Ilir Meta është arratisur nga Shqipëria! Një thashethem që kishte nisur të përhapjej nën zë, u kthye në lajmin e ditës në disa prej mediave në vend. Ishte ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka bërë edhe kallëzim penal në SPAK për Metën, i pari që e tha me zë të lartë lajmin për “zhdukjen” e kreut të Partisë së Lirisë dhe aq u desh.
“Ilir Meta nuk ndodhet në territorin e Shqipërisë, sepse është një njeri që një nga dosjet e nxehta që ka SPAK kanë ardhur letërporositë. Ky është precendenti i frikshëm…sepse Ilir Meta mund të jetojë edhe në hënë me paratë që ka,”-tha Valteri në studion e ReportTv.
Pa e vërtetuar askund, të gjithë pas tij dolën për të hamendësuar se përse kishte ikur nga vendi ish-presidenti. Arsyeja më “e logjikshme” për komentuesit e rrjetit ishte një aksion që kishte në plan të ndërmerrte Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Kështu që të gjithë iu mbajtën të njëjtit version, sigurisht me devijime’. Kishte nga ata që thanë se Meta ishte njoftuar nga brenda SPAK për t’u larguar nga vendi, ndërsa të tjerë thanë se të shtunën e dy javëve më parë, SPAK kishte nisur aksion për Metën, por për të mos dalë duarbosh, kishin vendosur në pranga dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi për dosjen ‘Partizani’. Kjo e nisur edhe nga postimi i gazetarit Elton Qyno, i cili shkruante se SPAK pas Berishës do të godiste dhe Metën pasi për të kishin ardhur letër-porositë e dërguara në SHBA.
Misterin dhe teoritë konspirative i shtoi edhe Berisha, i cili tha se nuk e dinte vendndodhjen e Metës, duke theksuar se nuk kishte komunikuar me të që prej ditës që SPAK kishte ndërmarrë aksionin ndaj familjes së tij.
“S’më ka rënë puna këto ditë me fol. Të them të vërtetën nuk mund të them se ku është se ai udhëton. Nuk kam telefonuar nga e shtuna e këtej,”-tha Berisha.
Ku është Ilir Meta? Avokati: Ka ikur, ka ardhur e do ikë prapë, sot pashë disa foto
Edhe avokati i tij, Genc Gjokutaj me fjalët e tij vetëm sa i shtoi benzinë-zjarrit.
“Unë nuk e di ku është se unë nuk shkoj mbrapa Ilirit. Ilir Meta është kryetar i Partisë së Lirisë i cili ka lirinë të lëvizë të vijë të vejë, mund të jetë në Skrapar, mund të jetë në Tiranë. Unë e nuk e di. Shiko kjo pyetje nuk ka lidhje sepse po shikoj diçka, përmbajuni objektit të këtij emisioni. Unë jam ftuar për çështjen Berisha. Nëse do të filloni të më pyesni ku ndodhet ky apo ai, pastaj, mund t’i shikosh, Shqipëria ka dy satelite,”- tha Gjokutaj, ndërsa ishte i ftuar në një emision.
Më konkretisht për vendndodhjen e Metës foli gazetari investigativ Artan Hoxha, i cili tregoi se ish-presidenti ndodhej në Gjermani, por pritet të kthehej në fundjavë.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Dëgjojmë çdo ditë fjalë, arrestohet Meta sot, arrestohet Meta nesër… Ka raportime edhe që nuk është në Shqipëri.
Artan Hoxha: Është spekuluar që zoti Meta është arratisur. Zoti Meta ka ikur ditën e premte në Austri dhe tani ndodhet në Gjermani. Di që kthehet ditën e shtunë. Këto historitë e tjera, nuk besoj se zoti Meta është nga ata njerëz që i pëlqen të arratiset.
Artur Zheji: Kjo ka ardhur, nga një qëndrim shumë i vakët në lidhje me çështjen e Berishës.
Ylli Rakipi: Madje thanë, ishte për Metën por meqë kishte ikur jashtë, e hëngri Berisha… Kaq vulgare është bërë.
Artan Hoxha: Ditën e premte, në datën 20, GJKKO firmosi urdhër arrestin për Malltezin dhe atë ditë ka ikur Meta, por është koiçidencë. Nuk më duket Meta si njeri që arratiset. Meta shkon në gjyq në çdo seancë dhe përballet.
Megjithatë të gjithë aludimeve i dha fund vetë Meta. Sot, teksa të gjithë vrisnin mendjen se ku mund të ishte fshehur, kreu i PL-së u shfaq duke konsumuar kafen e mëngjesit. Ishte i shoqëruar, por ndryshe nga sa jemi mësuar që ta shohim çdo të dielë, shumë sport dhe duke eksploruar Shqipërinë, në foto Meta ishte kujdesur në detaje për veshjen e tij zyrtare. Me një kostum blu, dukej tejet i fokusuar në bisedë, ndërkohë që vetë nuk ka bërë asnjë reagim lidhur me thashethemet që qarkulluan për të. Ndoshta në daljen e tij të radhës nga selia, apo në ndonjë emision televiziv. Deri më tani, të gjithë skeptikët, e kanë parë se ndodhet në Tiranë!