Kreu Blog Faqe 36

Skema e ministres Delina Ibrahimaj për të bërë biznes brenda QSUT

0

Qeveria ka hedhur në ankand një tjetër hapësirë publike, këtë herë brenda zemrës së sistemit shëndetësor. Bëhet fjalë për rreth 467.48 m² ambient në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i cili është nxjerrë për t’u dhënë me qira, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se pasuritë publike po kthehen gradualisht në territor biznesi.

Sipas dokumenteve zyrtare, hapësira është klasifikuar si pasuri “gërmadhë” në bazë të një vendimi qeveritar të vitit 2014, një formulim që në praktikë hap rrugën për dhënien e saj me qira me kosto relativisht të ulët.

Ankandi është shpallur nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit më 2 shkurt 2026 dhe parashikon dhënien e ambientit për një periudhë 10-vjeçare, me një çmim qiraje rreth 63 mijë lekë në muaj, ose vetëm 136 lekë për metër katror.

Por ajo që ngre më shumë polemika është forma e kontratës. Bëhet fjalë për enfiteozë, një mekanizëm që jo vetëm lejon përdorimin afatgjatë të pronës nga privati, por i jep edhe të drejtën për ta regjistruar atë në Kadastër në emrin e tij për 10 vite. Për më tepër, kontrata mund të rinovohet edhe për një dekadë tjetër, ndërsa sipas vendimit të qeverisë, nëse investimi i deklaruar arrin dyfishin e vlerës së objektit, subjekti përfitues mund të kërkojë kalimin e pronës në emrin e tij. Me pak fjalë, ajo që sot konsiderohet pronë e sistemit publik shëndetësor, nesër mund të përfundojë përfundimisht në duar private.

Sipas informacioneve paraprake, ambienti dyshohet se do të transformohet në bar-kafe-restorant, një zhvillim që ngre pyetje serioze mbi prioritetet e menaxhimit të hapësirave spitalore, në një kohë kur vetë sistemi shëndetësor përballet shpesh me mungesa infrastrukturore dhe shërbimesh për pacientët.

Ky vendim nuk është një rast i izoluar. Në vitet e fundit janë dhënë për përdorim privat një sërë pronash publike, nga hapësirat pranë Pallatit të Kongreseve, stadiumet në disa qytete, rezidencat qeveritare në bregdet, deri te institucione sociale si Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli”. Ndërkohë, më herët është përfolur edhe për një tjetër projekt brenda QSUT-së, ku flitej për dhënien e rreth 1800 m² truall për ndërtimin e një hoteli privat.

Ankandi për hapësirën brenda QSUT pritet të zhvillohet më 12 shkurt 2026, por në prapaskenë qarkullojnë dyshime se fituesi mund të jetë i paracaktuar, një akuzë që shpesh shoqëron procedura të tilla dhe që hedh hije mbi transparencën e procesit.

Biznesmeni vdiq në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë, italianët

0

Sipërmarrësi italian Massimo Ferro, 54 vjeç, nga qyteti i Camposampiero, ndërroi jetë në Shqipëri më 22 dhjetor, pak ditë pasi iu nënshtrua një operacioni për zvogëlimin e stomakut në një klinikë private “Trita Hospital” në Tiranë.

Sipas mediave italiane, autoritetet në Itali kanë hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tij dhe kanë kërkuar kryerjen e një autopsie të dytë. Vendimi erdhi pasi ekzaminimi i parë ka ngritur dyshime lidhur me procedurat e ndjekura gjatë trajtimit të trupit pas vdekjes.

Raportohet se gjatë kontrollit të parë mjeko-ligjor janë konstatuar mungesa të disa organeve, përfshirë stomakun dhe një pjesë të zemrës, ndërsa procesi i rikompozimit të trupit dyshohet të jetë bërë me metoda që nuk përputhen me praktikat bashkëkohore të mjekësisë ligjore.

Ekspertët pritet të krahasojnë rezultatet e të dy ekzaminimeve për të përcaktuar nëse vdekja lidhet me komplikacione pas operacionit, me trajtimin mjekësor të mëvonshëm apo me shkaqe të tjera natyrore.

Në kuadër të hetimeve, prokuroria e Padovës ka përfshirë në listën e personave nën hetim edhe një kirurg dhe një dietolog nga Lombardia, të cilët kishin qenë pjesë e procesit të konsultimit mjekësor të Ferro-s para udhëtimit të tij drejt Shqipërisë.

Ferro vuante nga diabeti i tipit 2 dhe kishte vendosur të ndërhynte kirurgjikisht për të ulur peshën, pasi për vite me radhë kishte dështuar me metoda të tjera. Ai ishte orientuar drejt një klinike private në Milano, e cila i kishte propozuar kryerjen e ndërhyrjes në Shqipëri, në një strukturë të lidhur me të.

Operacioni kishte një kosto prej rreth 4,400 eurosh, shumë më e ulët krahasuar me çmimet që aplikohen në Itali për të njëjtën procedurë. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu edhe mënyrën e komunikimit mes pacientit dhe mjekut, i cili, sipas raportimeve, zhvillohej kryesisht përmes aplikacionit WhatsApp.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, gjendja shëndetësore e Ferro-s u përkeqësua dhe ai u shtrua në terapi intensive, ku edhe humbi jetën disa ditë më vonë. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë dhe shkaqet e tragjedisë.

BIRN: Pas skandalit korruptiv, PS propozon ‘privatizimin’ e tenderave të AKSHI

0

BIRN: Pas skandalit korruptiv, PS propozon ‘privatizimin’ e tenderave të AKSHI
Me firmën e një deputeti socialist, Kuvendi i Shqipërisë pritet të marrë në shqyrtim një nismë ligjore që synon transferimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, tek një shoqëri aksionere me pjesmarrje publike dhe private.
Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend nga deputeti i PS, Erjon Malaj, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të kryejë më prokurime dhe të lidhë kontrata për mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve digjitale të vendit – duke ia transferuar këto detyra një shoqërie TIK, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.
Erjon Malaj është një deputet i ri në Kuvendin e Shqipërisë dhe projektligji i depozituar prej tij në Kuvend vjen pas hetimit të bujshëm të Prokurorisë së Posaçme, që zbuloi ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në krye të AKSHI, i akuzuar se kontrollonte tenderat prej dhjetra milionë euro të instraktukturës digjitale të shtetit. Mes të akuzuarve gjenden biznesmeni kontrovers, Ergys Agasi dhe drejtoresha jetëgjatë e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Megjthatë, praktika e ndryshimeve të diskutueshme ligjore përmes propozimeve të deputetëve socialistë nuk është e re dhe është aplikuar disa herë gjatë legjislaturës së kaluar. Njëkohësisht, mazhoranca socialiste po shkon së fundmi drejt menaxhimit me shoqëri aksionere publike dhe private në disa sektorë të ndjeshëm, përfshi edhe atë të mbrojtjes.
Projektligji i depozituar në Kuvend kërkon shfuqizimin e disa pikave në nenet 4 dhe 29 të ligjit “Për qeverisjen elektronike”, ku parashikohen kompetencat e AKSHI në kryerjen e prokurimeve të qendërzuara dhe lidhjen kontratave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit.
Po ashtu, AKSHI-t i hiqet detyrimi për prokurimet e klasifikuara si “sekret shtetëror” për institucionet e administratës shtetërore dhe ato në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe prokurorimet e tjera sipas kërkesave të institucioneve.
Për të kryer këtë detyrë propozohet të krijohet një shoqëri aksionere, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve, e krijuar ose e autorizuar nga AKSHI për zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, platformave dhe infrastrukturave të qeverisjes elektronike.
Në përcaktimin e funksioneve, AKSHI-it i njihen vetëm ushtrimi i funksione të natyrës: standardizuese teknike, arkitekturore të sistemeve dhe të mbështetjes teknike dhe monitorimit të sistemeve të qeverisjes elektronike.
Ndërkohë, sistemet, platformat ose infrastruktura e Teknologjisë së Informacionit do të kalojnë, sipas nismës, “në administrim të shoqërive operatore TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje”.
Institucionet publike përfituese do të paguajnë shoqëritë operatore TIK në bazë kontratash shërbimi për shërbimet e mirëmbajtjeve të sistemeve të tyre.
Normat shumë të larta të fitimeve neto në raport me të ardhurat janë në fakt tipar dallues i subjekteve ekonomike që kanë fituar prokurime publike nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, një zyrë nën varësinë e kryeministrit, e cila merret me infrastrukturën digjitale të shtetit.
Drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe disa personave të tjerë./ BIRN

Zyrtari i lartë i DASH zbarkon në Tiranë, takon krerët e SPAK-BKH dhe Begajn; shmanget Edi Rama

0

SHBA tjetër mesazh përvëlues: Krimi transacional, rrezik për të gjithë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një tjetër mesazh të fortë sa i takon luftës kundër krimit të organizuar.

Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit ka zbarkuar ditët e fundit në Tiranë, ku ka pasur një sërë takimesh të rëndësishme.

Ai ka zhvilluar takime në SPAK e GJKKO, ku është takuar me kreun e SPAK, Klodjan Braho, kreun e BKH-së, Joni Keta, dhe kreun e GJKKO-së, Erjon Bani. Po ashtu, ai ka zhvilluar takime me presidentin Bajram Begaj, ministrat Lamallari dhe Koçiu, si dhe përfaqësues të policisë.

Duke shfaqur forcën e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe luftën e palodhur të Administratës Trump kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve, Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”, njofton Ambasada e SHBA-së.

Ajo që bie në sy është se, nga fotot që ka publikuar Ambasada e SHBA-së, sërish zyrtarët e lartë të DASH-it që vijnë në Tiranë e shmangin kryeministrin. Që kur Trump ka marrë detyrën, Rama nuk ka takuar asnjë funksionar të DASH-it. Ka pasur disa figura të larta që kanë ardhur në Tiranë dhe e kanë shmangur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Mark Tervakoski.

Pasi Trump u bë president, pati një ftohje të raporteve me qeverinë e Ramës. Por kryeministrit i erdhi “lepuri në derë”, pasi Trump e ftoi në Bordin e Paqes dhe Rama e pranoi menjëherë. Siç duket, kryeministri do të tentojë të qetësojë ujërat me republikanët. /Pamfleti

António Costa i prerë me Edi Rama: Shqipëria në pikë kritike, rrezikohen negociatat dhe vizat

0
Screenshot

Takimi i 9 shkurtit në Bruksel mes Presidentit të Këshillit Europian, António Costa, dhe kryeministrit Edi Rama ka nxjerrë në pah tone të forta paralajmëruese nga ana e BE-së. Sipas kabinetit të Costës, Shqipëria ndodhet në një “moment kritik” për rrugën drejt integrimit europian.

Costa ka theksuar se përpjekjet e bëra ndër vite duhet të konsolidohen me veprime konkrete, duke lënë të kuptohet se progresi mund të zhbëhet nëse nuk ka rezultate të matshme në sundimin e ligjit.

Shqetësimi i Brukselit: shteti i së drejtës

Burime diplomatike bëjnë me dije se shqetësimi kryesor lidhet me tensionet mes qeverisë dhe drejtësisë, si dhe me mbrojtjen politike të zyrtarëve nën hetim. Në qendër të debatit është rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku dhe raporti i qeverisë me SPAK.

Brukseli e konsideron funksionimin e pavarur të drejtësisë si kusht themelor për ecurinë e negociatave, veçanërisht për kapitujt 23 dhe 24 (drejtësia dhe të drejtat themelore).

Rreziku i bllokimit dhe rikthimit të vizave

Sipas burimeve europiane, nëse nuk ka prova konkrete për ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta dhe zbatim real të reformës në drejtësi, negociatat mund të bllokohen. Me metodologjinë e re të BE-së, një shtet anëtar mund të kërkojë rikthim pas në proces nëse nuk shihen rezultate të qëndrueshme.

Diplomatë europianë paralajmërojnë gjithashtu se përkeqësimi i standardeve demokratike mund të rihapë diskutimin për mekanizmin e pezullimit të liberalizimit të vizave – një skenar me pasoja serioze sociale dhe ekonomike për qytetarët shqiptarë.

Mesazhi politik

Mesazhi i Brukselit shihet si i qartë: mbrojtja e individëve nuk mund të vihet mbi funksionimin e drejtësisë. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq, ku zgjedhja mes konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe përplasjeve institucionale do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen europiane të vendit.

Semiotika e skulpturës së Idromenos, e Ferid Kolës në Pedonalen e Shkodrës, hapësirë e dialogut urban.

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Para dy muajsh në Dhjetor 2025, u prezantua në Bibliotekën Publike “Marin Barleti”, monografia “Idromeno kostumografia”, e autores Merita Toçila, mbështetur nga Bashkia e Shkodrës. Ky libër është me shumë vlera, kulturore, etnografike dhe historike për artistin shumë dimensional Kolë Idromeno.

Nikollë Idromeno i njohur gjerësisht si Kolë Idromeno (Shkodër, 15 gusht 1860 – 12 dhjetor 1939) ka qenë artist shumëplanësh si piktor, skulptor, fotograf, butaforist, skenograf, muzikant, trombist si dhe arkitekt. Idromeno mbahet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare. Prej burimeve, Idromeno dha po ashtu të parat shfaqjet kinematografike në Shqipëri që më 1913. Si arkitekt projektoi dhe zbatoi planet e mbi 60 ndërtimeve kryesore, private dhe publike në qytetin e Shkodrës.
Semiotika urbane është studimi i kuptimit në formën urbane, siç gjenerohet nga shenjat, simbolet dhe konotacionet e tyre shoqërore. Vendosja e një skulpture në Pedonale e zhvendos veprën nga hapësira monumentale tradicionale (sheshi ceremonial) në një hapësirë dialogu urban. Në plan semiotik, kjo krijon disa nivele kuptimore:
1. Shenja si prani e gjallë (Indeks – Peirce)
Skulptura në pedonale nuk është vetëm simbol historik, por bëhet Indeks i përditshmërisë: ajo “jeton” me qytetin, preket nga drita, kalimtarët, zhurma, stinët. Pra, është shenjë që dëshmon vazhdimisht për kohën aktuale.
2. Ikona dhe memoria kolektive.

Nëse figura përfaqëson një personalitet (p.sh. Idromenon apo një figurë tjetër historike), ajo funksionon si Ikonë e identitetit shkodran. Ngjashmëria fizike (forma, portreti) prodhon njohje të menjëhershme, ndërsa konteksti urban e aktivizon kujtesën kolektive.
3. Hapësira si tekst (Lotman)
Pedonalja është një “tekst kulturor” ku lëvizin kode të shumta: tregtia, biseda, rinia, turistët. Skulptura bëhet nyje semiosferike, pikë ku ndërthuren kuptimet historike me jetën moderne. Kjo e bën veprën dinamike, jo statike.
4. Denotacioni dhe konotacioni (Barthes)
-Denotacioni: një figurë e bronztë/gur, me një qëndrim të caktuar, duke pirë kafe.
-Konotacioni: krenari qytetare, traditë, vazhdimësi kulturore, dialog mes brezash të qytetit të Shkodrës dhe Shqipërisë.
Kole Idromeno në Pedonale.
Per mendimin tim, më duket një ide shumë origjinale dhe e zgjuar, sepse vendosja e skulpturës së Idromenos e Ferid Kolës në Pedonalen e Shkodrës:
-E çliron skulpturën nga solemniteti i ftohtë.
-E bën figurën “bashkëqytetar”.
-E kthen artin në komunikim të drejtpërdrejtë, jo vetëm në përkujtim.
Në aspekt semiotik, kjo zgjedhje prodhon një demokratizim të shenjës: figura historike nuk rri mbi piedestal të largët, por hyn në dialog horizontal me qytetin.
Si përfundim si rezultat i interesit tim për semiotikën urbane dhe psikologjinë e artit, mendoj se ky është një shembull shumë i bukur i transformimit të monumentit nga “shenjtëri statike” në “prani kulturore aktive”. Një prani kulturore aktive i referohet angazhimit të qëllimshëm, të vazhdueshëm dhe të dukshëm të një kulture, grupi ose identiteti të caktuar brenda një hapësire, komuniteti. Ajo shkon përtej bashkëjetesës së thjeshtë (pranisë pasive) për të përfshirë ndërveprimin aktiv, përfaqësimin dhe pohimin e identitetit kulturor në një shoqëri ose qytet të caktuar, në rastin e Shkodrës.
Qamil

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj nga burgu padit prokurorin e SPAK Ols Dados, Gjykata Administrative vendos datën e seancës përgatitore

0

Gjykata Administrative do të zhvillojë më 3 prill seancën përgatitore lidhur me kërkes padinë e Erion Veliajt për prokurorin Ols Dado.

Kryebashkiaku pretendon se Dado është emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin pasi nuk plotësonte kriteret ligjore në atë kohë.

Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Hazbi Balliu, i cili pak kohë më parë u targetua nga kryeministri Edi Rama.
Padia e Veliajt

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj depozitoi më 23 janar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.

Sipas padisë emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.

“Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret në kundërshtim të hapur me dispozitat urdhëruese procedurale të ligjit nr. 8737, duke realizuar një emërim pa bazë ligjore dhe në mungesë të kompetencës materiale ratione personae për të emëruar një subjekt që nuk përmbushte kriteret e ligjit. Ky fakt përbën një shkelje flagrante të rendit juridik dhe një rast tipik të pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, në kuptim të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi: (i) akti është nxjerrë në kundërshtim flagrant me normat urdhëruese të ligjit; (ii) personi i emëruar nuk plotësonte kushtet e përgjithshme dhe të posaçme ligjore; dhe (iii) organi publik ka ushtruar kompetencën e tij për emërim në shkelje të kushteve procedurale të vlefshmërisë së aktit, duke e bërë dekretin juridikisht të paefektshëm dhe nul abinitio”, thuhet në kërkesë padi.

SPAK merr të pandehur edhe sot 1 kryebashkiak socialist dhe 3 ish-zyrtarë

0

Ish-kryetari i Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.

Mësohet bashkë me të janë marrë të pandehur edhe shtetasit Edmonda Harizi, Bersant Ylli dhe Feta Hoxha, të cilët dyshohet se janë përfshirë në të njëjtën procedurë të kundërligjshme.

Hetimet kanë evidentuar shkelje në një procedurë prokurimi që lidhet me një projekt për ujësjellësin në 8 fshatra të zonës.

Hetimet nisën pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në tetor 2024 dhe kanë në fokus procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal” për disa fshatra dhe qytetin e Memaliajt, me fond mbi 493 milionë lekë.

Sipas organit të akuzës, ish-zyrtarët në bashkëpunim kanë krijuar avantazhe të padrejta për operatorë të caktuar ekonomikë, duke shpallur fitues një bashkim kompanish që paraqiste mangësi në dokumentacion, veçanërisht në kapacitetin teknik. Gjithashtu, është lejuar nënkontraktimi i një shoqërie që ndodhej në konflikt interesi, pasi kishte dhuruar projektin dhe hartuar specifikimet teknike.

Gjolek Guci ka drejtuar Bashkinë e Memaliajt për disa mandate, deri në zgjedhjet e fundit vendore, kur kandidati i koalicionit opozitar
“Bashkë Fitojmë”, Albert Malaj, fitoi me një diferencë prej 312 votash.
Ndaj Gucit, sipas raportimeve, ka pasur edhe denoncime të tjera nga qytetarë dhe nga Partia Demokratike, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 216/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

Gjolek Guci, ish-Kryetar i Bashkisë Memaliaj, i akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021);
Edmonda Harizi, ish-Nënkryetare e Bashkisë Memaliaj, e akuzuar për të njëjtën vepër penale;
Feta Hoxha, ish-Drejtor i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Memaliaj, i akuzuar për të njëjtën vepër penale;
Bersant Ylli, administrator i subjektit “Bersant Ylli”, i akuzuar për të njëjtën vepër penale.
Hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më 28.10.2024. Për këtë qëllim, më datë 04.11.2024 është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Objekt i hetimit ka qenë procedura e prokurimit “Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj.

Nga hetimet ka rezultuar se Kryetari i Bashkisë Memaliaj, shtetasi Gjolek Guci, më 21 shtator të vitit 2020 ka nënshkruar kontratën e dhurimit me nr. 658/1 Prot., me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., të përfaqësuar nga administratori A.Sh. Ndërsa projekti për zbatimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal është miratuar nga Kryetari i Bashkisë Memaliaj.

Fondi për objektin, në vlerën mbi 493 milionë lekë (493.183.572), ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtimin dhe kolaudimin e punimeve. Vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit.

Pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.

Gjithashtu, është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për nënkontraktor.

Në datë 28.01.2026, është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 216 në procedimin penal 216/1, për hetime të mëtejshme lidhur me zbatimin e kontratës, për të cilën kërkohet kryerja e veprimeve hetimore të mëtejshme.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kultura e konfliktit

0

Shkruan Zef Ndreka

Vazhdon ende sot problemi i vjetër dhe i ndjeshëm në politikën shqiptare, raporti mes protestës si instrument demokratik dhe përdorimit të dhunës.
Dihet se protesta është një e drejtë themelore në një demokraci funksionale dhe fiton legjitimitet kur mbetet qytetare, kur është paqësore dhe e orientuar drejt kauzave konkrete. Por çdo herë po shohim momente që protestat dominohen nga molotovë, nga përplasje fizike dhe të lënduar si nga protestuesit apo efektivët e policisë.
Dhe vëmendja sapo ndodhin këto, zhvendoset nga mesazhi politik që duhet të përcjellë protesta, tek incidentet. Kjo zhvëndosje vëmendjeje, më shumë i dëmton vetë organizatorët, sepse opinioni publik priret të reagojë më fort ndaj dhunës sesa ndaj arsyeve të protestës.
Nga ana tjetër edhe vetë shteti mban përgjegjësi të madhe. Menaxhimi profesional i turmave, proporcionaliteti në reagim dhe transparenca pas ngjarjeve janë thelbësore për të mos e përshkallëzuar situatën. Çdo i lënduar, pavarësisht palës, është tregues se diçka nuk ka funksionuar siç duhet.
Kjo lidhet fort me strategjitë e përzgjedhura të opozitës, të cilat dukshmëm shihen si konsumuara.
Po ta bëjmë një vlerësim politik, opozitës shqiptare dhe çdo lloj opozite në vendet demokratike, nuk duhet ti mbarojnë strategjitë, të cilat ndryshojnë, riformatohen ose zhvendosen në terrene të tjera psh. në beteja institucionale, zgjedhore, ligjore, komunikime publike, koalicione, etj.
Historitë politike tregojnë se rrëzimet e qeverive apo rotacionet, zakonisht vijnë nga kombinimi i shumë faktorëve, jo vetëm nga protesta në rrugë apo nga përdorimi i dhunës.
Problemi më serioz në Shqipëri mbetet polarizimi shumë i fortë, mungesa e besimit tek institucionet dhe kultura e konfliktit që shpesh zëvendëson debatin racional. Sepse, fatkeqësisht nga opozita dhe liderët e saj, politika perceptohet si përballje fizike, pa garë idesh, ku humbës kryesor mbetet gjithnjë publiku.
Pyetja në këtë rast që kërkon reflektim dhe përgjigje është:
A i afrojnë këto skena qytetarët me zgjidhjet, apo vetëm thellohen ndarjet?
Përgjigjja është e qartë.

Një gjyqtar i Kushtetueses ka firmosur vendimin në kafe! Sandër Beci merrte para për notat e provimeve të studentëve

0

Shkruan Almer Toska

Ai theksoi se një gjyqtar ka firmosur vendime në kafe, përballë personave që i jepte llogari dhe se sipas tij i është bërë presiom nga ‘grupi i Ballukut’.
Toska: Juristët që janë në panel bëjnë interpretim juridik. Unë them që GJK është kthyer në një ferr të vërtetë. Një pjesë me miratimin e tyre dhe një pjesë të detyruar. GJK sot, që shihet si panteoni i drejtësisë, është kthyer në institucionin më të dobët juridik. Juristët e shpjegojnë shumë mirë përbërjen e GJK. Duhet të kishte njerëzit më ekselentë. GJK janë 3 gjyqtarë karriere, Ilir Toska, Xhaferrllari, Asim Vokshi. Pjesa tjetër janë noterë që nuk kanë lidhje aty. Aktualisht po vlon aty diçka. Një kazan i nxehtë ku sekush do të shmangë përvëlimin, nga presionet politike. Di të them një situatë që një pjesë po luan me zjarrin e të shpallurit njerëz anti amerikan.
Investimi VanHorn në këtë çështje është aq i lartë, por presioni nga qeveria blerja është aq e lartë. Sjell përplasje. Ka një anëtar që është relator Sandër Beci. Ku d të shkojë vendimi i këtij njeriut. Duhet të kuptosh ku shkon ai. I vendosur aty nga PS, person që ka qenë pedagog i përfolu që jepte provimi me 300 euro. S’mund të jetë aty në GJK. Kemi të bëjmë me një vëzhgim absolut nga SPAK dhe ambasada për të gjithë anëtarët e GJK në të gjithë lëvizjen. Dyshimet e forta presionet e qeverisë kanë detyruar këto vëzhgime. Nëse do të ketë gjyqtarë të arrestuar në të ardhmen do jenë nga GJK. Duke mos qenë jo profesionist mund të japin vendimet të padrejta që rëndojnë marrëdhëniet me SHBA.
Nëse do ketë gjyqtarë të arrestuar do ketë nga GJK. Përflitet, që një anëtar i GJK ka firmosur vendimin në kafe dhe jo në zyrë. Kur është mbledhur kolegji për shqyrtim, e ka vendosur firmën jashtë zyrës. Përflitet. Kaq e rëndë situata. Janë vënë përballë tytës, mund të jetë dhe një thes me para që firmos këtu. Politika, grupi i Ballukut. Nuk janë profesionistë të fushës. Askush nuk do të dalë në këtë vend mbi interesin amerikan. Shtyje pafund. Si kuptohet kjo çështje? Është 4 me 4. Në 8 anëtarë raporti 4 pro Ballukut, 4 kundër. Me këtë vendim ngel në fuqi pezullimi.
Nuk mendoj se SPAK ka ndenjur duarkryq. Edhe amerikanët. Për të kuptuar se ku do shkojë vota nesër. Prandaj kemi një deklaratë nga GJK largoni presionin nga ne. Nuk mund të hedhin poshtë interesin amerikan. Presioni mbi ta është i madh. Do vendosin për të mirën e Shqipërisë, apo për të mirën e Ballukut. Ramës i intereson vendimi pro zonjës Balluku. Po hetohet për abuzime 5 mld euro. Personi më i korruptueshëm. Ka një trekëndësh Agasi, Agaçi, Balluku. Këta të tre po mbajnë në presion Ballukun.

POSTIMET E FUNDIT