Monika Kryemadhi ka ftuar ambasadoren Yuri Kim, që të heqin shpatat e të dalin vetëm me pirunj për Kurban Bajram. Në ditë festash peshku i madh nuk e ha të voglin.
Shkruan Sokol Pepushaj
4 Klanet Mafioze dhe Ambasada Amerikane bëjnë paqe!
Ju ngjan paradoks që “helmon” mendjet e çoroditura nga plagosja e pritshmërive?
Po, keni të drejtë.
Pritshmëritë sikur po mbahen me zor në këmbë, ecin avash e mbështetur në “bastunin” e njëfarë Edi Rame, por “mendjet” e ndritura, si me thënë elitat e pushtetit, janë aktive.
Sillen e mbështillen e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja.
Monika Kryemadhi ngjan kokë e madhe e politikës. Pasi gjuan me çizme Edi Ramën, e përqafon në kongres të partisë, pasi kap Sali Berishën duke vjedhur, i ngjitet në krah të rrëzojë Edin, pasi i mbush pjatën me mish maces Sasha, mbush Shqipërinë me lajm.
-Alo, Monika Kryemadhi jam, sot s’kemi ngatërresë, kemi Bajram! Aq mjaftoi. Ambasada Amerikane merret me axhendën e ditës dhe po, Monika Kryemadhi dhe Yuri Kim bëhen lajm për Qiellin e për Tokën, për Qeverinë e Opozitën, për mafien e kancelaritë e Perëndimit, për 95 vjeçarët dhe barinjtë me nga 30 deri në 35 milion euro në llogaritë bankare, ku fshehin të vjedhurat e Pasurive Publike; Qeveria, pushteti dhe opozita bashkë. Po le të jenë bashkë. Sot kemi festë.
Dita bëhet ese.
Po, ngjan me një bishtuk, me një shkëndijë drite, ndoshta edhe me terr a me një rrugë krejt pa rrugë, por gjithsesi, një fletë historie brilante, nga ato që vizatonte pena e Frederik Reshpjes që kurrë nuk u bë milioner, as sa një kryekomunar fshati.
Si do bëhej me para Frederik Reshpja që shumë kohë para Donald Lu-së ka shkruar për “Qytetin e Peshqve”. Peshqit e Frederikut u ngjanin hajdutëve tanë. Kishin Saraje e kasolle, jetë luksi e skamje, por në ditë festash peshku i madh nuk e hante të voglin.
Edhe sot “Peshqit” e pushtetit bëhen të urtë.
Ja pra, sot as Monika e Saliu, as Iliri e Edi nuk janë hajdutë. Për opinionin, edhe pse opium në esencë, ngjajnë “mall” i mirë.
Kur themi “mall i mirë”, këta që merren me drogën, e di që qeshin, se njohin përzierësit. Por meqë e tha Monika, se sot kemi festë, duhet të ecim në sinore të tjera, jo nga punëtorët e drogës, as shpërndarësit që i kemi kudo, por tek 4 Klanet Mafioze që komandojnë nga lart.
Ata sot nuk janë në treg.
Nuk janë në tregun e fshatit, çka nënkupton se një ditë në vit nuk po vjedhin, ose janë në bursat e “Parajsave Fiskale”, ç’ka do të thotë se po bëjnë namin andej ku mileti nuk i hap dot sytë.
Nejse, Monika Kryemadhi ka ftuar ambasadoren Yuri Kim, që të heqin shpatat e të dalin vetëm me pirunj për Kurban Bajram.
Televizionet ndezin blitzet, kamerat ngarkohen nëpër ca djem e vajza të përzgjedhura nga Edi Rama, kasapët me thika zënë deshët nga brirët, Lali Eri shtron Iftar me taksat, për sevap.
Është festë e madhe.
Në krye të lajmit dy femra. Monika Kryemadhi dhe Yuri Kim përcjellin tek shqiptarët mesazhe paqeje, shprese, pse jo edhe drejtësie, se “Peshqit” e Mëdhenj një ditë në vit nuk po hanë peshqit e vegjël.
Ti që je i vëmendshëm për gjithçka këto 32 vjet, gjithë kohët e mashtrimet, pushtetet e diplomacitë, 4 Klanet Mafioze dhe drejtësinë, i shtrydh si atë trëndafilin në gotën e Dritëro Agollit, në pyetjen habitore; Monika ka shoqëri me Yuri Kim, apo ese nga Frederik Reshpja?!/Pamfleti