Opozita po ia zgjat mandatin qeverisë, Albini mohon marrëveshje të fshehtë

0

Albin Kurti: Opozita po ia zgjat mandatin Qeverisë në detyrë, nuk ka marrëveshje të fshehtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se ngërçi institucional në vend po zgjatet për shkak të sjelljes së opozitës, e cila sipas tij, po kontribuon në vazhdimin e mandatit të Qeverisë aktuale.

“Unë kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet t’ia shkurtojë mandatin Qeverisë, përveç opozitës së Kosovës që ia zgjat mandatin Qeverisë aktuale”, tha Kurti gjatë një deklarate për media pas vendosjes së gurthemelit për aneksin e depos së barnave të Ministrisë së Shëndetësisë, më 24 qershor 2025.

Ai hodhi poshtë spekulimet për një marrëveshje të fshehtë mes Qeverisë dhe opozitës, duke theksuar se një ide e tillë është e pabazuar:

“Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje me opozitën për të qëndruar më gjatë në pushtet, por ju siguroj që kjo nuk është e vërtetë,” tha Kurti.

Sipas tij, sjellja e opozitës në këtë proces nuk ka shpjegim racional dhe po e mban vendin në një gjendje bllokade.

Kurti nënvizoi se është e domosdoshme që partitë parlamentare të marrin pjesë në votimin për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Kryesisë, për të hapur rrugë më pas krijimit të qeverisë së re.

“Sa më herët ta konstituojmë Kuvendin, aq më shpejt do të vijmë te qeveria e re. Ne kemi më pak kompetenca si qeveri në detyrë, por njësoj shumë punë,” theksoi Kurti, duke iu referuar nenit 31 të Ligjit për Qeverinë.

Të mërkurën do të zhvillohet përpjekja e 37-të me radhë për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit, pozitë për të cilën LVV-ja ka propozuar Albulena Haxhiun, por pa arritur të sigurojë më shumë se 57 vota, ndërsa opozita nuk e ka përkrahur kandidaturën e saj.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu