ë epokën ku krimet kibernetike përballen me prokurorë që hetojnë me metoda misterioze, ku detajet konsiderohen luks dhe logjika shpesh shihet si pengesë procedurale, bëhet realitet makthi juridik: persona të gabuar përfundojnë në gjykatë me akuza të rënda, sepse dikujt i është dukur se kështu “dalin” më bukur provat.
Ajo që normalisht do të tingëllonte si një skenar absurd nga një film hollivudian i refuzuar – ndonjë histori e ambientuar diku mes Kolumbisë dhe Venezuelës – rezulton të jetë një histori reale, e ndodhur në Tiranë. Dhe si çdo histori serioze shtetërore, gjithçka nis nga një vajzë e re, e cila mesa duket ka mbetur e pakënaqur nga rezultati i një njohjeje me interesa dashurie dhe/ose financiare.
Pavarësisht se në epokën aktuale të sistemit të drejtësisë shqiptare do të dukej e paimagjinueshme që Prokuroria t’i kushtonte kaq shumë energji një rasti të tillë – ndërkohë që dosje për vrasje, grabitje dhe korrupsion rrinë të pahapura dhe mbledhin pluhur – mbetet vetëm një pyetje naive: pse pikërisht ky rast?
Një nga arsyet e mundshme, krejt rastësore sigurisht, është fakti që vajza në fjalë ka për hallë gazetaren e portalit Newsbomb, Anila Basha. Një çështje që është trajtuar në përgjithësi edhe nga një prokuror që sot ndodhet në SPAK, ndërsa Prokuroria – si institucion – kishte përgatitur dokumente për gjykatë përpara se policia të kishte përfunduar procesimin formal të të akuzuarit mashkull. Një shpejtësi procedurale për t’u admiruar, sikur bëhej fjalë për ndonjë rrezik serioz për rendin kushtetues.
Gjithsesi, prokurori që sot ndodhet në SPAK nuk i dha kësaj çështjeje epitetin që ajo duket se ka marrë më pas, pasi ai u zhvendos për të hetuar skandale më të mëdha dhe më të rëndësishme për kombin, duke ia lënë këtë perlë juridike pasardhësit të tij.
Dhe këtu hyn në skenë prokurori Arbër Berexha. Për të mbështetur akuzën e vajzës së re dhe për të “provuar” se ajo ishte bezdisur pas ndërprerjes së njohjes, Berexha ndërmori një hap që zakonisht rezervohet për hetime të rënda penale: kërkoi nga Vodafone të gjitha tabulatet e telefonatave dhe lokacionet e viktimës dhe të të akuzuarit.
Një luks hetimor që, sipas burimeve të sigurta në Prokurori, nuk u ofrohet as shumë rasteve të vrasjes, grabitjes apo vjedhjes. Por për një histori telefonatash, duket se gjithçka është e justifikueshme.
Jo vetëm kaq. Pasi i tërhoqi këto dokumente nga Vodafone, prokurori, në një akt bujarie institucionale, ia vuri në dispozicion si viktimës, ashtu edhe të akuzuarit. Një shkelje flagrante e privatësisë për të dyja palët, ku tashmë vajza kishte akses në numra telefoni të personave të tretë me të cilët mashkulli i akuzuar kishte komunikuar pas përfundimit të marrëdhënies, ndërsa të dy palët mund të ndiqnin lokacionet e njëri-tjetrit për pothuajse një vit të plotë kalendarik.
Të imagjinojmë për një moment se akuzat për përndjekje do të ishin reale. Në atë rast, prokurori Arbër Berexha, në përpjekje për të “mbrojtur” viktimën, do t’i kishte dhënë të akuzuarit mashkull një hartë të detajuar të jetës së saj. Një strategji mbrojtjeje që sfidon çdo manual elementar sigurie dhe logjike penale.
Por gafat nuk ndalen këtu. Ato arrijnë kulmin me ndihmën e OPGJ-së Edlir Kruja, jo i panjohur në Prokurorinë e Tiranës si person që, sipas dëshmive, nuk heziton t’u bërtasë edhe grave shtatzëna për të marrë përgjigjet që dëshiron gjatë një pyetjemarrjeje. Me ndihmën e tij, hartohet një procesverbal për gjykatën, me një qëllim të vetëm: bindjen e gjykatës se mashkulli i akuzuar ka bezdisur viktimën me telefonata të vazhdueshme pas mbylljes së njohjes.
Në këtë procesverbal, të datës 13.01.2025, dokumentohen 14 telefonata, të paraqitura me solemnitet të tillë, sikur bëhej fjalë për prova tronditëse kriminale, të mjaftueshme për të fundosur reputacionin e të akuzuarit dhe për ta portretizuar atë si monstër, përndjekës dhe bezdisës serial:
Nëse dikush do t’i besonte verbërisht këtij procesverbali, do të arrinte në përfundimin se një krim i rëndë ishte kryer. Për fat të keq për këtë narrativë dramatike, i akuzuari mashkull kishte bërë dikur një kurs Excel-i në gjimnaz.
Duke inspektuar tabulatet e Vodafone, u zbulua ajo që procesverbali kishte “harruar” të shpjegonte: telefonatat ishin reciproke:
Me ngjyrë blu shfaqeshin thirrjet e bëra nga i akuzuari, ndërsa me të kuqe ato të bëra nga viktima. Një komunikim i ndërsjellë, ku pas telefonatave të vajzës, mashkulli e telefononte më pas atë, në një sjellje të rregullt, vullnetare dhe të përsëritur nga të dyja palët.
Edhe duke marrë parasysh vetëm thirrjet e iniciuara nga i akuzuari, lind një pyetje e thjeshtë: a është bezdisje kur dikush të telefonon dhe ti flet me të për minuta apo dhjetëra minuta? Apo kur, pas mbarimit të telefonatës, e telefonon sërish personin që supozohet se të ka bezdisur?
Këtë sjellje, prokurori Arbër Berexha e quan bezdisje në një gradë të tillë, sa për të justifikuar dërgimin e çështjes në gjykatë për përndjekje – një vepër penale që parashikon deri në 4 vjet e gjysmë burg. Një arritje juridike mbresëlënëse për telefonata të ndërsjella.
Prandaj, ndoshta do të ishte e arsyeshme që prokurori Berexha të investonte disa orë në një kurs bazë Excel-i, përpara se të investonte vite burg për persona të gabuar. Sepse interpretimi i saktë i provave është, të paktën teorikisht, pjesë e përshkrimit të punës së një prokurori.
Por pyetja më e errët mbetet: nëse për një çështje “bezdisjeje” manipulohen provat kaq hapur, çfarë ndodh kur në lojë futen interesa të tjera – financiare, politike apo personale? Nëse për 14 telefonata krijohet një realitet paralel juridik, çfarë mund të ndodhë në çështje më serioze, me pasoja reale dhe të pakthyeshme për jetët e njerëzve?
Sa besim mund t’u japim procesverbaleve të hartuara nga i njëjti prokuror, kur një manipulim kaq elementar kryhet pa asnjë ndrojtje? Dhe sa të tjerë mund të kenë qenë viktima të kësaj drejtësie kreative?
Burime të sigurta thonë qe kundër prokurorit në fjalë është përgatitur një ankesë pranë ILD. Mbetet për t’u parë nëse kjo histori do të mbyllet si një farsë juridike e zakonshme, apo do të shërbejë si një paralajmërim i errët për atë se çfarë ndodh kur pushteti penal kombinohet me arrogancën, paaftësinë dhe mungesën totale të frikës nga pasojat.








