Shkruan Ditmir Bushati
Premtimet entuziaste për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027 dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 u eklipsuan disi nga nisma e përbashkët e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë, botuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, për heqjen dorë nga anëtarësimi dhe pranimi i njëfarë raporti “të nivelit të dytë” me BE-në.
Që prej agresionit rus në Ukrainë, politika e zgjerimit të BE-së ka pësuar një zhvendosje. Nga anëtarësimi i fundit në BE i Kroacisë në vitin 2013 e deri në shkurtin e vitit 2022, zgjerimi ishte një proces i ngecur dhe i kontestuar politikisht. Si pasojë e luftës, tani ai po konsiderohet një instrument i rëndësishëm për sigurinë europiane.
Vështruar në këtë kontekst, zgjerimi po përdoret gjithnjë e më shumë, jo vetëm për të përgatitur vendet për anëtarësim, nga pikëpamja e reformave të sundimit të së drejtës, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, por edhe si një mundësi për të forcuar qëndrueshmërinë e tyre, duke i togëzuar gjeopolitikisht me BE-në, në një mjedis sigurie të ndikuar nga lufta në kontinent. Luftë, e cila ka hyrë në vitin e pestë të saj.
Në këtë sfond është intensifikuar edhe debati nëse procesi i zgjerimit kërkon modele të reja institucionale ose jo, me qëllim intensifikimin e tij. Ndër të tjera, është propozuar: (i) një proces ‘pranimi gradual’ apo me faza të ndryshme, ku secila fazë lidhet me plotësimin e reformave të caktuara; (ii) ‘integrimi në tregun e brendshëm’ të BE-së, si një etapë e ndërmjetme dhe parapërgatitore për të lehtësuar anëtarësimin në BE; (iii) ‘zgjerim i përmbysur’, që i jep përparësi anëtarësimit para përmbushjes së kritereve, shoqëruar me garancitë përkatëse për përmbushjen e tyre duke qenë pjesë e BE-së.
Propozime të tilla synojnë të pajtojnë urgjencën gjeopolitike me kornizën e deritanishme të procesit të anëtarësimit në BE. Nga propozimet e lartpërmendura, ai i ‘zgjerimit të përmbysur’ është hedhur poshtë nga vendet anëtare të BE-së, të cilat këmbëngulin në një proces që kombinon reformat në fushën e sundimit të së drejtës me linjëzimin gjeopolitik.
Ndërkohë nisma e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë krijon një perde tymi, pasi propozon modele që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin: pjesëmarrjen në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen, duke hequr dorë nga anëtarësimi në BE.
Për një çështje si anëtarësimi në BE, i cili konsiderohet një objektiv kombëtar për t’u përmbushur, pas anëtarësimit në NATO, nisma do të duhej t’i nënshtrohej paraprakisht një diskutimi të njëmendtë politik e shoqëror. Qeveria duhet të demonstrojë aftësi për të kryer tri detyra: (i) kuptimin në kohë të problemeve që kanë lidhje me etapat e ndryshme të procesit të zgjerimit; (ii) përpunimin e thelluar të rrugëzgjidhjeve që propozon pa u shmangur nga përgjegjësia; dhe (iii) formulimin e një strategjie në mënyrë transparente për zbatimin e asaj çka është më e dobishme si rrugëzgjidhje.
Ne shqiptarët nuk kemi asnjë dilemë dhe mbetemi të patundshëm në aspiratën tonë për t’u bashkuar me popujt e tjerë në familjen europiane. Ndaj, meritojmë të informohemi për arsyet e kësaj nisme e të dëgjohemi se çfarë mendojmë se duhet bërë për të jetësuar rrugën europiane.
E prezantuar për audiencën gjermane, e cila mban barrën kryesore të shpenzimeve financiare në BE, nisma u përcoll me ftohtësi nga politika gjermane. E vetmja që komentoi nismën ishte komisionerja e zgjerimit, e cila tha se ‘propozuesit nuk e kanë idenë se sa shumë punë e reforma nevojiten për të qenë pjesë e tregut të brendshëm dhe zonës Schengen’. Një deklarim shkurajues krahasuar me qëndrimet e mëparshme të saj se ‘objektivi i Shqipërisë për të përmbyllur procesin e bisedimeve për anëtarësim me BE brenda vitit 2027, është një objektiv ambicioz, por i arritshëm’. Nëse përmbyllja e negociatave është një objektiv i arritshëm, nuk ka arsye që pjesëmarrja në tregun e brendshëm të BE-së, që në çdo rrethanë është më pak sesa anëtarësimi, të mos jetë një objektiv i arritshëm për Shqipërinë.
Gjithashtu, çdo sugjerim dhe nismë nga ana e komisioneres për ngjizjen e një procesi politik dhe demokratik, krejtësisht të munguar, që në fakt duhet t’u paraprinte nismave të tilla në Shqipëri dhe Serbi, do të vlerësohej si ndjeshmëri e institucionit që ajo përfaqëson, ndaj vlerave dhe parimeve të demokracisë, dialogut dhe mirëkuptimit politik. Në të njëjtën kohë, do të sinjalizonte edhe një rikthim në traditën më të mirë të Komisionit Europian, duke treguar kujdes të posaçëm për inkurajimin dhe respektimin e proceseve demokratike në jetën politike dhe shoqërore, më shumë sesa për mbushjen e kutizave të shumë e shumë planeve, matricave e strategjive që në një pjesë të rasteve nuk prodhojnë efekte të matshme në jetën e qytetarëve.
KEQKUPTIMET PËR TREGUN E BRENDSHËM
Pjesëmarrja në tregun e brendshëm për vendet jo anëtare të BE-së do të thotë pranim i rregullave të BE-së për zbatimin e lirisë së lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve, por pa pasur mundësinë e përfitimit financiar dhe shfrytëzimin e instrumenteve që korrigjojnë pabarazitë që mund të krijohen, të cilat janë të disponueshme vetëm për vendet anëtare. Ndërsa, zona Schengen nuk është një paketë ekonomike, por një regjim strikt besimi që përfshin sigurinë, drejtësinë, politikën e vizave dhe kontrollin kufitar.
Është e rëndësishme të dihet se Zona Ekonomike Europiane u krijua në vitin 1992 për të mundësuar pjesëmarrjen në tregun e brendshëm të BE-së të vendeve si Norvegjia, Islanda, Lihtenshtajni, të cilat nuk synonin anëtarësimin, por një treg të përbashkët me BE-në, për shkak të interesit ekonomik dhe politik të ndërsjellë. Vendet e lartpërmendura pranuan rregullat e mbikëqyrjes së BE-së, për shkak të madhësisë së tregut dhe standardit të lartë, pasi Zona Ekonomike Europiane përbëhet nga ekonomi të zhvilluara me institucione të konsoliduara, demokraci të përparuara, standarde sigurie dhe sundim të së drejtës. Në këtë mënyrë, si anëtarët e BE-së ashtu dhe jo anëtarët përfitojnë në një treg më të madh e më të rregulluar, ku ekonomitë kombëtare janë në gjendje të përballojnë forcat e konkurrencës dhe ku konsumatori ka më shumë mundësi zgjedhjeje.
Në praktikë kjo do të thotë se të gjitha bizneset dhe njerëzit trajtohen sikur të jenë pjesë e BE-së, dhe mund të vendosen e lëvizin lirisht kudo bizneset e tyre, pa kurrfarë pengese, tarifore apo jo-tarifore. Gjithashtu, rregullat e prokurimit publik janë në mbështetje të tregut të brendshëm. Parimet e përgjithshme të tregut si mos-diskriminimi, transparenca, trajtimi i barabartë, njohja e ndërsjellë, proporcionaliteti aplikohen edhe për prokurimin publik.
A mund të jetë modeli i Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit i zbatueshëm në rastin e Shqipërisë dhe Serbisë? Ky mund të ishte një opsion që duhej eksploruar shumë kohë më parë në bashkërendim edhe me nismat e integrimit rajonal. Ky i fundit është konsideruar gjithnjë si parakusht për anëtarësimin në BE. Por fatkeqësisht vijon të mbetet i pashfrytëzuar siç duhet ose i keqshfrytëzuar.
Në Samitin e Sofjes në vitin 2018, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor u angazhuan për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor, si parapërgatitje për përfshirjen e rajonit tonë në tregun e brendshëm të BE-së. Në vend që të punonin për përshpejtimin e këtij procesi të ndërlikuar që kërkon përmbushjen e standardeve europiane, Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë krijuan një projekt paralel, të quajtur Ballkani i Hapur, qëllimi dhe rezultatet e të cilit mbeten edhe sot të paqarta.
Mund të tingëllojë ironike, por sapo Shqipëria përparoi me grup-kapitujt për anëtarësim në BE, e braktisi Ballkanin e Hapur. Teksa presim Raportin për Piketat e Ndërmjetme dhe qëndrimin e përbashkët të BE-së për grup-kapitullin e parë që ka lidhje me sundimin e së drejtës dhe që është përcaktues për cilësinë dhe shpejtësinë me të cilën do të mbyllen kapitujt e anëtarësimit në BE, Shqipëria ribashkohet me Serbinë duke deklaruar heqjen dorë nga anëtarësimi dhe pranimin e njëfarë raporti “të nivelit të dytë” me BE-në.
Duke lënë mënjanë kontekstin e mësipërm kontradiktor, në shikim të parë, kërkesa për t’u bërë pjesë e tregut të brendshëm të BE-së mund të duket tërheqëse, pasi njerëzit me të drejtë orientohen për nga përfitimet ekonomike kudo në botë. Shqiptarët dhe serbët nuk bëjnë përjashtim në këtë drejtim. Mjafton të kujtojmë impaktin që pati tek qytetarët dhe bizneset rënia e ‘Murit të Schengen-it” dhe sigurimi i lëvizjes pa viza.
Mirëpo në BE nuk ka asgjë falas. Sidomos kur bëhet fjalë për tregun e brendshëm, i cili, është një nga format më të sofistikuara të integrimit ekonomik që njohim deri më sot. Pjesëmarrja në të nuk është si shëtitjet në park, por si garat olimpike, ku nevojitet stërvitje serioze dhe e përditshme. Tregu i brendshëm funksionon mbi një nivel besimi për zbatimin pa pengesa të lirisë së mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve. Për ta bërë të mundur këtë, vendet anëtare të BE-së duhet të besojnë se ne kemi jo vetëm ligjet e shkruara, por edhe kapacitetin për të zbatuar rregullat dhe politikat e BE-së.
Tregu i brendshëm i BE-së nuk ka të bëjë veç me ekonominë, por mbi të gjitha me sundimin e së drejtës në ekonomi. Ndaj, integrimi në tregun e brendshëm të BE-së është i pamundur nëse nuk ndryshohet modeli i tanishëm i qeverisjes që bazohet tek personalizimi i pushtetit dhe kontrolli i plotë mbi të gjitha institucionet, metastazat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në sektorët kritikë të ekonomisë.
Hetimet e SPAK-ut në lidhje me tenderat në infrastrukturë dhe teknologji, ndër të tjera, na dëshmojnë nevojën për të siguruar një garë të barabartë për të gjithë bizneset vendase apo europiane, duke zbatuar rregullat e prokurimit publik dhe konkurrencës. Po kështu, nevojiten politika dhe veprime që krijojnë besimin e vendeve anëtare për sa i takon zhbllokimit të fondeve të BE-së në fushën e bujqësisë dhe teknologjisë, si pasojë e shkeljeve të pretenduara dhe hetimeve të ndërmarra nga institucionet europiane dhe shqiptare. Me fjalë të tjera, çdo para që del nga buxheti i shtetit apo euro që vjen nga buxheti i BE-së dhe që prokurohet duhet t’i nënshtrohet të njëjtës logjikë.
Shkurt, pa sundim të së drejtës, demokraci dhe mirëqeverisje as që mund të imagjinohet pjesëmarrja në tregun e brendshëm të BE-së, rritja e fuqisë prodhuese, eksportuese dhe as gëzimi i përfitimeve që vijnë prej kësaj pjesëmarrjeje.
Nismëtarët bëjnë të qartë se nuk po kërkojnë integrim institucional në BE. Pra, nuk e konsiderojnë pjesëmarrjen në tregun e brendshëm si një etapë të ndërmjetme drejt anëtarësimit në BE. Austria, Suedia dhe Finlanda fillimisht u bënë pjesë e tregut të brendshëm të BE-së dhe më pas u pranuan në BE. Gjithashtu, Islanda, e cila është pjesë e tregut të brendshëm, ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi, për t’u konsultuar me qytetarët në lidhje më një anëtarësim të mundshëm në BE. Në rast se qytetarët do të përgjigjen pozitivisht, atëherë Islanda do të jetë vendi i 28-të i BE-së.
Pjesëmarrja në institucionet e BE-së është një element përbërës i procesit të anëtarësimit dhe pa të anëtarësimi nuk ekziston. Sado që qëllimi i nismës mund të jetë për të hapur vetëm derën e tregut të brendshëm të BE-së, duke njohur vështirësitë e hapjes së derës së madhe të BE-së, ambicia jonë nuk mund të përfundojë këtu. Aq më tepër që BE-ja është treguar bujare me Shqipërinë, duke na dhënë mundësinë për të hapur me një shpejtësi të paprecedentë të gjithë grup-kapitujt, dhe duke pritur prej nesh përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me mbylljen e tyre për anëtarësimin në BE.
Nuk duhet të harrojmë se në mjedisin e tanishëm gjeopolitik BE-ja udhëhiqet jo vetëm nga logjika e tregtisë, por edhe nga logjika e sigurisë dhe madje e mbrojtjes së integritetit të tregut të vet. Prandaj, investimet gjithashtu shikohen nën prizmin e sigurisë. Është kjo arsyeja pse BE-ja ka miratuar rregullore mbi shqyrtimin e investimeve të huaja direkte. Këto elemente pasqyrohen edhe në procesin e bisedimeve për anëtarësim për të vlerësuar se kush po investon, ku po investohet dhe kush kontrollon sektorët kyç të tilla si: energjia, infrastruktura, telekomunikacioni, të dhënat dhe teknologjitë e përparuara.
ILUZIONI I SCHENGEN-it
Eksperienca e vendeve me të shkuar të ngjashme me atë të Shqipërisë dhe Serbisë tregon se vendet fillimisht janë bërë pjesë e BE-së, dhe më pas pjesë e zonës Schengen. E kundërta e asaj që propozohet në nismën e përbashkët të Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë, ku kërkohet pjesëmarrja në Schengen pa qenë pjesë e BE-së.
Vendeve që u anëtarësuan në BE në vitin 2004 dhe që vendosen të bëhen pjesë e Schengen-it iu deshën edhe katër vjet pas anëtarësimit në BE për t’u bërë pjesë e Schengen-it. Kroacisë, e cila u bë pjesë e BE-së në vitin 2013, iu deshën edhe dhjetë vjet të tjera për t’u bërë pjesë e Schengen-it. Ndërsa Bullgarisë dhe Rumanisë që u anëtarësuan në BE në vitin 2007 iu deshën plot tetëmbëdhjetë vjet për t’u bërë pjesë e Schengen-it. Pjesëtarët e Schengen-it që nuk janë anëtarë të BE-së janë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni. Standardi i lartë i të cilëve, i pakrahasueshëm me atë të Shqipërisë dhe Serbisë, nuk ka nevojë për komente të mëtejshme.
Faktet e sipërpërmendura flasin vetë. Për t’u bërë pjesë e Schengen-it, kërkesat janë edhe më të rrepta sesa anëtarësimi në tregun e brendshëm apo anëtarësimi në BE, sepse kërkohet besim i plotë në institucionet e shtetit që po anëtarësohet, luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunim i plotë në fushën policore dhe gjyqësore, si dhe harmonizim i plotë me politikat e BE-së.
Para së gjithash, ky bashkëpunimin nënkupton veprimin mbi urdhër-arrestet europiane në mënyrë që vendi që aderon në Schengen të mos bëhet një “strehë e sigurt” për individët apo grupet e strukturuara kriminale që i shmangen drejtësisë. Bilanci i policisë dhe institucioneve ligjzbatuese shqiptare në ekzekutimin e urdhër-arresteve të grupeve të strukturuara kriminale është tejet deficitar.
Ndjeshmëria ndaj kërkesave të përsëritura të partnerëve ndërkombëtarë për eliminimin e grupeve të krimit të organizuar është e ulët. Strukturat e sigurisë në përgjithësi dhe policia në veçanti vuajnë mungesën e besimit të partnerëve ndërkombëtarë. Asnjë strategji marketingu apo plan veprimi nuk e zëvendëson dot vullnetin e hekurt politik në këtë fushë. E vetmja monedhë që vlen në këtë rast është besimi se një vend kontrollon territorin e tij dhe rreziqet e sigurisë, dhe se institucionet ligjzbatuese funksionojnë njësoj për të gjithë.
Puna për t’u bërë pjesë e zonës Schengen është disafish më e vështirë dhe sfiduese sesa përmbushja e kritereve që mundësuan heqjen e regjimit të vizave me zonën Schengen, apo përmbushja e kritereve për anëtarësim në BE. Prandaj, le të mos ushqejmë asnjë iluzion. Rruga jonë për në Schengen do të jetë edhe më e gjatë, edhe më e vështirë se ajo e pjesëmarrjes në tregun e brendshëm dhe anëtarësimit në BE.
RRUGA E QËNDRUESHME
Në të tilla kushte, pyetja që kërkon përgjigje nga vetë nismëtarët e propozimit është se pse po kërkojnë nga BE-ja diçka që është e pamundur ta marrin dhe cila është vlera e këtij propozimi. Pse kjo perde tymi tani?
Cilado qofshin arsyet pas nismës, e sigurt është se, për Shqipërinë e vetmja rrugë e qëndrueshme është anëtarësimi i plotë në BE. Ulja me dinjitet në një tryezë ku të drejtat dhe detyrimet vlejnë njësoj për të gjithë, dhe jo një raport dytësor me BE-në. Ndërkohë, shpërblimi nga ana e BE-së për reformat në fushën e sundimit të së drejtës dhe linjëzimit gjeopolitik, mbeten thelbësore për efektivitetin e zgjerimit dhe për rolin e tij në forcimin e sigurisë europiane.
Anëtarësimi në BE mund të arrihet përmes ndërtimit të një klime bashkëpunimi e mirëkuptimi politik që inkurajon sundimin e së drejtës, garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, lirinë e medias dhe zbatimin me rigorozitet të rregullave europiane në të gjitha fushat e qeverisjes. Ky qëllim mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme dhe rezultateve të matshme. Jo përmes iluzioneve apo shmangies nga përgjegjësitë politike.
Analiza është botim i fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung Tirana








