Avokati Spartak Ngjela ka komentuar vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Shqipëri më 15 Shkurt.
Ngjela tha se një vizitë e nivelit kaq të lartë është në favor të politikës shqiptare në Ballkan, teksa përmendi konfliktin mes SHBA dhe sllavëve.
Teksa theksoi faktin që vizita e Blinken vjen në një moment tensioni politik në Shqipëri, avokati u shpreh se fokusi do të jetë tek Reforma në Drejtësi, e cila sipas tij drejtohet nga vetë Sekretari Amerikan i Shtetit.
“Blinken është ai që deklaroi që reformën në Drejtësi në Tiranë e drejtojmë ne (amerikanët). Reforma ka prekur korrupsionin. Për korrupsion kemi një ish-kryeministër. Kemi edhe një ish-zv. kryeministër dhe 2 ministra të majtë. Është doktrina e Bonapartit, duhet të fillonte majtas reforma se ata janë në pushtet. Çështja është të shikojmë sesi do avancojnë këto sepse kalojnë nga majtas djathtas. Kemi ish-kryeministrin djathtas në arrest shtëpie. Por kemi një ish-zv.kryeministër të akuzuar për korrupsion dhe 2 ministra të së majtës, e shihni se ka filluar një lloj balancimi? Kjo është doktrinë, do fillojë nga pushteti por do shkojë djathtas sepse do të kishte mangësi të moralitetit nëse fillonte ndryshe”, u shpreh Ngjela.
Sa i takon pretendimeve të Rithemelimit se vizita e Blinken do të ketë efekte nuklearë për PD, Ngjela tha se opozita është në dekadencë të mendimit politik dhe sipas tij komenton para kohe.
“Opozita jonë është në dekadencë në kuptimin e mendimit politik. Nuk është hera e parë që flasin para kohe. Nuk mund të vijë Sekretari i Shtetit në një vend aleat dhe të mbajë fjalim kundër teje. Është pamundësi absolute në çdo lloj politike”, tha avokati për “Report Tv”.
Sipas tij, Reforma në Drejtësia aktualisht është në një kryqëzim të rrezikshëm politik duke ngritur pikëpyetjet nëse do të vijojë të ecë në të njëjtën mënyrë me goditje në të 2 krahët apo do të bllokohet nga parlamenti. Kujtojmë se është konfirmuar se sekretari Blinken do të takohet me kryeministrin Rama dhe kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.
Po ashtu ai tha se vizita është favor për shqiptarët në Ballkan, lidhur me konfliktin mes SHBA dhe sllavëve.
“Duhet të kemi disa favore në kuptimin politik duke menduar që jemi të domosdoshëm në konfliktin mes sllavëve dhe Uashingtonit. E përmendi edhe politika amerikane. Të gjitha këto japin një favor por sa do jetë e aftë politika shqiptare t’i shfrytëzojë këto, do ta shohim hap pas hapi”, tha ai.
Mes të tjerash, avokati tha se vizita vjen në një moment kur ka edhe një ‘qejfmbetje’ të SHBA ndaj Kosovës për vendimin që heq nga qarkullimi dinarin serb.