Në Kuvend u miratua me 79 vota ‘pro’ dhe 1 abstenim projekt-rezoluta për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”, e cila u fut në rend dite pa respektuar asnjë procedurë paralementare, gjë e cila u denoncua nga opozita, e cila njoftoi se nuk do i bashkohej kësaj fasade propagandistike të socialistëve.
58 deputetë të opozitës, kryesisht PD, nuk ishin prezent në këtë seancë, pasi e quajtën axhendë personale të kryeministrit Edi Rama dhe fasadë.
Në projektrezolutën e paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Rama, i kërkohet qeverisë shqiptare që menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, ekzekutivi të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Pasdaranët.
Por ndërsa kjo rezolutë është cilësuar “nevojë urgjente” nga socialistët, demokratët kanë bojkotuar seancën.
“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit”, është shprehur kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Në vend të parlamentit, opozita ka zgjedhur të jetë sot në terren pranë qytetarëve për t’u mobilizuar për protestën e 22 marsit.
“Opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve. Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit”, shton ai më tej.








