Një ngjarje tronditëse ka ndodhur sot në Shkodër, pasi babë e bir janë ekzekutuar me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në Dukagjin dhe viktimat janë Gjokë Gurra 57-vjeç dhe Eduart Gurra, 31 vjeç.
Mësohet se mbrëmjen e kaluar persona të paidentifikuar u dogjën atyre banesën në fshatin Sumë, në Dukagjin. Sot babë e bir shkuan në fshat për të parë banesën e djegur, pasi jetonin në Shkodër. Por kur kanë shkuar tek banesa, ata janë ekzekutuar me armë zjarri. Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një kurth. Banesa është djegur qëllimisht dhe atyre u është ngritur më pas një pritë.
Për shkak të terrenit të thyer, shkuarja e policisë në vendin e ngjarjes ka marrë kohë. Deri tani nuk ka asnjë pistë të qartë hetimore, por fokusi është në disa çështje. Nga të dhënat e para që ka marrë policia po fokusohet te fusha e konflikteve dhe ajo e hasmërisë, duke qenë se zona e Dukagjinit njihet si një zonë ku zbatohet me përpikëri Kanuni.
Po ashtu një pistë tjetër është dhe ajo e drogës. Dukagjini është një zonë ku po lulëzon kanabisi dhe mbetet një pistë e hapur, por të gjitha janë parparake. E dukshme është se bëhet fjalë për një krim të mirëorganizuar, pasi autorët dyshohet se dogjën qëllimisht banesën, duke e ditur se babë e bir do shkonin aty.
“Rreth orës 16:40, në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult, në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Gj. G., 57 vjeç dhe djali i tij, E. G., 31 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.
Shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor janë nisur menjëherë për në vendngjarje.
Me mbërritjen e shërbimeve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes do të japim përsëri njoftim më të detajuar”, njofton policia.