Nusja mirditore që shpëtoi jetë

0

Shkruan Zef Ndreka

Një histori me peshë të jashtëzakonshme njerëzore dhe kombëtare.
“Nusja mirditore” që shpëtoi jetë, një histori bese dhe humanizmi nga Lezha. Kështu mund të përmblidhet rrëfimi dje, në një nga sallat e Pallatit të Kulturës në Lezhë, nga Shoqata Shqipëri–Izrael, ku u përkujtua përmes një aktiviteti artistik ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.

Mes diskutimeve, këngëve dhe filmave të shkurtër, një histori spikati mbi të gjitha, dhe ishte pulërisht historia e familjes së të parëve të Paulin Zefit, me origjinë nga Oroshi i Mirditës, banues në një nga fshatrat e Lezhës të asaj kohe.
Ishte një rrëfim që meriton të bëhet publik, sepse flet për besën shqiptare, për guximin dhe për humanizmin në kohë errësire.
Dihet se gjatë Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri kërkoheshin nga ushtria gjermane. Një ditë vjeshte erdhën “mysafirë” tek plaku i familjes mirditore Ndue Zefi, 16 përsona israelitë, të përbërë nga tre familje. Kumbara i familjes Zefi, një fshatar musliman nga Fishta, Demë Aliaj, familja e të cilit ishte shpërngulur në Thumanë të Krujës, teksa udhëtonte rrugës për tek kumbara i tij në Fishtë, hasi rrugës gjashtëmbëdhjetë persona që nuk dinin asnjë fjalë shqip. Të lodhur e të frikësuar, i kërkuan ndihmë për ushqim dhe strehim.
Pa hezitim, ai i soli në shtëpinë e Ndue Zefit, i cili i sistemoi në dy dhoma dhe ndau me ta çfarë kishte, ndonëse koha e luftës e kishte varfëruar edhe vetë fshatin. Dhjetë musafirët e tjerë i strehoi tek kushërijt e tjerë në po të njejtin fshat tek familjet e Jak dhe Simon Dodës(Kolecit) dhe dhe tek familja e Tom Lleshit(Kolecit). Rreziku ishte i madh. Gjermanët shtonin kontrollet dhe mjaftonte një denoncim që familjet të përballeshin me pasoja fatale.
Por këtu nis pjesa më prekëse e kësaj historie.
Për ti mbrojtur, gruaja e shtëpisë Dila e Ndue Zefit, hapi arkën e saj të pajës dhe nxori kostumin tradicional mirditor, atë që gratë e ruanin për ditën e fundit të jetës. Me atë kostum veshi gruan hebreje. Edhe burri hebre u vesh me rrobat e zotit të shtëpisë.

Kështu, fshati pa një “nuse të re mirditore” me katër fëmijë, që ndiqte ritet katolike në kishë, ashtu si gjithë të tjerët. Ndërsa dhjetë përsonat e tjerë u veshën me rroba zadrimore duke humbur “identitetin”. Askush nuk dyshoi. Ushtarët gjermanë kalonin, por ata nuk binin në sy.
Me kalimin e kohës, familja me dy djemë dhe dy vajza, u përfshi plotësisht në jetën e shtëpisë. “Nusja” hebreje hyri në kuzhinë, gatuante bashkë me zonjën e shtëpisë, ndërsa fëmijët u miqësuan me bashkëmoshatarët dhe nisën të mësonin shqip.
Rrobat mirditore u rrinin bukur. Aq bukur, sa edhe sot kujtohet “nusja e bukur” me veshjen tradicionale si një nga më të bukurat e asaj kohe në fshat.
Pas çlirimit, pas disa muajsh, familjet hebreje u përcollën për në Tiranë po nga Demë Aliaj. Që prej asaj dite, fati i tyre mbeti i panjohur. Nuk dihet nëse jetojnë apo jo, por kujtimi i tyre jeton në memorien e atij fshati dhe të asaj familjeje.
Kjo histori është një dëshmi e gjallë e asaj që Shqipëria përfaqëson në momentet më të vështira me fe të ndryshme, por zemra të njëjta, me varfëri materiale, por pasuri shpirtërore, me rrezik për vete, por mbrojtje për tjetrin.
Kjo është historia e një kostumi mirditor që u bë mburojë jete.
Është historia e besës shqiptare.
Kjo histori nuk është vetëm një kujtim familjar apo një episod lokal, por është një pasqyrë e karakterit moral të shqiptarëve në një nga periudhat më të errëta të njerëzimit.
Ajo që ndodhi në ato shtëpi mirditore në Lezhë është përkufizimi më i qartë i besës, jo si fjalë folklorike, por si ligj i brendshëm shpirtëror. Besa nuk ishte slogan. Ishte vendim për të rrezikuar jetën për dikë që nuk e njihje, që nuk fliste gjuhën tënde, që nuk kishte fenë tënde, por që kishte një gjë thelbësore sepse ishte njeri në rrezik.
Kështu, humanizëm triumfoi mbi frikën, pasi ishte luftë, ishte varfëri, ishte frikë, ishte kontroll ushtarak, kishte denoncime, kishte djegie shtëpishe, kishte pushkatime pa gjyq.
Familja Ndue Zefi nuk po bënte vetëm një gjest simbolik. Por po bënte një akt që mund tu kushtonte jetën të gjithëve, pleqve, grave, fëmijëve. Streha që ata dhanë nuk ishte mikpritje, ishte mburojë kundër vdekjes.
Dhe këtu qëndron madhështia morale, sepse
ata nuk ndihmuan sepse ishte e sigurt, nuk ndihmuan sepse dikush do ti falënderonte, nuk
ndihmuan për histori.
Familja mirditore e Ndue Zefit ndihmuan sepse ndërgjegjja nuk i linte të bënin ndryshe.
Po ashtu gruaja shqiptare, kjo heroine e heshtur në një nga momentet më delikate i dhuroi kostumin mirditor. Një grua që hap arkën e pajës, një vend i shenjtë në kulturën shqiptare dhe nxjerr rrobën që ruhej për vdekjen, për t’ia dhënë një të huaje që të jetojë.
Ky është simbol i jashtëzakonshëm, ku ajo rrobë, që pritej të shoqëronte dikë në varr, u bë veshje jete për një tjetër.
Ajo grua nuk bëri politikë, nuk mbajti fjalime. Por bëri diçka shumë më të madhe duke e shndërruar traditën në mjet shpëtimi.
Kështu, asimilimi për mbijetesë, mbeti një dramë e heshtur.
Pamja e një “nuseje” hebreje që ndiqte ritet katolike në kishë është tronditëse dhe prekëse njëkohësisht. Ashtu siç i kërkoi dhe i mori me vete në drejtim të Greqisë kostumin mirditor dhe kryqin e argjendë. Klto nuk ishin mohim identiteti, pir ishin strategji për të jetuar. Me fëmijë që mësonin shqip mes frikës, me prindër që luanin role për të mos u vrarë dhe kjo është drama e pastër njerëzore.
Por ajo që e bën këtë histori të bukur është se, përtej frikës, lindi afërsia për të ndarë ushqimet, për të ndarë punët e shtëpisë, për të ndarë me dashuri të qeshurat e fëmijëve.
Familjet israelite, nga të huaj, u bënë familje e përkohshme, duke krijuar një kapitull nderi mes Shqipërise dhe hebrenjëve.
Historia e familjes Zefi nuk është rast i izoluar në Shqipëri. Ajo histori është pjesë e një mozaiku kombëtar ku shqiptarët myslimanë e të krishterë i mbrojtën hebrenjtë jo për interesa, por për nder. Dhe ku, në një Europë ku dyert u mbyllën, por Shqipëri u hapën.
Në një kontinent ku identiteti u bë arsye për vrasje, këtu në Shqipëri u bë arsye për mbrojtje.
Kjo na jep një përgjegjësi sot për ta ruajtur këtë trashëgimi morale, sepse është më e vlefshme se çdo monument.
Fati i atyre familjeve mbetët një fundi i hapur, por kujtesë e gjallë, pasi ende sot nuk dihet fati i asaj familjeje hebreje. Kjo e shton edhe më shumë peshën emocionale. Ndoshta ata jetuan diku në botë, ndoshta treguan historinë e “nuses mirditore” fëmijëve e nipërve të tyre.
Por edhe nëse emrat humbën, akti mbeti.
Ky akt jeton në kujtesën e fshatit, në rrëfimin e Paulin Zefit, në ndërgjegjen tonë kolektive.
Kjo histori na kujton më thelbësoren, se
Kombet nuk bëhen të mëdha nga fuqia, por nga momentet kur zgjedhin të jenë njerëz.
Dhe në atë shtëpi të thjeshtë mirditore, në mes të luftës, Shqipëria zgjodhi të jetë njerëzore.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu