Plas në PS/ Kandidatët e listave të hapura “luftë” me njëri-tjetrin, Rama ultimatum: Mos bëni fushatë jashtë zonës së caktuar!

0

Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor i kanë vështirësuar punët për kandidatët që ndodhen në listat e hapura, pasi e vetmja mundësi për të marrë një mandat deputeti është nëse del më i votuari në listat e hapura. Kjo mesa duket ka bërë që brenda Partisë Socialiste në Tiranë të nisë një “luftë” brenda llojit, ku të gjithë kanë të njëjtin synim; fitoren e një mandati deputeti.

Kjo ‘luftë’ duket se po e shqetëson kryeministrin Edi Rama, pasi gara në terren për të kapur çdo votë nominale ka filluar të bëhet e ashpër, duke ndikuar edhe strukturat e partisë.

Kufizimi i zonave ku mund të bësh fushatë, e vështirëson punën e kandidatëve për të maksimalizuar votat e tyre, kjo ka bërë që shumë prej tyre të dalin edhe në zonat elektorale të kolegëve për të mbledhur vota për emrin e tyre. Ndodhur në këto kushte “përplasjesh” mes të tijve, Rama është detyruar tu tregojë vijat e kuqe kandidatëve. Ai mësohet se u ka dërguar porosi socialistëve që asnjë kandidat, qoftë edhe deputet aktual, nuk duhet të përdorë strukturat e PS të një zonë tjetër për të mbledhur vota personale.

“Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra te veta jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën. Struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitje e çdo deputeti”, mësohet të ketë thënë Rama, sipas burimeve të “A2CNN”.

Për Edi Ramën Partia Socialiste është më e rëndësishme se çdo deputet, për këtë arsye ua ka ndaluar të majtëve që miqësitë ndërmjet tyre të përkthehen në vota preferenciale për kolegët që kryetari i ka hedhur në betejë të hapur.

“Deputetët në listë të mbyllur nuk duhet kategorikisht të kërkojnë vota për asnjë deputet në listën e hapur, po vetëm për numrin 5. Të gjithëve duhet t‘u thonë tek vota preferenciale jeni të lirë! Po ashtu deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë, e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën”, mësohet të ketë thënë kreu i PS-së.

Me këtë direktivë, një kandidat i PS, të cilit i është caktuar njësia 3 si zonë elektorale, nuk mund të kërkojë ndihëm e degës së PS në njësinë 5 për ta mbështetur me votë në 11 maji. Por dëshira për tu bërë deputet është shumë e madhe për disa në listat e hapura dhe mund të ndodhë që ndonjëri të mos i bindet “ligjeve” të “Bablokut” dhe të shkaktojë zemërim mes socialistëve, duke i prishur shumë punë PS-së në Tiranë. Me afrimin e datës së zgjedhjeve situata mund të nxehet pasi dikujt mund të mos i dalin llogaritë, duke e bërë kështu PS-së deri më datë 11 maj si “bombë me sahat”, sa i aftë do të jetë Rama t’i mbajë të nënshtruar deri datën e zgjedhjeve mbetet për t’u parë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu