Kreu Blog Faqe 11

Arrestohen 4 shqiptarë në Serbi, me bluzat “Shqipëri Etnike”

0

Policia serbe arrestoi sot katër shtetas të Republikës së Shqipërisë, pasi kishin shpalosur bluza me motive kombëtare, në territorin e Serbisë.

Sipas mediave serbe, të arrestuarit janë A.S. (1989), E.V. (1984), E.G. (1978) dhe A.C. (2005), me arsyetimin se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.

Sipas raportimeve, i arrestuari A.S., sot kishte postuar një video në llogarinë e tij në Facebook, ku shfaqet në një veturë të tipit Audi në shoqërinë e të dyshuarve të tjerë, duke ngarë në një autostradë përmes Serbisë, duke shfaqur simbolet e Shqipërisë Etnike.

Të dyshuarve u është urdhëruar paraburgimi deri në 48 orë, pas së cilës ata do të dërgohen në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me një kallëzim penal.

Izraeli godet selinë e forcës elitare Radwan të Hezbollahut në Bejrut (Video)

0

IDF publikon pamje nga sulmet ajrore gjatë natës në Liban

Forcat Ajrore të Izraelit ndërmorën gjatë natës sulme intensive ndaj objektivave të Hezbollahut në Bejrut dhe në jug të Libanit, sipas një njoftimi dhe pamjeve video të publikuara nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Sipas IDF, një ndërtesë shumëkatëshe në Bejrut, ku ndodhej selia e forcës elitare Radwan si dhe njësia e inteligjencës e Hezbollahut, u shemb pas goditjes ajrore.

Në zonën at-Tiri, në jug të Libanit, një tjetër sulm kishte në shënjestër një qendër komanduese të Hezbollahut, e vendosur në ambientet e radios Al-Nour.

Pamjet e publikuara nga IDF tregojnë intensitetin e sulmeve gjatë natës, ndërsa autoritetet izraelite i cilësojnë objektivat si pjesë e infrastrukturës strategjike të organizatës.

Ilir Meta ofron garanci pasurore për lirim nga qelia, GJKKO rrëzon kërkesën e ish-presidentit

0

Ish-presidenti Ilir Meta ka kërkuar sërish ndryshim të masës së sigurisë dhe lirimin e tij.
Kërkesa e ish-presidenti është rrëzuar nga GJKKO, edhe pse kishte ofruar garanci pasurore.
“I kërkova t’ia bënim dhuratë lirinë në ditën e lindjes. Beteja jonë nuk mbaron këtu, do vazhdojmë, do presim dhe vendimin e Gjykatës Kushtetutës.
Meta nuk u paraqit sot, e ka humbur besimin te gjykata, kërkon vetëm përballjen në themel. Unë parashtrova pretendimet e mia”, u shpreh avokati i Metës, Kujtim Cakrani.

Izraeli publikon hartën: Raketat e Iranit arrijnë të godasi në distancën prej 4000 kilometër

0

Forca Mbrojtëse e Izraelit (IDF) ka publikuar një grafik që vlerëson rrezen e veprimit të arsenalit balistik të Iranit, i cili sugjeron se pothuajse e gjithë Evropa, përfshirë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, është tani brenda rrezes së veprimit të raketave të lëshuara nga Irani.

Ky njoftim pasoi tentativën e djeshme të sulmit në bazën e përbashkët ushtarake SHBA-Britani Diego Garcia në Oqeanin Indian, në të cilën u përdorën dy raketa balistike me rreze të mesme veprimi.

Raketa balistike me rrezen më të gjatë veprimi të Iranit në përdorim operacional, Sajjil, mund të arrijë deri në 2,000 kilometra, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), një grup britanik i ekspertëve të sigurisë i specializuar në mbrojtje.

Dronët sulmues iranianë Shahed vlerësohet se kanë një rreze maksimale të ngjashme veprimi.

Irani ka vite që zhvillon raketa balistike me rreze të mesme veprimi si një element kyç të strategjisë së tij ushtarake.

Sisteme si Sajjil, Ghadr dhe Emad i lejojnë atij të mbulojë pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe Mesdheut Lindor.

I kombinuar me dronët sulmues, të cilët përdoren si për zbulim ashtu edhe për sulme të drejtpërdrejta, Irani ka aftësi që mund të kërcënojnë bazat ushtarake, infrastrukturën energjetike dhe rrugët detare në rajon.

“Regjimi terrorist iranian lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi për herë të parë që nga fillimi i operacionit, që mund të arrijë një distancë prej 4,000 km”, thuhet në postimin e IDF.

“Gjatë Operacionit Roaring Lion në qershor 2025, IDF zbuloi se regjimi iranian ka ndërmend të zhvillojë raketa me një rreze veprimi prej 4,000 km, të cilat përbëjnë rrezik për dhjetëra vende në Evropë, Azi dhe Afrikë”, shton ai.

“Regjimi iranian e mohoi këtë. Ne e kemi thënë vazhdimisht: Regjimi terrorist iranian përbën një kërcënim global. Tani, me raketa që mund të arrijnë Londrën, Parisin ose Berlinin, regjimi terrorist iranian ka kryer sulme kundër 12 vendeve në rajon dhe po zhvillon një aftësi që përbën një kërcënim shumë më të gjerë”, përfundon postimi.

Shefi i opozitës shqiptare u godit me armë luftarake…

0

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me aktet e dhunës që u regjistruan ditën e djeshme në protestën e opozitës.
Boçi ka deklaruar se Sali Berisha është goditur me spraj paralizues, që sipas tij është një armë luftarake.

“Kur donim të dilnim te selia e Partisë Demokratike, ka pasur bllokim nga policia. Është goditur edhe zoti Berisha, bashkë me një pjesë të deputetëve. Berisha është goditur me spraj paralizues, ajo është armë luftarake. Një polic mund ta përdorë për vetëmbrojtje, por nuk e sulmoi zoti Berisha. Sali Berisha ishte i targetuar”, deklaroi Boçi.

Garda e Republikës blindon GJKKO-në, ç’po ndodh?!

0

Në Gjykatën e Posaçme kanë hyrë në fuqi masa të reja sigurie duke filluar nga dita e martë, në kuadër të një plani të përditësuar për mbrojtjen e institucioneve gjyqësore.

Në hyrje të godinës është vendosur një punonjës i Gardës, ndërsa çdo person që kërkon të hyjë në ambientet e gjykatës i nënshtrohet kontrollit fillestar përmes skanimit fizik. Pas këtij hapi, kontrolli vijon me një skaner të dytë, më të detajuar, brenda ambienteve të brendshme.

Edhe procesi i daljes nga godina zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, të ngjashme me procedurat që aplikohen në institucione me rëndësi të veçantë.

Këto masa u miratuan pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Pas ngjarjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkoi rritje të nivelit të sigurisë në gjykata. Deri tani, zbatimi i plotë i këtij plani është realizuar vetëm në Gjykatën e Posaçme.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja ndodhi më 6 tetor 2025 në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.
Ai u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga një person i përfshirë në proces Elvis Shkambi, në momentin kur po shpallte vendimin për një çështje pronësie.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe persona të tjerë të pranishëm në sallë, ndërsa autori u arrestua nga policia pas ngjarjes.

Ngjarja ekspozoi dobësi në sistemin e sigurisë brenda institucioneve gjyqësore dhe nxiti kërkesa për masa të reja mbrojtëse për gjyqtarët dhe stafin.

19 vjeç në krye të bashkisë në Francë, shuplakë e fortë për politikën e vjetër

0

Shkruan Leon Molla

Në një kohë kur politika shpesh perceptohet si terren i rezervuar për figura me përvojë të gjatë, historia e Yann Traiteur vjen si një frymë e re dhe një sfidë e hapur ndaj këtij perceptimi.
Vetëm 19 vjeç, ai është sot kryetari më i ri i një bashkie në Francë, duke marrë drejtimin e Nomexy, një qytet i vogël me rreth 2,000 banorë në departamentin Vosges.
Fitorja e tij, e arritur me vetëm pesë vota diferencë, nuk është thjesht një statistikë zgjedhore, është një dëshmi e fuqisë së vendosmërisë dhe besimit të qytetarëve tek rinia.
I rritur në një familje të thjeshtë, me një baba roje sigurie dhe një nënë punëtore fabrike, Yann përfaqëson atë pjesë të shoqërisë që shpesh nuk e sheh veten në majat e pushtetit, por që në fakt është zemra e saj.
Angazhimi i tij politik nisi herët.
Që në moshën 11-vjeçare, gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, ai filloi të formësonte bindjet e tij, duke u identifikuar me idetë e Marine Le Pen.
Më pas, në vitin 2022, ai iu bashkua Rassemblement National, sot e drejtuar nga Jordan Bardella, ku u angazhua aktivisht në fushatat për zgjedhjet evropiane dhe legjislative.
Por përtej përkatësisë politike, ajo që e bën këtë histori të veçantë është qartësia dhe thjeshtësia e prioriteteve të tij: një politikë konkrete, e prekshme, që fillon nga nevojat më bazike të qytetarëve. Beteja e tij e parë si kryetar bashkie, zgjatja e orëve të ndriçimit publik, është simbol i një qasjeje të drejtpërdrejtë dhe pragmatike ndaj qeverisjes.
Yann Traiteur nuk është vetëm një emër i ri në politikë. Ai është një mesazh.
Një mesazh që rinia nuk duhet të presë radhën, por të marrë përgjegjësinë.
Një mesazh që politika mund të jetë ende e pastër, kur buron nga bindja dhe shërbimi ndaj komunitetit.
Në një Francë dhe Evropë që kërkon vazhdimisht modele të reja drejtimi, ky rast dëshmon se ndryshimi nuk vjen gjithmonë nga përvoja e gjatë, por shpesh nga guximi për të filluar herët.

Kultura e dhunës në Big Brother

0

Shkruan Zef Ndreka

Dhuna po shfaqet çdo ditë në Big Brother VIP Albania duke na thënë në një mënyrë apo tjetër se nuk është thjesht një incident televiziv me zënka, britma, sharje, ofendime, por një shënjë më e thellë e mënyrës si po ndërtohet dhe konsumohet spektakli sot.
Kemi parë se dhuna aty në atë shtëpi të famshne nuk është vetëm fizike kur ndodh që shtyhen, kur afrohen hundë më hundë, kur shprehen ti presin veshin njëri-tjetrit, kur të jap një goditje e të hedh për tokë, kur çfar ti bëj kamerave se ta tregoj unë ty etj etj, por mbi të gjitha dhunë verbale me ofendime, me ulje dinjiteti, me dhunë psikologjike përmes presioneve, përjashtimeve e manipulimeve. Jo rrallë kemi parë edhe dhunë simbolike si justifikim për të normalizuar sjelljet agresive si “lojë”.
Problemi më i madh real është se këto sjellje po shpërblehen me vëmendje opinioni të përditëshme që në të vërtetë është shqetësues sepse këto vëmendje po kthehen në moment virale dhe indirekt inkurajohen nga programi që kërkon konflikte për audiencën.
Kjo ka krijuar një rreth vicioz në të cilin sa më shumë shfaqet dhunë, më shunë rritën klikimet duke e rritur hapsirën e dhunës.
Në Shqipëri, shoqëria është e mbushur plot tensione sociale dhe politike të larta dhe ky program me audiencë masive po normalizon gjuhën agresive duke ulur shumë pragun e tolerancës ndaj dhunës. Kjo, ndikon tek të rinjtë, që mund ta shohin e ta marrin si model sjelljeje.
Por nga ana tjetër, duhet theksuar se formati i “reality show” në vetvete ndërtohet mbi konfliktin. Kjo është skandaloze kur dihet se ekziston vetëm një vijë të hollë midis konfliktit dhe degradimit njerëzor. Sa herë kjo vijë kalohet nga banorët, humbey spektakli dhe kalohet në probleme kulturore.
Është vonë për të gjetur zgjidhje tek produksioni i cili të kishte vendosur kufij realë në lojë. Po ashtu tek publiku, i cili nuk duhet të shpërblejë dhunën dhe injorancën me vota dhe vëmendje. Nga ana tjetër edhe media dhe opinioni, të mos e glorifikojnë konfliktin si show të bukur!
Se çfarë bëjnë banorët, është zgjedhje dhe punë e tyre për të fituar ato 100 milionësh. Problemi më shqetëson se përse kjo shoqëri shqiptare po pranon ta shohin dhe të duartrokasin këtë turp!

Miza pa kokë

0

Shkruan Thoma Gëllçi

Nuk e di se kush e dha idenë që protesta e PD të braktiste flamurin amerikan dhe të mbushej me flamuj gjermanë. Medemek, ne s’na do Amerika, por na do Gjermania. Nuk e kuptoj se kush e ka këtë mendje në Partinë Demokratike, që është përtej naives dhe qesharakes ! Është edhe më tepër qesharake se rasti La Civita, ku menaxherin me pagesë të fushatës elektorale e nxirrnin nëpër mitingje të mbante fjalime sikur të ishte përfaqësues i Amerikës.
Jam kurioz: ka ndonjë në Partinë Demokratike që i bën vetes pyetjen: ku duam të dalim me këtë?
Është e kotë të përpiqesh të kuptosh sot se çfarë kërkon konkretisht Partia Demokratike.
Përgjigjja është e thjeshtë: nuk dihet. Nuk dihet çfarë kërkon, nuk dihet çfarë ofron dhe nuk dihet as ku po shkon. Lëviz, flet, proteston, por pa drejtim dhe pa qëllim. Por një gjë është fare e qartë: ajo e tregon me gojë dhe me fakte se nuk ka asnjë shpresë te ndryshimi. Nuk ka asnjë shpresë se populli do ta ndjekë pas, por e sposton shpresën te qejfmbetjet që mund të kenë qeveritë perëndimore ndaj Edi Ramës.
Opozita ekziston për të ofruar alternativë. Nuk mjafton kritika ndaj qeverisë, por duhet të paraqitet një program dhe një vizion. Ajo që shohim sot është shumë larg asaj që duhet dhe kërkohet.
Protestat që organizon PD janë shembulli më i qartë. Mblidhen disa njerëz, por nuk dihet qartë për çfarë kërkohet të arrihet dhe ku është synimi. Në vend të kësaj, shpesh shohim tension të panevojshëm: fishekzjarre, bomba molotov, dëmtim prone publike dhe private. Pastaj gjithçka mbaron dhe njerëzit shpërndahen pa asnjë rezultat. Pale pastaj kur fillojnë dhe gënjejnë veten me shifrat e pjesëmarrjes!
Kjo nuk është opozitë. Është një aktivitet pa drejtim.
Reagimi i popullit e tregon qartë këtë. Ai nuk i ndjek. Edhe pse shumë qytetarë janë kritikë ndaj qeverisë, ata nuk e shohin Partinë Demokratike si alternativë. Sepse alternativa nuk mjafton të thuhet, duhet të ndërtohet.
Kërkesa konstante e tyre është largimi i Edi Ramës. Kërkon qeveri teknike. Nuk kërkon as zgjedhje të parakohshme. Thjesht do që Edi Rama të mos jetë kryeministër. Por pyetja mbetet: me çfarë mjetesh synon ta realizojë këtë?
Me djegien e koshave të plehrave? Me molotov? Me tension në rrugë? Apo me një strategji politike që nuk duket askund?
Sepse realiteti nuk ndryshon me shishe benzine. Edi Rama ka 83 vota në Kuvend. Një shumicë që qeveris e qetë dhe pa rrezik real. Ky është fakt politik, jo opinion.
Dhe ky fakt nuk rrëzohet me protesta simbolike apo me akte dhune sporadike. Nuk rrëzohet as me thirrje të përditshme në “foltore”. Nuk rrëzohet as me slogane. Rrëzohet vetëm kur sheshet e Tiranës dhe Shqipërisë të mbushen me njerëz. Rrëzohet kur populli shikon te ti një alternativë dhe të ndjek.
Kur populli nuk të ndjek, nuk e rrëzon dot një qeveri. As me molotov dhe as me votë.
Kjo është pika ku PD-ja nuk ndalet që të reflektojë.
Partia Demokratike nuk bën analizë. Ajo zgjedh rrugën më të lehtë: shpik alibi. Fajëson manipulimin, propagandën, presionin, çdo gjë përveç vetes. Por arsyet e vërteta janë të njohura dhe thuhen me zë të lartë në gjithë Shqipërinë.
Problemi ka emër dhe formë: është lidershipi aktual i Partisë Demokratike.
Sali Berisha, një figurë 80-vjeçare, i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor, vazhdon të jetë në qendër të partisë dhe kërkon sërish drejtimin e saj. Kjo nuk është thjesht një çështje moshe apo historie politike. Është çështje besimi publik.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve, edhe ata që janë kundër qeverisë, nuk e shohin atë si zgjidhje. Dhe kjo mjafton për të bllokuar çdo mundësi rotacioni.
Por problemi nuk ndalet te figura e liderit. Problemi është struktura që është ndërtuar rreth tij. Një udhëheqje e mbyllur, e konsumuar, që ka atrofizuar partinë dhe ka shuar çdo shpresë për rinovim.
Çdo zë ndryshe përjashtohet. Çdo përpjekje për garë të ndershme shtypet. Nuk ka demokraci të brendshme. Nuk ka hapje. Situata shpesh kthehet në qesharake. A mund të kuptohet situata kur organizon primare për të zgjedhur kandidatët për deputetë dhe menjëherë pas saj nuk caktohet deputet asnjë fitues i primareve, por njerëz të tjerë?
Por rasti i Ervin Salianjit është me ilustrues. Nga “i burgosuri politik” që ishte heroi i PD , u kthye brenda një jave në armik dhe bashkëpunëtor i bandave, vetëm sepse guxon të shprehë një mendim ndryshe. Një zë që kërkon organizim dhe garë, përjashtohet dhe nuk lejohet të konkurrojë. Ky është mesazhi që u jepet të gjithëve: kush mendon ndryshe, largohet.
Askush nuk guxon të dalë përballë liderit, sepse shpallet armik. Për fat të keq, Partia Demokratike nuk është më parti politike. Është një strukturë e mbyllur dhe që rrudhet çdo ditë e më shumë.
Ndërkohë, programi mungon. Edhe në faqen zyrtare të partisë gjen një përmbledhje minimale, pa detaje dhe pa politika konkrete. Nuk ka plan ekonomik. Nuk ka strategji për zhvillim. Nuk ka alternativa reale.
Në Kuvend, PD nuk paraqet iniciativa serioze. Nuk ndërton debat. Kufizohet me zënkat e Flamurit me oficerët e gardës.
Edhe “foltoret” e përjavshme nuk ndryshojnë asgjë. Fjalime të gjata përpara një audience të kufizuar, me të njëjtat akuza dhe të njëjtat thirrje: “Edi Rama ik, largohu!”. Por Edi Rama nuk do të largohet sepse kështu e kërkon Flamur Noka.
Ndërkohë, protestat përfundojnë shpesh me djegien e koshave të plehrave. Po me plehrat ç’kanë xhanem? A e kuptojnë se çfarë imazhi negativ krijojnë te qytetarët e zakonshëm që duan edhe ata largimin e Edi Ramës?
Partia Demokratike është e izoluar. Nuk tërheq votues të rinj. Nuk krijon besim. Nuk ndërton shumicë.
Dhe pa shumicë, nuk ka pushtet.
Kjo është arsyeja pse pakënaqësia ndaj Edi Ramës nuk mjafton që Partia Demokratike të rritet. Sepse njerëzit nuk votojnë vetëm kundër dikujt. Votojnë për dikë që u jep shpresë.
Pa një analizë të sinqertë të vetes, pa hapje, pa garë dhe pa program, çdo përpjekje tjetër është e kotë.
Sepse mund të bësh zhurmë, mund të protestosh, mund të akuzosh çdo ditë.
Por pa drejtim dhe pa besim, nuk shkon askund.
Si një mizë pa kokë.

Dështom Georgia Meloni/ Populli italian u thotë jo ndryshimeve kushtetuese

0

Ka nsiur procesi i numërimit të votave pro dhe kundër, referendumit kushtetues në Itali mbi reformën e drejtësisë. Numërimi ka nisur që në orën 15:00  ndërkohë që tani po dalin të dhënat e para të cilat tregojnë për një dështim të nismës së kryeministres Giorgia Meloni.

Sipas përditësimit të fundit, pro ndryshimeve kushtetuese kanë votur rreth 45.33 për qind ose (4,518,294 vota). Kundër ndryshimeve kushtetuese kanë votuar 54.67 për qind ose (5,449,468 vota)

Trendi tregon për një epërsi të atyre që i kanë thënë (Jo) ndryshimeve kushtetuese, por ka ende shumë kuti për t’u numëruar. Aktualisht mësohet se janë numëruar vetëm 24,362 qendra nga 63,740 në total.

Referendumi në Itali, nis numërimi i votave; shumica i thotë

Vlen të theksohet se në dy ditët e votimit, kanë marrë pjesë 26,972,681 qytetarë me të drejtë vote, ose rreth 58.93 për qind e votuesve.

Numërimi po ecën me ritëm të shpejtë, por ende mungojnë shumë qendra, sidomos nga rajonet jugore dhe ato jashtë vendit, ku vota për (Jo) zakonisht është më e fortë. Të dhënat e plota priten në orët e ardhshme të pasdites/së mbrëmjes së sotme, ndoshta deri në mbrëmje vonë ose natën.

Kujtojmë se ky është një referendum konfirmues: nuk kërkohet quorum, vendos shumica e votave të vlefshme. Nëse (JO) konfirmohet si shumicë, ligji kushtetues i miratuar në tetor 2025 nuk hyn në fuqi dhe Kushtetuta mbetet e pandryshuar. Nëse (PO) merr shumicën reforma hyn në fuqi menjëherë.

POSTIMET E FUNDIT