Misioni Artemis II i NASA-s është nisur me sukses dhe anija kozmike tashmë ndodhet në orbitë rreth Tokës.
Katër astronautë u ngritën në orët e para të mëngjesit nga Florida për misionin Artemis II, një udhëtim me rëndësi të lartë rreth Hënës që përbën hapin më të guximshëm të Shteteve të Bashkuara deri më sot për rikthimin e njerëzve në sipërfaqen hënore, në një garë me Kinën për dominim në hapësirë.
Raketa Space Launch System (SLS) e NASA-s, me kapsulën Orion, u aktivizua pak para perëndimit të diellit në Qendrën Hapësinore Kennedy në Cape Canaveral, Florida, duke dërguar ekuipazhin e saj të parë – tre amerikanë dhe një kanadez, në orbitë rreth Tokës. Mjeti hapësinor, me lartësi sa një ndërtesë 32-katëshe, u lëshua në qiell të pastër, duke lënë pas një kolonë të madhe avulli të bardhë.
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për të ndjekur këtë moment, duke mbushur rrugët dhe plazhet përreth, në një atmosferë që kujtoi misionet Apollo të viteve 1960 dhe 1970. Ky konsiderohet hapi më i madh i NASA-s deri tani drejt krijimit të një pranie të përhershme në Hënë.
“Gjatë këtij misioni historik, ju merrni me vete zemrën e ekipit Artemis, frymën e guximshme të popullit amerikan dhe partnerëve tanë në mbarë botën, si dhe shpresat e një brezi të ri”, tha drejtuesi i nisjes, Charlie Blackwell-Thompson, pak para ngritjes.
“Suksese dhe udhëtim të mbarë, Artemis II. Le të nisim”.
Pesë minuta pas nisjes, komandanti Reid Wiseman raportoi: “kemi një lindje të bukur të Hënës, po drejtohemi drejt saj”. Në bord ndodhen piloti Victor Glover, Christina Koch dhe kanadezi Jeremy Hansen. Ky është ekuipazhi më i larmishëm në historinë e misioneve hënore, duke përfshirë gruan e parë, astronautin e parë me ngjyrë dhe qytetarin e parë jo-amerikan në një kapsulë të tillë.
“Pamje e mrekullueshme”, tha Wiseman gjatë ngjitjes. “Është e jashtëzakonshme të jesh në këtë lartësi”. Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi pas nisjes se agjencia është rikthyer në misionet me astronautë drejt Hënës, duke e cilësuar ndërprerjen gjysmë shekullore si të përkohshme.
Sipas zyrtarëve, ekuipazhi është “i sigurt, i mbrojtur dhe në gjendje shumë të mirë shpirtërore”. Ata nuk do të zbresin në Hënë gjatë misionit 10-ditor, por do ta rrethojnë atë dhe mund të udhëtojnë më larg nga Toka se çdo njeri më parë.
Anija do të qëndrojë në orbitë për 24 orët e para për kontrolle teknike. Nëse gjithçka shkon sipas planit, do të marrë miratimin për t’u nisur drejt Hënës. Nisja nuk ishte pa sfida, për shkak të disa problemeve teknike para fluturimit.
Ekuipazhi hasi disa çështje të thjeshta, përfshirë sensorë në sistemin e menaxhimit të mbetjeve, të cilët dhanë të dhëna të papritura. Inxhinierët punuan me astronautët për kontrolle shtesë dhe rikonfigurim të sistemit.
Orion ka sisteme rezervë, ndaj këto probleme lidhen më shumë me komoditetin dhe funksionimin afatgjatë sesa me rrezik të menjëhershëm. NASA theksoi se do të ndërhyjë nëse situata përkeqësohet.
Kontrolli i misionit konfirmoi se sistemi ishte funksional dhe i këshilloi astronautët të prisnin stabilizimin para përdorimit.
Gjumi i ekuipazhit do të ndahet në dy faza: rreth katër orë pushim fillestar, ndjekur nga një manovër për stabilizimin e orbitës, dhe më pas edhe rreth katër orë e gjysmë të tjera.
Gjithashtu, u identifikuan disa çështje të tjera: një valvul uji e mbyllur që duhej të ishte e hapur dhe një ndërprerje e përkohshme elektronike, e ngjashme me atë të misionit Artemis I. Asnjë prej tyre nuk konsiderohet kërcënim për misionin.
Astronautët do të studiojnë sipërfaqen e Hënës me detaje për rreth tre orë gjatë misionit. Ata do të testojnë gjithashtu kontrollin manual të kapsulës Orion dhe do të kryejnë prova për manovra të ardhshme.
Më pas, do të udhëtojnë mijëra kilometra përtej Hënës për të testuar sistemet jetike, përfshirë mbështetjen e jetës, shtytjen, energjinë dhe navigimin. Ekuipazhi do të marrë pjesë edhe në eksperimente mjekësore, duke dërguar të dhëna dhe imazhe nga hapësira e thellë.








