Shkruan Zef Ndreka
Kështu do të mbyllet edhe ky vit politik, për t’ia lënë vendin zgjedhjeve parlamentare, ndoshta më të rëndësishme pas atyre të vitit 1992.
Padurim dhe mosbesim, është përmbledhja e aksionit politik të opozitës.
Politika është e mbushur me mëkate. Mëkatet e saj tek ne në Shqipëri, burojnë nga fakti se ajo bëhet nga njerëz, të cilët në shumicën e rasteve, nuk janë për atë punë. Behët nga apolitikët. Të cilët edhe vetë nuk besojnë tek ajo që po bëjnë.
Këta apolitikë, nuk e kanë sensin as cilësinë të kuptojnë se ajo që po bëjnë është më e mira, është kauza më e drejtë.
Pikërisht, kjo është arsyeja që ata i bën të ndihen të përkohshëm dhe duke u ndier dhe qenë të tillë, ata jepen shumë shpejt pas veseve, me të cilat kam parasysh korrupsionin, mungesën e përgjegjësisë.
Mëkatet që vijnë nga politika kanë lidhje me opinionin publik të shoqërisë tonë, e cila ende nuk është mësuar me politikanin e demitifikuar.
Ne kemi dhe jemi ende një shoqëri idolatrike. Mbeturinë e një kohe kur politikani ishte i panjohur.
Në Shqipëri, jemi ende një shoqëri që e ka mbytur adhurimi, që është tipar i shoqërive primitive. Nuk kemi ende një shoqëri që di të kalojë tek respekti dhe kritika.
Shqiptarët janë ekstremist. Dhe kalimet apo përzgjedhjen kështu e bëjmë: ose idhull, ose ti pritet koka. Fakti që politikanët, deputetët, ministrat etj nuk janë në vendin që u takon, ka bërë që politika të jetë e paqëndrueshme dhe plot mëkate. Sot në Parlamentin shqiptar nuk bëhen as dhjetë deputetë të vlefshëm. Të tjerëve, u është nevojitur një legjislaturë katër vjeçare vetëm për të kuptuar se përse janë aty, sepse shumë prej tyre nuk vijnë nga eksperiencat politike. Për më tepër që Parlamenti i sotëm, ashtu si edhe tjetri i 2025-ës që do vijojë, është dhe do të jetë një sallë që mbushet nga nëpunës të emëruar për shkak të ligjit elektoral, të dëshirës së Berishës dhe Ramës.
Kështu për disa vite, Shqipëria do të ketë deputetë tërësisht të papërgatitur për të zhvilluar aksione politike.
Kryefjala e shtypit dhe debateve politike mbetët korrupsioni. Në to gjen akuzat dhe luftën dypalëshe me debate politike të mbushura plot me afera korruptive.
Dhe është fakt që ka korrupsion, kjo është e padiskutueshme tashmë, ashtu sikurse ka një sensibilizim të opinionit ndaj këtij fenomeni.
Lind pyetja: Kush dhe si do të mund t’ia zvjerdhësh opinionit publik këtë fenomen?!
Përse futet kjo lloj kulture e impunitetit, apo për të instaluar kulturën e mosndëshkimit?!
Qëndrimet politike që kërkohen nga liderët, pra nga kryeministrat, duhet të shkojnë në sinkron me qëndrimet juridike.
Rama, psh i ka “shitur” edhe politikisht edhe juridikisht bashkëpunëtorët e tij mëkatarë, ndryshe nga Berisha që gjatë gjithë pushtetit të tij, nuk ka mbajtur as qëndrime politike as juridike në rastet e korrupsionit. Akoma më keq, sot i ka në grushtin e tij për të marrë pushtetin me “revolucion”.
Politikanët nuk kanë
caktuar disa objektiva, që i shërbejnë zhvillimit afatgjatë të vendit.
Por mjaftohen me
ndërtime e infrastrukturë, thua se janë kryetarë komunash apo firma ndërtimi.
Të gjithve ju mungon moraliteti i qeverisjes për të cilët përherë mbetem kritik. Nuk janë të strukturuar në strategjitë qeverisëse. Shpesh hërë improvizojnë, duke humbur shancet për të hyrë në histori.
Sot, Shqipëria ka një kryetar opozite që ia lehtëson punën Edi Ramës. Por, nga ana tjetër, e zvogëlon efikasitetin opozitar, për shkakun e thjeshtë non grat-a, që përpiqet ta neutralizojë, ta defaktorizojë.
Pikërisht për këtë shkak dhe mbajtje peng të saj, opozita e sotme është një opozitë që nuk prodhon më politikë. Një opozitë, e cila në një vit konsumoi të gjitha mjetet ekstreme demokratike të kontestimit, në parlament, në shesh, poshtë ballkonit.
Çfarë duhet të bëjë praktikisht opozita kur i mungon artikulimi i një platforme alternative bindëse që i duhet të lëvizë 50% të popullsisë shqiptare?!
Në këtë kuptim, opozita duke mos prodhuar ide politike, nuk prodhon as aksion politik. Në shumë raste, Partia Demokratike, dhe gjithë opozita janë sjellë në mënyrë anarkiste, trockiste. Nuk ka pasur një vizion konstruktiv për t’iu paraqitur shqiptarëve.
Nga njerëz të opozitës, veç termit shumë të përhapur “protestë”, dëgjohet gjithnjë e më tepër termi tjetër, shumë më i ashpër e violent: revolucion!
Dihet se revoltat kanë shkallë të ndryshme, por asnjëherë nuk janë paqësore.
Por, askund nuk duket konteksti për revoltë. Por duket qartë se opozita dhe liderët e partive të vogla që e mbështesin atë, kanë një padurim për të marrë sa më shpejt pushtetin, njëkohësisht, qëndrimet e opozitës tregojnë edhe mungesën e besimit në zgjedhje të lira.
Pra, artikulimet protestë, revoltë,
kanë dy arsye: edhe padurimin, edhe mosbesimin.
Promoted Content