Kryeministrja Meloni kërkon të manipulojë realitetin duke sulmuar edhe gazetarinë investigative, si në rastin e Report.
Anëtarët e Partisë Demokratike në Komisionin e Mbikëqyrës të RAI-t, kanë reaguar pas deklarateve të kryeministres Italiane, Girogia Meloni e cila mbrojti kryeministrin Rama, lidhur me investigimin e RAI3.
Meloni hodhi akuza drejt emisionit “Report” të “RAI”, teksa u shpreh se Rama u sulmua për shkak të marrëveshjes për emigrantët me Italinë.
Lidhur me këto deklarata zyrtarët e opozitës shkruajnë se Meloni, në vend që t’u shpjegojë italianëve humbjen e madhe të fondeve për marrëveshjen Itali – Shqipëri sulmon transmetuesin publik.
“Solidaritet me të gjithë redaksinë e Report-it të akuzuar padrejtësisht nga kryeministrja për linçim. Për Melonin, çdo thashethem jashtë propagandës së Palazzo Chigi është një sulm ndaj lidershipit të tij. Në vend që t’u shpjegojë italianëve humbjen e madhe të fondeve për marrëveshjen Itali – Shqipëri sulmon transmetuesin publik”, thuhet në një deklaratë të anëtarëve të PD-së.
Gjithashtu lidhur me këtë ngjarjen ka reaguar edhe Angelo Bonelli, deputeti i Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, i cili ka dënuar fjalimin e Melonit, teksa e quajti atë dhe perëndeshë të mashtrimit.
“Meloni si Apate, perëndesha e mashtrimit. Ajo që tha sot nga Pescara është një asgjë absolute, ajo flet për diçka që nuk ekziston. Kryeministrja kërkon të manipulojë realitetin duke sulmuar edhe gazetarinë investigative, si në rastin e Report dhe solidarizohet me kryeministrin Rama pa dhënë përgjigje për Demokracinë e mjerë dhe Italinë e mjerë që po qeveriset nga ata që e shohin botën me perde”, shkroi ai.
Nuk ka munguar as reagimi i RAI3, i cili me anë të gazetarit Ranucci, paralajmëroi se sonte do të publikojnë dokumente dhe fakte të tjera.