Një armë e re, e pagëzuar nga Rusia si “Alabuga”, është shndërruar në makthin e NATO-s. “Alabuga” është një kompleks unik i mundshëm rus i rrezatimit elektromagnetik, që ka bërë të flasë shtypin perëndimor.
Fillimisht për armën e re ruse u dëgjuar në shtator të këtij viti, kur Vladimir Putin duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Vladivostok, tha se vendi po punon për armët bazuar në parime të reja fizike që do të garantojnë sigurinë në të ardhmen e afërt.
Rusia së fundmi ka testuar me sukses raketën me energji bërthamore “Burevestnik”, por “Alabuga” ka ngjallur interes dhe kuriozitet edhe më të madh, pasi besohet se aftësitë e saj janë më shkatërruese se një bombë bërthamore.
Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi është njohur me karakteristikat e mundshme teknike të kësaj arme (duke iu referuar shërbimeve ekskluzive të inteligjencës amerikane), i bëri thirrje Moskës të ndalojë zhvillimin e saj.
Sipas tij, shfaqja e armëve të tilla do t’i lejonte çdo vendi të fitonte epërsi të padiskutueshme ushtarake. “Një zhvillim i tillë tejkalon të gjithë arsenalin bërthamor të aleancës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s së fundmi.
Por si funksionon “bisha” që ka projektuar Rusia?
Sipas informacioneve që kanë qarkulluar në media, programi i zhvillimit “Alabuga” është zbatuar në vitet 2011-2012. Në kuadër të kërkimit shkencor, fokusi ishte në perspektivën e armëve elektronike dhe ndikimin e tyre në pajisjet konvencionale të armikut me mundësinë e dështimit të plotë të tyre. E gjitha për shkak të rrezatimit me precizion të lartë, me ndihmën e të cilit besohet se çdo pajisje mund të imobilizohet.
Megjithatë, për momentin këto janë vetëm spekulime të gazetarëve. Për më tepër, në fushën e informacionit “Alabuga” njihet si një raketë, por termi nuk është plotësisht i saktë. Eksperti ushtarak dhe redaktori i revistës “Arsenali i Atdheut”, Alexey Leonkov, deklaroi se puna për krijimin e “Alabuga” është ende në fazën eksperimentale.
“Ky është një lloj i ri municioni që mund të dëmtojë pajisjet e komunikimit me një impuls elektromagnetik. Ky impuls ndodh si rezultat i shpërthimit të municionit special të përbërë nga një eksploziv konvencional dhe një spirale induksioni elektromagnetik. Në të njëjtën kohë, ndodh ngjeshja dhe lëshohet një sasi e madhe pulsi elektromagnetik, por vetëm në një zonë të kufizuar. Domethënë nuk është si një shpërthim bërthamor që mbulon një pjesë të madhe të territorit në varësi të fuqisë së ngarkesës, por një zonë më e vogël që shtrihet në një rreze nga 3 deri në 5 kilometra”, shpjegon Leonkov.
Qëllimi kryesor i “Alabuga” është komponenti informues. Kjo do të thotë, se arma drejtohet kundër sistemit të kontrollit luftarak, sistemeve të zbulimit dhe komunikimit.
“Kur shpërthehet një armë e tillë, ndodh që në të gjitha qarqet e komunikimit – në qarqet elektrike, dhe në bordet elektronike, ndodhin shumë qarqe të shkurtra dhe ato dështojnë plotësisht funksionalisht”, shpjegoi eksperti.
Zhvillimi i municioneve të ngjashme me “Alabuga-n” ruse u krye edhe në SHBA dhe Izrael. Një shembull është arma izraelite “Scorpius” – një sistem elektronik i luftës që lejon ata të godasin raketat, avionët dhe dronët e armikut pa përdorur bateri kundërajrore. Kompleksi Scorpius dërgon rreze energjie shumë të synuara që pengojnë sensorët, radarët, navigimin dhe aktivitete të tjera elektronike.
Një detaj tjetër i rëndësishëm për “Alabuga-n” është se bartës i një gjeneratori pulsi elektromagnetik do të jetë në gjendje ta dërgojë atë në një pikë të caktuar, duke shmangur kështu rrezikun që paraqet një raketë e madhe, e cila mund të zbulohet nga mbrojtja ajrore dhe sistemi antiraketor i armikut.
Rusia tani po punon për gjetjen e një transportuesi për municione speciale. Megjithatë, nuk dihet ende nëse këto do të jenë predha të kalibrit të madh, apo nëse do të jenë një lloj raketash tokë-tokë që mund të shpërthejnë në ajër direkt pranë objektivit.