Kreu Blog Faqe 3

Edi Rama ka ngriur sistem krimi, Proda u hoq për lidhjet me Agasin, jo për protestën

0

Analisti Fatos Lubonja komentoi zhvillimet e fundit në Policinë e Shtetit, gjatë një interviste në News 24, duke ngritur pikëpyetje mbi shkarkimin e ish-drejtorit Ilir Proda dhe emërimin e Skënder Hita.
Sipas Lubonjës, çështja kryesore nuk është ajo që është deklaruar publikisht, por arsyet reale të largimit të Prodës.
“Duhet ngritur pyetja pse u hoq Proda? Nuk besoj se u hoq për ngjarjen e vilës. U hoq sepse del i lidhur me Ergys Agasi”, u shpreh ai.
Analisti theksoi se situata është më e thellë sesa një vendim i izoluar, duke akuzuar për një sistem të tërë të inkriminuar.
Sipas tij, nuk qëndron ideja që Edi Rama është një figurë e pafuqishme përballë krimit.
“Duket sikur Rama është një i pafajshëm që e kontrollon krimi dhe këta të tjerë. Por nuk është kështu. Ai është pjesë e këtij sistemi që është ngritur”, theksoi Lubonja.
Ai shtoi se edhe procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të policisë ngre dyshime serioze.
“Është e palogjikshme të mendosh se befas është vendosur të bëhet demokraci. A ka njeri që beson se një komision vendos mbi kritere morale reale?”, u shpreh ai.
Në përfundim, Lubonja theksoi se problemi nuk lidhet me individë të veçantë, por me gjithë sistemin, duke shtuar se pushteti ndodhet në një krizë gjithnjë e më të thellë.

Edi Rama betohet se nuk ka shtëpi, SPAK i gjen vilë ish-drejtoreshës së AKSHI-t në Palasë

0

Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me kontrollet e Byrosë Kombëtare të Hetimit për dosjen e AKSHI-t.

Burime të besueshme konfirmuan se pjesë e kontrolleve ka qenë një vilë në vijën bregdetare në Palasë në posedim të ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Mirlinda Karçanaj. Gjithashtu kontrolle janë kryer edhe në banesën e nënës së Karçanajt në Tiranë.

Ky zhvillim rrëzon deklaratën publike të kryeministrit Edi Rama se Karçanaj jeton në një apartament me qera.

SPAK nga ana tjetër tregohet i rezervuar për të dhënë informacione se çfarë është sekuestruar por mësohet se bëhet fjalë për pajisje dhe dokomentacion, në vilën e Karçanajt dhe të Ergys Agasit që ndodhen në të njëjtën zonë.

Lajm i keq për emigrantët/ Rikthehen rregullat e forta, nuk do keni me leverdi te rrini

0

Mes shtrëngimit të politikave të emigracionit, Bundestagu gjerman përgatitet të shfuqizojë marrjen e nënshtetësisë së përshpejtuar në rast integrimi të shkëlqyer në shoqëri, një rregull ky i vendosur nga qeveria e mëparshme.
Prej më shumë se një viti, në vend ishin në fuqi rregulloret e shkurtuara për marrjen e nënshtetësisë, në bazë të të cilave marrja e nënshtetësisë ishte e mundur pas pesë vitesh qëndrimi në Gjermani, në vend të tetë viteve si më parë.

Ndërkohë, në rastin kur kishte përpjekje të veçanta për integrimin, natyralizimi i përshpejtuar bëhej i mundur edhe pas vetëm tre vitesh. Por koalicioni i konservatorëve dhe socialdemokratëve, CDU/CSU dhe SPD tani dëshiron ta shfuqizojë këtë opsion. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt tha se “natyralizimi turbo”, siç quhej ndryshe, i vendosur nga qeveria e koalicionit të mëparshëm ishte i gabuar.
Qëndrimet për heqjen e marrjes së përshpejtuar të nënshtetësisë janë të ndryshme. Kryetari i Këshillit Gjerman të Ekspertëve për Integrimin dhe Migracionin, Winfried Kluth, e konsideron këtë veprim të arsyeshëm sepse me këtë korrigjohet përshtypja, se qasja në shtetësinë gjermane është shumë e lehtë.

Kurse studiuesi i migracionit Herbert Brücker i Institutit për Kërkime të Punësimit ka paralajmëruar se ky ndryshim do të zvogëlonte nxitjen për njerëzit me kualifikim të lartë për të ardhur në Gjermani.

“Të gjitha çështjet janë firmosur nga Balluku”/ Banorët e Rrjollit në protestë para Kuvendit: Janë hajdutë! Ish-zv.kryeministrja është e para që SPAK e merr në listë…

0

Nga Kuvendi, banorët e Rrjollit kanë kërkuar që të mos u grabitet prona e tyre. Në një protestë të zhvilluar gjatë ditës së sotme, ata janë shprehur se toka e tyre është pasuria e tyre e vetme dhe se nuk mund të lejojnë që t’ua vjedhin.

Ata kanë akuzuar se të gjitha projektet bëhen pa asnjë transparencë dhe ‘se grabiten për ditën me diell’.

Gjithashtu banorët kanë hedhur akuza lidhur ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

“Janë të gjitha të firmosura nga një figurë Belinda ballukut. Hajdutë janë të gjithë ata që kanë firmosur këtë vkm. Dhe e para që e merr SPAK në listë është Belinda Balluku, dua t’i kujtoj sot kryeministrit të gjithë atyre që folën për progres raportin, ne këtu jemi për të dëshmuar se në rastet tona nuk ka drejtësi. Është kapitulli për mbrojtjen e natyrës, dhe ne jemi dëshmitarë që nuk janë mbrojtur”, u shpreh një qytetare.

Nga paratë publike tek pronat në Fier: Spiropali ka ngritur një kartel të vërtetë familjar pasurimi

0

Akuza të rënda ndaj deputetes Elisa Spiropali janë hedhur sot nga gazetari investigativ Adriatik Doçi. Ky i fundit përmes rrjeteve sociale ka zbërthyer skemën e përfitimeve të Spiropalit nga paratë publike duke u pasuruar familjarisht.
Gazetari shton se hijet e deputetes zgjaten nga pronat publike në Fier, tek një kartel kompanish familjare ku përfshihen vëllai, bashkëshorti, kunata, vjehrri dhe shumë të tjerë.
Ja postimi i plotë i Doçit:
Hijet e Spiropalit nga pronat dhe paratë publike tek pasuritë e paluajtshme
Nga do që t’a drejtojë fytyrën, hijet e zonjës Elisa Spiropali zgjaten sa tek pronat publike në Fier, paratë publike, licencat, tenderat brenda rrethit deri tek shit-blerja e pasurive të paluajtshme përmes vëllait, bashkëshorit, kunatës, vjehrrit, prestanomeve të bashkëshortit etj. Një kartel kompanish mbuluar me hije familjare janë krijuar, kanë xhiruar dhe ndarë para gjatë dhe pas ngjitjes së Elisës në poste publike. Solomon Group, Solomon Construction, Blest Taxi, Fortes Construction, BIOFOOD’S, SALT etj., janë vetëm disa nga hijet e zonjës Spiropali. Nuk janë thjeshtë përfitime me sfond konflikti interesash, por me hije të theksuara korrupsioni. Herë nën hijen e Skënderbeut dhe herë të Mamicës, zonja Spiropali rezulton se e ka ‘mjelë’ PS-në po aq sa disa shokë të saj partie, sot në burg apo në arrati.

GJKKO ndryshon masat e sigurisë ndaj Ajola Xoxës

0

GJKKO ka hequr masat e sigurisë ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke miratuar kështu kërkesën e paraqitur prej saj.

Xoxa ndodhej nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”. Xoxa kërkoi lehtësim të masave së sigurisë duke argumentuar se gjendja e saj shëndetësore, për shkak të shtatzënisë, kërkon trajtim më fleksibël, si dhe mundësinë për të lëvizur jashtë vendit.

Kërkesa e saj u pranua nga trupa gjykuese e përbërë nga Engjëllushe Tahiri, kryesuese, si dhe Elsa Ulli dhe Alma Kodraliu, anëtare, të cilat janë gjyqtare themeli në procesin ndaj Erion Veliajt etj.

Ndaj Xoxës, në shkurt të vitit 2025, janë vendosur masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim, dhe dosja tashmë ndodhet në gjykim në themel prej 9 shkurtit të këtij viti.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa ndaj tij SPAK ka ngritur 13 akuza, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave, mosdeklarimin e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.

Vrasësi me pagesë deklaron në gjyq/ Behgjet Pacollit ishte në dijeni për vrasjen e Liridonës, Naim Murseli më urdhëroi (DEKLARATA)

0

Detaje tronditëse kanë dalë këtë të enjte nga seanca gjyqësore që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt.
I akuzuari për këtë vrasje, Granit Plava, e ka ndryshuar deklaratën e tij, duke pohuar para gjykatës se vrasja u krye në bashkëpunim me bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli.

Gjatë seancës së ditës së sotme, Plava u tërhoq nga deklaratat e bëra më herët, teksa ka pretenduar se tani është duke treguar të vërtetën. Ai theksoi se deklaratat e mëparshme i kishte bërë në bazë të marrëveshjes që kishte me Murselin.

Teksa iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij, Skënder Gojani, Plava pranoi se kishte marrëveshje me Naim Murselin dhe ishte në dijeni të veprës për të cilën po akuzohet.

“Asnjëherë nuk më ka treguar kush do ta kryente veprën, vetëm më tha se do të marrësh përgjegjësinë ti. Pa u bë dy vjet të nxjerr nga burgu, e di çfarë pushteti kam,” tha Plava, duke theksuar më tej një tjetër detaj tronditës.

Sipas asaj që ai ka deklaruar në sallë dhe raportimit që mediat vendase i kanë bërë, mësohet se lidhur me këtë ngjarje ka qenë në dijeni edhe biznesmeni Behgjet Pacolli.

Kujtojmë se pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në nëntor të vitit 2023, Pacolli përmes një njoftimi zyrtar sqaroi raportin që kishte me Naim Murseli dhe Liridona Ademajn. Asokohe ai hodhi poshtë aludimet se Murseli kishte mbajtur postin e këshilltarit të tij, duke theksuar se me të njihej që kur ishte adoleshent dhe se e ka ndihmuar disa herë për punë biznesi. Madje biznesmeni bëri me dije se së bashku me bashkëshorten e tij janë kumbarë të një prej djemve të çiftit.

“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019.

Gjatë mandatit tim si MiPJ, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre. Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpuntor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri. Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”, ka deklaruar më herët Pacolli

Dashuria shpirtërore, ajo që zgjon potencialet e fjetura të farës së shpirtit

0
Shkruan Albert Vataj
Një lidhje shpirtërore nuk është thjesht një afërsi ndjenjash, por një rezonancë e thellë, një vibrim i padukshëm ku dy qenie njerëzore njohin njëra-tjetrën përtej sipërfaqes, përtej roleve, maskave dhe historive që mbartin.
Është një takim në thelb, aty ku identiteti nuk është më një ndërtim i jashtëm, por një prani e zhveshur, e ndritshme, që i përgjigjet bukurisë së qenësishme të tjetrit. Në këtë hapësirë, njohja bëhet akt krijimi, një katalizator që ndez një alkimi të brendshme, ku secili transformohet në praninë e tjetrit.
Kjo lidhje është një aleancë e shenjtë, jo në kuptimin ritual, por në domethënien e saj më të lartë. Është një bashkëudhëtim i ndërgjegjshëm drejt realizimit të potencialeve më të thella.
Nëse lidhja e zemrës na mëson të duam tjetrin ashtu siç është, lidhja shpirtërore na fton të shohim më tej, të dallojmë atë që mund të bëhet, atë që është ende në gjendje embrionale, por që kërkon dritë për të lulëzuar dhe diell për të marrë zjarr.
Është një dashuri që nuk mjaftohet me pranimin, por merr përsipër përgjegjësinë e ndërsjellë për rritje.
Në këtë marrëdhënie, secili bëhet një pasqyrë dhe një thirrje, një kujtesë e vazhdueshme e asaj që jemi në thelb dhe e asaj që mund të arrijmë.
Kjo do të thotë të pranosh se roli ynë në jetën e njëri-tjetrit nuk është i rastësishëm, por thelbësor, një bashkëkrijim i vetes përmes tjetrit.
Por kjo rrugë nuk është vetëm ndriçim, ajo është edhe përballje, sprovë.
Një lidhje shpirtërore nuk na zgjeron pa na sfiduar. Sa më shumë që hapemi ndaj njëri-tjetrit, aq më shumë kjo hapje nxjerr në dritë gjithçka që i reziston asaj, plagët e vjetra, frikërat e heshtura, mosbesimet e ngulitura dhe ato nyje të forta emocionale që kemi mësuar t’i fshehim, madje edhe nga vetja. Është një proces zbulimi, shpesh i dhimbshëm, por i domosdoshëm.
Ashtu si dielli, me ngrohtësinë e tij, e detyron tokën të lëshojë lagështinë dhe të ngrejë re në qiell, po ashtu drita e dashurisë së pastër zgjon nga thellësitë tona ato mjegulla të errëta që presin të shpërbëhen. Dashuria nuk i shmang plagët, ajo i ndriçon ato, i bën të dukshme, që të mund të shërohen. Ajo depërton në vendet ku jemi tkurrur, ku kemi ndërtuar mure mbrojtëse, ku kemi zgjedhur frikën në vend të hapjes.
Dhe pikërisht aty, në atë ndërthurje të dritës dhe errësirës, ndodh mrekullia. Farat e shpirtit, të fjetura për kohë të gjatë, fillojnë të zgjohen. Të ushqyera nga prania, pranimi dhe dashuria e pakushtëzuar, ato çelin, rriten dhe japin fryte. Njeriu bëhet më i plotë, më i vetëdijshëm për dhuratat e tij, më i aftë për t’i sjellë ato në botë si një ofertë të sinqertë dhe të pazëvendësueshme.
Dashuria shpirtërore, në këtë kuptim, nuk është vetëm një përjetim, është një proces i shndërrimit. Një udhë drejt vetes, që kalon përmes tjetrit.

SPAK gati lërkesën e dytë në Parlament për arrestimin e Belinda Ballukut, pastrim dhe fshhje parash dhe grup i strukturuar kriminal

0

Ndërsa hetimet nga SPAK vijojnë dhe pas refuzimit të parë të Kuvendit për heqjen e imunitetit të saj, burime pranë hetimit bëjnë me dije se oficerët e Byroja Kombëtare e Hetimit dhe prokurorët janë duke përgatitur një kërkesë të dytë për autorizim arresti, këtë herë mbi dyshime për përfshirje në “grup të strukturuar kriminal”.
Në të njëjtën kohë, ish-zëvendëskryeministrja ka dalë publikisht në terren politik. Një ditë më parë ajo është shfaqur në qarkun e Fierit, ku ka nisur organizimin elektoral, duke sinjalizuar aktivizim të plotë në fushatë.
Në një mesazh publik, Balluku deklaron se po “forcon organizimin” dhe po “zgjeron familjen socialiste”, duke u shprehur e gatshme për betejën e radhës elektorale dhe duke ftuar qytetarët t’i bashkohen strukturave të partisë.
Situata krijon një kontrast të fortë politik dhe institucional: nga njëra anë hetimet e thelluara të drejtësisë dhe përgatitja e një kërkese të re për imunitetin, dhe nga ana tjetër një profil aktiv në terren, me mbështetje të hapur politike nga mazhoranca.
Kujtohet se Kuvendi rrëzoi më herët kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, duke i lënë hapësirë vijimit të hetimeve pa masë sigurie më të ashpër . Ndërkohë, ajo mbetet nën masa kufizuese si ndalimi i daljes jashtë vendit dhe pezullimi nga funksionet ekzekutive

Plasin “ujrat e zeza” në PS, Erion Braçe shpall kandidaturën për Bashkinë e Tiranës si kandidat i pavarur

0

Deputeti Erion Braçe ka shpallur kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ndryshe nga vendimi i kryetarit të PS, Edi Rama dhe strukturave të kryeqytetit që kanë shpallur emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate për kryetare të Bashkisë në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor në 2027.

Dje u zhvillua mbledhja e Asamblesë së Partisë socialiste të Njësisë 5 ku ka qenë prezent i deleguari Taulant Balla, dhe dy deputetët, Erion Brace dhe Fatmir Xhafaj.

Tonet janë ngritur shumë pas ankesave dhe shqetësimeve të shprehura nga socialistët në mbledhje, që nga punësimet e deri te kontributet e gjithsecilit.

Asnjë prej anëtarëve të Asamblesë së PS së Tiranës që konsiderohet edhe zemra e socialistëve për kryeqytetin, nuk ka qenë i kënaqur me mënyrën sesi janë zhvilluar deri tani politikat socialiste ne zonë.

Braçja ka qenë ndër të fundit që ka marrë fjalën.
“Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë.” tha Braçe në mbledhje, duke shkaktuar jo pak habi por edhe duke lënë pa fjalë edhe drejtuesit socialist të qendrës, Taulant Ballën e Fatmir Xhafën.

Deklarata e Braçes vjen në një moment që vetë Rama është investuar për të dalë në terren e për të takuar socialistët.

Nga mbledhja e djeshme e takimit të zgjeruar të grupit socialist, Rama nuk e ka fshehur shqetësimin e luftës së brendshme brenda PS.

Sipas burimeve, Rama mësohet të ketë thënë që “nëse nuk ruajmë imunitetin dhe të kemi qëndrime të unifikuara, PS rrezikon të fragmentizohet më keq se kundërshtarët”.

Dy ditë më parë me strukturat socialiste të Njësisë 2, Edi Rama pa praninë e kamerave që ikën sapo ai mbaroi fjalimin e beri të qartë se kandidatja zyrtare e PS për bashkinë është Ogerta Manastirliu.

Zhvillimet në njësinë 5 vijnë pas mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të PS në Pallatin e Brigadave, ku pati një tjetër përplasje mes Kryetarit të PS Edi Rama dhe ish ministers së jashtme Elisa Spiropali.

Situata në PS nuk është më e qetë si më parë me më shumë zëra që po përpiqen të krijojnë oponencë dhe të kundërshtojnë vendimet e veprimet e Edi Ramës, përplasje që kanë ndodhur që kur në skenën politike u shfaq çështja “Balluku”.

Pritet të shihet se cili do të jetë reagimi i strukturave në qendër por edhe në Tiranë pas shpalljes së beftë të kanditaturës së Erion Braçes si kandidat i pavarur në bashkinë e kryeqytetit.

POSTIMET E FUNDIT