Osmani vjedh 12 milionë lekë në rrugën Montekarlo, Kamëz, i mori paratë publike kur ishte në kërkim policor

0

Lush Osmani kapet edhe një herë duket vjedhur paratë publike, në bashkëpunim me kryebashkiakë dhe drejtorë të korruptuar. Nga një dosje që ka parë ‘Prapaskena’, rezulton se kompania e Lush Osmanit, Shpresa-Al, ka përfituar në mënyrë të paligjshme 12 milionë lekë, duke mashtruar me volumin e punimeve gjatë zbatimit të kontratës për ndërtimin e rrugës Montekarlo, Rruga Kosova dhe zgjatimin e Rrugës Monarkia Shqiptare në Kamëz.

Fillimisht, Osmani ka marrë tenderin në mënyrë të paracaktuar dhe korruptive nga Xhelal Mizu në 2018, me vlerë rreth 800 mijë USD. Më pas, nuk ka zbatuar kontratën për parametrat e ndërtimit të bordurave, duke futur një pjesë të parave në xhep.

Lush Osmani duket të kthejë paratë që u ka vjedhur taksapaguesve të Kamzës në buxhetin e bashkisë, por problemi është se kjo është vjedhja më e papërfillshme e Osmanit me tendera.

Duket e çuditshme se si ky biznesmen vijon të mos goditet nga SPAK edhe pse pothuajse abuzon me çdo tender që merr me pazar në tavolinë.

Afera me Rakip Sulin

Pas skemave klienteliste me disa drejtorë të Erion Veliajt për ndarjen e parave publike me tendera të paracaktuar, Lush Osmani i Shpresa-Al ka futur me shpejtësi në xhep kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli, i cili dyshohet se po fsheh paratë e buxhetit të bashkisë tek tarafi i tij i afërt.

Vetëm gjatë viteve të fundit, Lush Osmani ka marrë mbi 140 tendera publikë të dyshimtë, me fond limit gati sa oferta fituese dhe me vlerë dhjetëra milionë euro.

Tenderat janë finalizuar me garë formale dhe pa gara fare, gjithnjë me pazar në tavolinë, duke ndarë përqindjet, me gjysmën e letrave false dhe duke moszbatuar plotësisht kontratat. 1/3 e tenderave e ka marrë në Bashkinë e Tiranës çka tregon edhe për linjën kryesore të korrupsionit.

Por, Lush Osmani arriti të fuste shumë shpejt në ‘lak’ Rakip Sulin.

Që nga vjeshta e vitit 2019, kur Lush Osmani u shpall në kërkim policor dhe Rakip Suli sapo kishte marrë drejtimin e Bashkisë Kamëz, kompania e Lush Osmanit ka marrë 7 tendera nga Rakip Suli me një vlerë të frikshme rreth 11 miliardë lekë.

Bëhet fjalë për tenderat për blerje karburanti, kompjuterë, ndërtim linje tubacionesh, ndërtim ujësjellësi etj., gjithnjë me ofertë fituese gati sa fondi limit.

Tendera pas shpalljes në kërkim

Lush Osmani i ka marrë tenderat nga Rakip Suli pasi u shpall në kërkim policor dhe më pas u dorëzua, për skandalin e pronave në Kepin e Rodonit.

Në 25 tetor të 2019, Policia e Durrësit shpalli në kërkim me urdhër të prokurorisë pronarin e kompanisë ‘Shpresa.al”, Lush Osmani, i dyshuar si organizator dhe përfitues si skemës së tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit.

Osmani u shpall në kërkim policor si i dyshuar edhe për përfitimin e një godine në mënyrë korruptive si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Disa javë më pas, Osmani u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit.

Fillimisht prokuroria kërkoi izolimin e tij, por më pas, kërkoi masën “Detyrim paraqitje”. Kundrejt garancisë pasurore, Gjykata e Durrësit i ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Osmani dyshohej si i implikuar në kthimin e një toke nga tokë bujqësore në tokë truall, përmes falsifikimit të dokumenteve, ku janë përfshirë edhe disa zyrtarë të shtetit.

Pas një viti hetime, policia me urdhër të prokurorisë arrestoi në tetor të 2019, 18 persona për skandalin e tokave, mes të cilëve edhe Ardian Iljazaj, ish-drejtor i Hipotekës së Durrësit, si dhe Sulejman Ibrahimi, ish-kryetar i Komunës Ishëm. Kokat e kësaj skeme u liruan më pas nga burgu, duke marrë masën detyrim paraqitje.

Burime për ‘Prapaskenën’ thanë se disa prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar po tentojnë ta mbyllin këtë dosje panele, në këmbim të qindra mijëra eurove. Krahas dosjeve të tenderave, SPAK duhet të sekuestrojë e dosjen e Kepit të Rodonit si dhe aferën e prokurorisë së Durrësit për mbylljen e saj.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu