Kreu Blog Faqe 2

Misteri i “presidentit të regjimit të ri”, për kë e ka fjalën Donald Trump?

0

Deklarata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për një kërkesë armëpushimi nga Irani ka krijuar paqartësi lidhur me identitetin e zyrtarit iranian që ai përmend.

Në postimin e tij në Truth Social, Trump i referohet “presidenti i regjimit të ri” në Iran, pa e identifikuar atë me emër.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, më herët gjatë javës Trump ka konfirmuar se SHBA është në kontakt me kryetarin e parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf. Megjithatë, ai nuk mban postin e presidentit dhe nuk konsiderohet figurë më e moderuar krahasuar me udhëheqësit e mëparshëm.

Ndërkohë, presidenti aktual i Iranit, Masoud Pezeshkian, i cili mban detyrën që nga viti 2024, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të pranojë një armëpushim, por vetëm nëse sigurohen garanci për sigurinë dhe për të shmangur sulme të reja.

Deklaratat e fundit tregojnë gjithashtu një ndryshim në qëndrimin e Trump lidhur me Ngushticën e Hormuzit.

Javën e kaluar, ai paralajmëroi se SHBA mund të godasë objektet energjetike të Iranit nëse nuk garantohet kalimi i sigurt i anijeve përmes ngushticës. Ndërsa së fundmi, ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i japin fund konfliktit edhe pa u zgjidhur kjo çështje, duke theksuar se vendet e tjera duhet të marrin përgjegjësi më të madhe, pasi preken më drejtpërdrejt nga situata.

Drejtësia e bllokuar/ Avokatët kthejnë gjyqet në maratonë shtyrjesh

0

Shkruan… Avokati Antikorrupsion

Në Shqipëri drejtësia nuk është më e ngadaltë. Është e marrë peng.
Dhe pengmarrësit nuk janë të panjohur. Janë avokatët që çdo ditë hyjnë në sallat e gjyqit dhe i kthejnë ato në skenë farsash procedurale, ku ligji shtyhet, deformohet dhe në fund varroset.
Sot, shtyrja e seancave nuk është më përjashtim. Është industri.
Një industri e ndërtuar mbi mungesën e përgjegjësisë dhe mbi një mentalitet të rrezikshëm: merr sa më shumë çështje, krijo konflikt orari dhe përdore këtë si armë për të bllokuar procesin. Nuk ke kohë? S’ka problem. Gjyqi shtyhet. Përsëri. Dhe përsëri. Dhe përsëri.
Kjo nuk është paaftësi. Është manipulim i pastër.
Avokatë që nuk paraqiten. Avokatë që paraqesin justifikime standarde. Avokatë që e kanë kthyer shtyrjen në rutinë. Dhe më e rënda: avokatë që nuk ndjejnë asnjë pasojë për këtë sjellje.
Sepse sistemi i ka lënë të lirë.
Çdo shtyrje është një goditje direkte ndaj drejtësisë. Çdo mungesë e pajustifikuar është një tallje me qytetarin. Çdo seancë e dështuar është një mesazh i qartë: ligji nuk vlen për ata që dinë ta përdorin kundër vetes së tij.
Kjo është arsyeja pse gjyqet nuk mbarojnë. Jo sepse janë të vështira. Por sepse nuk lihen të mbarojnë.
Dhe le ta themi hapur: një pjesë e avokatëve nuk kanë interes që procesi të përfundojë. Sa më shumë shtyhet, aq më shumë zgjat lidhja me klientin. Sa më shumë zvarritet çështja, aq më shumë fiton avokati.
Kjo nuk është më profesion. Është biznes mbi bllokimin e drejtësisë.
Ndërkohë, qytetari përballet me një sistem absurd: shpenzon para, humb kohë, pret vite dhe në fund merr një vendim të vonuar që shpesh nuk ka më asnjë vlerë reale.
Kjo është padrejtësi e organizuar.
Në çdo vend normal, kjo situatë do të kishte marrë fund brenda muajsh. Avokatët që abuzojnë do të ndëshkoheshin, do të gjobiteshin, madje do të përballeshin me masa disiplinore serioze.
Në Shqipëri? Asgjë.
Heshtje. Tolerancë. Bashkëjetesë me abuzimin.
Ky është momenti për ndërhyrje brutale në sistem. Nuk mjaftojnë më rekomandimet. Duhet goditje direkte:
Avokatët që mungojnë pa arsye duhet të penalizohen menjëherë. Shtyrjet e pajustifikuara duhet të refuzohen pa kompromis. Numri i çështjeve që një avokat mund të marrë duhet të kufizohet. Dhe mbi të gjitha, duhet të vendoset përgjegjësi reale.
Sepse sot, drejtësia nuk po dështon.
Ajo po sabotohet.
Dhe nëse ky sabotim nuk ndalet, atëherë duhet thënë pa frikë:
Në Shqipëri nuk ka më drejtësi. Ka vetëm një sistem që shtyhet pafund… derisa të mos ketë më kuptim.

Me dosje në duar, Erion Braçe paraqitet në SPAK! U kallëzua nga biznesmeni nga Lushnja, deputeti socialist: Padi e rreme dhe politike

0

Deputeti i PS-së Erion Braçe, këtë të mërkurë është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, teksa në duar mbante edhe një dosje.

Mësohet se Braçe ka qëndruar për thuajse një orë në ambientet e SPAK dhe pas daljes, ka dhënë një prononcim për gazetarët. Deputeti socialist është shprehur se padia ndaj tij është e rreme dhe ka motivacion politik.

Pala tjetër ka bërë një padi politike dhe të rreme, dhe duhet të marri leje diku që të pajtohet”, tha Braçe.

Ndërsa për sa i përket procesit të Erion Veliajt, Braçe tha se nuk do të komentojë këtë çështje, teksa theksoi se duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë dhe barazia në këtë proces.

Ajo që dua të them unë se Besoj që politikanët, proceset gjyqësore dhe vendimet e gjykatave nuk duhet t’i diskutojmë. Nuk komentoj as prokurorët as gjyqtarët. Mund të them që prezumimi i pafajësisë dhe barazia në proces, që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e qytetarëve, janë elementë shumë të rëndësishme për demokracinë”, tha ai.

Kujtojmë që deputeti socialist, u paraqit edhe javën e kaluar në SPAK, pasi ndaj tij është bërë një kallëzim nga biznesmeni Anduel Çekrezi, në kuadër të një konflikti të gjatë pronësie në zonën e Imshtës në Lushnje. Çështja ka të bëjë me pretendimet për zaptimin e tokave të banorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Mësohet se konflikti mes palëve e ka zanafillën prej disa vitesh, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet publike dhe replikat në rrjete sociale. Nga njëra anë, biznesmeni ka paraqitur dokumentacionin përkatës të pronësisë, duke pretenduar se toka është blerë në mënyrë të rregullt. Nga ana tjetër, deputeti Braçe këmbëngul se bëhet fjalë për tokë publike, madje duke pretenduar se është privatizuar edhe një pjesë e lumit.

Burimet bëjnë me dije se përplasja mes palëve tashmë ka marrë rrugën ligjore dhe pritet të shqyrtohet nga organet e drejtësisë.

E gjithë situata u rikthye në vëmendje pas denoncimeve publike të deputetit, i cili pretendon se toka pranë lumit Seman, e përdorur tradicionalisht nga banorët, po merret në mënyrë të paligjshme për interesa private. Në anën tjetër, biznesmeni kundërshton këto pretendime dhe i është drejtuar drejtësisë për të sqaruar ligjshmërinë e pronësisë.

Lushjë, njësia Bubullimë, fshati Imshtë Grabitje e tokës publike live! Habia e madhe? Bujqit po mbrojnë tokën publike, policia vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës! Ky që shihni në video, që ju bërtet bujqve e ju thotë “boll bërtitet” është agai i ri që do të ndërtojë panele fotovoltaike mu në këtë tokë! Ç’ është kjo tokë? Është një sipërfaqe toke nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë. Është kjo mbi të cilën po rrijnë bujqit. Ç’thotë ligji”, ka shkruar Braçe në një postim të bërë jo më larg se disa javë më parë lidhur me ketë situatë.

Perdja e tymit

0

Shkruan Ditmir Bushati

Premtimet entuziaste për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027 dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 u eklipsuan disi nga nisma e përbashkët e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë, botuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, për heqjen dorë nga anëtarësimi dhe pranimi i njëfarë raporti “të nivelit të dytë” me BE-në.

Që prej agresionit rus në Ukrainë, politika e zgjerimit të BE-së ka pësuar një zhvendosje. Nga anëtarësimi i fundit në BE i Kroacisë në vitin 2013 e deri në shkurtin e vitit 2022, zgjerimi ishte një proces i ngecur dhe i kontestuar politikisht. Si pasojë e luftës, tani ai po konsiderohet një instrument i rëndësishëm për sigurinë europiane.

Vështruar në këtë kontekst, zgjerimi po përdoret gjithnjë e më shumë, jo vetëm për të përgatitur vendet për anëtarësim, nga pikëpamja e reformave të sundimit të së drejtës, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, por edhe si një mundësi për të forcuar qëndrueshmërinë e tyre, duke i togëzuar gjeopolitikisht me BE-në, në një mjedis sigurie të ndikuar nga lufta në kontinent. Luftë, e cila ka hyrë në vitin e pestë të saj.

Në këtë sfond është intensifikuar edhe debati nëse procesi i zgjerimit kërkon modele të reja institucionale ose jo, me qëllim intensifikimin e tij. Ndër të tjera, është propozuar: (i) një proces ‘pranimi gradual’ apo me faza të ndryshme, ku secila fazë lidhet me plotësimin e reformave të caktuara; (ii) ‘integrimi në tregun e brendshëm’ të BE-së, si një etapë e ndërmjetme dhe parapërgatitore për të lehtësuar anëtarësimin në BE; (iii) ‘zgjerim i përmbysur’, që i jep përparësi anëtarësimit para përmbushjes së kritereve, shoqëruar me garancitë përkatëse për përmbushjen e tyre duke qenë pjesë e BE-së.

Propozime të tilla synojnë të pajtojnë urgjencën gjeopolitike me kornizën e deritanishme të procesit të anëtarësimit në BE. Nga propozimet e lartpërmendura, ai i ‘zgjerimit të përmbysur’ është hedhur poshtë nga vendet anëtare të BE-së, të cilat këmbëngulin në një proces që kombinon reformat në fushën e sundimit të së drejtës me linjëzimin gjeopolitik.

Ndërkohë nisma e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë krijon një perde tymi, pasi propozon modele që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin: pjesëmarrjen në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen, duke hequr dorë nga anëtarësimi në BE.

Për një çështje si anëtarësimi në BE, i cili konsiderohet një objektiv kombëtar për t’u përmbushur, pas anëtarësimit në NATO, nisma do të duhej t’i nënshtrohej paraprakisht një diskutimi të njëmendtë politik e shoqëror. Qeveria duhet të demonstrojë aftësi për të kryer tri detyra: (i) kuptimin në kohë të problemeve që kanë lidhje me etapat e ndryshme të procesit të zgjerimit; (ii) përpunimin e thelluar të rrugëzgjidhjeve që propozon pa u shmangur nga përgjegjësia; dhe (iii) formulimin e një strategjie në mënyrë transparente për zbatimin e asaj çka është më e dobishme si rrugëzgjidhje.

Ne shqiptarët nuk kemi asnjë dilemë dhe mbetemi të patundshëm në aspiratën tonë për t’u bashkuar me popujt e tjerë në familjen europiane. Ndaj, meritojmë të informohemi për arsyet e kësaj nisme e të dëgjohemi se çfarë mendojmë se duhet bërë për të jetësuar rrugën europiane.

E prezantuar për audiencën gjermane, e cila mban barrën kryesore të shpenzimeve financiare në BE, nisma u përcoll me ftohtësi nga politika gjermane. E vetmja që komentoi nismën ishte komisionerja e zgjerimit, e cila tha se ‘propozuesit nuk e kanë idenë se sa shumë punë e reforma nevojiten për të qenë pjesë e tregut të brendshëm dhe zonës Schengen’. Një deklarim shkurajues krahasuar me qëndrimet e mëparshme të saj se ‘objektivi i Shqipërisë për të përmbyllur procesin e bisedimeve për anëtarësim me BE brenda vitit 2027, është një objektiv ambicioz, por i arritshëm’. Nëse përmbyllja e negociatave është një objektiv i arritshëm, nuk ka arsye që pjesëmarrja në tregun e brendshëm të BE-së, që në çdo rrethanë është më pak sesa anëtarësimi, të mos jetë një objektiv i arritshëm për Shqipërinë.

Gjithashtu, çdo sugjerim dhe nismë nga ana e komisioneres për ngjizjen e një procesi politik dhe demokratik, krejtësisht të munguar, që në fakt duhet t’u paraprinte nismave të tilla në Shqipëri dhe Serbi, do të vlerësohej si ndjeshmëri e institucionit që ajo përfaqëson, ndaj vlerave dhe parimeve të demokracisë, dialogut dhe mirëkuptimit politik. Në të njëjtën kohë, do të sinjalizonte edhe një rikthim në traditën më të mirë të Komisionit Europian, duke treguar kujdes të posaçëm për inkurajimin dhe respektimin e proceseve demokratike në jetën politike dhe shoqërore, më shumë sesa për mbushjen e kutizave të shumë e shumë planeve, matricave e strategjive që në një pjesë të rasteve nuk prodhojnë efekte të matshme në jetën e qytetarëve.

KEQKUPTIMET PËR TREGUN E BRENDSHËM

Pjesëmarrja në tregun e brendshëm për vendet jo anëtare të BE-së do të thotë pranim i rregullave të BE-së për zbatimin e lirisë së lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve, por pa pasur mundësinë e përfitimit financiar dhe shfrytëzimin e instrumenteve që korrigjojnë pabarazitë që mund të krijohen, të cilat janë të disponueshme vetëm për vendet anëtare. Ndërsa, zona Schengen nuk është një paketë ekonomike, por një regjim strikt besimi që përfshin sigurinë, drejtësinë, politikën e vizave dhe kontrollin kufitar.

Është e rëndësishme të dihet se Zona Ekonomike Europiane u krijua në vitin 1992 për të mundësuar pjesëmarrjen në tregun e brendshëm të BE-së të vendeve si Norvegjia, Islanda, Lihtenshtajni, të cilat nuk synonin anëtarësimin, por një treg të përbashkët me BE-në, për shkak të interesit ekonomik dhe politik të ndërsjellë. Vendet e lartpërmendura pranuan rregullat e mbikëqyrjes së BE-së, për shkak të madhësisë së tregut dhe standardit të lartë, pasi Zona Ekonomike Europiane përbëhet nga ekonomi të zhvilluara me institucione të konsoliduara, demokraci të përparuara, standarde sigurie dhe sundim të së drejtës. Në këtë mënyrë, si anëtarët e BE-së ashtu dhe jo anëtarët përfitojnë në një treg më të madh e më të rregulluar, ku ekonomitë kombëtare janë në gjendje të përballojnë forcat e konkurrencës dhe ku konsumatori ka më shumë mundësi zgjedhjeje.

Në praktikë kjo do të thotë se të gjitha bizneset dhe njerëzit trajtohen sikur të jenë pjesë e BE-së, dhe mund të vendosen e lëvizin lirisht kudo bizneset e tyre, pa kurrfarë pengese, tarifore apo jo-tarifore. Gjithashtu, rregullat e prokurimit publik janë në mbështetje të tregut të brendshëm. Parimet e përgjithshme të tregut si mos-diskriminimi, transparenca, trajtimi i barabartë, njohja e ndërsjellë, proporcionaliteti aplikohen edhe për prokurimin publik.

A mund të jetë modeli i Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit i zbatueshëm në rastin e Shqipërisë dhe Serbisë? Ky mund të ishte një opsion që duhej eksploruar shumë kohë më parë në bashkërendim edhe me nismat e integrimit rajonal. Ky i fundit është konsideruar gjithnjë si parakusht për anëtarësimin në BE. Por fatkeqësisht vijon të mbetet i pashfrytëzuar siç duhet ose i keqshfrytëzuar.

Në Samitin e Sofjes në vitin 2018, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor u angazhuan për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor, si parapërgatitje për përfshirjen e rajonit tonë në tregun e brendshëm të BE-së. Në vend që të punonin për përshpejtimin e këtij procesi të ndërlikuar që kërkon përmbushjen e standardeve europiane, Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë krijuan një projekt paralel, të quajtur Ballkani i Hapur, qëllimi dhe rezultatet e të cilit mbeten edhe sot të paqarta.

Mund të tingëllojë ironike, por sapo Shqipëria përparoi me grup-kapitujt për anëtarësim në BE, e braktisi Ballkanin e Hapur. Teksa presim Raportin për Piketat e Ndërmjetme dhe qëndrimin e përbashkët të BE-së për grup-kapitullin e parë që ka lidhje me sundimin e së drejtës dhe që është përcaktues për cilësinë dhe shpejtësinë me të cilën do të mbyllen kapitujt e anëtarësimit në BE, Shqipëria ribashkohet me Serbinë duke deklaruar heqjen dorë nga anëtarësimi dhe pranimin e njëfarë raporti “të nivelit të dytë” me BE-në.

Duke lënë mënjanë kontekstin e mësipërm kontradiktor, në shikim të parë, kërkesa për t’u bërë pjesë e tregut të brendshëm të BE-së mund të duket tërheqëse, pasi njerëzit me të drejtë orientohen për nga përfitimet ekonomike kudo në botë. Shqiptarët dhe serbët nuk bëjnë përjashtim në këtë drejtim. Mjafton të kujtojmë impaktin që pati tek qytetarët dhe bizneset rënia e ‘Murit të Schengen-it” dhe sigurimi i lëvizjes pa viza.

Mirëpo në BE nuk ka asgjë falas. Sidomos kur bëhet fjalë për tregun e brendshëm, i cili, është një nga format më të sofistikuara të integrimit ekonomik që njohim deri më sot. Pjesëmarrja në të nuk është si shëtitjet në park, por si garat olimpike, ku nevojitet stërvitje serioze dhe e përditshme. Tregu i brendshëm funksionon mbi një nivel besimi për zbatimin pa pengesa të lirisë së mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve. Për ta bërë të mundur këtë, vendet anëtare të BE-së duhet të besojnë se ne kemi jo vetëm ligjet e shkruara, por edhe kapacitetin për të zbatuar rregullat dhe politikat e BE-së.

Tregu i brendshëm i BE-së nuk ka të bëjë veç me ekonominë, por mbi të gjitha me sundimin e së drejtës në ekonomi. Ndaj, integrimi në tregun e brendshëm të BE-së është i pamundur nëse nuk ndryshohet modeli i tanishëm i qeverisjes që bazohet tek personalizimi i pushtetit dhe kontrolli i plotë mbi të gjitha institucionet, metastazat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në sektorët kritikë të ekonomisë.

Hetimet e SPAK-ut në lidhje me tenderat në infrastrukturë dhe teknologji, ndër të tjera, na dëshmojnë nevojën për të siguruar një garë të barabartë për të gjithë bizneset vendase apo europiane, duke zbatuar rregullat e prokurimit publik dhe konkurrencës. Po kështu, nevojiten politika dhe veprime që krijojnë besimin e vendeve anëtare për sa i takon zhbllokimit të fondeve të BE-së në fushën e bujqësisë dhe teknologjisë, si pasojë e shkeljeve të pretenduara dhe hetimeve të ndërmarra nga institucionet europiane dhe shqiptare. Me fjalë të tjera, çdo para që del nga buxheti i shtetit apo euro që vjen nga buxheti i BE-së dhe që prokurohet duhet t’i nënshtrohet të njëjtës logjikë.

Shkurt, pa sundim të së drejtës, demokraci dhe mirëqeverisje as që mund të imagjinohet pjesëmarrja në tregun e brendshëm të BE-së, rritja e fuqisë prodhuese, eksportuese dhe as gëzimi i përfitimeve që vijnë prej kësaj pjesëmarrjeje.

Nismëtarët bëjnë të qartë se nuk po kërkojnë integrim institucional në BE. Pra, nuk e konsiderojnë pjesëmarrjen në tregun e brendshëm si një etapë të ndërmjetme drejt anëtarësimit në BE. Austria, Suedia dhe Finlanda fillimisht u bënë pjesë e tregut të brendshëm të BE-së dhe më pas u pranuan në BE. Gjithashtu, Islanda, e cila është pjesë e tregut të brendshëm, ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi, për t’u konsultuar me qytetarët në lidhje më një anëtarësim të mundshëm në BE. Në rast se qytetarët do të përgjigjen pozitivisht, atëherë Islanda do të jetë vendi i 28-të i BE-së.

Pjesëmarrja në institucionet e BE-së është një element përbërës i procesit të anëtarësimit dhe pa të anëtarësimi nuk ekziston. Sado që qëllimi i nismës mund të jetë për të hapur vetëm derën e tregut të brendshëm të BE-së, duke njohur vështirësitë e hapjes së derës së madhe të BE-së, ambicia jonë nuk mund të përfundojë këtu. Aq më tepër që BE-ja është treguar bujare me Shqipërinë, duke na dhënë mundësinë për të hapur me një shpejtësi të paprecedentë të gjithë grup-kapitujt, dhe duke pritur prej nesh përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me mbylljen e tyre për anëtarësimin në BE.

Nuk duhet të harrojmë se në mjedisin e tanishëm gjeopolitik BE-ja udhëhiqet jo vetëm nga logjika e tregtisë, por edhe nga logjika e sigurisë dhe madje e mbrojtjes së integritetit të tregut të vet. Prandaj, investimet gjithashtu shikohen nën prizmin e sigurisë. Është kjo arsyeja pse BE-ja ka miratuar rregullore mbi shqyrtimin e investimeve të huaja direkte. Këto elemente pasqyrohen edhe në procesin e bisedimeve për anëtarësim për të vlerësuar se kush po investon, ku po investohet dhe kush kontrollon sektorët kyç të tilla si: energjia, infrastruktura, telekomunikacioni, të dhënat dhe teknologjitë e përparuara.

ILUZIONI I SCHENGEN-it

Eksperienca e vendeve me të shkuar të ngjashme me atë të Shqipërisë dhe Serbisë tregon se vendet fillimisht janë bërë pjesë e BE-së, dhe më pas pjesë e zonës Schengen. E kundërta e asaj që propozohet në nismën e përbashkët të Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë, ku kërkohet pjesëmarrja në Schengen pa qenë pjesë e BE-së.

Vendeve që u anëtarësuan në BE në vitin 2004 dhe që vendosen të bëhen pjesë e Schengen-it iu deshën edhe katër vjet pas anëtarësimit në BE për t’u bërë pjesë e Schengen-it. Kroacisë, e cila u bë pjesë e BE-së në vitin 2013, iu deshën edhe dhjetë vjet të tjera për t’u bërë pjesë e Schengen-it. Ndërsa Bullgarisë dhe Rumanisë që u anëtarësuan në BE në vitin 2007 iu deshën plot tetëmbëdhjetë vjet për t’u bërë pjesë e Schengen-it. Pjesëtarët e Schengen-it që nuk janë anëtarë të BE-së janë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni. Standardi i lartë i të cilëve, i pakrahasueshëm me atë të Shqipërisë dhe Serbisë, nuk ka nevojë për komente të mëtejshme.

Faktet e sipërpërmendura flasin vetë. Për t’u bërë pjesë e Schengen-it, kërkesat janë edhe më të rrepta sesa anëtarësimi në tregun e brendshëm apo anëtarësimi në BE, sepse kërkohet besim i plotë në institucionet e shtetit që po anëtarësohet, luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunim i plotë në fushën policore dhe gjyqësore, si dhe harmonizim i plotë me politikat e BE-së.

Para së gjithash, ky bashkëpunimin nënkupton veprimin mbi urdhër-arrestet europiane në mënyrë që vendi që aderon në Schengen të mos bëhet një “strehë e sigurt” për individët apo grupet e strukturuara kriminale që i shmangen drejtësisë. Bilanci i policisë dhe institucioneve ligjzbatuese shqiptare në ekzekutimin e urdhër-arresteve të grupeve të strukturuara kriminale është tejet deficitar.

Ndjeshmëria ndaj kërkesave të përsëritura të partnerëve ndërkombëtarë për eliminimin e grupeve të krimit të organizuar është e ulët. Strukturat e sigurisë në përgjithësi dhe policia në veçanti vuajnë mungesën e besimit të partnerëve ndërkombëtarë. Asnjë strategji marketingu apo plan veprimi nuk e zëvendëson dot vullnetin e hekurt politik në këtë fushë. E vetmja monedhë që vlen në këtë rast është besimi se një vend kontrollon territorin e tij dhe rreziqet e sigurisë, dhe se institucionet ligjzbatuese funksionojnë njësoj për të gjithë.

Puna për t’u bërë pjesë e zonës Schengen është disafish më e vështirë dhe sfiduese sesa përmbushja e kritereve që mundësuan heqjen e regjimit të vizave me zonën Schengen, apo përmbushja e kritereve për anëtarësim në BE. Prandaj, le të mos ushqejmë asnjë iluzion. Rruga jonë për në Schengen do të jetë edhe më e gjatë, edhe më e vështirë se ajo e pjesëmarrjes në tregun e brendshëm dhe anëtarësimit në BE.

RRUGA E QËNDRUESHME

Në të tilla kushte, pyetja që kërkon përgjigje nga vetë nismëtarët e propozimit është se pse po kërkojnë nga BE-ja diçka që është e pamundur ta marrin dhe cila është vlera e këtij propozimi. Pse kjo perde tymi tani?

Cilado qofshin arsyet pas nismës, e sigurt është se, për Shqipërinë e vetmja rrugë e qëndrueshme është anëtarësimi i plotë në BE. Ulja me dinjitet në një tryezë ku të drejtat dhe detyrimet vlejnë njësoj për të gjithë, dhe jo një raport dytësor me BE-në. Ndërkohë, shpërblimi nga ana e BE-së për reformat në fushën e sundimit të së drejtës dhe linjëzimit gjeopolitik, mbeten thelbësore për efektivitetin e zgjerimit dhe për rolin e tij në forcimin e sigurisë europiane.

Anëtarësimi në BE mund të arrihet përmes ndërtimit të një klime bashkëpunimi e mirëkuptimi politik që inkurajon sundimin e së drejtës, garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, lirinë e medias dhe zbatimin me rigorozitet të rregullave europiane në të gjitha fushat e qeverisjes. Ky qëllim mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme dhe rezultateve të matshme. Jo përmes iluzioneve apo shmangies nga përgjegjësitë politike.

Analiza është botim i fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung Tirana

A do mundet PD-ja të krijojë identitet të ri politik?!

0

Shkruan Zef Ndreka

Lideri i PD-së, i ashtuquatur legjendë nga një pakicë demokratësh, ka vite që është në hall të madh. Pozita e vështirë e tij pa asnjë përkrahje ndërkombëtare, përkundrazi, i shpallur me nofkën non gratta nga ShBA-të, nga Britania e Madhe dhe nga gjithë liderët e BE-së, e ka imponuar të luaj lojën e tij dhe të familjes së tij në kurriz të Partisë Demokratike, duke e ngarkuar atë me peshën e fajit, të minimit të demokracosë, të shkatërrimit të sistemit të drejtësisë dhe të korrupsionit gjatë periudhës që drejtonte shtetin shqiptarë.
Berisha, sidoqoftë, është në të drejtë e tij të përballet e të mbrohet nga akuzat. Por përdorimi i PD-së, i militantëve të padijshëm, mbajtja peng e partisë, përçarja, bllokimi i saj, përjashtimet e panumërta, shpallja armiq si një herë e një kohë në monizëm, e komromentojnë më keq atë.
Mjafton ideja që problemet e mëdha tani të Partisë Demokratike të Shqipërisë lidhen edhe me arketipët berishistë që.i shkojnë qorrazi pas legjendës së tyre, pa asnjë shpresë. Por problemet reale të PD-së, po ti shikojmë dhe ti analizojmë në një tablo më të gjerë, do të shikohet qartë se Sali Berisha jo vetëm mbetet figurë dominuese si individ, por si model politik. Barisha ka centralizuar të gjitha vendimmarrjejet, ka krijuar konflikte të vazhdueshne me institucionet dhe përdor gjithnjë një linjë ekstreme që mobilizon bazën, duke kufizuar hapjen ndaj të gjitha shtresave të reja.
Problemi është se ky lloj modeli i vjetëruar dhe i përsëritur nga mbështetësit e tij më besnikë, ka krijuar një lloj kulture politike të mbyllur, ku besnikëria ndaj liderit gjithmonë vendoset mbi reformimin e partisë demokratike, duke sjell shumë pasoja që mund ti theksojmë, si mungesë rinovimi real të PD-së, disa figura të reja ose janë larguar ose kanë mbetur në hije, duke krijuar një polarizim të brendshëm.
Në fakt PD-ja ka vite që funksionon në logjikë fraksionesh, duke shkuar në humbje të besueshmërisë publike. Po vërehet se votuesit gri nuk duan dhe nuk po identifikohen më me një parti që duket e fokusuar vetëm tek konfliktet e brendshme.
Teza për interesa përsonale dhe familjare të Berishës që kontrollon dhe trysnon PD-në, tashmë është shumë e përhapur edhe në disktimet e lira publike. Dhe mjafton në vetëvete kjo, që përbën vetë problemin e kësaj partie që synon të rikthehet në pushtet.
Kështu, duke gjykuar ftohtë, shtrojmë pyetjet:
A është edhe berishizmi që po e dëmton PD-në?!
Po vetë PD-ja a e ka vullnetin dhe kapacitetin të dalë nga modeli i liderit të vetëm dhe të ndërtojë një identitet të ri politik?!
Me sa po shohim dhe dëgjojmë, deri tani, nuk gjejmë asnjë përgjigjje të qartë, pasi PD-ja po tërhiqet dhe lëkundet si një lavjerrës i çrregullt…

Erion Braçe dhe sfida ndaj politikës së mbyllur

0

Shkruan Thoma Gëllçi

E kam njohur Erion Braçen kur ishte shumë i ri. Është një nga ato kujtime që lidhen me një kohë të veçantë dhe me njerëz që e kanë nisur rrugën nga e para. E kam të fiksuar shumë qartë momentin kur ai hyri për herë të parë në zyrën time. Ishte koha kur unë isha kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, në vitet e vështira të qeverisjes së Berishës, kur SHIK-u bënte policinë dhe policia shpesh sillej si bandë. Ishte një realitet i rëndë, me presion, me frikë dhe me shumë paqartësi.
Në atë atmosferë, një ditë, në zyrën time u shfaq një djalë i ri. Ishte i imët, trupvogël, me një pamje të thjeshtë, por me një lloj vendosmërie që dukej që në hyrje. Quhej Erion Braçe. Kishte ardhur me një shkrim në dorë për gazetën. Ia mora shkrimin dhe nisa ta lexoj. Sot nuk e mbaj mend përmbajtjen konkrete të atij shkrimi. Nuk më kujtohen fjalët, as tema. Por më ka mbetur shumë qartë ndjesia që më dha: një nerv i fortë, një qëndrim i prerë, një lloj guximi që dilte përtej trupit të tij të vogël.
Pas atij shkrimi të parë erdhi një i dytë. Pastaj një i tretë. Dhe kështu me radhë. Nuk ishte rastësi. Ishte këmbëngulje. Ishte dëshirë për të qenë pjesë e debatit dhe për të kontribuar. Në një moment, nuk ishte më ai që vinte me shkrime, por isha unë që i propozova të vinte dhe të fillonte punë në gazetë, nëse e dëshironte. Ai pranoi. Këtu nisi rruga e Erionit si gazetar. Dhe në mënyrë të natyrshme, kjo rrugë u kthye më pas në rrugën e tij si politikan, si parlamentar dhe si një nga figurat që ka mbajtur edhe poste të larta shtetërore.
Në të njëjtën kohë, aty nisi edhe miqësia jonë. Një miqësi që ka mbetur e njëjtë pavarësisht viteve që kanë kaluar, pavarësisht rrugëve të ndryshme që kemi bërë dhe pozicioneve që kemi mbajtur. Nuk është një miqësi e rastësishme. Është një marrëdhënie që ka kaluar nëpër kohë dhe nëpër situata të ndryshme dhe ka mbetur e pandryshuar në thelb.
Sepse edhe vetë Erioni ka mbetur i njëjti në thelb. Ai ka qenë dhe mbetet një djalë luftarak, i ndershëm, i gatshëm për sakrificë dhe shumë punëtor. Një njeri për të cilin interesi i përgjithshëm nuk është një slogan, por është pjesë e mënyrës së tij të të menduarit dhe të vepruarit. Ai nuk është nga ata që përshtaten sipas rrethanave për të qenë të qetë. Ai është nga ata që përfshihen, që reagojnë dhe që marrin përgjegjësi.
Sot, Erion Braçe përfaqëson një figurë të pjekur dhe të konsoliduar në politikën shqiptare. Ai mund të jetë fleksibël në mënyrën se si vepron, por është i palëkundur kur bëhet fjalë për të vërtetën. Nuk është një politikan që ndjek interesat e momentit apo retorikat e gatshme. Ai përpiqet të ndërtojë mendimin e tij mbi kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit. Takon njerëz, dëgjon, diskuton dhe pastaj merr qëndrim. Kjo e bën qasjen e tij më konkrete dhe më të lidhur me realitetin.
Në këtë kuptim, ai është një punëtor i përditshëm i politikës. Nuk mjaftohet me deklarata. Përfshihet në çështje konkrete. Ka qenë i tillë në çdo detyrë që ka mbajtur, nga funksionet parlamentare deri te posti i zëvendëskryeministrit. Nuk ka qenë kurrë një figurë formale.
Deklarimi i tij se dëshiron të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës ka hapur një debat që shkon përtej emrit të tij. Nuk është thjesht çështja nëse ai do të jetë apo jo kandidat. Është një debat për mënyrën se si merren vendimet në politikën shqiptare.
Ka zëra që thonë se ai nuk ka asnjë shans. Baton Haxhiu, për shembull, ka thënë se e admiron guximin e Braçes, por se ai nuk ka mundësi reale për të qenë kandidat. Sipas tij, vendimet merren në mënyrë të centralizuar, pa debat të brendshëm, dhe lista e njerëzve që janë në strukturat e partisë e bën të pamundur një kandidim të tillë.
Këto janë argumente që shumë i pranojnë si të vërteta. Por pikërisht këtu qëndron rëndësia e hapit që ka bërë Erion Braçe. Ai po sfidon këtë mënyrë të të bërit politikë. Ai po kërkon që vendimet të mos merren në heshtje dhe pa diskutim. Ai po kërkon që të ketë hapësirë për garë dhe për përfaqësim real.
Unë, që e njoh mirë si individ dhe si karakter, e di se kjo nuk është një lëvizje e rastësishme. Është pjesë e mënyrës së tij të të vepruarit. Dhe jam i bindur se shumë socialistë dhe shumë qytetarë të Tiranës presin pikërisht një figurë të tillë. Një figurë që nuk përfaqëson interesa të tjera, por vetëm interesin e qytetarëve.
Erion Braçe nuk është më ai djali i ri që hyri dikur në zyrën time me një shkrim në dorë. Ai është ende trupvogël, por sot mban mbi vete një përvojë të madhe dhe një histori të gjatë pune.
Askush nuk ka bërë më shumë opozitë brenda qeverisjes socialiste, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, se sa ai. Askush nuk ka ngritur më shpesh zërin për çështje konkrete.
Ai ka mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e fermerëve. Ka kërkuar llogari nga ministrat e bujqësisë, edhe pse ata i përkisnin të njëjtit krah politik. Ka qenë i drejtpërdrejtë dhe i qartë në qëndrimet e tij. Në shumë raste, edhe opozita zyrtare nuk ka bërë aq sa ka bërë ai në ngritjen e problemeve dhe në propozimin e zgjidhjeve.
Edhe sot, me këtë hap që ka bërë, ai po i jep shtysë një diskutimi që mungon. Po kërkon të hapet një debat për përfaqësimin dhe për mënyrën se si zgjidhen kandidatët. Kjo është një kontribut që shkon përtej interesit personal.
Për mua, zgjedhja është e qartë. Unë e kam kandidatin tim. Dhe ai është Erion Braçe. Shpresoj që këtë mendim ta ndajnë edhe shumë të tjerë.

Më shumë “Qytetar Nderi” sesa banorë të thjeshtë ka vetëm Malësia e Madhe

0

Shkruan Mimoza Rexhvelaj

Në një kohë kur shpopullimi e ka kthyer Malësinë në një qytezë fantazmë, ku zëri i rinisë pothuajse nuk dëgjohet fare, ndërsa mosha e tretë mezi shihet në rrugë, sepse mungojnë hapësirat e dedikuara ku mund të kalojnë disa orë. Qoftë edhe një park i thjeshtë, me dy stola për të luajtur domino.
Ndërkohë, bashkia nuk e ndal vrullin për ndarje titujsh. Kalimet dhe “ngjitjet” nga një individ te tjetri duken vite drite larg realitetit të përditshëm të banorëve.
Pyetja e sinqertë që i shtroj bashkisë është:
-Kujt i shërbejnë gjithë këta tituj?
-Çfarë të mire i sjellin komunitetit?
-Cili është funksioni dhe përfitimi real, kur duket sikur për çdo tre banorë, dy prej tyre janë “Qytetar Nderi”?

“Mbretëria kryeministrore është kthyer në kosto për shqiptarët, nuk pranoj asnjë post nga Rama”, Arben Malaj: Do të kandidoj si i pavarur në Vlorë kur ta vendos

0

Ish-ministri socialist, Arben Malaj, në një lidhje me “Studio 24”, deklaroi se po mendon mundësinë e një kandidimi në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm për bashkinë e Vlorës.

Malaj tha se asnjëherë nuk do të jetë kandidat për asnjë post nga Edi Rama, sepse modeli i tij i mbretërisë kryeministrore është kthyer në kosto të rëndë për qytetarët.

“Zoti Rama me të 4 kryetarët e bashkisë së Vlorës ka qenë grindavec dhe i ka përcmuar dhe i ka detyruar që të bëjnë ose sic thotë ai ose karriera e tyre të ndërpritet në mes, sic bëri me Dritan Lelin që nuk u tërhoq apo me Ermal Dredhën që u tërhoq nga posti.

E dyta, ajo që ndodhi me administratën e bashkisë që janë pjesë e administratës publike dhe janë të mbrojtur me ligj, që i kërcënoi madje ne dimë dhe ca ka thënë në mbledhje me dyer të mbyllura, që të 24 dhanë dorëheqje menjëherë do të thotë që është një problem mentaliteti. Kështu që të rrish në pushtet duke cënuar mendimin ndryshe, duke frikësuar ata që janë zgjedhur kjo nuk është fakt për tu gëzuar se është në mandatin e tretë apo të katërt”, tha Malaj.

Arben Malaj: Zoti Rama me të 4 kryetarët e bashkisë së Vlorës ka qenë grindavec dhe i ka përcmuar dhe i ka detyruar që të bëjnë ose sic thotë ai ose karriera e tyre të ndërpritet në mes, sic bëri me Dritan Lelin që nuk u tërhoq apo me Ermal Dredhën që u tërhoq nga posti.
E dyta, ajo që ndodhi me administratën e bashkisë që janë pjesë e administratës publike dhe janë të mbrojtur me ligj, që i kërcënoi madje ne dimë dhe ca ka thënë në mbledhje me dyer të mbyllura, që të 24 dhanë dorëheqje menjëherë do të thotë që është një problem mentaliteti. Kështu që të rrish në pushtet duke cënuar mendimin ndryshe, duke frikësuar ata që janë zgjedhur kjo nuk është fakt për tu gëzuar se është në mandatin e tretë apo të katërt.
Unë jam shumë i qartë, kam kërkesa po e testoj, kur të marr vendimin do e komunikoj. Kam kandiduar në 1992 dhe kam fituar në raundin e parë, në 2013 si i pavarur, me logon që “Qyteti i Pavarësisë Meriton një kandidat të pavarur”, e dinë strukturat e PS të Vlorës sa vota vodhën.

Unë e kam thënë se asnjëherë nuk do të jem kandidat për asnjë post nga Edi Rama sepse modeli i tij i mbretërisë kryeministrore është kthyer në kosto të rëndë për qytetarët dhe unë nuk mund të jem ariu “Mira” që të mbledhë qytetarët.

Kontrolli në pronat e Agasit dhe Beqirit, agjentët e BKH qëndruan 8 orë; çfarë u sekuestrua dhe u zbulua

0

Një ditë më parë me urdhër të SPAK-ut, agjentët e BKH-së, zbarkuan në një kompleks në jug të vendit, ku ushtruan kontrolle në vilat e dy biznesmenëve të shpallur në kërkim, Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit.

Operacioni i BKH-së ka lidhje me hetimin penal që SPAK ka nisur ndaj atij që e klasifikon si grup kriminal që vepronte brenda AKSHI-t.

Gazetarja Klodiana Lala duke zbuluar detaje të reja nga ky operacion bëri të ditur për Neës24 se SPAK po bën dhe një hetim pasuror, për këta persona dhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Lala bëri të ditur se kontrollet kanë zgjatur 8 orë, ndërsa nga pronat e kontrolluara janë marrë materiale, që pritet të verifikohen nga SPAK.

“Një tjetër vilë që ishte në përdorim nga Ermal Beqiri, i është nënshtruar kontrollit, vila është regjistruar në emër të prindërve të Mirlinda Karçanajt, që ia kishin dhënë me qira Ermal Beqirit. Mund të jetë një pasuri e fshehur dhe mund të jetë një konflikt interesi. Janë marrë të dhëna dhe materiale nga ky ambient. Burime nga SPAK bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe vila, që mund të jenë pasuri të fshehura të personave të dyshuar. Emrat e personave që kanë vilat, mbahen në top-secret, që mos të identifikohen personat e tretë”, tha Lala.

Në vijim ajo shtoi se janë duke u hetuar dhe po kalojnë në filtër shumë kompani dhe pasuritë e zyrtarëve që përfshihen në këtë aferë.

SPAK po heton 12 procedura tenderuese që dyshohet se janë paracaktuar, me vlera të larta që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore. Hetimet kanë zbuluar se kriteret e tenderave dyshohet të jenë diktuar nga kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar terren për fitime të garantuara me miliona euro.

Në hetim është biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”. Ndaj tij SPAK ka caktuar masën ‘arrest me burg’. Sipas SPAK, dyshohet se Beqiri ka përfituar shuma të konsiderueshme nga procedurat e kontestuara. Masa e arrestit në burg është dhënë nga GJKKO edhe për biznesmenin tjetër, Ergys Agasi i cili gjithashtu ndodhet në arrati.

Elisa Spiropali shpërthen pas përplasjes me Edi Ramën: “Debati po shtypet, frika po bëhet normë”

0

Deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar për herë të parë pas përplasjes së fortë me kryeministrin Edi Rama gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PS.
Sipas burimeve, gjatë debatit me tone të larta, Rama i është drejtuar Spiropalit me fjalët “mbylle gojën”, duke i kërkuar të mos ndërhynte ndërsa ai ishte duke folur. Incidenti erdhi pas një përplasjeje mes Spiropalit dhe ministres së re Erjona Ismaili, ndërsa në sfond qëndronte kërkesa e saj për debat publik mbi qëndrimet e PS, përfshirë edhe çështjen e Belinda Balluku.
Por reagimi i Spiropalit shkon përtej një incidenti personal.
“Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një model që po zgjerohet,” thekson ajo, duke ngritur alarmin për një klimë të re politike ku, sipas saj, arroganca dhe abuzimi po normalizohen.
Në një deklaratë të gjatë dhe të ngarkuar me mesazhe politike, Spiropali godet drejtpërdrejt kulturën e brendshme në PS, duke paralajmëruar se po ndërtohet një sistem ku bindja shpërblehet më shumë se merita dhe ku debati po zhduket gradualisht.
“Sot nuk mungojnë mendimet, mungon hapësira për t’i shprehur. Debati nuk zhduket – ai shtypet. Dhe kur shtypet, nuk sjell qetësi, por tension të padukshëm që grumbullohet,” shprehet ajo.
Deputetja socialiste shkon edhe më tej, duke përshkruar një realitet ku frika nuk shpallet hapur, por ndikon në çdo vendimmarrje.
“Njerëzit mësohen të masin fjalët jo nga e vërteta, por nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria nuk ndalohet – ajo zbehet,” thekson Spiropali, në një nga deklaratat më të forta të saj.
Ajo kritikon gjithashtu përdorimin e vazhdueshëm të “Europës” në diskursin politik, duke e cilësuar si një referencë që po zbrazet nga përmbajtja reale.
“Europa nuk është një fjalë për t’u cituar, por një sistem vlerash për t’u zbatuar. Çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të pavlerë,” shprehet ajo.
Në fund, Spiropali lë një mesazh të fortë politik dhe moral:
“Fitorja nuk merret, ajo provohet. Nuk mbahet me frikë, por me besim. Dhe kur largohesh, duhet të mbetet respekti – jo vetëm rezultati.”
Kjo përplasje dhe reagimi i saj publik pritet të thellojnë debatet brenda Partisë Socialiste, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi demokracinë e brendshme, lirinë e mendimit dhe mënyrën se si ushtrohet pushteti në Shqipëri.

POSTIMET E FUNDIT