Shkruan Poli Hoxha
Mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, Sali Berisha u shfaq shumë entuziast. Refuzoi që ti përgjigjej pyetjes se a do të mbante përgjegjësi nëse koalicioni që ka bërë me Ilir Metajn, “Bashkë Fitojmë” do ti humbiste zgjedhjet dhe deklaroi se që kur kishte nisur betejën e tij anti-nongrata, ai ishte bërë shumë i fuqishëm dhe nuk ndalet më.
Të gjithë këtë “fuqi” e përktheu me gjysmë zëri si mision për të “rrëzuar” regjimin e Edi Ramës, por theksoi me krenari, se synimi i madh ishte rikthimi i sovranitetit të Shqipërisë.
Në këtë kontekst ai sulmoi sërish egër “ish-ambasadoren” amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe shumicën e kohës së intervistës i ndihmuar edhe nga Blendi Fevziu, e harxhoi për të hedhur baltë dhe akuza monstruoze ndaj Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeajt dhe PD-së e cila po qëndron besnike e Shqipërisë euroatlantike.
U kujdes që të veçonte shumicën e deputetëve të PD të cilët sipas tij, hapur apo në mënyrat e tyre, po e mbështesin në këtë mision. Këtë e bën për të tallur SHBA duke ju dërguar mesazhin se ai ka “shumicën” edhe brenda PD-së që ata njohin dhe e kanë projektuar, që të vijë në pushtet në vitin 2025.
Nëse të gjithë këta deputetë të cilët po luajnë, edhe me portën e SHBA edhe me atë të lëvizjes antiamerikane, po e bëjnë këtë që po bëjnë sepse thonë apo mendojnë vërtetë se mundja në zgjedhje e Edi Ramës prevalon mbi çdo gjë tjetër momentalisht, Sali Berisha, ua shpërblen duke i trajtuar si butak dhe u djeg alibinë publikisht sa herë që i jepet mundësia.
Gjithsesi pas 14 majit do të kthjellohet gjithçka dhe të gjithë pa përjashtim, do të duhet që të paguajnë faturën e tyre politike dhe personale!
Ndaj le të kthehemi te entuziazmi sovranist i Berishës i cili vjen vetëm 48 orë nga deklarata e stër-përsëritur e Eskobar se ai është e shkuara dhe 24 orë pasi BE paraqiti planin, se do ti trajtojë të korruptuarit dhe minuesit e demokracisë kudo që janë, njësoj si SHBA dhe Britania e Madhe.
Sido që të jetë e vërteta dhe situata brenda deputetëve të PD-së, entuziazmi dhe optimizmi i Berishës për fuqinë e tij buron tjetërkund. Tashmë nuk po fshihet më përfolja brenda lidershipit të Rithemelimit, “Bashkë Fitojmë” dhe stafeve të kandidatëve të primareve, se ka një pazar të mbyllur mes Berishës dhe Edi Ramës.
Sipas tyre, kumbarët e kësaj marrëveshje janë Shefqet Kastrati, Samir Mane, Bashkim Ulaj, (e oligarkë të tjerë), si dhe pronarë të medieve të fuqishme.
Edi Rama i shënjuar fortë nga ndërkombëtarët për shndërrimin e shtetit shqiptarë në një makineri të korrupsionin sistematik dhe të shndërrimit të krimit të organizuar në klient kryesorë të ekonomisë së vendit, për të vazhduar qeverisjen po sheh vetëm një shans:
Ai e ka emrin Sali Berisha dhe që skema të funksionojë, lëvizja e tij duhet që të dalë në rezultatin e 14 majit ashtu siç tha Sali Berisha te Fevziu, “e fortë dhe sovraniste”.
Një 20-30 përqindësh për “Bashkë Fitojmë” në rezultatin e votës popullore dhe të bashkive, do të ishte një fitore e mjaftueshme për Edi Ramën, por “ shumë e madhe” për Sali Berishën.
Ky i fundit së bashku me Ilir Metajn certifikohen si e vetmja “opozitë” në Shqipëri, kurse Edi Rama ka alibinë e madhe që në vitin 2025 të jetë i dënuar të fitojë dhe të mundë armiqtë e perëndimit.
Skemë perfekte, por tashmë e dekonspiruar. Sovranizëm i Berishës mund ti interesojë dhe të jetë shpresa e vetme e Ramës, por jo e shqiptarëve dhe aleatëve perëndimorë.
Ky sovranizëm e ka të shkruar në ballë se është anti-amerikanizëm sot, dhe do të jetë anti-BE nesër. Në fakt problemi i Berishës me nongratat nuk është as moral dhe as politik siç mashtron demokratët. I vetmi makth i tij është fakti se dy “nongratat” nga SHBA dhe Britania e Madhe përpara se të jenë morale dhe politike, janë thellësisht penale.
Çështje penale është edhe ajo që ka bërë Edi Rema me pushtetin gjatë këtyre 10 viteve. Nëse do që të kuptosh qartë klasën e vjetër politike shqiptare, mjafton që të ndjekësh paranë dhe pasurinë e tyre. Te kjo pasuri janë bashkë, ndaj edhe në SPAK dhe përballë SHBA janë po bashkë.
Për këto dy halle të mëdha Rama, Berisha, Kastrati, Mane, Ulaj dhe kompani na paskan gjetur një zgjidhje që pritet ta realizojnë në 14 maj.
Nuk është çudi fare që tu dalë plani fiks siç e kanë bërë, pasi edhe këto zgjedhje zgjatim i tranzicionit 32 vjeçarë janë. Çështja është se Eskobar zbuloi tre ditë më parë se nuk do të analizojnë se si do të zhvillohen votimet në 14 maj, por rezultatin e tyre në 15 maj. Pra SHBA, duket se ka identifikuar planin mbijetues të Trekëndëshit për këto zgjedhje.
Të shohim nga 15 maji e në vazhdim, kur nis realisht beteja e vërtetë për mbylljen e tranzicionit:
Do të fitojë plani Rama-Berisha-Metaj-Kastrati-Ulaj për zgjatjen e tij edhe 30 vite të tjera, apo SHBA-BE-Britani e Madhe dhe Partia Demokratike e çliruar nga berishizmi?!
Ajo që dihet e sigurt është se për amerikanët dhe PD ka vetëm një plan që mbetet gjithmonë “A”, kurse ky i Rama-Berishës është i fundit, ndaj e kanë pagëzuar “ZH”