Porto Romano nën hije dyshimesh/ Si u shpall fituese “Archirodon”, offshore në Qipro dhe emra oligarkësh rusë në prapaskenë

0

Tenderi për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend me vlerë rreth 393 milionë euro, ka ngritur dyshime serioze për transparencën dhe sigurinë kombëtare. Pas anulimit të garës së parë në korrik 2024 dhe rihapjes në fund të vitit, procedura u shoqërua me skualifikime të njëpasnjëshme të kompanive të mëdha ndërkombëtare, duke lënë në fund vetëm kompaninë “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”, e cila u shpall automatikisht fituese.

Konkurrentë me reputacion si “Jan De Nul” dhe “Van Oord” u përjashtuan për arsye procedurale, ndërsa ankesat e tyre u rrëzuan për shkak të kostove shumë të larta për shqyrtim dhe vendimeve të institucioneve përkatëse. Ky proces ka forcuar dyshimet për një garë të paracaktuar.

Alarmi bëhet edhe më i madh për shkak të strukturës së kompanisë fituese. “Archirodon” rezulton e regjistruar përmes degës së saj në Qipro, një juridiksion i njohur për përdorimin e strukturave offshore. Në dokumentacion shfaqet si sekretare korporative kompania “Cymanco Services Limited”, e cila në të kaluarën ka qenë e lidhur administrativisht me individë dhe kompani të përfshirë në lista sanksionesh të BE-së dhe SHBA-së, përfshirë oligarkë rusë.

Edhe pse këto lidhje nuk përbëjnë automatikisht shkelje ligjore, ekspertë të sigurisë theksojnë se investime të tilla në infrastrukturë kritike kërkojnë verifikim të thelluar dhe mekanizma “screening” që aktualisht mungojnë. Mungesa e reagimit nga institucionet përgjegjëse shton pikëpyetjet mbi menaxhimin e rrezikut ligjor dhe strategjik.

Në një kohë kur BE ka forcuar ndjeshëm rregullat kundër anashkalimit të sanksioneve dhe përdorimit të offshore-ve, projekti i Porto Romanos mbetet nën hijen e dyshimeve: jo vetëm për koston dhe garën, por edhe për sigurinë dhe interesin publik afatgjatë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu