Shkruan Zef Ndreka
Ka nje dallim shumë të madh ndërmjet qeverisë politike teknike dhe qeverisë vetem me specialistë të mirëfilltë, të cilët nuk rreshtohen qorrazi pas partive.
Si në çdo vend, edhe në Shqipëri ka mjaft përsonalitete me të cilët mund të krijosh disa qeveri të vogla teknokratësh, dhe të shtrohen një herë e mirë shinat e shtetit ligjor e demokratik.
Rëndom e dëgjon shpesh nga drejtues ordiner të opozitës se Shqipërisë i duhet një qeveri teknike për ta dërguar vëndin në zgjedhjet e radhës vitin tjetër elektoral. Që nënkupton se Edi Rama nuk duhet të jetë kryeministër i vendit edhe përpara votimeve parlamentare.
Kanë provuar gjithë farë mënyrash e metodash, demokratike e jo demokratike por nuk ja kanë dalur.
Kjo, për faktin e thjeshtë se nuk kanë as mbështetje në popull, as mbështetje ndërkombëtare.
Janë këshilluar shumë herë opozitarët dhe jo vetëm ato, të artikulojnë në betejat politike kërkesat për qeveri teknike, me kusht që Edi Rama të mos drejtojë qeverinë.
Por sa peshë ka fjala dhe kërkesat e opozitës, sidomos asaj të PD-së, kur ajo e shikon vetën të paaftë të përballet me socialistët dhe jo vetëm me to, por edhe me drejtësinë.
Ky i fundit është problemi më i madh.
Po të analizojmë me kujdes situatën politike pas luftës së ashpër të bërë nga SPAK-u, duke akuzuar qartë dy krahët e politikës, madje deri më sot më tepër nga socialistët, është e natyrshme të kërkohet qeveri e re.
Por si i bëhet se qeveritë ndërrohen vetem me vota. Dhe votat i hedh në kuti populli që zgjedh qeverinë që meriton dhe që do.
Historia e qeverive teknike në vendin tonë gjatë viteve të pluralizmit, nuk është se ka shënuar ndonjë rezultat. Sepse ato kanë qënë të gjitha të përkohshme me mandate tre mujore sa për të dërguar vendin më zgjedhje dhe pa disa të drejta kushtetuese, sikurse punojnë qeveritë normale.
Të tilla kanë qënë qeveria Bufi, Ahmeti, Fino dhe e fundit qeveria Rama ku gjysma e kabinetit ishin përfaqësues të PD-së.
Kërkesat e vazhdueshme të opozitës së foltorës, sigurisht bien në vesh të shurdhër. Edhe pse parimisht të drejta, por ato Kërkesa vijnë.më së shumti nga paaftësia për të bërë politikë dhe nga rruga e gabuar dhe strategjia që kanë përcaktuar dhe ndjekin.
Sigurisht që vendit tonë i duhet një qeveri e pa korruptuar, por gjithashtu i duhet edhe një opozitë e drejtë, e fortë që mendon e punon për popullin e jo për interesa klanesh, interesa përsonale e familjare si partia e foltorës.
Po, qeveri tjeter i duhet vendit, dhe kjo duhet të thuhet me zë të lartë. Sepse skandalet e bënë të panumurta.
Për këtë, ka dy rrugë:
– Njëra zgjidhje janë zgjedhjet elektorale normale dhe populli voton qeverinë që dëshiron ti drejtojë edhe katër vite të tjera.
– Tjetra zgjidhje është krijimi i një qeverie teknokratësh me mandat dy vjeçarë dhe në vitin 2027 populli të shkojë në votime pa liderët aktual që kanë mbajtur peng prej mbi 30 vitësh politikën dhe vëndin.
Mbase kjo është për rastin e vëndit tonë një zgjidhje optimale që Shqipëria të futet vërtetë në rrugën e duhur të demokracisë.
Të gjitha manovrat apo lojërat e tjera me zgjedhjet, do të sjellin jo stabilitet ose zgjedhje të parakohëshme.
Viti 2027 për mendimin tim mbetët vija ndarëse me kursin e derisotëm.
Po a do ketë vullnet politik për një qeveri të tillë teknokrat?!
Të shohim çfarë mendojnë edhe ndërkombëtarët…
Promoted Content