojë hetimin për çfarë akuzohet, e nëse “ka bythë” natyrisht është fjala për ato që po mundohet kaq shumë “me mish e me shpirt”, ta tregojë burrërinë, “ja sheshi ja mejdani”. E nëse ai është i zoti, gjë të cilë do ta merrja me rezervë, le “t’ua nxjerrë lakrat sheshit”. E besoj so kjo nuk do t’i shkonte kot, se kanë ndryshuar kohët. E për më tepër guxoj me e pranuar se ka perënduar koha kur “mbuloje dielli me shoshë” si për ata të Berishës ashtu edhe për këta të Nanos apo Ramës, se s’po e merr dreqi vesh.

Zotërisë Prokuror të Përgjithshëm sikut të mos i mjaftonte gjithë ky thes me halle dhe derte, edhe Komisioni Shetëror i Verifikimit të Pasurive e ka vënë atë para një tjetër akuze, asaj të fshehjes, ose manipulimit të deklarimit të pasurisë. E jo pak por bëhet fjalë për 200 milionë, të cilat për këtë njësh të akuzës s’përbënte motiv që të ishte edhe kjo shumë një vlerë pasurore që i duhej bërë me dije një urdhri laksativ të shtetit. Ky zotëri duke lënë mënjanë gjithë ai lum akuzash, vreri dhe penalizimesh por si një Ante ngrihet në këmbë dhe i shkrepet të kërkojë shpalljen si  antikushtetues të vendimit për ngritjen e komisionit të hetimit dhe pezullimin e këtij vendimi. Sipas tij, komisioni hetimor vishet me atribute e kompetenca hetimore dhe gjyqësore për kontrollin e vlerësimin e çështjeve konkrete të prokurorisë. Kuvendi shkel parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve ligjvënës dhe gjyqësor, pasi hetimi ose ndjekja penale për çështjet konkrete është detyrë e prokurorisë. Ja çbëhet! Madje kjo mendje e ndritur dhe suflerët e tij shkojnë më tej duke e konsideruar veprimtarinë e këtij komisioni si shkelje të të drejtave të njeriut. Ky zotëri duhet t’u thotë atyre që e kanë zgjedhur dhe tani së fundi dhe shqiptarëve që zgjohen e flenë me portretin e tij stoik para syve, se a konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut, e drejta e një qytetari tashmë të lirë, i cili ka rifituar “liberty” pasi ka marrë jetën e dikujt tjetër apo ka konsumuar vepra të tjera penale. Nëse ai ka burrërinë ligjore të na tregojë se kjo është e bazuar në Kushtetutë dhe në ligje, atëherë Komisioni duhet të mblidhet jo për ta hetuar por për ta vlerësuar veprimtarinë e institucionin që ai drejton dhe të atë personalisht. E jo të “uthullohet” në përpilimin e akuzave “për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës, të cilat konsistojnë në: “një numër ngjarjesh, për të cilat nuk është zbuluar autori, përdorimin e Prokurorisë si mjet shantazhi politik (rasti i Nikollë Lesit), prishjen e vendimeve gjyqësore për shkak të pavlefshmërisë së provave (një rast), përfitimin e kompensimit për burgim të padrejtë nga personat e akuzuar dhe të deklaruar të pafajshëm, ose për të cilët është pushuar çështja penale, nxjerrjen e urdhrave te paligjshëm që cenojnë të drejtat dhe liritë e personave, kualifikimin e gabuar të veprave penale dhe kërkimin e masave të buta të dënimit, mosfillimin e ndjekjes penale për raste të korrupsionit të denoncuara publikisht, mosmarrjen e masave për eliminimin e fenomenit të gjakmarrjes, dështimin e ekstradimit te shtetasve Altin Arapi e Orik Shyti, mungesën e bashkëveprimit me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe përqindjen e ulët të dërgimit në gjykatë të kallëzimeve që vijnë prej këtij organi, mosfillimin e ndjekjes penale për rastet e identifikuara nga Komisionet Hetimore parlamentare”.

Në rolin e avokatit mbrojtës nuk ka nguruar të jetë në pozita gati protagoniste edhe eksponentë të Partisë Socialiste, të cilët nga ana e tyre ngrenë po ato pretendime që parashtron si shkelje edhe vetë zotëria kryeprokuror. Në rrethana të tilla, depolitizomi “i merr të keqen”  kreut të Prokurorisë së Përgjithshme si organ i akuzës.

Gjithçka e gjallë para se të jetë e motivuar nga Kushtetuta apo ligje, nga struktura që ngihen në qënsinë e tyre duke marrë frymë me mushkëritë tona, duhet të maten dhe me një masë tjetër atë të moralit. Nëse kushtetutshmëria e ofensivës si Kuvendit të Shqipëri është antikushtetuese, vetë kushtetuta a ka një moral që e mbron atë si kushtetues. “Sa para bën” zotëri kryeprokuror, t’i do të guxoje të thërrisje ndërgjegjen tënde e të motivoje veten moralisht të hetoheshe, pavarësisht se këtë as se e ke bërë, as nuk ke ndër mend ta hedhësh këtë hap civil, as nuk do të të lënë ta tejkalosh atë vetvete, në të cilën të ka reinkarnuar ai sistem, ajo klasë politike, ajo kastë njerëzish, ai motivim financiar, të cilën t’i këron ta mbrosh “me shpirt ndër dhëmbë.

ALBERT VATAJ

 

Ndahet prej nesh Pjetër Arbnori

Pjetër Arbnori, politikan, ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shkrimtar, ka ndërruar jetë në një spital në Napoli (Itali) në moshën 71 vjeçare nga sëmundja e hemoragjisë cerebrale.

Kush ishte simboli i qëndresës dhe persekutimit

Foto arkive e ish Kryetarit te Parlamentit, Pjeter Arbnori, i cili u nda nga jeta ne moshen 71 vjecare ne nje spital te Napolit ne Itali.
Credits by: LSA / LSA
Category: PD
Date: Saturday, 08 July 2006

 

I njohur si Mandela e Shqipërisë, Ish Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet në pesë legjislatura, (1992-2005) një nga kundërshtarët e regjimit komunist, i burgosur politik për 28 vjet,

Pjetër Arbnori u lind në qytetin e Durrësit ë 18 janar 1935. Gjatë 71 viteve të jetës së tij, ai është nderuar me titujt “Mësues i Popullit”, “Pishtar i Demokracisë”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Vaut të Dejës.

Asambleja parlamentare e vendeve frëngjishtfolëse i ka dhënë titullin “Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës”. Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dhënë medalionin e argjendë “Nënë Tereza” dhe prerjen e artë “Georgus Castriotus-Scanderbeg” 27.11.1996, Instituti Biografik i Kembrixhit dhe Instituti Biografik Amerikan kanë futur biografinë e Pjetër Arbnorit në “Ëho is Ëho” të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar botimi 26-27. Ka marrë medaljen e shekullit XX për merita. Akademia Kulturore Romë i ka dhënë medaljen “Scodrinon” dhe diplomën 2001.

Pavarësisht nga fakti se mbaroi shkollën e mesme me medalje, nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta. Më 1953 filloi punën si mësues. Më 1954 pushohet nga puna për motive politike. Më 1956 filloi punën si punëtor krahu në bujqësi.

Me anë të dokumenteve të rreme mundi të fillojë studimet në Universitetin e Tiranës. Mbaroi në dy vjet e gjysmë, nga pesë vjet që ishte, studimet me korrespondencë në Fakultetin e Filologjisë dhe u diplomua me motivacionin “shkëlqyeshëm”. Më 1960, mësues letërsie. Që në moshën 14 vjeç u përfshi në aktivitetet e grupeve ilegale kundër komunizmit. Shtypi e shpërndau trakte e së bashku me intelektualë të tjerë mori pjesë në themelimin e një organizate ilegale socialdemokratike, programin e së cilës e hartoi vetë.

Në pranverën e vitit 1961, zoti Arbnori u arrestua për krimin e krijimit të Partisë Social Demokrate dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh u dënua me vdekje. Mbas tre muajsh dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë, iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg me akuzën “për agjitacion dhe propagandë, si dhe për arsye të shkruarjes së një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Mbasi kreu dënimin më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të viti 1989, dhe më pas punoi si punëtor në një zdrukthtari.

Që në fillimet e lëvizjes demokratike mori pjesë aktivisht dhe në demonstratën e parë antikomuniste, më 14 janar 1990, në qytetin e Shkodrës, për të rrëzuar bustin e Stalinit. Më 12 dhjetor, në tribunën e mitingut themelues të PD-së, i dorëzoi Azem Hajdarit dhe Sali Berishës një mesazh nga Shkodra demokratike dhe antikomuniste. Më 13 dhjetor 1990 qe njëri nga organizatorët e demonstratës antikomuniste në Shkodër, ku u hodh në erë busti i diktatorit Enver Hoxha.

Pjetër Arbnori Shkrimtar

Ka shkruar ditarin sekret me titull “Lufta për të mbetur njeri”, që ka mundur ta mbajë gjatë 28 viteve të burgut dhe nuk ka parë ende dritën e botimit. Ka përkthyer shumë libra nga anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe rusishtja.

 

 

Veprat e botuara nga viti 1992, deri në vitin 2000

“Kur dynden vikingët” novelë, 1992

“Mugujt e mesjetës” roman, 1993

“Bukuroshja me hijen” novelë, 1994

“E bardha dhe e zeza” roman, 1995

“E panjohura” – Vdekja e “Gebelsit” novela, 1996

“Shtëpia e mbetur përgjysmë”, roman 1997, për të cilin Pjetër Arbnorit iu shtuan dhjetë vjet burg

“Vorbulla”, roman, 1997

“Letër nga burgu”

“Nga jeta në burgjet komuniste”, studime historike 1992

“Brajtoni, një vetëtimë e largët”, roman 2000

“Lufta për të mbetur njeri” – intervista 1990-2000

“Andre Morua, Historia e Anglisë”, përkthim 1996

 

Në pranverën e vitit 1961, zoti Arbnori u arrestua për krimin e krijimit të Partisë Social Demokrate dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh u dënua me vdekje. Mbas tre muajsh dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë, iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg me akuzën “për agjitacion dhe propagandë, si dhe për arsye të shkruarjes së një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Mbasi kreu dënimin më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të viti 1989

 

Berisha: Kombi humbi kryeparlamentarin e lirisë

Mbrëmë, në një spital të Napolit, u nda nga jeta burri i shquar i kombit shqiptar, politikani, ish-kryeparlamentari i vendit, njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Demokratike, shkrimtari dhe humanisti i njohur, Pjetër Arbnori.

Me vdekjen e Pjetër Arbnorit, familja humbi bashkëshortin, prindin, familjarin e shkëlqyer dhe shembullor, kurse Shqipëria dhe kombi shqiptar humbën “Mandelën” e tyre dhe të mbarë Europës, legjendën e qëndresës së njeriut për liri dhe dinjitet njerëzor, kryeparlamentarin e lirisë.

Partia Demokratike humbi udhëheqësin dhe themeluesin e saj të mençur, të vendosur, të shquar; letrat shqipe, njërin prej kalorësve të tyre më në zë; shoqëria shqiptare, humanistin e madh, bashkëvuajtësin, simbolin e qëndresës dhe sakrificës së tyre mbinjerëzore.

Ço shqiptar përulet me nderim të madh para kujtimit të veprës së Pjetër Arbnorit dhe ndjehet i pakësuar me humbjen e tij. Ju ftoj të nderojmë kujtimin e Pjetër Arbnorit me një minutë heshtje. I paharruar kujtimi i tij!

 

Nano: Arbnori, kontribut të vyer për demokracinë

Ish-kryeministri, Fatos Nano, ngushëlloi bashkëshorten e Pjetër Arbnorit për humbjen e papritur të njeriut me të afërt të familjes. “Respekt dhe mirënjohje për njeriun që vuajti kalvarin e tmerrshëm të burgjeve të komunizmit dhe që dha kontribute të vyera për demokracinë shqiptare”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të ish-kryesocialistit Nano. Një mesazh ngushëllimi ka bërë dje edhe Partia Socialiste. “PSSH shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të afërmit për humbjen e të afërmit të tyre, z. Pjetër Arbnori. PSSH respekton vuajtjet e z. Arbnori në burgjet e diktaturës si dhe figurën dhe rolin i tij gjatë viteve të pluralizmit shqiptar, jo vetëm si kryetar, por edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në këtë mesazh ngushëllimi.

 

Topalli: Arbnori-mbrojtësi i paepur i të drejtave të njeriut

Kryeparlamentarja Topalli, gjatë një konference për shtyp, shprehu në emër të Kuvendit ngushëllimet për humbjen e mikut, politikanit të madh, simbolit të rezistencës ndaj regjimit komunist dhe simbolit të besimit tek vlerat e demokracisë. Jam këtu, për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet më të thella, në emër të Kuvendit, por edhe personalisht, për humbjen e politikanit të madh, mikut tim, të familjes time, mikut të të gjithëve, për humbjen e simbolit të rezistencës ndaj regjimit komunist, simbolit të “luftes për të mbetur njeri”, i besimit te vlerat e demokracisë. “Pjetër Arbnori, përfaqësuesi i denjë i letërsisë jozyrtare shqiptare, të shkruar në kushte terrori e me rrezik për jetën, do të mbetet një ikonë e historisë së re të pluralizmit shqiptar, përfaqësues dhe zëdhënës i shtresës më të nëpërkëmbur të shqiptarëve gjatë 50 viteve të diktaturës.

Si politikan, deputet i plejadës së parë politike të viteve ‘90, ai është pjesë e filozofisë liberal-demokrate, me frymë të theksuar sociale, shenjë e tolerancës dhe kulturës politike. Ndërsa, si Kryetar i Parlamentit, si deputet dhe si burrë shteti ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një personalitet që të kujton figurat më të ndritura shtet-formuese shqiptare”, tha znj. Topalli. “Kuvendit, politikës dhe të gjithë shqiptarëve do t’i mungojë politikani me mentalitet paqësor perëndimor, frymëzuesi i qëndresës dhe mbrojtësi më i paepur i të drejtave të njeriut”, shtoi ajo. Znj Topalli tha se: “Kuvendi është i përkushtuar maksimalisht për t’i bërë të gjitha nderimet shtetarit të madh Pjetër Arbnori së bashku me familjen e tij”.

 

Topi: Arbnori, figura e qëndresës qytetare

Drejtues dhe përfaqësues të partive politike shqiptare vlerësuan figurën dhe kontributin e ish-Kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori, i cili u nda nga jeta në një spital në Napoli (Itali). Kreu i deputetëve të PD-së, Bamir Topi, Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së Pandeli Majko, kreu i deputetëve të LSI-së, Sabit Brokaj dhe Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, në prononcimet e tyre vlerësuan figurën e zotit Arbnori, si një nga politikanët e veçantë që ka njohur tranzicioni shqiptar, si një figurë të përmasave kombëtare, simbol të demokracisë dhe anti-komunizmit.

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, shprehu keqardhjen më të thellë për humbjen e ish-Kryeparlamentarit Pjetër Arbnori. Zoti Topi në një prononcim tha se, “në sytë e të gjithë demokratëve shqiptarë, por edhe në pjesën më të civilizuar të kombit, zoti Arbnori mbeti figura e qendresës qytetare ndaj sistemit komunist totalitar”. “Pa dyshim, për ne që kemi punuar me të, ai mbetet një intelektual me horizont të gjerë dhe me një urtësi shembullore, humbjen e të cilit ne do ta ndjejmë”, tha zoti Topi.

 

Moisiu: Arbnori, simbol i disidencës politike

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu priti me hidhërim të madh lajmin e ndarjes nga jeta të politikanit, shkrimtarit dhe shtetarit të njohur, Pjetër Arbnori. Në komunikimin me familjen e të ndjerit, Presidenti Moisiu shprehu ngushëllimet e tij të thella për humbjen e personalitetit politik dhe familjarit të devotshëm, si dhe vlerësimin e tij më të lartë njerëzor dhe zyrtar për jetën dhe veprimtarinë politike e shoqërore që Pjetër Arbnori realizoi në 71 vitet e jetës së tij. “Pjetër Arbnori ishte shembulli i një njeriu me vlera të larta qytetare, simbol i disidencës antikomuniste, krijues me talent të rrallë dhe modeli i një politikani të ndershëm dhe me vizion, i cili me punën e tij i dha nder Shqipërisë”, – u shpreh Presidenti Moisiu.

 

Ndoka: Një figurë e përmasave kombëtare

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, vlerësoi figurën e ish-kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori, si “një figurë të përmasave kombëtare në jetën politike pluraliste të Shqipërisë”. Në një prononcim kryetari Ndoka, theksoi se zoti Arbnori, do të mbetet “simbol i demokracisë dhe i vlerave demokristiane”. “Ai është simbol i vërtetë i vuajtjeve nga regjimi komunist i së kaluarës, por që në asnjë rast, me qëndrimine tij, duke qenë në funksione të larta shtetërore nuk mbolli urrejtje për persekutorët e tij, përkundrazi fali frymë tolerance dhe përkushtimi maksimal për kombin”, tha zoti Ndoka.

 

Majko: Humbje për politikën shqiptare

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, tha se, “ndarja nga jeta e ish-kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori është një humbje e madhe, jo vetëm për familjarët e tij, por edhe për politikën shqiptare”. “Zoti Arbnori ka qenë një prej politikanëve më të veçantë që ka njohur tranzicioni demokratik në Shqipëri. E kam njohur personalisht prej vitesh dhe është një nga politikanët e rrallë, që pavarësisht bindjeve të ndryshme politike që kishte, ishte dhe një mik i veçantë”, theksoi sekretari Majko.

 

Brokaj: Politikani që la një figurë dinjitoze

Kryetari i Grupit parlamentar LSI-PDS, Sabit Brokaj, tha se, “zoti Pjetër Arbnori, si politikan i së djathtës tregoi vetpërmbajtje dhe urtësi në politikë, megjithëse regjimi komunist e kishte ndëshkuar rëndë”.

“Ish-Kryeparlamentari Arbnori, në kontrast me mjaft politikanë të së djathtës, ish-komunistë, të cilët shfaqën egërsi ndaj së majtës, manifestoi vetpërmbajtje dhe ekuilibër”, tha zoti Brokaj. “Si politikan, ai la një figurë dinjitoze në politikën shqiptare, e vlefshme për t’u respektuar për ekuilibrin, tolerancën dhe vetpërmbajtjen”, tha kreu i deputetëve të LSI-së.

 

Agolli: ‘’Arbnori, kërkues i tolerancës dhe i harmonisë”

Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli e cilësoi dje humbjen e Pjetër Arbnorit, “një humbje të madhe për politikën dhe për kulturën shqiptare”, duke e konsideruar atë “një figurë mbi të gjitha historike”.

Agolli u shpreh se, ‘’vlera e Pjetër Arbnorit, i cili vuajti 28 vjet burg në kohën e diktaturës, qëndron në radhë të parë tek vlerat e tij njerëzore’’. “Ndonëse me një jetë tejet të vështirë, ai nuk i maste kurrë njerëzit me metrin e përkatësisë partiake, por me vlerat e tyre njerëzore dhe morale”, tha Agolli, i cili ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, kur Arbnori ishte Kryetar i këtij Kuvendi (1992-1996). “Arbnori, kryetari i parë i Kuvendit pluralist në Shqipëri, në situatat më kritike, jo vetëm që nuk i acaronte ato, por mundohej të bindte, të falte dhe të urtësonte gjendjen” u shpreh Agolli, duke kujtuar se e kishte njohur Arbnorin që në ditët e para kur “kishte ardhur nga burgu”(1989) . “Që atëherë njoha tek ai një njeri të ekulibruar”, cilësoi Agolli, në atë kohë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëvë dhe Artistëve të Shqipërisë. “Ai është një shkrimtar i veçantë dhe origjinal. Veprat e tij shquhen për një realizëm të thellë; ai nuk i trillon dukuritë dhe fenomenet dhe ndonëse është një kundërshtar i komunizmit në letërsinë e tij, ato nuk gërthasin dhe as nuk politizohen”, tha Agolli . “Kjo është edhe arsyeja që veprat e tij dallojnë nga disa vepra të shkrimtarëve të tjerë disidentë, të cilët duket sikur duan të ndezin grindje në veprat e tyre”, u shpreh shkrimtari i përkthyer në disa gjuhë të botës, duke shtuar se, “Arbnori në veprat e tij është kërkues i harmonisë dhe tolerancës”. “Kam qenë në diten e lindjes së tij, kur mbushi 70 vjeç, sikundër edhe ai ka qenë në 70 vjetorin e lindjes sime, në ceremonitë e zhvilluara në Devoll, tha Agolli, duke nënvizuar, se megjithëse kundërshtarë politikë, kishte marrë pjesë në dasmën e Arbnorit në Shkodër në vitin 1991. “Në këtë dasmë ngrita edhe një dolli dhe Pjetri si një njeri shumë i kujdesshëm nuk harroi të më dërgonte edhe fotografitë e kësaj ceremonie, nga e cila ai pati një jetë të lumtur bashkëshortore dhe dy fëmijë që i donte shumë”, kujtoi shkrimtari i njohur.

 

Fatos Lubonja: Simbol i rezistencës intelektuale

Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen nga jeta të zotit Pjetër Arbnori. Të dy na ka lidhur i njëjti fat për të jetuar vitet e gjata të burgut jo në të njëjtën qeli, por në të njëjtin burg dhe pikërisht atë të Burrelit. Gjatë këtyre viteve Pjetri u kthye në simbol për të gjithë të burgosurit.

Zoti Arbnori u kthye në simbol të njeriut që përfaqëson figurën e rezistencës intelektuale dhe inspirimit për ditë më të mira. Ajo që me keqardhje evidentoj është se brezi, i cili vuajti për të parë një Shqipëri të lirë dhe të përparuar, po shuhet pak nga pak.

 

Bashkim Hoxha: Shkrimtar

Pjetër Arbnori edhe pse njihet si shkrimtari i shtatë novelave dhe veprave të tjera të plota, ai është njëherazi edhe shkrimtari që shkroi brenda mureve të burgut në copa letrash dhe fleta cigaresh. Pjetër Arbnori është shkrimtari dhe figura e mbijetesës së intelektualit në kohëra të vështira. Eshtë vërtetë e pamundur të ndash figurën e tij si shkrimtar me atë të njeriut human dhe të butë.

 

Fatmir Toçi: Njeriu i paqes dhe jo hakmarrjes

Shpreh keqardhjen për humbjen e njeriut të letrave, por edhe të politikanit të shquar e të urtë shqiptar, Pjetër Arbnori. Jeta e tij ka qenë një kalvar i vërtet, i cili ka ecur edhe në burgjet e regjimit komunist shqiptar. Por ajo që e dallon zotin Arbnori nga të tjerët është qetësia dhe butësia. Ai kurrë nuk e tundi flamurin e të persekutuarit. Arbnori kudo, si në jetën politike, në atë legjislative, në botën e letrave dhe në marrëdhëniet me njerëzit dhuronte frymë tolerancë. Pjetër Arbnori personifikon njeriun e paqes dhe jo të hakmarrjes.

 

Curriculum Vitae e Pjetër Arbnorit

1991-1992 Kryetar i Degës së PD-së Shkodër

1991-2001 Anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së

1991, 31 mars – Deputet i Partisë Demokratike, Zona Laç Shkodër

1992, 22 mars – Deputet i Partisë Demokratike, Zona Shkodër qytet

1996, 26 maj – Deputet i Partisë Demokratike, Zona Laç Shkodër

1997, 29 qershor – Deputet i Partisë Demokratike, Zona Bushat Barbullush, Hajmel

1992-1996 – Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

1996-1997 – Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

1991-1992 – Nënkryetar i Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut

1997-2000 – Sekretar i Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut

2001- 2005 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për zonën Bushat, Barbullush, Hajmel 1999, shtator – Sekretar i PD-së për Marrëdhëniet me Publikun

2005-2006-Anëtar i Kryesisë së PD

 

Europa, e matur me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën

Tashmë Europa, Amerika dhe bota kanë edhe një tjetër shtete, një tjetër flamur që do të renditet në panelin e OKB-së. Një tjetër realitet shtetformues gjallon në zemër të Ballkanit, të këtij Ballkani kaq të “egër”. U krijua Republika e Malit të Zi. Zyrtarizimi i një muaji më parë i pavarësisë së Malit të Zi, i cili është konkretizuar nga zgjedhjet, ku vullneti i vetëvendosjes së popullit arriti shifrën 55,5% duke tejkaluar edhe pragun e vendosur nga Brukseli, shënoi fillimin e një fundi pa kthim të Jugosllavisë së madhe. Në këtë Ballkan kaq problemor, ku Kosova dhe Shqipëria ende janë “brazda” ku terrorizmi përpiqet të mbajë rrënjë, perëndimi i dinastisë titiste u vu ballas me faktorë të tjerë të rëndësishëm historikë me vullnetin e popujve për të kërkuar dhe për ta marrë me çdo mjet mëvetësinë, lirinë për ta jetuar të lirë jetën. Emri i Titogradit u shua. U pagëzua me emrin e bukur Podgoricë. Ky është tashmë një fakt, siç është fakt shembja e Zogut të Zi në Tiranë. Por realiteti shqipfolës ka probleme kudo. Thuhet se në Mal të Zi vendosi vota shqiptare. 7% nuk është pak. Shqiptarët kanë votuar bllok. Madje tërë emigrantëve shqiptarë u janë paguar biletat dhe diçka më shumë për të shkuar në Mal të Zi për të votuar pro pavarësisë. Janë rreth 10 milion euro që i ka vënë në lëvizje Kryeministri. “Vallja” shqiptare tashmë nga Mali i Zi mund të vazhdojë edhe në Kosovë, ku frikë sjell një mundësi bashkimi me Shqipërinë. “Violinat” bien edhe nga liderë të partive shqiptare në Maqedoni, çka e bën Europën dhe botën të jetë e matur. Nëse Kosova arrin të shkëputete nga Serbia, kjo e fundit mund të festojë pavarësinë nga iluzionet titiste. Gjithsesi, përgjatë historisë, mikroshtetet europjane kanë qenë gjithnjë më pak agresivë në politikën e tyre, më demokratikë dhe me ekonomi më të zhvilluar. Kjo vlen edhe për Shqipërinë e Kosovën. Por, le të kthehemi te komshinjtë më potencial, malazezët. Mali i Zi tani planifikon që të inkuadrohet në BE sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të tërheqë investitorët me politikat që janë zbatuar në Estoni. Suksesi i eksperimentit do të përcaktohet nga suksesi i ekonomisë, i qeverisjes politike dhe jo nga një nocion i paqartë se Mali i Zi është krijuar mbi themelet e monarkisë dhe se ka zhvilluar rezistencë heroike kundër sundimit otoman. Edhe Shqipëria mund të mësojë diçka, paçka se jo kaq shumë rezistencë ka zhvilluar, përjashto periudhën e Gjergj Kastriotit. Gjithsesi edhe Mali i Zi, edhe Shqipëria kanë të përbashkëta. Atje ka reputacion kontrabanda e duhanit, e kafesë, e klandestinëve drejt Italisë. Atje mafiozët jetojnë parajsë. Edhe këtu janë këta fenomene, paçka se Kryeministri Sali Berisha përditë e përnatë po u bën barrikadë.

Mali i Zi u nda nga Serbia. Nuk kishte asnjë “logjikë” pse kjo ndarje të mos jetë e lehtë, sikurse ishte ajo mes Republikës Çeke dhe Sllovakisë dhe të mos i ngjante ndarjes që ka pësuar Bosnja pas pavarësimit. Kosova, sikundër shprehet Ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, duhet të karakterizohet nga një tregues i botëkuptimit civil, pasi kështu fitoi Mali i Zi në këtë gadishull të zhurmshëm, ku ky hap gjigand nuk i la shteg krijimit të panikut tek ata që me vullnetin e tyre kanë votuar për mbetje me Serbinë apo tek vetë serbët, meqë pavarësisht nga statusi politik, Mali i Zi do të vazhdojë të mbetet sllav dhe ortodoks. Për dallim, shumë serbë e kanë të vështirë të pajtohen me idenë se Kosova do të bëhet shtet i pavarur, i dominuar nga shqiptarë. Megjithatë diçka mund të ndodhte edhe me Kosovën përgjatë këtij viti. Përmbyllja e kapitullit të fundit në trashëgiminë shkatërruese të Millosheviçit, sikur të kishte pak më shumë siguri se terrorizmi s’do të jetë dhe a qi rrezikshëm për perëndimin, do ishte mjaft i dobishëm.

Është e vërtetë se jo gjithçka ecën mirë. Europa gjithnjë është përpjekur të jetë shumë e matur me “folenë e grerëzave”, Ballkanin. Shumë analistë mendojnë se kanë qenë të gabuar kur kanë thënë se Europa kërkon vështirësimin e pavarësimit të Malit të Zi, pasi dëshironte të kompensojë Serbinë për humbjen e afërt të Kosovës. Jo, diplomatët anglezë, italianë, gjermanë, francezë etj., etj. shumë shpejt do jenë aty, në Podgoricën e bukur, në amfiteatrin e bjeshkëve. Ka ecje dhe ecje, apo jo? Hapat e ecjes drejt perëndimit të popujve ballkanas, më shumë me pahir se me hir, po bëhen faktikë. Vërtet, mbase deri vonë kancelaritë europjane nuk e kanë fshehur dashurinë për t’i lënë popujt e vegjël të Ballkanit nën thundrën e pushteteve sunduese, por kjo ka një shpjegim që të jep të drejtë ngjarja e 11 shtatorit 2001 mbi dy kullat binjake. Mbase Europa sheh boshtin e fuqishëm ortodoks si bosht paqeje. Por, ama gjithkush ka të drejtë të mendojë për zgjidhje më të mira. Gjithherë Europa ku ne duam të shkojmë, ka qenë dorëjashtë në lidhje me vendosjet. Europa po, ka përgjegjësi me rrugëtimin e zgjidhjes së çështjeve të shteteve të Ballkanit, si pjesë të trupit të vet.

Pavarësimi i Malit të Zi do të krijojë më në fund marrëdhënie më të qarta edhe me vetë Serbinë. Trysnia e Europës mendojmë se do të jetë e fuqishme. Kjo ndarje e Malit të Zi është edhe një goditje kundër kryeministrit nacionalist të Serbisë, Vojsllav Koshtunica, në një periudhë kritike për të. Në aspektin psikologjik, e rëndësishme është t’i japë fund procesit, përmes të cilit çdokush dëshiron të ndahet nga Serbia. Normalisht, kjo dobëson edhe pozicionin e Koshtunicës në Kosovë. Tek e fundit, Serbia është humbëse e madhe nga shpërbërja. Ajo ka nisur katër luftëra, ka bërë shumë gjak e krime për ta shndërruar Jugosllavinë në një Serbi të madhe. Por më në fund mbeti vetëm, me vetveten, pasi edhe Kosova shumë shpejt do të ketë një zgjidhje.

Epoka e mureve ndarëse duket se po shpërbëhet gradualisht. Mali i Zi është goditje shkatërruese për të ashtuquajturën Serbi e Madhe. Tendenca për ta zgjidhur këtë mëvetësi të malazezëve përmes vullnetit të lirë, e ka joshur deri diku Serbinë, e cila nga ana e saj s’kishte pse të mos besonte se ka fanatikë, serbofilë, të cilët do të pranonin të ishin nën thundrën e një shteti që rri në këmbë me fantazmat e luftërave të përgjakshme nacionaliste dhe ultranacionalizmave patologjikë. Edhe përballë këtij shansi, politika e Beogradit u ballafaqua me dështim. Pra edhe për Kosovën synimet janë në grahma me pak frymë. Në pamundësi për të bërë të paanshmin, vullnetmirin e dhënies fund të fataliteteve historike, edhe zyrtarëve të kancelarive europjane, shumë pak u ka mbetur për të rrudhur supet. Kosova dhe pavarësia e saj janë edhe të domosdoshme, edhe të fortmatura. Trekëndëshi Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë, ende për Amerikën shihet si terren, ku stabiliteti ndikon në zbutjen e Ballkanit. E një pjese ballkanase.

SOKOL PEPUSHAJ

 

Botërori dhe politika

Kur luhet futboll

Hapja e kampionatit botëror në “Allianze Arena” ishte një spektakël i bukur, tërheqës, rrezellitës dhe me një shkëlqim marramendës. Një tregues domethënës i asaj çka një shoqëri e organizuar dhe e mirëdrejtuar di të bëjë. Thjesht dhe bukur, dhe mbi të gjitha për të dhuruar kënaqësi për njerëzit.

Shqiptarët të shquar për tërheqjen ndaj lojës së futbollit spektakël, po e ndjekin këtë botëror në kafene dhe lokale të tejmbushura, gumëzhitës, ku të gjithë flasin dhe asnjë nuk dëgjon. Një refleks i fituar gjatë këtyre viteve të gjata tranzicioni. Teksa shijojnë këtë spektakël madhështor, stadiumet e jashtëzakonshme, turmat që dëfrejnë pambarimisht, presin që të mbarojë kjo shfaqje e radhës, për t’u kthyer në hallet e tyre të përditshme.

Sporti dhe magjia e lojës sikur i bën të harrojnë rutinën e përditshme. Në ato çaste sikur harrohen gjithçka, se koha ikën, se rrugët janë po ato, por tashmë me gropa të stërmëdha, se të nesërmen sërish do të mendojnë si të mbijetojnë në këtë jetë që për dreq ka marrë mbrapsht tash e shumë vjet. Në fshatra të vogla, qyteza dhe qytete, të harruara në mjerimin e tyre, atje ku politikanët shqiptarë, të majmur nga premtimet e pambajtura, luajnë çdo katër vjet në “stadiumet” elektorale të topitura nga zhurmat e turmave të sjella me autobus, nga fanatikët e partive dhe megaprogrameve elektorale. Atje ku balta politike ka prodhuar papunësi, mungesë shprese dhe padije, ku mungojnë shkollat, qendrat shëndetësore, rrugët dhe programet konkrete. Atje ku turma bërtet e brohoret çdo katër vjet. Dhe sërish të padëgjuar nga askush dhe të vetëm në varfërinë e tyre. Pra, është koha që politika të japë mesazhet të reja. Është koha për të zbritur në nivelin e shqetësimeve të qytetarëve, për t’i bërë ata pjesë të politikës. Ana tjetër e medaljes kërkon që dhe ndjenja qytetare të zgjohet, për të dalë nga hipnoza e zhgënjimit të gjatë. Nga hipnoza e krijimit të pavetëdijshëm të asgjëje të re.

Një tur ndryshe

Në këtë zheg klimaterik dhe sportiv, lideri socialist Rama ka ndërmarrë një tur ndryshe. Jo tur elektoral, por njerëzor. Për të dhënë një mesazh të ri dhe të shumëpritur, të një politikë ndryshe, ku në qendër të saj të jenë fshatarët dhe qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Një tur larg traditës së fanfarave të rreme, zhurmave të sirenave të policisë dhe basteve politike. Një tur për t’u ulur dhe ndjekur së bashku me njerëzit ndeshjet e botërorit, për të biseduar me ta, anëtarët, simpatizantët, kundërshtarët dhe qytetarët e thjeshtë. Për të folur dhe dëgjuar njerëzit që s’dëgjohen, për të filluar së bashku me ta hartimin e një projekti politik të ri. Të një projekti ku qytetarët e këtij vendi të jenë hartuesit, zbatuesit dhe përfituesit e drejtpërdrejtë. E veçanta e këtij turi është se ai nuk kërkon votat e tyre, por mendimin e njerëzve, për të ndryshuar mënyrën sesi gjërat ecin në këtë vend.

Kur dëgjon fshatrat dhe qytezat e këtij turi, shumë syresh kërkojnë t’i gjejnë në hartë. Helmësi, Luzi i Vogël, Rrogozhina, Mamurrasi, Gjormi, Orenja, Qendra, Përrenjasi , Çërrava, Gjoca, Pajova … Vallë ku bien ato? Sepse ato s’janë parë dhe dëgjuar në kronika televizive apo në ture elektorale. Sepse ato nuk i ka shkelur kush në vite. Sepse ato janë fshatrat dhe qytezat  më të harruarat e mëdha, të rrudhosura e të mpakura, në vite shëmtimi e demagogjie. Ja një arsye më tepër për të thënë se ky tur është ndryshe. Ai është një tur ku lideri socialist kërkon të shpalosë një futbollpolitikë të re, për të folur dhe dëgjuar njerëzit pa protokoll dhe podiume, por me zemër dhe mendje tek shqetësimet e tyre. Për t’i bërë të vetëdijshëm se duhet të rizgjohen. Për të besuar së bashku, se ky vend mund dhe duhet të bëhet, ku ata do të jenë aktorët dhe lojtarët e zhvillimit të këtij vendi. Besim dhe shpresë se këtij vendi që Zoti i ka falur me shumicë gjithçka, nuk ka sesi të mos i ketë dhënë njerëzit e mirë dhe të aftë për të ideuar, punuar dhe prosperuar jetën e tyre, nga fshati më i largët në metropolin shqiptar, për të ndjekur modelin e vendeve të përparuara, si atje ku luhet ky botëror i madh dhe për ta shijuar atë.

Na duhet një fillim i ri

Ky ishte mesazhi tjetër i Edi Ramës. Një mesazh për të dalë nga topitja e kësaj politike të pamoralshme. A nuk duket se njerëzit sikur janë pajtuar me mënyrën sesi gjërat shkojnë? A nuk e ndjejmë teksa takojmë njerëzit, se ata e kanë humbur shpresën se ky vend mund të bëhet? A nuk shihet qartë në sytë e njerëzve topitja e mosbesimi? Një topitje e viteve të zhgënjimit dhe fitoreve imagjinare. Ura, rrugë dhe objekte social-kulturore, projekte për bujqësinë e blegtorinë e deri tek fushat e golfit që ngrihen… në fantazitë dhe gotat e politikanëve të kënaqur, teksa pinë shampanjat e fitoreve mbi kurrizin e popullit të vet.

Realitete iluzionare, që i duhet thënë njëherë e mirë me zë të lart “STOP”, për të bërë kthesën e madhe e të shumëpritur. Duke dalë nga topitja, duke u rizgjuar për një fillim të ri, për të rifituar vetveten, fqinjin e sakatuar dhe të pashpresë, për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit. Për të rifituar besimin se gjërat nuk duhet të shkojnë kështu, sepse këtij cikli mashtrimi dhe fanatizmi politik i ka ardhur fundi. Duke pohuar njëherazi, se tashmë është koha të kaplohemi nga ethet për të zhvilluar vetveten. Atje ku jetojmë e punojmë, në lagje, fshatra, komuna e kështu me radhë. Në emër të qytetarisë së vlerave të vërteta, për t’u organizuar e angazhuar së bashku në punë dhe projekte reale.

Kjo për të flakur ethet e politikës dhe për të fituar ethet e qytetarisë, për të dalë njëherë e mirë nga politikat boshe e premtimeve false. Duke filluar të kërkojmë arsyen për kohën e humbur dhe për kohën që duhet të fitojmë,  atëherë ethet e botërorëve do të na bëjnë të ndihemi pjesë e vërtetë e kësaj etheje globale të argëtimit. Atëherë dhe distanca e ekraneve me fushat e futbollit të botërorit do të jetë thjesht dhe vetëm një njësi matëse.

Jam këtu për t’ju dëgjuar

Ndryshe nga politikanët e dialogëve të dëshiruara, por vetëm të dëshiruara, dhe të monologëve të vazhduara pambarimisht në pseudopodiume, Edi Rama u ul në kafenetë ku ndiqet botërori, për të dëgjuar ata të margjinalizuarit në ekstrem, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Kjo për arsyen e thjeshtë, por të panjohur për politikën shqiptare të këtyre viteve, se Komunikimi dhe Dëgjimi janë fillimi i zgjidhjeve për gjithçka.

Nëse liria e shprehjes është tashmë një liri e garantuar, në kufijtë e irracionalitetit të kësaj politike pa moral, ku gjithkush mund të shajë gjithkënd, liria për të komunikuar, pra për t’u dëgjuar dhe dëgjuar, është dhunuar dhe nëpërkëmbur. Kjo, sepse njëherë në katër vjet, politikanë, partiakë, djem xhajash, hallash e dajash, farefis, shpura sekserësh, politikë xhuveliane dhe dreqi vetë, venë për të luajtur lojën e radhës duke pyetur: Sa autobusë kanë ardhur? A është mbushur sheshi? Po pankartat me sharjet ku janë? Çfarë t’u premtojmë këtyre fshatarëve kësaj radhe, se atë urën ua premtuam katër vjet më parë? Do fitojmë apo jo! Dhe basti i radhës fillon e tirret, e turma ngjiret e ngazëllehet nga kjo potere-politikë. Dhe në fund, të kënaqur për zhurmën-oshtimë dhe premtimet që s’u kuptuan, ndahen secili në hesap të vet, duke pritur ndeshjen tjetër.

Kjo politikë disavjeçare nuk është pa modele. Politikani Berisha është modeli “par exellence” i kësaj falspolitike, meqenëse siç i pëlqen të mburret fort, kundërshtarin e vet e ka nxjerrë në pension. A thua kjo ishte sfida më e madhe e këtij vendi! A thua se ky vend nuk ka halle për t’u dëgjuar!

Dhe në një shoqëri të tillë, ku topi shqelmohet sipas orekspolitikës pakufi, ku vetëm monologohet dhe nuk dialogohet, ku forca dhe jo argumenti janë në themel të gjithçkaje, çdo gjë e premtuar nuk është gjë tjetër, vetëm se mashtrimi i radhës.

Në këto takime gjithçka është ndryshe. Njerëzit dëgjohen teksa flasin për problemet dhe hallet e jetës së vështirë. Ata flasin duke respektuar e dëgjuar njëri-tjetrin, duke besuar tek njeri-tjetri. Ata flasin për fatin që i ndihmoi të shpëtonte nga përplasja teksa shiste anës rrugës, për tokat që s’punohen, për prodhimin që vuan nga mungesa e reklamës dhe tregut, për papunësinë dhe mungesën e perspektivës së fëmijëve të tyre, për mundin dhe shpresën e çuar dëm. Dhe në këto takime e kuptoj se ngazëllimi për nënshkrimin e MSA është i tjetërkujt, por jo i këtyre njerëzve.

Në këto takime nuk ka premtime, por shënime. Shënime të cilat në ditët që do të vijnë, do të merren fshat më fshat, për të hartuar programin e fillimit të ri për partinë më të madhe opozitare, Partinë Socialiste. Për t’i bërë njerëzit pjesëtarë aktivë në hartimin e një programi për një qeverisje të realizueshme, të prekshme dhe të matshme. Dhe në qendër të këtij programi që do të shkruhet anembanë Shqipërisë, të jetë ai njeriu i thjeshtë, me angazhimin dhe përgjegjësitë e tij qytetare, për një jetë më të mirë. Sigurisht, duke u dëgjuar dhe respektuar për gjithçka, duke i kthyer njeriut shqiptar diçka nga dinjiteti i nëpërkëmbur. Për të mundësuar daljen nga kolapsi ekonomik dhe mjerimi i tejzgjatur, dhe për të shijuar më bukur dhe pa hile bastesh sharlatanësh politikë botërorët e ardhshëm…

Ata që kanë problemet, ofrojnë edhe zgjidhjet më të mira

Janë idetë, ato që çojnë përpara shoqërinë. Që idetë të materializohen, kanë nevojë të mbështeten nga politika. Një politikë që s’dëgjon nuk mund ta bëjë këtë. Ajo vetëm mund të bëjë demagogjinë e radhës. Këtë mbështetje e siguron vetëm një qeverisje e ndershme dhe e aftë.

Në një shtet demokratik kjo është një domosdoshmëri për të realizuar dëshirën dhe aspiratat për t’u futur në rrugën e zhvillimit. Ndryshe aspiratat vdesin dhe dëshirat shuhen. Kjo duke garantuar individin në ushtrimin e përgjegjësive qytetare, për të zgjedhur dhe për t’u aktivizuar, për të parë në sy të vërtetën dhe për të ofruar zgjidhje. Një qeveri dhe politikë e përgjegjshme ka për detyrë t’i mbështesë ato, si pjesë e kontratës me qytetarët.

Një shoqëri që të meritojë një të ardhme më të mirë, ka nevojë që çdo qytetar duhet ta konsiderojë veten të aftë për të dhënë ide, për t’u bërë pjesëmarrës në hartimin e politikave brenda një hapësire të caktuar. Të besojë se kjo pjesëmarrje do të vlerësohet dhe respektohet, si një marrëveshje kontraktuale e një politike të moralshme me qytetarët e vet. Gjithashtu, çdo qytetar të shohë projektet që do të realizohen me afate të përcaktuara, si rezultat i një pune studimore në plane të mirëorganizuara. Dhe për më tej, çdo qytetar të punojë për të realizuar këto projekte, duke menduar se ato janë në dobi të tij, por edhe të të tjerëve.

Integrimi nuk mund të kuptohet pa integruar vetveten. Dhe kjo bëhet duke vënë në lëvizje ingranazhin ide zhvillimi-pjesëmarrje- programim-punë, duke realizuar ato çka dëshirojmë. Integrimi në Evropë do të thotë që ne të jemi të organizuar dhe integruar së bashku në një shoqëri të harmonizuar në vlera dhe standarde jetese. Kjo do të na bëjë të shpresojmë, që një ditë “OLE-ja” e famshme e botërorit të këndohet dhe dëgjohet si një argëtim i kësaj loje të bukur.

Angazhim politik dhe qytetar

Një ndeshje futbolli dhe çfarëdo loje tjetër, është lojë për të kaluar kohën në mënyrë të kulturuar, për t’u argëtuar dhe kënaqur, duke e jetuar atë. Indiferenca nuk sjell argëtim, veçse zhgënjim. Indiferenca e qytetarëve në vendimmarrje është shkatërrimtare. Ajo shërben për të ushqyer dhe majmur lojtarët e politikës që argëtohen me varfërinë e njerëzve. Indiferenca, tifozllëku i politikave boshe, refuzimi për të marrë përgjegjësitë gjithsecili, për të filluar organizimin mbi principe moderne të shoqërive të përparuara është fatale për demokracinë tonë të brishtë.

Në një demokraci funksionale, pjesëmarrja aktive dhe transparenca janë kushte thelbësore për t’u zhvilluar dhe ecur përpara. Ne, si individ dhe shoqëri, kemi nevojë t’u përgjigjemi disa pyetjeve: Cila është pjesëmarrja jonë në formulimin e politikave për shfrytëzimin dhe vënien në përdorim të burimeve që posedojmë? Çfarë na pengon t’i shfrytëzojmë ato? Cila është shkalla e pjesëmarrjes në shpërndarjen e të mirave materiale që realizohen? Vetëm pasi t’u jemi përgjigjur këtyre pyetjeve, mund të dimë më shumë përse është kjo gjendje. Mospjesëmarrja dhe pritshmëria nga shteti, qeveria dhe politika, do të thotë që të lësh një pakicë të ushtrojë pushtetin e të gjithëve. Do të thotë që të hartohen pambarimisht strategji e projekte që nuk gjejnë zbatim.

Ne kemi aktualisht burime dhe potenciale të harruara për t’u shfrytëzuar në të mirë të ndërtimit të një shteti social. Ideja për t’u organizuar në shoqata e forume agronomësh, ekonomistësh, inxhinierësh, fermerësh të aftë, synon angazhimin e këtyre potencialeve në interes të zhvillimit të mjedisit ku punojmë dhe jetojmë. Kjo bazuar në traditën dhe nevojën për të qenë kompetitivë. Dhe kjo mund të ndodhë duke besuar në një politikë të re, e interesuar për të vënë në lëvizje dhe aktivizuar mekanizmat që garantojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje, pra hartim, planifikim dhe realizim politikash ekonomike-sociale etj. Një angazhim qytetar në planifikimin dhe programimin e burimeve dhe potencialeve, do të thotë të mira materiale dhe shërbime sociale më cilësore në përfitim të të gjithëve. Pjesëmarrja aktive e publikut do të materializoje një qeveri të fokusuar tek qytetarët.

Ndërsa politika duhet të bëjë kthesën e madhe ndaj shoqërisë shqiptare. Kjo duke mundësuar garantimin e kësaj pjesëmarrjeje, si shprehje të demokracisë. Në këtë kuadër, duhet të rrëzohen njëherë e mirë barrierat e ngritura në këto vite, që kanë për qëllim vrasjen e vullnetit për angazhim qytetar, si dhe skemat funksionale diskriminuese të mospjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në hartimin e politikave. Kështu do t’i japim lamtumirën këtij tranzicioni, së bashku me politikanët aktorë, një elite agallarësh vendorë dhe qendrorë.

Kjo, duke i vënë ekspertët e kualifikuar, që nuk i mungojnë këtij vendi, në shërbim të popullit, duke i larguar ata nga barrikadat e politikës fanatike dhe duke i vendosur në barrikadat e përparimit e zhvillimit. Kjo është rruga në të cilën kanë ecur vendet e përparuara dhe kjo është rrugëdalja jonë si një alternativë historike. Prandaj qytetarët duhet t’i përgjigjen kësaj ftese të hapur të liderit të socialist Edi Rama, duke sjellë në mendje modelin konkret të kësaj qeverisjeje në realitetin shqiptar, bashkinë e Tiranës.

Përgjegjësia fillon nga vota dhe një politikë e moralshme

Demokracia e drejtpërdrejtë është vullneti i popullit i shprehur me votën, e cila nuk duhet shpërdoruar dhe aq më pak deformuar. Në këto vite, ky vullnet është deformuar dhe shpërdoruar. Vjedhje votash e mashtrime, turma të fortësh e politikanë të shqetësuar, thjesht dhe vetëm për të deformuar pikërisht këtë vullnet. Dushku e MegaDushku, nxjerrin në pah se politika nuk është e interesuar për të marrë votën bazuar në verdikte popullore, në kontrata politike me qytetarët, por vetëm për pushtetin, duke dhunuar demokracinë. Një rreth vicioz në të cilin endemi për një kohë të gjatë.

Përgjegjësia për votën është e lidhur drejtpërdrejt me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në hartimin e projekteve elektorale dhe përcaktimin e përfaqësuesve të tyre. Ky është mesazhi që Rama u përcjell bashkëbiseduesve në takimet e këtij turi. Shqetësimi i socialistëve është paraqitja e një alternative ndryshe, një alternativë që zgjidh hallet dhe shqetësimet e njerëzve. Pjesë e kësaj alternative është modernizmi i forcës politike që ai përfaqëson. Kjo duke ushtruar demokracinë e drejtpërdrejtë në parti, për t’i dhënë fund politikës bazuar në klane e grupe interesi, rrjeteve nepotike dhe shurdhërisë që e mban larg atë nga shqetësimet e njerëzve, nga qendra në bazë, duke i vënë të zgjedhurit në shërbim të zgjedhësve. Modernizmi i Partisë Socialiste nuk shihet si një qëllim në vetvete, por në shërbim të interesave të zhvillimit të Shqipërisë.

Paraqitja e një modeli të tillë, në kohën kur modele të tilla mungojnë ose drejt të cilave nuk tentohet të shkohet, është e nevojshme të theksohet se duhet ndjekur nga e gjithë politika shqiptare. Për të lënë pas sëmundjen e vjetër të mosrespektimit të votës, të ndërtimit të politikave për grupe e klane, por jo në shërbim të vendit.

Në këtë tur, me shqetësimin qytetar dhe politik, Edi Rama po jep mesazhe të një politike të re. Prandaj futbollpolitika e këtij turi po mirëpritet kudo që ai po shkon. Sepse njerëzit teksa ndajnë kënaqësinë e futbollit, po ndajnë si të barabartë shqetësimet dhe hallet e tyre me liderin e opozitës, e një opozite që po nis një faqe të re, larg shpërdorimit të lirisë të fjalës, duke respektuar lirinë për të dëgjuar, për të ndërtuar një program të ideuar nga qytetarët, për një qeverisje të ardhshme në shërbim të tyre. Mbi të gjitha, për një politikë me një moral të ri.

VLADIMIR KOÇI

 

Si e njoha Pjeter Arbnorin

Me kujtohet si sot, teksa nje burre shtatshukrter, me nje gozhup me gezof tek pjesa e qafes, kishte hipur ne nje nga pallatet ne sheshin “Isa Buletini” te Shkodres. Ishte nder mitingjet e para, mbase i pari qe organizohej ne Shkoder dhe perkrah intelektualeve me pardesy te bardha, ishte edhe ky burre shtatshkurter, i cili me pas do te behej jo vetem nje nga drejtuesit e shtetit post-komunist, por edhe nje figure shume e njohur, shumeplaneshe jo vetem ne Shqiperi.

Ishte kjo njohja e pare dhe ne distance me Pjeter Arbnorin. Me vone, fytyra e tij do te ishte shume e njohur ne publik dhe me eshte fiksuar edhe perpara ish- Komitetit te PPSH-se ne prag te 2 prillit 1991, teksa perpiqej te vinte qetesi, aq sa ishte e mundur perballe nje turme te stermadhe te etur per liri e demokraci.

Vitet do te kalonin dhe Pjeter Arbnori, si nje nga perfaqesuesit me te spikatur te shtreses se ish- te persekutuarve, por njekohesishte dhe me te shkolluarit dhe te diturit edhe si autodidakt gjate 28 viteve burg, do te ngjitej ne krye te institucionit te demokracise shqiptare, Kuvendit, te cilin e drejtoi per 5 vite nga 1992- 1997.

Pas ketij viti, marredheniet me “axhen” Pjeter sic e therrisnin thuajse te gjithe ne Shkoder, do te shpeshtoheshin. Kjo edhe per arsye te profesionit qe une kisha, si gazetar e drejtues i mediave lokale. Periudha kohore, ishte mjaft e veshtire, pasi tashme PD-ja, bashke me te edhe Arbnori, ishin ne opozite. Edhe ne keto kushte, ne zgjedhjet e 1997-es, Arbnori pati nje triumf te vertete, duke fituar ne menyre plebishitare.

Ka qene disa here i pranishem ne studiot e TV lokale ku une kam punuar, por nje mbrese te vecante me ka lene nje interviste e vjeshtes 2001, atehere kur Arbnori perflitej si nje kandidature potenciale per president te vendit. Kemi bashkebiseduar mesa kujtoj, per mese 2 ore dhe ajo qe te bie ne sy, kishte nje diskordance ne mes moshes qe kishte dhe kthjelletsise se mendimit dhe logjikes qe shprehte. Per asnje moment, nuk pati as luhatjen me te vogel, e cila ndoshte per moshen dhe vuajtjet e tija, mund te ishte normale.

Pervec se ne studio, Arbnori ka qene gjithmone i gatshem te prononcohet edhe ne ambjente te tjera, qofte pas ose para nje mbledhjeje, por edhe nje tubimi elektoral. Nje nga shprehjet qe me ka mbatur ne mend dhe e perseris shpesh me miqte, te cilen e kam degjuar me pas edhe nga politikane te tjere, por per here te pare vetem nga Arbnori, ishte para nje bisede. Une i kisha kerkuar nese kam te drejte te pyes per cdo gje. Ai, sic e kishte natyre, me tha qetesisht: “Une do te te them te verteten gjithmone, por jo te gjitha te vertetat. Ato nje politikan nuk mund ti thote kurre. Ti “axhe” ke ne dore te bash pyetjet, pergjigjet i kam ne dore une”.

Pas zgjedhjeve te fundit te 3 korrikut, ku ai nuk mundi te zgjidhej per te gjashten here. Edhe pse nuk e shprehur asnjehere publikisht, Arbnori ndjehej i tradhetuar. Ne disa raste, me mencurine e tij, linte te nenkuptohej se e keqja i kishte ardhur nga brenda PD-se, rangjeve te larta te saja, te cilat me cdo kusht donin te pengonin zgjedhjen e tij. Megjithate, asnjehere nuk hodhi akuza apo mllef kunder individeve te ndryshem. Pas 3 korrikut me ardhjen e PD-se ne pushtet, edhe pse qendroi si rradhe kush per 8 vite ne opozite, pa patur asnje lloj perfitimi personal, por duke trokitur ne dyert e te gjitheve per zonen e tij zgjedhore, nuk u gjend asnje vend ku ai mund dhe duhej te jepte kontribut por edhe eksperiencen e akumuluar gjate 16 viteve. U tha se do te ishte Ambasador i Shqiperise ne Vatikan, por nuk u realizua. Ndersa se fundmi, ne shume qarqe filloi te anatemohej si nje kandidature e fuqishme per president te vendit. Ne keto kushte, kur mbi dhe aktivitetin e tij kishte filluar te binte erresira, Arbnori kishte bere gati terheqjen nga te gjitha postet politike, nje proteste kjo e llojit te tij. Faktikisht, Arbnori kishte filluar te lodhej, jo nga mosha, por nga braktisja por deri diku, edhe sulmet ndaj te afermeve te tij ne Shkoder. Nje moter e tija, edhe pse iu dha fillimisht nje shtepi si e pastrehe, iu anullua, ndersa nje i aferm i bashkeshortes se tij, iu hoq nga puna ne nje institucion vendor.

Por serish vijonte aktivitetin, tashme si kryetar i Forumit Kunder Dhunes Policore. Ka ardhur ne Shkoder, ka dale edhe publikisht ne mbrojtje te te drejtave te te paraburgosurve apo edhe te burgosurve. Ne aktivitet deri ne momentet e fundit te jetes se tij.

Iku ne Napoli te Italise per tu kuruar. Kete e mora vesh vetem diten kur u mesua vdekja e tij. U nis drejt Apenineve pa buje, pa zhurme, thuajse i sigurte se ishte etapa e fundit e rrugetimit mbi toke. Shume pak njerez, madje te aferm te tij, e dinin se Arbnori po kurohej ne Itali. Semundja perparoi shume ditet e fundit. Harresa dhe braktisja e bashkelufetareve per kauzen e madhe te Demokracise, mesa duket e gerryente   nga brenda. Shpesh here, kur takoheshim, tregonte me krenari se nuk vuante nga asnje semundje. Madje mjeket i kishin thene se do te jetonte gjate, mjaft gjate…..

Paradreken e te shtunes, 8 korrik 2006, mora vesht lajmi se Arbnori nuk vdiq, por nderroi jete. Keshtu duhet te thuhet per nje individ si Arbnori. Ne fakt, fillimisht mu duk e pabesueshme. Jo nga fakti i largimit nga kjo bote, pasi qe nga lindja, drejt asaj rruge ecim. Momenti i ndodhjes se ngjarjes, me ngjalli pse jo, edhe dyshime! Epoka e Jakobineve, kishte te vetin slloganin makiavelist “Qellimi justifikon mjetin”.

Per mua, Arbnori ishte i fundmi i Idealisteve te Medhenj. Me te mbyllet jo vetem nje kapitull, por shuhet edhe nje fryme. Ajo e Pacifistit me ze te ulet, por me kumbim te larte. Lamtumire miku im, jam krenar qe te njoha dhe qe me rreshtove nder miqte e ty sa ishe gjalle! Krishti te paste ne Parajse!

Blerti DELIJA

 

Kush ishte Pjeter Arbnori

Lindur në Durrës me 18 janar 1935. 14 vjeç fillon të marrë pjesë në grupet ilegale kundër diktaturës. Mbaron në dy vjet e gjysëm studimet në Fakultetin e Filologjisë me rezultate të shkëlqyera. Merr pjesë në krijimin e një organizate social-demokrate, programin e së cilës e hartoi vetë. Më 1961 arrestohet dhe dënohet me vdekje. Pas tre muajsh dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të tij në burg, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht 1989 lirohet nga burgu pas 28 vjet e gjysëm. Merr pjesë që në fillimet e para të lëvizjes antikomuniste me 14 janar 1990. Zgjidhet kryetar i PD-së për Shkodrën. Më 1992 dhe 1996 zgjidhet kryetar i Kuvendit Popullor. Ka marrë titullin “Mësues i Popullit” dhe “Pishtar i Demokracisë”. Gjithashtu është “Oficer i Madh i Urdhërit të Plejadës” nga Asambleja e vendeve frëngjishtfolëse. Insituti biografik i kembrixhit, e futën biografinë e tij në “Who’s Who” të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar. Ka shkruar shtatë romane dhe ka botuar: “Mugujt e mesjetës” – novelë, “Kur dynden Vikingët” – novelë, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura, Vdekja e Gebelsit”,etj. dhe ka përkthyer nga frëngjishtja “Historia e Anglisë”.

 

Burgu i Qafë-Barit, ky luciferr i komunizmit

Shpesh herë kemi shkruar për vuajtjet gjatë diktaturës së egër komuniste. Diktatura më e egër në botë ka qenë dhe mbetet ajo e Enver Hoxhës. Në krye të qeverisë ishin vënë për një gjysëm shekulli Hoxha-Shehu. Larg në malësinë e Pukës, afër alpeve, një kodrinë e re mbante jo vetëm minerale, por edhe dëborë që shkrihej vetëm 3-4 muaj në vit. Atje u vendos, nga shteti monist, të ngrihet një kamp për të burgosur politikë, pra kampi i shfarosjes. Mbas shumë vuajtjesh çnjerëzore, një ditë e zezë, datë 22 shkurt 1984 drejtoria e kampit të Qafë-Barit, me urdhër nga Ministria e Brendshme filloi një diktaturë të specializuar kundër të burgosurit politik. Jo gjoja s’keni bërë normën dhe keni thyer disiplinën. Kështu filloi revolta e Qafë-Barit, e cila nisi me mospranim ushqimi, mosdalje në punë, por menjëherë u lajmërua Tirana zyrtare dhe arritën specialet e menjëherë me raprezalje komuniste u ushtrua dhunë çnjerëzore mbi atë që veç emrin kishte njeri. Me një gjyq antiligjor, antikushtetues u dënuan me vdekje tre vetë, të quajturit Sandër Sokoli, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Që të tre u pushkatuan aty në kampin e Qafë-Barit në Pukë. Komandant ishte Mand Coja. Kushedi ku ndodhet sot, por nëse jeton, tek PS-ja është. Pra, kjo ishte diktatura komuniste që përgjaku dëborën dhe mineralin e Qafë-Barit. Janë këto copëra të zeza të një jete sterrë, të një jete që tashmë do ngelet si model i shkeljes së të drejtave e lirive njerëzore.

SHAN SOKOLI, MARK QAFA

 

Berisha: “Filanto”, shembull i suksesit të biznesit italo-shqiptar

Ditët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar sërish qëllimin e qeverisjes së tij: ndërtimin e shtetit ligjor. Ai ka vënë në dukje se kjo do të arrihet me reforma të gjithanshme, të cilat afrojnë vendin me standardet e Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, edhe biznesi shqiptar tashmë duhet të fillojë të konturohet në nivele evropiane të zhvillimit dhe funksionimit të tij.

Shembulli më i qartë dhe konkret është “Filanto”, një kompani prestixhioze në Itali, filialet e së cilës tashmë janë të hapura në shumë vende të globit, e ndër to edhe Shqipëria. Në vendin tonë, partneri serioz dhe i besueshëm ka qenë dhe mbetet biznesmeni i mirënjohur dhe i suksesshëm Paulin Radovani, i cili aktualisht është edhe drejtor i përgjithshëm i “Filanto Albania”, filialit të kollosit italian të prodhimit të këpucëve në mbarë globin.

E gjithë kjo nuk ka kaluar pa tërhequr vëmendjen e Kryeministrit shqiptar, prof.dr. Sali Berisha, i cili ka pritur në një takim privat drejtuesit më të lartë të “Filanto Albania”. Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët Rexhep Uka (PD) e Frrok Gjini (PDK). Gjatë takimit, i cili ka qenë shumë i ngrohtë e miqësor, Kryeministri ka vlerësuar kontributin e kësaj kompanie të fuqishme, e cila ndër vite ka siguruar një punësim në nivele shumë të larta për shqiptarët. Berisha i ka siguruar bashkëbiseduesit për mbështetjen pa rezerva të këtij biznesi, siç edhe ka shprehur vendosmërinë e tij në ndëshkimin e të gjitha bizneseve të ngritura mbi baza të dyshimta dhe me suport të qartë politik ndër vite.

Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i “Filanto Albania”, biznesmeni shkodran Paulin Radovani e ka garantuar Kryeministrin Berisha për vijueshmërinë e kësaj kompanie, madje duke shtuar kapacitetet vazhdimisht, në mënyrë të veçantë në ato zona ku papunësia është mjaft e lartë dhe mungojnë alternativat e punësimit. Kështu, Radovani ka njoftuar kreun e Qeverisë për hapjen e 150 vendeve të reja të punës në Pukë, duke çelur një tjetër fabrikë për punësimin e banorëve të kësaj zone. Kështu, do të ndikojmë sadopak në zbutjen e papunësisë, por edhe zhvillimin e zonës. Deputetët e pranishëm në takim, Ukaj dhe Gjini, e kanë garantuar për mbështetjen e tyre drejtorin Radovani, duke i thënë se do t’i krijohen të gjitha lehtësirat e mundshme ligjore për të startuar sa më shpejt një iniciativë të tillë. Por jo vetëm kaq. “Filanto Albania” do të hapë shumë shpejt edhe një shkollë, sigurisht brenda kësaj ndërmarrjeje, për të ndikuar në krijimin e një grupi sa më të gjerë të punonjësve në këtë sektor të prodhimit të këpucëve për eksport. Iniciativa do të shtrihet në Pukë, Tropojë, Fushë Arrëz dhe Kukës. Qëllimi parësor i yni nuk është fitimi, ka bërë me dije Radovani, por të kualifikojmë sa më shumë njerëz që të jenë të aftë në këtë drejtim.

Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha ka falënderuar sërish drejtuesit e “Filanto Albania” për kontributin që kanë dhënë dhe do të japin në vijim për zhvillimin e vendit, përmes punësimit por edhe kualifikimit të njerëzve.

Edhe njëherë, Kryeministri i shqiptarëve tregoi se siç është e ashpër me ato biznese që nuk respektojnë ligjet dhe normat njerëzore, aq i afrueshëm dhe i ngrohtë është me biznese të cilat tashmë tregojnë edhe fytyrën e tyre humane.

 

Blerti DELIJA

Sokol PEPUSHAJ

 

Rruga Bushat-Koman drejt bllokimit

Vazhdon dëmtimi i segmentit shumë të rëndësishëm Bushat-Koman. Ky aks rrugor shumë i rëndësishëm për transportin dhe lidhjen me superstradën Shkodër-Tiranë për banorët e shumë e shumë zonave rurale është dëmtuar rëndë. Në zonën e fshatit Mllojë rruga është shembur duke u bërë e mundur lëvizja vetëm me një kalim. Po kështu edhe në segmentin rrugor të fshatit Karmë rruga është shembur në një gjatësi rreth 30-40m dhe lëvizja bëhet me një kalim. Është për t’u theksuar se ky aks rrugor nacional është i një rëndësie të veçantë në Qarkun e Shkodrës. Çdo ditë në këtë aks bëhet transporti i punonjësve e mjeteve të Hidrocentralit të Komanit duke siguruar punën e gatishmërinë në këtë vepër. Po nga ky aks rrugor bëhet e mundur thuajse gjithë lëvizja e banorëve të Tropojës si dhe tregtia me Shkodrën e pjesë të tjera të vendit. Nga ky aks rrugor bëhet transportimi i pajisjeve apo pjesëve të ndryshme shumë të nevojshme për Hidrocentralin e Fierzës si rruga më e shkurtër dhe e sigurt. Njëkohësisht shumë të rëndësishëm këtë aks e bën edhe lëvizja e mjaft biznesmenëve drejt Kosovës e anasjelltas nëpërmjet pikës doganore të Qafë-Morinit të Tropojës. Kjo pikë e cila bën të mundur Bajram Currin me Gjakovën për rreth 1 orë shkurton shumë rrugën e automjeteve të vogla dhe udhëtarëve drejt Kosovës. Njëkohësisht aksi Bushat-Koman-B.Curri-Qafë Morinë përbën një mundësi të rëndësishme lëvizjeje të banorëve që jetojnë rreth këtij aksi jetik për ta. Nisur nga sa thamë më sipër është më se e qartë se rruga nacionale Bushat-Koman e më tej është e një rëndësie primare në Qarkun e Shkodrës. Por fatkeqësisht ky aks është lënë pasdore. Prej më shumë se 3 vjet pas marrjes me kontratë mirëmbajtjeje nga firma private nga rruga janë zhdukur dhe punonjësit e mirëmbajtjes, të cilët jo vetëm që çdo ditë parandalonin mbylljen e pusetave apo gropave të vogla por kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në rastet e emergjencave natyrore të ngricave e dëborës qënë sezonin e dimrit janë të përhershme. Ky shërbim tashmë prej më shumë se 3 vjetësh nuk është parë më sistematikisht e në kohën e duhur. Riparimet e bëra në këtë rrugë me rastin e zgjedhjeve të kaluara lokale të copëzuara dhe pa cilësi më shumë i ngjajnë ndonjë pastrimi sesa një investimi serioz për të riparuar me cilësinë e duhur qoftë dhe një pjesë të këtij aksi. Problematik është dhe udhëtimi në tunelin e Komanit dhe kalatën aty. Ndriçimi i tunelit she shtrimi i gropave të krijuara është krejt i mundshëm dhe lehtësisht i riparueshëm. Edhe rregulli i lëvizjes e riparimeve të vogla në kalatë më shumë janë neglizhencë e subjektit përgjegjës sesa vështirësi financiare apo teknike. Pra, aksi nacional rrugor Bushat-Koman pret vëmendjen e autoriteteve për të kryer funksionin e rëndësishëm që i ka dhënë pozicioni gjeografik për t’u shërbyer njerëzve.

ALEKSANDËR KAÇI

JETMIR DELAJ

 

 

Minoritetet, popuj të vegjël me histori të mëdha

Faktorizimi i minoriteteve është një rrjedhojë historike e motivuar nga dukuritë që mbart dhe çlirojn në vetvete ky fenomen. Politika ka paraprirë gjithnjë për të konturuar në sytë e faktorit ndërkombëtar si rast i nënvizura. Megjithatë është bërë më e mira e mundshme që ata të ndjehen të barabartë. Kjo natyrisht që është dashur të kalërojë shumë mendësi dhe pengesa.  Çështja e minoriteteve ka tërhequr vëmendjen dhe është shtruar në shkallë ndërkombëtare si një problem që duhej trajtuar, pas Luftës I-rë Botërore. Traktati i Versajës, i lidhur midis fuqive kryesore aleate, i imponoi Evropës ndryshime territoriale të rëndësishme. Për disa kombe ato patën pasoja dramatike duke u ndarë në shumë shtete. Këtë fat pati kombi shqiptar, i cili në vazhdim të Luftërave Ballkanike të 1912-1913, u nda më dysh e më tresh midis shteteve fqinje. Këtu u vulos përfundimisht edhe fati i Kosovës. Për të lehtësuar disi regjimin e këtyre popullsive të shkëputura nga trungu kombëtar, sidomos për të shmangur tendencat për separatizëm, fuqitë aleate përcaktuan disa detyrime që binin mbi ato shtete që kishin të tilla popullsi minoritare brenda territorit të tyre. Veç asaj, u vendos që fati i këtyre popullsive, mbikqyrja e trajtimit të tyre t’i besohej së parës organizatë ndërkombëtare me karakter universal siç ishte Lidhja e Kombeve. Mirëpo, megjithë përpjekjet që u bënë për të ngritur në këmbë një regjim pak a shumë të plotë të mbrojtjes ndërkombëtare të minoriteteve, veçanërisht në Evropë, nuk u arrit ndonjë zgjidhje e qëndrueshme. Një ndikim negativ ka patur edhe humbja e prestigjit nga ana e Lidhjes së Kombeve, e cila u tregua e pafuqishme për t’iu kundërvënë kursit të armatimeve dhe politikës agresive.

Pas Luftës II-të Botërore çështja e minoriteteve ka tërhequr vëmendje më të madhe. Por janë hasur vështirësi të ndryshme. Vështirësitë janë së pari juridike, dhe vështirësia më e madhe në këtë drejtim lidhet me përcaktimin e nocionit të minoritetit. Në fakt, një shumicë aktesh ekzistuese ndërkombëtare nuk kanë dhënë deri tani ndonjë përkufizim të përgjithshëm të nocionit të minoritetit.

Sot akti ndërkombëtar kryesor që trajton çështjen e minoriteteve është Konventa-Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve e miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 1994. Shqipëria është parë në këtë Konventë që prej vitit 1996. Konventa-Kuadër plotësohet me një protokoll që është hartuar nga Asambleja e përgjithshme e Këshillit të Evropës më 1993. Në këtë protokoll bëhet një orvatje për të përcaktuar nocionin e minoritetit. Kriteret për caktimin e një minoriteti janë 2: një kriter objektiv (gjuha, origjina etnike, tiparet dalluese fetare dhe kulturore), dhe nje kriter subjektiv, domethënë vullneti i shprehur i qartë i një popullsie minoritare për të ruajtur origjinalitetin e vet, veçantitë e veta përkundrejt shumicës së popullsisë. Vetëm grupet që i pohojnë dhe iruajnë këto dallime gëzojnë një trajtim të posaçëm, ndërsa mbeten jashtë ata që janë asmiluar me vullnetin e tyre të lirë dhe janë shkrirë me shumicën e popullsisë.

Vështirësitë politike janë po ashtu të pranishme. Janë disa shtete të tilla si Franca, Bullgaria, Greqia, Rumania ose Turqia të cilat nuk pranojnë të cënojnë homogjenitetin e shpallur të kombit shtet. Për pasojë, këto shtete nuk njohin në territorin e tyre grupe minoritare. Integrimi, fshirja e dallimeve, kjo ka qenë metoda e zbatuar nga Franca për të ndërtuar gjatë shekujve një komb francez si një tërësi homogjene: një shtet, një komb, një kulturë, një gjuhë.

Në vendin tonë, si minoritete të njohura nga shteti janë: minoriteti grek në jug të vendit, minoriteti maqedonas në lindje në zonën e Prespës dhe minoriteti malazez në veri, në Vrakë në fërsi të Shkodrës. Gjendja, trajtimi i këtyre grupeve minoritare ka qenë objekt kujdesi dhe vëzhgimi të vazhdueshëm nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Vëzhgimet që janë bërë në terren kanë nxjerrë se, përsa i përket numrit, ato mund të përcaktohen si vijon: minoriteti grek 58-60 mijë frymë, minoriteto maqedonas 5-6 mijë dhe minoriteti malazez rreth 2 mijë. Nuk kanë munguar problemet, vërejtjet kritike në adresë të autoriteteve, të cilat KSHH i ka vënë në dukje në raportet e tij periodike. Megjithatë, konkluzioni i përgjithshëm është se grupet minoritare në Shqipëri trajtohen në barazi të plotë. Atyre u sigurohen të drejtat që parashikon regjimi i minoriteteve si dhe legjislacioni i brendshëm, në radhë të parë arsimi në gjuhën amtare, të drejtat politike dhe liritë themelore.

Gjendjen e minoriteteve në Shqipëri e kanë vëzhguar edhe forume dhe organizata në shkallë ndërkombëtare. Konkluzioni i përgjithshëm i tyre ka qenë se problemi i minoriteteve në Shqipëri është “nën kontroll”, që do të thotë se paraqitet përgjithësisht në parametra pozitivë. Shqipëria kalon një periudhë të vështirë tranzicioni. Ajo përballet me probleme të ndryshme. Por përsa i përket respektimit të minoriteteve, bashkëjetesës normale dhe tolerancës ndëretnike e fetare,ajo mund të shërbejë si model për gjithë hapësirën ballkanike.

Veç këtyre minoriteteve të njohura nga shteti, janë edhe disa grupe që mund të quhen komunitete. Ato kanë tiparet e tyre të veçanta në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, por nuk përbëjnë minoritete sipas përcaktimit të mësipërm. Do të marrim si shembull atë që quhet minoritet egjyptian. Ky është një grup popullsie, një komunitet me disa karakteristika të veçanta, si ngjyra, zakonet, por ai nuk mund të quhet minoritet për shkak se nuk ka tiparin themelor të minoritetit. Gjuha e tyre është shqipja. Megjithatë, kemi të bëjmë me një komunitet që ka problemet e veta, siç është niveli i ulët i jetesës dhe i shkollimit. Nuk mund të mohohet se nga radhët e tyre kanë dalë edhe elementë në fushën e kulturës, artit, shëndetsisë, etj.

Një komunitet tjetër me rëndësi të veçantë janë edhe arumunët (vllehët) që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë. Vllehët flasin gjuhën amtare, ata kanë zakonet dhe traditat e tyre. Por në rastin e tyre mund të thuhet se mungon deri diku faktori subjektiv, në kuptimin që ata nuk e ndjejnë prerazi veten e tyre nga shumica e popullsisë. Madje prej radhëve të tyre kanë dalë personalitete të shquara të jetës intelektuale dhe politike. Ata kanë një shoqatë të tyre, mund të kultivojnë traditat dhe zakonet e tyre por ata janë integruar në një shkallë të tillë me pjesën tjetër të popullsisë në përgjithësi, saqë nuk mund të ndahet prej saj. Fenomeni arumun (vllah) nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Grupe të tëra popullsie arumune janë shpërndarë në treva të tjera të Ballkanit. Veçanërisht të shumtë janë ata në Greqi ku kanë arritur një shkallë të lartë asimilimi me shumicën e popullsisë. Mund të takosh personalitete të shquara në çdo fushë të jetës së vendit, ne artistë, politikanë, profesorë universitetesh. Të gjithë tregojnë pa pikë ngurrimi prejardhjen, por shtojnë se janë me ndërgjegje të shtetasit grek.

Gjatë dekadës së fundit të ndryshimeve demokratike ka dalë si një problem mjaft i mprehtë ai i komunitetit rom. Më parë romët bënin një jetë nomade duke lëvizur nga një krahinë në tjetrën sipas stinëve. Nuk ka statistika të sakta të numrit të tyre. Sipas të dhënave, ata mund të arrojnë në 30 mijë. Gjatë këtyre 10-15 vjetëve është vënë re një përqëndrim i romëve në vende fikse, veçanërisht në periferi të Tiranës. Romët në përgjithësi, janë në një nivel tepër të ulët, varfëri e skajshme, fëmijët që nuk venë në shkollë, por enden si lypës nëpër qytete, analfabetizmi gjen përhapje të gjerë. Në vendin tonë nuk mund të themi se diskriminimi është një problem në përgjithësi, por në rastin e romëve janë vënë re disa shfaqje të kësaj natyre. Romët kanë gjuhën e tyre amtare që është gjuha që ata përdorin në mjedisin e tyre.  Nuk kanë ndërgjegje kombëtare, mungon kriteri subjektiv. Në rastin e tyre nuk mund të flitet për shkolla në gjuhën rome. Kjo është e pamundur dhe e panevojshme. Të hapen shkolla në zonat e banuara prej romëve, të hapen shkolla në gjuhën shqipe që të dalin ata në dritë, të integrohen në jetën e vendit në barazi të plotë, të punësohen dhe të dalin nga gjendja aktuale.

Për ta përmbledhur, minoritetet e njohura në Shqipëri janë; minoriteti grek, maqedonas dhe malazez. Në raste të tjera kemi të bëjmë me komunitete.

Albert Vataj

 

Reforma në energjitikë, promotor i zhvillimit ekonomik

Një sektor jetik për ekonominë është energjitika. Promotore e zhvillimit ekonomik, me rëndësi të jashtëzakonshme ndaj varësisë nga të tjerët, me ndikime të rëndësishme e të drejtpërdrejta sociale. Kjo është në përgjithësi gjithçka çfarë e bën kaq të diskutueshme e të rëndësishme për të gjithë energjitikën. Ndaj dhe ky sektor duhet të ecë me hapin e kohës moderne, duhet t’i paraprijë ekonomisë e shoqërisë. Por ç’është e vërteta, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Me gjithë arritjet e realizimet energjitike, ekologjike etj. krizat energjitike kanë qenë përherë të pranishme. Tashmë të njohura por dhe me një hapësirë padiskutim plotësisht të çliruar nga ndërhyrjet politike, vëmë re se është vënë gishti në plagë. Reformat e propozuara nga Qeveria ditët e fundit për rivlerësim të çmimit të energjisë përbëjnë një hap shumë cilësor drejt tregut. Sistemi ynë energjitik i bazuar në prodhimin hidro është krejt i ndërvarur nga faktori natyror i reshjeve. Si i tillë, për ne që e njohim prej më se 20 vjetësh funksionimin por dhe menaxhimin e tij, ky sistem ka një defekt të rëndë, mungesën e sigurisë së vazhdimësisë së prodhimit. Një gjë të tillë do ta bënte të mundur vetëm vënia në dispozicion e një fuqie 350-400MW të sistemit. Kjo realizohet me ndërtimin e domosdoshëm të TEC-eve ose me ndërtimin e linjave për ta importuar nga jashtë. E dëgjuar nga goja e Ministrit Ruli, varianti i parë duke evidentuar me saktësi dhe sasinë e fuqisë (350-400MW), si sasi e domosdoshme prodhimi në shërbim të sistemit, u ndjemë jashtëzakonisht të kënaqur jo vetëm për njohjen e problemit por dhe për mënyrën tepër profesionale të shtrimit të problemit, si reformë e domosdoshme në energjitikë. Përse ne si punonjës të njërit prej centraleve më të fuqishme e mbështesim këtë reformë. Sigurimi i prodhimit të një sasie të tillë nga TEC-et do të krijonte mundësi të shkëlqyeshme për menaxhimin e sistemit hidroenergjitik. Në rast shirash të bollshme me diapazonin e 15 metrave maksimale të ujëmbledhësit kresor të Fierzës do të rritej drejt maksimumit prodhimi hidroenergjitik e do të ulej ai termoenergjitik, meqenëse është më i shtrenjtë. Në këto raste shirash, menaxhimi i prodhimit hidroenergjitik para niveleve supermaksimale do të ndihmonte të shmangte dhe përmbytjet në zonën e Nënshkodrës, pasi përveç prurjeve të Bunës, Kirit, Gjadrit e natyrisht  Drinit, në situata të tilla sistemi është detyruar të shkarkojë dhe nga tuenelet apo portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Por sigurimi i prodhimit të një sasie të tillë nga TEC-et do të ishte shumë i domosdoshëm për sistemin hidroenergjitik dhe në rast thatësirash. Në limitin e 15 metrave të nivelit kryesor të Fierzës kapaciteti i TEC-eve do të shfrytëzohej deri në maksimum që duke u gërshetuar me shfrytëzimin racional të sistemit hidroenergjitik do të shmangte krizat në furnizimin me energji qoftë për biznesin ashtu dhe familjarët.

Rruga e dytë e sigurimit të energjisë nga importi më duket më pak e favorshme. Kostoja e linjave apo dhe çmimiet e imponuara në situata të ndryshme nuk janë faktorë të dobishëm. Fuqia termike prej 350-400MW është shumë e domosdoshme të jetë pjesë e menaxhimit të sistemit tonë energjitik si domosdoshmëri e ruajtjes së ekuilibrave të prodhimit hidro-termoenergjitik për të siguruar energjinë e nevojshme pa ndërprerje. Në këtë rast gjejmë rastin që t’u drejtohemi për më shumë solidaritet Shoqatës Qytetare për Mbrojtjen e Gjiut të Vlorës. Edhe sistemi hidroenergjitik ka pasur kosto sociale, zona të përmbytura ende të padëmshpërblyera, banorë të larguar, deri tek përmbytjet jo të rralla të zonës së Nënshkodrës. Por në përgjithësi ia ka vlejtur. Vendi ynë ka nevojë për energji. Shoqatat ambjentaliste nuk duhet të paragjykojnë sidomos teknologjinë. Protestat e tyre duhet të jenë shumë të fuqishme aty ku ekziston dhe ndotja. Edhe nëse zona e “21 Dhjetorit” është nga zonat më të ndotura e të dëmshme për njeriun në Europë, z.Ardian Klosi duhet të kishte ngritur çadrën mes Bashkisë e Ministrisë së Mjedisit për të protestuar ditë-natë për atë që po përjetojnë banorët e Kryeqytetit para se të paragjykojë teknologjitë moderne perëndimore. Një hap shumë i rëndësishëm i reformës dëgjuam nga goja e Kryeministrit është dhe politika e çmimeve të energjisë. Dalja në treg e këtij malli duke çliruar nga ngarkesa e padrejtë biznesin por dhe duke çuar drejt përgjegjshmërisë konsumatorin familjar e duke kompensuar 100% shtresat në nevojë, përbën lëvizjen e perspektivës të tregut energjitik. Edhe shqiptarët duhet ta konsumojnë e paguajnë energjinë në kufijtë e zbatimit të ligjit. Vendosja e matësve elektrikë është hapi urgjent i radhës. Kjo do t’i shërbente më së miri kompanisë për të llogaritur njëherë e mirë si sasinë e nevojshme të energjisë që i duhet vendit në periudha të ndryshme të vitit, ashtu dhe një llogaritje të saktë të humbjeve teknike e joteknike për të ndërhyrë me profesionalizëm në përmirësimin e teknologjisë.

Së fundi, si pjesë të reformës do të quaja shpalljen me ligj të energjisë elektrike “mall strategjik”. Kjo do të bënte më të përgjegjshëm qytetarët shqiptarë për ta administruar dhe paguar këtë. Energjia është vërtet mall strategjik pasi ka fuqi të madhe mbi zhvillimin ekonomik, mbi punësimin apo kushtet e popullatës. Si specialistë e punonjës të energjitikës, me gëzim vërejmë se Qeveria me shumë seriozitet po bën hapat e duhur me reformat në energjitikë. Urojmë që ata të realizohen sa më shpejt për të qenë konkrete pasi koha na ka lënë pas e duhet nxituar për ta arritur.

ALEKSANDËR KAÇI

 

Mëshira e Zotit na ka ruejtë pa dalë faret

Të them të drejtën mora pak shtysë nga vepra monumentale e Padër Zef Pllumbit e skalitur me titullin “Rrno për me jetue”. Isha 11 vjeç, pra një moshë relativisht e ritur, për periudhën që do shkruaj.  Gjatë asaj kohe dikush-dikush jetonte fëmijërinë e tij pak a shumë normale për atë kohë, por shokët e tyre të së njejtës moshë ishin të detyruar të flaknin fëmijërinë, duke u burrëruar para kohe për të përballuar e sfiduar realitetin e hidhur…

Këtë “grimcë” histori personale, mbasi ia kam treguar fëmijëve të mij që

tashmë janë rritur, po mundohem shkurtimisht t’ia tregoj edhe fëmijëve e

brezave që do të vijnë, se çfarë tragjedie ishte ajo periudhë.

Shteti i asaj kohe, dmth “e famshmia Partia Punës” dhe xhelatët që i shërbenin vepruan kundër fëmijërisë time, por edhe në të njejtën kohë ato harruan se po pregatisnin një njeri që do kërkonte me ngulm për të përvehtësuar ato gjëra të shenjta që i urrente ai regjin dhe ishin kundër tyre, që mua ishin e janë bazat e mrekullueshme e një mentatliteti të shëndoshtë e të shenjta.

Përjashtohen këtu gjërat antinjerëzore, antiligjore, përjashto rastet kur sulmi është i gjithanshëm e me tendencë atëherë detyrimisht në kjoftëse je normal dhe i thua vehtes njeri, je i detyruar të reagosh me aq forcë sa ke, se përndryshe heshtja për mentalitetin tonë minimalisht është mëkat.

Me vetvehte e kisha lënë që të mos shkruaj ato çka kam kaluar unë gjatë fëmijërisë sime, vetëm e vetëm me qëllimin e mirë e të arësyeshëm. Por, mbi të gjitha detyrës sime si prind jam përpjekur ne të gjitha mënyrat të influencoj te fëmiojët e mij duke i treguar vetëm për gjana të shenjta e kardinale, duke anashkaluar apo duke i treguar fëmijërinë time e të brezit tim përciptas. Por, a të lejojnë ato që deshën me na qitë faret, e desht i madhi Zot nuk mujtën e nuk kanë për t’ia arritur asnjëherë.

“Miserikardial Domini  quia non sumus consumpti”-“Mëshira e Zotit na ka ruejtë pa dalë faret”.

Baba Leonard (Dritë Pastë) mbasi kishte kryer dënimin e parë, arrestohet përsëri me datë 09/03/1968 por, në vend që të shkojë në burg ai dërgohet në

birucë e torturohet i lidhur këmbë e duar për 21 muaj rresht. Siç premtova për t’i rënë përciptas, po ndalem vetëm tek fundi i ngjarjes, siç e thashë, mbasi trupi i babaës ishte masakruar e ai i rezistoi burrërisht siç i takonte një pinjolli të families Pemaj. Për këtë ekzistojnë dokumentet.

Sëmundja e bëri punën e vet e ai u lirua për shkak të sëmundjes së tmerrshme të fituar gjatë torturave kancer në mushkëri.

Në maj të vitit 1972, baba Nard ndërroi jetë në një moshë të re 43 vjeç.

Unë isha duke mbushur 11 vjeç e atë paradite daja Zef Temali siç e donte zakoni më dërgoi të përshëndetem për të fundit herë më babën tim. Sa po u afrova tek trupi i üpa jetë i babës daja Zef m’u drejtua duke më urdhëruar që unë të mos e lëshoja vehten, por të qëndroja i fortë e të të demostroja krenari para gjithkuj por sidomos para regjimit, por mbi të gjitha në ato momente t’i lutesha Zotit që shpirti i babaës të prehej në paqë e në të njejtën kohë ai të lutej për ne.

Siç e donte zakoni unë e putha babën s’parit në duar, në ballë por edhe në kraharor, se pikërisht aty gjatë torturave përbindshat i kishin bërë një kryq duke i fikur në mish rreth 100 cingare me vijë të drejtë 50×50 cingare. Kjo pra ishte e gjitha e siç shihet nuk jam as i pari e as i fundit që tregoj kalvarin e tmershëm që përjetuan një pjesë e popullit tonë gjatë diktaturës hoxhiste. E veçanta e kësaj ngjarje ishte se fill mbas ndalimit që iu bë fesë, komunistët shqiptarë (jo të gjithë por një pjesë e mirë e tyre) nga tërbimi apo kush dreqi e di, por për mua ato kishin nji frymë të fituar nga ambjenti ku ishin rritur, se dihet njeriuduke mos përjashtuar edhe veten piksëpari është pasqyrë e asaj që ka fituar në ambjentin ku është rritur, pra fatkeqsisht për një shumicë shqiptarësh trashigohet ngjarja e Kainit dhe Abelit, shto këtu atë thënien e famshme, por fatkeqisht aktuale edhe sot “të gjithë kundër të gjithëve”.

Duke e mbyllur unë gjithsesi pata fatin që gjatë atij momenti të mos ligështohem por përkundrazi t’ia di Zotit për nder që m’u dha rasti t’a përjetoj atë moment duke e puthur kryqin në kraharorin e babës, e të betohem në heshtje se nuk do të thyhem, por do t’i qëndroj besnik duke ia trashëguar sëpari fëmijët e mij atë çka ai donte e ëndërronte.

Nuk mund të rri pa e treguar edhe diçka të vogël por shumë domethënëse për mua në ato momente, kur e pyeta nanadajen, dritë pastë, duke i thënë, si ka

mundësi që ne pa i bërë keq askujt por thjeshtë duke parë punën tonë e duke qenë edhe besimtar të ndëshkohemi kështu nga fati ndoshta? Ajo m’u përgjigj shkurt: “Zoti, mor shpirti i nanës, i vën në provë ato që besojnë në të e për të tjerët, nuk di gja të pastë nana”. Për mua n’ato momente e n’atë moshë, ajo përgjigje mu ngulit fort në tru e me plot gojën them se ia vlejti.

Nikolin Pemaj, avokat

 

Mos spekulloni me emrin e Aleksit nga Miredita

Duke qene anetare i shume listave ne internet dhe duke pase dhe  revisten elektronike “albdreams” qe e administroj une e di prej kohesh “Ceshtjen Aleksi”dhe me kete raste dua te shpreh disa mendime nepermjet ketij shkrimi.

Para se Aleksi te udhetonte per ne  Athine  ,mirditoret me banim ne shtetin e Michiganit kane kontribuar simbas mundesive te veta duke krijuar nje fond nominal per ate udhetim.

E them keshtu se edhe shume mirditore ne kete shtet nuk jane,por edhe ata qe jetojne e punojne jane banore te rinj dhe mundesite financiare nuk i kane aq te medhaja sa te tjeret e ardhun me perpara ( ta zeme malsoret e Malesise Madhe nen Malin e Zi). Jam plotesisht ne dieni ngaqe organizatori i atij fondi nominal, Gjovalin Kacorri eshte bashkepuntor i revistes elektronike “albdreams” dhe ka publikuar ecurine e asaj nisme ne kete reviste. Duhet thene se te gjithe mireditoret pa asnje hezitim kane kontribuar,biles asaj nisme i jane bashkengjtur edhe te tjere shoke dhe te njohur te mirditorve ( ndoshta jo shume por  te tille ka pase).

Duke u kerkuar te falur prinderve te Aleksit dhe atij vete qe po i lakojme kaq shume emrin nuk duhen lene dhe anashkaluar disa dukuri negative qe rodhen mbas asaj qe tashme po dime dhe marrim vesh cdo dite e meshume nepermjet te gjitha listave elektronike sidomos te atyre me autoresi e pronesi  ne SHBA.               Keshtu ne kohen qe njerzit po mbidhnin te holla per udhtimin e Aleksit per ne Greqi,njeri  nga ata qe ka emer ne komunitetin shqiptar te Michiganit nepermjet disa e-mail ne internet eshte perpjekur per te percmuar kontributin e mirditasve ,te cilve edhe emrin nuk dinte tua shkruante ose me dashje i keqshkruante trajtat foljore te atij emri.

Nepermjet ketij shkrimi desha ti beja nje pyetje Atij,”njeshit” sic e kujton veten:

– Sa pare ke dhene nga xhepi Yt tash sa kohe qe jeton ne Michigan. Paret e te tjerve qe mbledh nuk eshte djersa juaj,ato qe nxjerre nga portofoli juaj jane tuajat. Ne se paku asnjehere nuk ju kemi pa ne asnje raste qe ke hape zemren e ke fale nga xhepi.

Eshte lehte te percmosh te tjeret por eshte veshtire te fitosh dollaret hypun ne shkalle  duke lyer shtepiat e amerikanve dhe duke lare pijata neper restorantet e Detroitit  me ore te tejzjatura e me pagesa qesharaka aq sa u hollohet lekura e duarve si leter duhani. Ne e cmojme kontibutin e ketij “njeshi” ne komunitet por ama nuk mund te pranojme deri ne poshtnim fyrjet e tij me dashje apo pa dashje. N.q.s  ka nevoje ne kemi te ruajtura e-mail e tij dhe mund te replikojme kur te doje me ne. Ne shqiptaret jemi te tejlodhur nga shtypja qe na ka bere “njeshi” aq sa nganjehere edhe kur ky “njesh” na thote “Shendet” na duket se thote “Plac”.    Nuk eshte koha tashme per temenara dhe karshilleqe;Aleksi eshte ne Amerike duhet levizur se jeta e tij don dollare dhe jo fjale dhe premtime boshe.

Nje tjeter amerikanoshqiptar ketu ne Detroit, nepermjet nje shkrimi te shkurter por teper te zjarrte,ben thirrje per te ndihmuar djalin mirditore. Mire ka bere qe ka dashur te sensibilizoje njerzit per te kontribuar por ama eshte ngutur kur ka derdhur aq shume vrere per Qeverine dhe Ministrine e Shendetsise Shqiptare. Nuk ka asnje shqiptare qe ja ka deshiruar nje shendet te tille Aleksit dhe flas me bindje se as Ministri Cikuli nuk ja deshiron nje fund tragjik voglushit. Por ama artikullshkruesi duhet ta kujtoj nje thenje te popullit tone se: “shpirti nuk ben pare”,Cikuli aq ka pase mundesi dhe aq ka bere.

Shkruesi i artikullit e dine fare mire se pronarit  Amerikan te punes se nje shoku te tij (D.B.)ketu ne Michigan i ka vdekur vajza e vetme ngaqe priste te gjente nje veshke per ta zevendesuar dhe nuk i premtoj koha e ajo vdiq megjithese i ati kishte miljona dhe i kishte vene ne dispozicion te vajzes se vetme,por edhe pse i pati paret e shkreta “shpirtin”vajzes se vetme nuk ja shpetoj. Bile duke qene amerikane dhe e pasur, pa qene nevoja me dale me lype ndihma financiare, vdiq si kane vdekur me qindra e mijera me pare e do te vdesin pasketaj te tjere e te tjera ne te gjitha moshat.

Me duket se shkruesi eshte ngutur duke kerkuar ate shume me nje fjale goje,mbasi ja dime forcen monetare njeri tjetrit e keshtu edhe artikullshkruesi te paktat i ka mundesite per te perbadhuar ate shume me nje te rene te lapsit.

Vetem nje pyetje  do ti deshiroja Atij tja beja :

– Cfare duhen 50,000.00 dollare. Pse nuk merr masa qeveria e Michiganit? Cila Ministri mund te jete me e pasur e Detroitit apo e Tiranes ? Harroje se kapitalizmi nuk mund te ndertohet me ligje e metoda te sistemit socialisti dashur artikullshkrues. Cdo gje eshte privat.

Pate pare mund te jetosh,nuk pate edhe mund te vdesish fare lehte edhe ketu ne Amerike. Te gjithe shqiptaret qe jetojne e punojne ketu e dine fare mire se cfare do te thote te marresh sherbim mjeksore ketu ne SHBA kur nuk ke paguar me pare siguracionin shendetesore. A mund te vizitohesh fale ? A mund te mjekohesh fale ? A mund te operohesh fale ?

Te gjithe e dine se sa shtrenjet eshte sherbimi mjeksor ne Amerike aq  sa ne biseda familjare degjone shpesh dhe rendomte : “Me na ruajt zoti shendetin se te gjitha do ti perballojme”.Kjo e tregon fare qarte se sa kushton nje sherbim i tille,ketu ne zemer te Amerikes,pa le cfare mund te pritet nga Ministria e Shendetesise Shqiptare qe nuk i del fondi per te paguar pagat e punonjesve te vet e jo per nje sherbim te tille teper special.

Ndersa zonja e nderuar e cila mori hapin e guximshem per ta sjellur Aleksin ketu ne Amerike duhet pergezuar dhe perkrahur.

Por e besoj se kur ajo ka ndermarre ate nisem aq teper humane i ka pase “shpatullat e nxehta” sic thote populli,pra xhepin plot, mbasi edhe ne e njohim ate si nje sponsore te rendesishme te spektakelve muzikore, te shume kengetarve vitin qe shkoj ketu ne Michigan. Por ama edhe ndihma e komunitetit per Aleksin ma merr mendja se nuk do te mungoje,por ama barra kryesore e shpenzimeve eshte e zonjes se nderuar dhe per kete ajo duhet respektuar,mbasi ky rast sponsorizimi eshte me me shume vend dhe vlen me shume se te gjitha sponsorizimet bashke qe ka bere me pare. Shkrova shume dhe titullin qe i kam vene ketij shkrimi ala se kam justifikuar se pse ashtu dhe jo ndryshe. Pa ja, e thashe ashtu, se na duket se shume nga ata qe e mbajne veten “koça” dhe “njesha” jane turrur me vrap ne media dhe masmedia per te dhene intervista dhe mendime se si e qyshe duhen mbledhur dollaret,kush me shume e kush me pak jep mendime se sa koncerte duhen bere e sa i duhen vene cmimet biletave.Te tjeret thone se “si filanit” po i bien ne “shteg” gjithmone me fitue me keto lloj marifetlleqesh etj etj.

Flisni cfare te doni,beni dhe sa te mundeni por djalit mos ja lendoni shume plagen. E mbydhi shkrimin duke premtuar se aq sa kam dhene kontribut heren e pare kur me ka bere thirrje Gjovalin Kaçorri do te jap edhe kete here edhe pse nuk jam nga Miredita.Por i jap pa shkuar ne mitingje dhe darka e koncerte por ne nje llogari bankare qe fare mire mund te hapet ketu ne Michigan ne emer te Doctorit  qe do ta kuroj Aleksin, pa pase ndermjetesine e disa duarve ne ato ndihma.Praktika te tilla ekzistojne ketu ne Amerike me qindra dhe mijra.Mos te perdoren fare “dollare cash” por  BILL/CEK  ne llogarine e doktorit qe do te drejtoj kuren e djalit shqiptar.

Rush DRAGU

 

Udhëtim Eurologjik në Ilirinë antike dhe Albaninë mesjetare

Europa antike gjeografike, qyteti Europi/Europe dhe bazileusi mitologjik Europi në gadishullin tonë

Në shek XV  “Koalicioni i Republikës së Krishterë” ose “Kryqëzata Çliruese Antiturke, dhe Antiislamizata e Piu II”, e quajti gadishullin tonë si “trashigimia legjitime e tij”, ndërsa ia ktheu shpinën dhe e la në baltë, siç ankohej M. Barleti.  Sot “Komuniteti Europian”, mbi një bazament pluralist dhe jo “klub kristian” e quan përsëri këtë gadishull, si “pjesë e tij”. Europa e madhe moderne ka “harruar” se rrënjët dhe emrin i ka nga gadishulli ynë!

Në se realisht mund të kishin kaluar mbeturina popullsish nga teritoret trojane dhe të aleatëve të tyre, kjo i mbetet kohës. Në Butrint, thuhej se Andromaka i kishte ndërtuar Hektorit një tumë ku i bënte flijime të përvitshme dhe i blatonte dhurata. (Virgili Maronis, “Aeneidos”, Libri III)

Dionizi i Halikarnasit, shkruante se në Butrint “trojanët kishin lënë disa enë bakri me mbishkrime shumë të vjetra”, nga të cilat kishte ende në kohën e tij, shkruan se Enea, përveç Butrintit, ku kishte edhe një kodër të quajtur Troja, shkoi edhe në Dodonë te orakulli dhe vizitoi edhe Molosinë, pastaj u nis në Itali, ku krahas qytezës Alba, “ndërtoi Romën, të cilën e quajti kështu sipas emrit të njerës prej iliadave”. (“Antiquittatum Romanarum”, II, 51, 72)

Por, le t’a ndjekim pak “fillin e Arianës trojane dhe kadmiane” edhe në rrugën tokësore. Herodoti, shkruante për një rethanë shumë interesante të njohjes reciproke të persianëve në kohën e Darit, me iliro-thrakasit europianë. Ai nënvizonte: “Ata që u pushtuan në Europë prej persve, në kohën e Darit sundoheshin nga Megabazi …Paionët që banonin rreth Strymonit…Dari urdhëroi Megabazin që t’i shpërngulë paionet e Europës në Azi…Dy vëllezërit dhe motra e tyre i thanë Darit se Paionia me qytetet e saj gjendej në brigjet e lumit Strymon dhe se ky lum nuk ishte shumë larg Helespontit. Ata paionët ishin me prejardhje teukrase dhe koloni e trojanëve…Kështu një pjesë e paionëve, dmth siriopaionët, paioplajt dhe ata që zinin atë pjesë të vendit që arrin deri te liqeni i Prasias…u dërguan në Azi…Paionët e rretheve të malit Pangajon dhe doberët, agrianët, odomantët dhe paionët e liqenit të Prasias, Megabazi nuk i nënështroi dot…rruga nga liqeni Prasia deri në Maqedoni është shumë e shkurtë, së pari pranë liqenit gjendet miniera, nga e cila në kohë më të vonë Aleksandri nxirrte nga një talent argjend në ditë; pas minierës vjen mali i quajtur Dysoron; pasi kalohet ky mal arrihet në Maqedoni.” …

“Laodami, mbreti i Tebës…i ka kushtuar këtë trekëmbësh Apollonit…kadmejt, të dëbuar nga argasit, u strehuan tek enhelejt…” (Herodoti, “Historiae”, V 1, 12, 13, 14, 15, 17 dhe 61; f 17,18,19 të përkth. shqip. Cit)

Mendja na afrohet për ndonjë lokalizim-identifikim edhe në teritoret e tokave tona të sotme. Por, nuk ka asnjë dyshim se me Europë, Herodoti qysh në shek V-IV p.e.r. ka pasur parasysh gadishullin tonë. Në këtë citim mund të vini re, në kujtesën e transmetuar me mënyrën mitologjike, prezencën e hershme të ish kolonive e emporioneve teukrase/trojane si dhe interferencat fenikase e egjiptiane. Këto reflektohen edhe te Skymni, (shek III-II p.e.r.) kështu:

“Pastaj vjen Iliria, një tokë e gjatë…

Anës detit është Epidamni qytet…

Më sipër nga brygët banojnë të quajturit enhelej, në krye të cilëve dikur pat qenë Kadmi…

Ky autor e kishte titulluar veprën e tij “Perigesis” – “Përshkrimi i Botës”, ndërsa kapitullin konkret “Europa”.

Polibi (200120 p.e.r), që ishte puro grek me origjinë, shprehet mjaft qartë se Iliria adriatike ishte dhe konsiderohej një pjesë e Europës, pra gadishulli Europa, ndërsa konstatojmë se vetë romakët ende nuk konsideroheshin të tillë, kur shkruante: “Ata që duan me të vërtetë të kuptojnë qartë se si u rrit dhe si u ndërtua sundimi romak – gjë që është objekt i studimit tonë – duhet sigurisht t’i shqyrtojnë këto ngjarje jo kalimthi, po me vëmendje të veçantë…Në këtë kohë  vitit 229 p.e.r., romakët vendosën të kalonin, për herë të parë me forca ushtarake, në Iliri dhe në këtë pjesë të Europës… Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë…Natën 100 anije me 5000 ilirë lundruan në drejtim të Medionës…”. (“Historiae”, Lib. I 13; Lib.II 2; Agron është një antroponim që e gjejmë edhe te fenikasit)

Livi, përsëri na konfirmon se gadishulli ynë ishte Europa, kur shkruante: “Tani dy mbretër të fuqishëm do të luftojnë me forcat e Europës dhe Azisë…kundër romakëve…” ( “Ab Urbe Condita”, XXXVI 7, 10)

Dhe vijmë te informatat mjaft interesante të Diodorit të Siqelisë: “Në këtë vit ~324 p.e.r., erdhën në Babyloni të deleguar pothuajse nga e gjith bota; një palë përgëzonin mbretin Aleksandrin e Madh për fitoret e tij, të tjerë i ofronin kurora, shumë ndër ta i sillnin dhurata të çmuara, disa lidhnin me të marëveshje miqësie e aleanca; më në fund disa erdhën për t’u ç’fajsuar për akuzat që u kishin bërë. Të gjithë popujt, qytetet e sundimtarët e Azisë i paraqitën atij homazhe. Erdhën shumë dinastë nga Europa dhe Libia, Kartaga, Libifinika si dhe të krejt popujve që banonin bregdetin deri te shtyllat e Herakliut. Përsa i përket përfaqësuesve të Europës këtu dalloheshin ata të qyteteve helene, të Maqedonisë, të Ilirisë dhe të një pjese të madhe të bregdetit të Adriatikut; më në fund ata të popujve të Thrakisë të galatëve, fqinjëve të tyre…” “Filipi II, qe një nga mbretërit më të fortë të Europës”. (“Bibliotheca Historica”, XVII 113, 2; XIX 51, 5)

Qartë pra, kjo ishte Europa e shek IV p.e.r. dhe ky ishte “uniteti europian” i realizuar nga marëveshjet e Aleksandrit të Madh dhe nga faktorë të tjerë të cilët i kemi analizuar gjerë e gjatë në studimin tonë “Aleksandri i Madh “Biri i Zeusit” me përkrenare me “një bri cjapi të mrekullueshën” në Shkodër! (Gaz. SH.E. 18 Janar 2006, serial)

Te ky autor ne mësojmë edhe një kuriozitet: më përpara se shprehja “Fitore si e Pirros”, na kishte pasur edhe një shprehje tjetër si: “Fitore Kadmike”. “Fitoi” Kadmi ndaj Zeusit?!

Ja edhe një pjesë nga përshkrimet e Strabonit: “Pjesa tjetër e Europës është ajo, që ndodhet midis Istrit e detit përreth duke u nisur nga gjiri i Adriatikut gjer në grykën e shenjtë të Istrit; brenda në këtë pjesë ndodhet Hellada, fiset e maqedonëve dhe epirotëve dhe ata që janë në veri të këtyre dhe shtrihen deri në Ister/Danub d.m.th. Adriatikut dhe Pontit/Deti i Zi; nga ana e Adriatikut janë fiset ilire kurse nga ana e Pontit gjer në Propont dhe Helespont janë fiset thrake, megjithse me këto thrakët janë përzierë edhe disa fise skythe e kelte…Hemi është më i madhi e më i larti nga të gjithë malet e kësaj pjese të Europës Buzë detit Adriatik është pothuajse e gjith Ardia/Adria, kurse në mes ndodhet Paionia…nga na tjetër viset ilire dmth vendi i autariatëve dhe ai i dardanëve …Dardania kufizohet me fiset maqedone dhe paione nga ana e jugut…dardanët nuk e lënë muzikën mënjënë, po përkundrazi përdorin gjithmonë fyej e vegla me kordha…

Kadmenë e themeluan finikasit që erdhën këtu me Kadmin…tek Enhelejt pushtetin e kishin pasardhësit e Kadmit dhe Harmonisë, dhe legjendat që fliteshin rreth tyre tragohen aty. …Afër lumit Jon ndodhet qyteti Oksineja…gjithashtu aty pranë ndodhet Europi dhe vendi ku Joni bashkohet me Penein etj” (“Geographica”, VII )

Përveç emërtimit tokësor si Europë, te Plini shohim se edhe deti Jon dhe deti Adriatik, që shpesh dyzohen, “mbasi janë e njejta gjë”, siç e justifikonte Skylaksi, konsiderohet jo vetëm si “gji i Ilirisë ose gji i Italisë” por edhe si “gjiri i Europës”: “Në bregdet gjendet qyteti Orik, themeluar nga kolkasit. Prej këtej fillon Epiri, malet Akrokeraune, tek të cilët ne kemi vendosur mbarimin e këtij gjiri të Europës” (“Natyralis Historiae”, III 23)

Flavii Arriani, që ishte një nga historishkruesit e Aleksandrit të Madh, ka një lloj fjalimi nga ata të quajturit si tuqididiane, ku Aleksandri deklaronte: “… barbarët thrakë, paionë, ilirë dhe agrianë që janë më të fortët dhe më trimat midis barbarëve të tjerë të Europës, do të luftojnë me popuj më të dobët dhe më delikatë të Azisë”.

Pausania shkruante: “I pari nga Europa që përdori elefantë ka qenë Aleksandri, mbasi mundi Porin dhe ushtrinë indiane”. (“Descriptio Graeciae”, I, 12, 3)

Appiani shkruante: “Romakët, jo vetëm ilirët, po edhe panonët që janë afër tyre edhe retët edhe norikët edhe myzët, që janë në Europë edhe tërë ato fise që janë kufitarë me këta dhe që banojnë nga e djathta e atij që lundron nëpër Istër nga lart poshtë, i dallojnë nga helenët, sikundër bëjnë edhe helenët vetë dhe i quajnë secilin me emra të veçantë, po viset e gjithë këtyre i quajnë me emrin e përbashkët Iliri. (“Historia Romana”, Illyrike, 6)

Të vihet re se kufiri verior i ndarjes gjeografike të Europës është Istri/Danubi dhe se emërtimi i përbashkët i proçesit të etnosit, përgjatë Adriatikut perendimor, zhvillohet nën emërtimin teritorial Iliri, në formacion të tij kemi edhe emërtimin e popullit si ilirë, përveç emërtimeve më të vogla krahinore e fisnore.

Te Atheneu, shek II, shohim se ka një traditë të hershme të autorëve helenë, për të emërtuar librat e tyre si “Europa”, sipas referencave që ai përdor: “Agatharhidi nga Knidi, në librin 38 të veprës “Europaikon” thotë se dardanët kanë kaq shumë skllevër, sa dikush kishte kishte njëmijë…”;

“Në përshkriin e Europës, Hekateu thotë se paionët pinin një pije “bryton” prej elbi dhe parabije prej meli e konuzi…” (“Deipnosophistae”, VI 272d, 103; X 447cd)

Me sa shihet dardanët si dhe adrianët, zhvillonin një tregëti të madhe me skllevër, deri në hapësirat e Fenikisë e Egjyptit.

Te Justini i shek II, i cili në fakt ka bërë një përmbledhje të veprës së Pompe Trogut të shek I p.e.r., krahas emrit Europë, informohemi edhe për një bazileus me emrin Europi: “…miqtë e mbretit Filip II, pas vdekjes së tiji kapi frika e madhe. Ata paraftyronin herë Azinë e thirrur në luftë, herë Europën akoma të panënshtruar, ilirët, thrakët, dardanët dhe fiset e tjera barbare”…”Në Paioni, që tani është një pjesë e Maqedonisë, thonë se ka sunduar Telegoni, i ati i Asteropeut, emri i të cilit ka arritur deri tek ne midis emrave të mbrojtësve më të lavdishëm të qytetit Trojë në kohën e luftës trojane. Në anën tjetër, në Europë ishte mbret Europi. Por pa pritur erdhën në Emathi/Maqedoni shumë grekë…” (“Epitoma Historiarum Philippicarum”, VII 1,5; XI 1, 6)

Siç duhet ta keni vënë re deri tani, mund të mendohet se Europa mitologjike, nuk mbeti e ngujuar përjetësisht në Kretë, megjith “qeniet e makineritë e sofistikuara që i kishte vënë Zeusi për t’a ruajtur. Përse Kadmi po e kërkonte atë nëpër gadishullin e Europës? Sepse ashtu ia tha paratha orakulli, se duhej të shkonte në gadishullin e Helladës apo të Ilirisë! Pra, jo thjeshtë sepse gaboi rrugë, në kërkim të së motrës, por sa duket varjantet mitologjike e shtynë deri te ilirët enkelej në zonën e liqeneve Lyknid/Ohri dhe Prespa e madje edhe më lart, te një palë ilirë të tjerë  enkelej veriorë!

Deri tani, ne shohim se kemi përdorimet: në mitologji, si antroponime (emra njerëzor) në gjininë femërore dhe atë mashkullore, kemi përdorime si emërtime hidronime dhe toponime e deri te makrotoponimi gadishullor. Siç ngjet random në mitologji antroponimet janë edhe si toponime, hidronime etj. Sot për sot ne nuk kemi të dhëna të sakta se çfarë do të thotë ky emërtim si etimologji dhe nëse ishte me zanafillë fenikase semitike apo protoevropiane.

Kush mund të ishte ky ‘’Europ bazileus’’, një pasardhës në lidhje direkte me Evropën, apo një nga vazhduesit mitologjikë në vijën e Kadmit, për nderimin e së motrës? Dimë se për nderim të Europës ishte edhe lumi Evro/Evropa, që më vonë u kthye si lumi Marica. Kështu edhe në Iliri, pas romanizimit, filloi dalëngadalë kristianizmi të vendosej mbi shenjtorët paganë, diku duke kopjuar e herë duke improvizuar motive të ngjajshme me shënjtorë të rinj. Por ky proçes nuk u bë pa rezistencë, kështu aty nga shek V, akoma e shohim “Hyjneshën e Ilirisë me bukën e mikpritjes”, që ruan traditën antike për të mbajtur objekte në kokë, por të shartuar edhe me modën romake me një rrethore në kokë, të cilën do t’a trashigonin edhe shënjtorët kristianë. (Krhs. Paraqitjen e “Hyjneshës së Ilirisë” me paraqitjen e Cererës romake etj)

Megjithkëto, nuse zoja-ve gjijse, ora-ve, zana-ve, driada-ve, nimfa-ve tip Mirinë trojane, apo Rojzafate skodrinoni, nga të flijuarat e murosura për hyjtë politeistë, me një gji jashtë për fëmijën, apo atyre si tipi i “Damës antike albane” me kyliks e ojnohe, po i rrëshqiste terreni. Flijimet njerëzore tashmë ishin jashtë moralit. Disa prej këtyre zonjave, të cilat ruanin ende fuqi të konsiderueshme në popull, për t’i konkurruar sa më fort, kristianizmi do t’i afronte direkt shënjtoren Sh’Mria, nënën e shpëtimtarit Zotit të Ri, Jezu Krisht. Kështu ndodhi edhe në “kryeqytetin e Ilirisë Skodra”, e cila “duket se ndodhej pikërisht në mesin e gjatësisë së detit Jon/Adriatik”. Ish tempullin antik të “Apoloni Scodrensi”, deri vonë në mesjetë do ta kemi si “kishën e shën Apollonales”, gjithashtu një kishë të “Shën Barbarës”, ndërsa gurët ciklopikë të një ish tempulli të Poseidonit “ me cfurk dhe delfin” do t’i gjejmë të hedhur në Drîî. Përtacia mjerane shtetërore, e ndikuar edhe nga ikonostatujoklastia, as ka marrë mundimin t’i kontrollojë e t’i nxjerrë që andej! Vaj-medet se aktualisht edhe janë betonuar për klube!

Po kush e kishte matur me aq preçizion se e zgjedhura Shkodra/Shën Kodra Drini e lidhur me rrugë lumore me detin e liqenin, vërtetë ndodhej në mes të gjatësisë së gjiut Jon/Adriatik apo në mes të gjiut të Europës! Ka disa autorë antikë që flasin për matjet, po këtë e kemi trajtuar diku tjetër. Kur Jul Qezari dhe Antoni e ndanë Perandorinë, në vitin 42 p.e.r. Skodra u bë përsëri një pikë ndarëse e Ilirisë midis lindjes dhe perendimit. (“Notitia Dignitalum”, III, paraqitjet grafike dhe “Zoja e Ilirisë”, f 377 në “Ilirët dhe Iliria në autorët antikë, 1965; Statuetë bronzi e gjetur në zonën e Shkodrës e shek IV-V p.e.r. e quajtur si “Dama antike albane”, që gjendet në Luvër; Flori, II,13; Appiani, “Bella Civilia”, 5, 65; dr.M. Zeqo, “Hyjnesha e ilirëve”, gaz.”Koha Jonë” 26 Prill 2006)

Por ka edhe diçka tjetër se pse ne po ndalemi edhe pak si më gjatë në këtë stacion të eurologjisë, ilirologjisë dhe albanologjisë. M. Barleti, në “kërkim të zanafillës së fisit të epirotëve apo albanëve, gjë për të cilën u qan zemra shumë vetëve”, duke cituar papën Piu II dhe disa nga autorë pas tij, që mbështeteshin te Trog Pompeu, shkruan për një lidhje origjine midis albanëve të Italisë, albanëve “epirotëve të cilët janë quajtur edhe albanë” dhe “albanëve të cilët kanë banuar në një pjesë të Kolhidës”. Te Trogu na rezultonte se “origjina e albanëve ishte italike, sepse albanët e ndoqën Herakliun, i cili kishte shpënë në Itali lopët e Gerionit, e ndoqën pas kur u largua së andejmi, pasi mbajti pak për t’i kullosur në malin Alban, i magjepsur nga kullota e pasur.” (M.Barleti, “Historia e Skënderbeut”, shqip. bot i parë dhe bot. 1967, f 95-96)

Këtu duhet menduar se kemi një lidhje të koinçiduar të emrave të njohur qysh më përpara si toponime e si konstatime gjeografike, mbi të cilët vendoset pastaj edhe një modë mitologjike. (Kemi psh një rast të ngjajshëm me Aleksandrin Mollos, me atë divnesën orakulltare me “rrymat e lumit Akeront dhe qytetin Pandosia”, ku ky hidronim e ky toponim përveçse në Epir, na ishin edhe në jug të Italisë dhe këtë “sekret” padyshim se priftërinjtë orakulltarë e dinin.) Pra kemi: qyteti Alba e albanët në Lacium dhe mali Alban; fisi albanoi e qyteti Albanopolis dhe mali Alban në Iliri; albanët e Kaukazit dhe “Portat albane” (jo ekzaktësisht në Kolhidë-Krime, por në breg të Kaspikut). Dihet se kjo rrugë dhe konstatimi i albanëve kaukazikë ishin të njohur qysh nga koha e Aleksandrit të Madh. Ne do të shohim se kjo “vijë albane me Herakli/Herkul”, e gadishullit tonë, do të zgjerohet më vonë si një mesore e “orbis terrarum romanorum”, do të kaloje edhe në Francë për të përfunduar deri te Albania e Skocisë, ku në një faqe kodre është gjetur i zmadhuar me teknikën e punimit me gurë, një Herakli me topuz, sipas imitimit të një monedhe antike. (vijon)

 

Opozita anti-Berishë dhe politika e trakteve

Kryesocialisti Edi Rama ka rikthyer metodat bolshevike të zgjimit të ndërgjegjes qytetare dhe pjesëmarrjen e tyre në mitingun anti-Berish që do të zhvillohet të mërkuren. Ideja e fletushkave apo e thënë në gjuhën e filozofisë së pushtetit komunist, e trakteve, beh në logjikën e bërjes opozitë të së majtës. Në një fletushkë të thjeshtë dhe pa shumë pretendime, partitë opozitare i bëjnë thirrje qytetarëve që ndihen të kërcënuar nga regjimi i Berishës të bashkohen në mitingun e tyre të protestës, ditën e mërkurë, 12 korrik ora 19. Kreu i PS së Tiranës, Besnik Bare, LSI-së, Ilir Dashi, PSD-së, Pajtim Bello, sekretari Organizativ i PAD-së, Gjet Ndoi dhe Edmond Stojku nga PDS ftuan të gjitha shtresat e prekura nga qeverisja e Berishës. “Nëpunësit e administratës shtetërore të larguar nga puna, të rinjtë dhe të rejat me perspektivë të cunguar, pensionistët që regjimi i Berishës po jua vështirëson jetën, veteranët e luftës që regjimi i Berishës po iu mohon të drejtat, biznesmenët që gjithmonë e më shumë po iu ngushtohen hapësirat, sindikalistët, punëtorët dhe të papunët në kushte gjithnjë e më të vështira jetese, mediat, të cilat po ndjejnë presionin e regjimit të Berishës”, thuhet në ftesën e partive opozitare të kryeqytetit, ftohen të bashkohen për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e cenuara të tyre. Duket se krerët lokalë të partive opozitare të kryeqytetit kanë marrë përsipër organizimin e këtij mitingu madhështor, që pritet të jetë starti i një beteje të gjatë që do të kalojë nga Parlamenti në shesh. Në një deklaratë të përbashkët, ku i drejtohen të gjithë qytetarëve, krerët opozitarë të kryeqytetit shprehin shqetësimin e rrezikimit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Jemi të shqetësuar për mungesën e vullnetit të PD-së për të zhvilluar zgjedhje demokratike e të lira. Ne vërejmë se rekomandimet e organizatave ndërkombëtare nuk po respektohen, listat e zgjedhësve të anatemuara nga opozita e mëparshme nuk janë korrigjuar”, shprehen opozitarët në deklaratën e tyre. Ata i bënë thirrje qeverisë aktuale të Sali Berishës të ndalet në rrugën antidemokratike të nisur.

Organizatorët e mitingut të protestës pranojnë se ky miting, i pari në këto përmasa pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes partive opozitare, përveç mesazheve që do të japë do të jetë dhe një çështje imazhi. Një gjë e tillë, sipas tyre, kërkon sa më shumë bazë materiale dhe propagandistike për të përmbushur këtë mision. Të shteruara nga fushata elektorale e 3 korrikut, partitë opozitare nuk premtojnë në një demonstrim të jashtëzakonshëm në këtë miting. Megjithatë PS dhe LSI duket se po punojnë shumë dhe në këtë pikë. Madje ato kanë hyrë në një garë se kush do të ketë më shumë flamuj, bluza e kapele me logot e partive të tyre.

Bashkimi i opozitës është një sinjal pozitiv për politikën e bashkëpunimit, e cila ka kaluar një ngjitje-zbritje të pafund deri në këtë cak që gjithsesi mbetet pak për t’u besuar në jetëgjatësinë e tij. Kjo për faktin se ky konkretizim, i cili do demonstrohet ditën e mërkurë, në manifestimin e protestës, është jo dhe aq një hap politik me synim ndërtimin e një bazamenti të shëndoshë, se sa një union i të gjithë forcave të majta për të shpëtuar Edi Ramën. Nuk mund të konsiderohet e rastësishme që kjo pikëmbërritje të vijë menjëherë pasi Policia Ndërtimore i dha fund ankthit të shembjes së mbikalimit të “Zogut të Zi”, duke e kthyer në një realitet që politika e majtë e prezanton si union anti_berishë, si një bashkim në emër të mbrojtjes së institucioneve.

ALBERT VATAJ

SOKOL PEPUSHAJ

 

Me piktorin e ri Klaudio Lukaj, fitues i medaljes së argjendtë në Belgjikë

Kohët e fundit, në Rrethin e Shkodrës, të rinjtë tanë kanë korrur disa suksese në fusha të ndryshme të artit. Dhe ndër sukseset më të fundit në Rrethin e Shkodrës është edhe ai që ka korrur Klaudio Lukaj, nxënës në vitin e tretë të Shkollës Artistike “Prenk Jakova”, dega Artet Figurative. Klaudio ka fituar medaljen e argjendtë në Belgjikë mes rreth 20 shteteve konkurente në fushën e pikturës. Po si e ka përjetuar vetë Klaudio një gjë të tillë? Për këtë ne i morëm një intervistë Klaudios.

Shqipëria Etnike: Klaudio, në radhë të parë urime për suksesin e arritur! E, për të arritur deri këtu është dashur shumë punë. Edhe ju si çdo artist tjetër keni pasur fillimet tuaja. Ç’mund të na thoni?

Klaudio Lukaj: Që i vogël kam qenë i tërhequr nga figura të ndryshme, por pa e ditur as vetë arsyen. Vetëm në klasën e tetë, mësuesi im i vizatimit zbuloi se unë kisha brumë në pikturë. Më pas, pasi mbarova 8-vjeçaren, mësues Palokë Rrotani më njohu me mësues Ferid Kolën, skulptor shkodran. Që atëherë unë fillova të punoj në studion e tij.

Shqipëria Etnike: A e mbani mend cili ka qenë punimi juaj i parë?

Klaudio Lukaj: Po, kanë qenë pesë figura gjeometrike. Ka qenë punim i thjeshtë: figura dritë-hije. Këta dhe të tjera punime në fillimet e mia i ka parë mësues Feridi dhe më pas më nxiti të vazhdoja më tej.

Shqipëria Etnike: Zakonisht, ku dhe kur punon Klaudio?

Klaudio Lukaj: Në shkollë kryesisht marr mësime dhe ide, të cilat më pas i punoj në shtëpi.

Shqipëria Etnike: Çfarë kontributi ju ka dhënë shkolla në përparimin e prirjes tuaj ndaj pikturës, duke qenë se ju studioni në një shkollë artistike.

Klaudio Lukaj: Shkolla artistike “Prenk Jakova” është një shkollë profesionale gjë që më ka ndihmuar shumë. Çdo ditë unë marr leksione mbi artin e pikturës, gjithmonë nën mbikqyrjen dhe përkujdesin e mësuesve të mi të nderuar. Shkolla është vendi ku unë çdo ditë përfitoj diçka të re.

Shqipëria Etnike:  Zakonisht, çfarë dëshiron më shumë Klaudio, të hedhë në telajo?

Klaudio Lukaj: Në përgjithësi më pëlqejnë portretet, sepse janë shumë domethënëse, gjithashtu pëlqej edhe peizazhet e ndryshme, natyrën e qetë etj. Tani, së fundmi, po marr disa mësime (shoqëruar edhe me praktikë) për profundizmin, sepse më vonë mendoj t’i hyj edhe më thellë këtij stili. Kam dëshirë të studioj edhe më tej.

Shqipëria Etnike: Klaudio, tek pikturat e tua ne ndeshemi me realen por gjithashtu edhe abstrakten. A mund të na thoni se ku ndryshojnë ato dhe se çfarë kanë të përbashkët?

Klaudio Lukaj: Mund të them se unë jam vetëm në fillimet e mia dhe më shumë kapem pas reales pasi kojë është edhe ABC-ja e pikturës, por megjithatë më pëlqen jashtë mase edhe abstraktja. Mendoj se abstraktja ka më shumë fantazi, ndryshe nga realja e cila të duket më e prekshme.

Shqipëria Etnike: Piktura që Klaudio ka më shumë për zemër?

Klaudio Lukaj: Për çdo piktor, të gjitha punimet e tij janë të dashura dhe të pëlqyeshme. Dua të bëj një krahasim, mbase të përdorur tashmë nga shumë të tjerë, por ashtu e ndjej unë dhe ashtu po e them. Për mua pikturat janë si fëmijët e mi. E, një baba nuk mundet kurrë të vërë gishtin mes fëmijëve të tij dhe të zgjedhë më të mirin, kështu që as unë nuk mund të dalloj ndonjë të veçantë, megjithatë mund të them diçka, që çdo pikturë e fundit është një kryevepër për një piktor, e unë mendoj se kam shumë për të zbuluar në artin e pikturës.

Shqipëria Etnike: Sa punime të kryera plotësisht numëroni deri tani?

Klaudio Lukaj: Kam rreth 120 të përfunduara, ndërsa kam edhe një numër të konsiderueshëm skicash.

Shqipëria Etnike: Në një moshë të re dhe keni arritur një sukses së madh, si mendoni?

Klaudio Lukaj: Për këtë edhe unë ndihem shumë i lumtur, do të thoja se çmimi që mora në Blegjikë ka një domethënie të madhe për mua, pasi tashmë ky sukses i paraprin edhe sukseseve të tjera. Por unë dua të përmend edhe një fakt tjetër, edhe ky tepër i rëndësishëm për mua. Bëhet fjalë për ekspozitën time të parë personale e hapur në Bushat, gjë që me sa di unë është e para ekspozitë pikture në këtë zonë.

Shqipëria Etnike:  Tani le të flasim për suksesin tuaj. Por së pari, do të donim të na jepnit përshtypjet tuaja mbi pjesëmarrjen në ekspozitën e Akademisë Europiane në Belgjikë.

Klaudio Lukaj: Është hera e parë që unë vizitoj Belgjikën dhe aq më tepër nuk e mendoja asnjëherë se mund të shkoja atje për të qenë pjesëmarrës në një ekspozitë. Pjesëmarrja në një ekspozitë të tillë ka qenë ëndrra ime e, fatmirësisht kjo ëndërr m’u realizua. Për sa i përket përshtypjeve të mia mbi udhëtimin, më kanë mrekulluar shumë vende të ndryshme që kam parë, pasi ne kemi vizituar Italinë dhe kemi kaluar përmes Zvicrës, Gjermanisë dhe Francës. Kam parë vende të bukura me të vërtetë.

Shqipëria Etnike: Tani le të flasim për suksesin tuaj në Blegjikë.

Klaudio Lukaj: Unë në ekspozitë u paraqita me katër punime, ku dy piktura ishin realiste dhe dy të tjerat abstrakte, në stilin e profundizmit. Në të vërtetë, na shkolla ime nuk isha vetëm unë pjesëmarrës, por edhe një shoku im i klasës, Marsed Lukaj. Gjithashtu merrte pjesë edhe mësuesi Lekë Rrotani. Në ekspozitë merrnin pjesë rreth 20 shtete të ndryshme të botës, ku ishin rreth 210 anëtarë me 68 punime. Emocioni më i madh që kam përjetuar ka qenë fakti që flamuri shqiptar valëvitej mes famurëve të shteteve të tjera. Në ato momente u ndjeva shumë krenar pasi përfaqësoja vendin tim. Dua të them gjithashtu se ka qenë çast magjie momenti kur Presidenti i Akademisë Europiane të Arteve thirri emrin tim dhe më akordoi medaljen e argjendtë kombëtare. Në të vërtetë nuk e prisja një gjë të tillë, por në fund jam i kënaqur që puna ime u pëlqye dhe u vlerësua. Dua të përmend faktin se edhe shoku im i klasës, Marsedi, fitoi medaljen e bronxit ndërkombëtare dhe gjithashtu mësues Leka mori medaljen e argjendtë ndërkombëtare dhe medaljen e artë kombëtare. Është fantastike që të tre u kthyem me nga një çmim. Duhet thënë se grupi shqiptar u paraqit denjësisht dhe doli ndër grupet më të mira. A s’është e mrekullueshme një gjë e tillë?!

Shqipëria Etnike: A do të vazhdojë Klaudio të jetë i dhënë pas artit figurativ dhe a do t’i qëndrojë besnik edhe më tej pikturës?

Klaudio Lukaj: Tani me të vërtetë jam shumë i dhënë pas pikturës dhe nuk kam ndër mend ta braktis apo të ndahem prej saj.

Shqipëria Etnike: Kjo do të thotë se Klaudion do ta shohim gjithmonë duke pikturuar?

Klaudio Lukaj: Unë dhe piktura tashmë jemi një. Dhe të tillë do të mbetemi gjithmonë…

Shqipëria Etnike: Kujt i detyroheni për gjithë këtë?

Klaudio Lukaj: Në rradhë të parë vetes sime, më pas mësuesit Palokë Rrotani që ka punuar me mua. Gjithashtu dua të falënderoj shumë edhe familjen time për mbështetjen e vazhdueshme që më ka dhënë.

Shqipëria Etnike: Planet tuaja për të ardhmen e afërt?

Klaudio Lukaj: Planet janë të shumta. Krahas shkollës, pasi unë do të hyj në vit të tretë, dëshiroj që të vazhdoj edhe më tej pikturën. Mund të përmend edhe planin më të afërt që është pjesëmarrja në një ekspozitë e cila do të hapet në Francë në muajin tetor, ku unë do të marr pjesë me punimet e mia më të mira.

Shqipëria Etnike: Klaudio, faleminderit për intervistën dhe suksese të mëtejshme në rrugën që ke nisur.

Klaudio Lukaj: Faleminderit juve!

Intervistoi: EMIRANDA LUKAJ

 

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu