Kryeministrit sllovak Robert Fico i është bërë një atentat ditën e sotme, ku ka mbetur i plagosur rëndë.
Mediat sllovake e raportojnë se ai u qëllua teksa po dilte nga një mbledhje qeverie. Ai është në spital, teksa mësohet se është arrestuar agresori.
Ngjarja ndodhi jashtë Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova, ku pas mbledhjes kryeministri doli të përshëndeste mbështetësit.
Katër të shtëna ka pasur në drejtim të tij, ku dyshohet e ka marrë plumba në kokë e gjoks dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova, dënoi sulmin “brutal” dhe i uroi zotit Fico shërim të shpejtë. Handlova ndodhet rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislavë.
Ndërkohë agresori u neturalizua nga qytetarët e tjerë, teksa kanë dalë dhe pamjet.
Kush është Robert Fico
Robert Fico është politikani më me ndikim dhe më kontrovers në historinë moderne të Sllovakisë. Ai u bë deputet në moshën njëzet e tetë vjeçare në vitin 1992, në radhët e partisë së majtë të lindur nga hiri i partisë komuniste, më pas themelues i SMER, një parti socialdemokrate që aderon në grupin S&D në Bruksel (duke vënë në siklet socialistët e Evropës), ai u zgjodh kryeministër tre herë në 2006, 2012 dhe 2016.
Arsyet e rilindjes së tij janë pjesë e shëmbëlltyrës së tij të guximshme politike: nga një komunist i epokës sovjetike te populisti i sotëm që kërkon aleanca në të djathtën ekstreme. “Në realitet, Fico nuk ka ndryshuar kurrë, ai ka qenë gjithmonë një njeri pragmatik, cinik, i etur për pushtet. Ai është një njeri me një mijë fytyra , një për çdo rast. Në të kaluarën ai u tregua pro-evropian dhe në minutën tjetër kundër Evropës”, tha për Corriere Peter Bárdy, drejtor i Aktuality.