PROFIL – Kryeministri Rama e propozoi si ministre shteti për Antikorrupsionin, ja kush është 40- vjeçarja…

0

Adea Pirdeni është propozuar nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Emri i saj i është dërguar Presidentit për dekretim.

Kujtojmë që Adea Pirdeni në tre vitet e fundit ka mbajtur pozicionin e zv.ministres së Drejtësisë dhe, siç shprehet Rama ajo ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.

Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983. Ajo ka përfunduar studimet në drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, prej të cilit zotëron edhe një diplomë të studimeve Master në të Drejtë Publike.

Në vitin 2014 ka fituar titullin Magister Juris (MJur) me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit dhe prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës. Ajo ka kryer vizita studimore në kuadër të programeve të shkëmbimit pranë Universitetit Humboldt Berlin (Gjermani) dhe pranë Universitetit të Kansasit (ShBA). Që prej vitit 2008, Znj. Pirdeni angazhohet si lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Kushtetuese të Avancuar, të Drejtës së BE dhe të Drejtës Administrative.

Edi Rama në Twitter: Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve; duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trainimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë…

Po ashtu është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen.

Për ta nxitur këtë qasje të re dhe adresuar sfidat e mësipërme, do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.

Fushat kryesore kërkimore të saj janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi, për hartimin dhe implementimin e së cilës ajo ka kontribuuar si Eksperte e Sekretariatit Teknik pranë Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Në vazhdën e eksperiencave profesionale, Pirdeni ka shërbyer ndër vite si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës së Avokatisë së Shqipërisë dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

Pirdeni ka një bagazh të gjerë angazhimi si eksperte ligjore në një numër projektesh të zbatuara nga institute dhe organizata vendase, si dhe partnerë ndërkombëtarë, me fokus në asistimin në përmirësimin e performancës dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve qendrore të administratës publike, forcimin e kapacitetit për hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit në Shqipëri dhe vendet fqinje në rajon, mbështetje për përgatitjen e përafrimit të legjislacionit për Kapitullin 23 të Acquis-së së BE në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë dhe monitorimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Prej Shtatorit 2020, Adea Pirdeni shërben si Zëvendësministre e Drejtësisë e Shqipërisë, duke mbuluar në portofolin e saj kryesisht çështje të integrimit evropian si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 mbi “Gjyqësorin & të Drejtat e Njeriut”, antikorrupsionit dhe kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu