Përplasja me ekzekutivin dhe parlamentin bëhet e pashmangshme

0

Shkruan Zef Ndreka

Nuk ka ndodhur më parë, mbase në asnjë vënd të Europës, që një gjykatë të ndërhyjë menjëherë dhe papritmas në pezullimin e një Zv/kryeministri, pa kërkesë më parë në parlament, pa kërkuar heqje imuniteti.
Ky rast është vertetë i pa preçedent dhe debati mbi kompetencat e SPAK-ut ka hapur një nga diskutimet më të ndërlikuara të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Lindin pyetjet:
Ku mbaron pushteti gjyqësor dhe ku fillojnë kufijtë e ekzekutivit e legjislativit?
A e tejkaloi SPAK kompetencën?
Shumë ekspertë juridikë e kanë parë vendimin për pezullimin e një zv/kryeministre e cila është një figurë e rëndësishme ekzekutivit, e emëruar nga Kryeministri dhe e dekretuar nga Presidenti, si veprim që prek balancën e pushteteve.
Si argumenti i tyre, por edhe e Kryeministrit Rama, është vendosja e masave që prekin ushtrimin e funksionit ekzekutiv, sidomos kur nuk ka rrezik real për pengim të hetimit.
Dhe ky rast mund të konsiderohet si hyrje në territorin e kompetencave politike.
Kushtetuta e Shqipërisë nuk parashikon qartë çfarë ndodh kur një ministër akuzohet, përveç procedurave të përgjithshme penale.
Kështu, në mungesë të qartësisë kushtetuese, çdo vendim i SPAK-ut që ndikon drejtpërdrejt ekzekutivin vihet në qendër të debatit.
Megjithatë, nga ana tjetër, mbështetësit e vendimit thonë se asnjë zyrtar publik pavarësisht funksionit, nuk mund të jetë i përjashtuar nga masat hetimore kur dyshohet për vepra që lidhen me detyrën.
Kështu, debati bëhet real në këtë rast.
Pyetja tjetër që vjen:
A duhej kërkuar “leje” nga Kuvendi?
Kjo është në të vertetë pika më e diskutueshme.
Në Shqipëri, imuniteti i ministrave është kufizuar. Deputetët kanë imunitet për arrestim, por jo për hetim.
Gjithashtu, ministrat nuk gëzojnë imunitet të posaçëm, përveç rasteve kur janë edhe deputetë. Ndaj juridikisht, SPAK nuk ka detyrim të kërkojë autorizim nga Parlamenti për të vendosur masa sigurie që nuk janë arrest, por pezullim nga detyra.
Por e parë politikisht dhe institucionalisht, kërkesa paraprake ndaj Kuvendit do të shmangte përplasjen dhe do të rriste transparencën, do të ruante ndarjen e pushteteve, do të shmangte perceptimin e ndërhyrjes në kompetencat ekzekutive.
Juridikisht, SPAK nuk ka detyrim, por fajtikisht do ishte më e drejtë që Parlamenti të përfshihej, qoftë dhe me një procedurë njoftimi ose raportimi.
Pyetja tjetër që vjen:
A kanë mbetur “zbuluar” institucionet e larta të shtetit?
Në këtë rast, të tre pushtetet, Kryeministri, Presidenti dhe Parlamenti, janë goditur në perceptimin publik, sepse Kryeministri u gjend mes respektimit të vendimit dhe akuzave ndaj GJKKO-së për tejkalim kompetencash. Ndaj doli sikur nuk kishte kontroll real mbi trupën e tij qeveritare.
Presidenti, që dekreton ministrat, u anashkalua plotësisht në proces.
Parlamenti, që sipas Kushtetutës ka rolin e kontrollit të ekzekutivit, duket jashtë loje, sepse nuk u pyet, nuk u njoftua, dhe nuk pati asnjë mekanizëm kontrolli institucional.
Në një republikë parlamentare, kjo krijon përshtypjen e një vakumi institucional, ku SPAK-u, si pushtet i pavarur, bie ndesh me ekzekutivin dhe legjislativin pa një mekanizëm që balancon ndërhyrjet.
Vazhdojmë me pyetjen:
Pse ndodh kjo në vendin tonë?
Kjo ngjarje ndodh tek ne, sepse Shqipëria është në një periudhë ku pushtetet janë ende të paqartë në vijat e tyre të ndara, dhe SPAK ka një mision të fortë publik dhe politik.
Po ashtu, Kushtetuta nuk parashikon qartë situata të tilla dhe forca e qeverisë ka dobësuar kontrollin real parlamentar.
Rezultati është një “dyzim” i shtetit, me një ekzekutiv të fuqishëm politikisht, dhe një drejtësi e fuqizuar institucionalisht, që herë-herë përplasen në kufijtë e kompetencave.
Për ta përmbledhur, mund të themi se rasti i Ballukut nuk është vetëm çështje juridike, por simptomë e qartë e një tensioni më të gjerë midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv. SPAK nuk ka shkelur ligjin në mënyrë eksplicite, por ka hyrë në një zonë gri ku përplasja me ekzekutivin dhe parlamentin bëhet e pashmangshme.
Një procedurë paraprake me Kuvendin edhe thjesht formale do të ruante balancën e pushteteve dhe do të shmangte përplasjet që tani duket si cenim i figurës së tre institucioneve kryesore të vendit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu