Shkruan Frrok Çupi
Ka ca njerëz që sapo lexojnë këtë titull, e lënë me aq dhe i kthehen shokut që s’e ka mbaruar akoma gotën e rakisë: -Shiko more!, ta thashë se po vlon kazani i Ramës. E kam thënë unë, nuk e zgjat vjeshta…
Më vjen mirë që titulli i shkrimit tim se ndryshimet në qeveri kësaj here ndodhën në ‘pikën e vlimit’, të ketë gëzuar edhe të trishtuarit. Por nuk ka kuptimin djallëzor sikur këta po grinden nga brenda dhe ‘së shpejti po shpërthejnë’. Kishte mbërritur tamam pika e vlimit kur kryeministri Edi Rama doli para PS dhe u tha se ‘erdhi ora, po bëjmë ndryshime në qeveri’. Edhe një herë: Nuk është në sensin e ‘kazanit të rakisë’; është në gjithë kuptimin e fenomenit kimik të rritjes së nxehtësisë, që në fjalorin politik e eseistik ka marrë kuptim tjetër.
‘Temperatura’, jo brenda qeverisë ose brenda PS, por temperatura vitale në vendin tonë është ngritur në një pikë që nuk është provuar deri tani. Mbi ‘enë’ kanë nisur të veprojnë faktorët e brendshëm dhe faktorët e jashtëm të presionit. Kjo është ‘pika’ kur u krye, domosdoshmërisht, ndryshimi në motorin e shtetit.
Faktorët e brendshëm që e sollën të nevojshëm ‘përtëritjen’ të cilën po e quajmë edhe ndryshim:
1.
Viti 2030 thuajse u caktua si afati kohor kur Shqipëria pritet në radhët e shteteve anëtare të BE. Hera e parë që vetë BE caktoi datë, në vend që të kishim bredhur ‘në shkretëtirë’, siç edhe bëmë shumë vite. Në këtë rast na duhet të bëjmë gjithçka të mundur që ajo ditë të vijë e sigurt dhe bukur. Një presion i brendshëm është se maxhoranca qytetare nuk e ka na krah, por e ka kundër opozitën politike. Kemi edhe rrethana të tjera të nacionalizmit etnik ballkanik e më tej, si presion i jashtëm.
2.
Viti 2023 i zbulimit të Shqipërisë si postulat ‘domosdo vizitoje dhe shijoje’.
Vendi ynë këtë verë turistike mori vëmendjen e mediave më të fuqishme botërore; zgjoi kureshtjen e personaliteteve shtetërorë dhe shijen e njerëzve të famshëm të artit botëror për ta ‘prekur’ këtë vend.
Mbi 1 milionë njerëz zbritën në brigjet tona detare turistike vetëm brenda një muaji. 200 avionë në ditë zbritën në Rinas. Në vitin 1991, gazetari i New York Times, David Binder, shkruante se ‘këtu ulet vetëm një avion në javë’. Mbi 4 miliardë euro xhiro ka përfituar vendi ynë vetëm këtë vit nga turizmi.
Ky është një presion i brendshëm që e rriti temperaturën; vendi ynë nuk është më një trup në gjumë ku si të ndodhë si të mos ndodhë gjëja.
Por prej kësaj vjen një presion po kaq i madh, nga jashtë. Presioni vjen po nga ata njerëz që ‘na zbuluan’ si vend i mahnitshëm. Vitin e ardhëm ata do të nisen prapë drejt nesh. Por nëse nuk do të kemi kryer disa herë më shumë operacione dhe vepra të mira, atëherë e humbëm edhe atë që fituam.
Kështu matet ‘pika e vlimit’ në sensin e punëve të shtetit.
3.
Pritet ‘Shpiragu’.
Një projekt i nisur e i kthyer pas për gati një shekull, pritet që të njoftojë për ‘Naftë!’. Shqipëria pret të pasurohet me burimet e saj, madje edhe të eksportojë. Vendi ynë pritet të marrë fizionominë e shteteve ‘të epërme’ që prodhojnë energji për vete e për të tjerë.
Fenomeni ‘gjithë energjinë nga vendi’ doemos ndien presion nga jashtë, pikërisht në ‘pikën e vlimit’. Pasuria e përfituar nga nëntoka jonë kërkon që shtetërisht të menaxhohet, të përpunohet e të vihet në dobinë maksimale. Qeverisë i duhet të ndezë motorë të fuqishëm; ndoshta jo vetëm më një ndryshim, por edhe me dy e me tre ndryshime të tjerë.
Dhe Diplomacia, marrëdhëniet me Europën e Amerikën, traktatet në dobi të kombit…
Të gjitha këto janë zgjuar e lulëzojnë më shumë se kurrë në historinë tonë. Presioni i përgjegjësive është i madh, në atë pikë ku duhet të ndryshojnë shpejtësitë….
Atëherë, kjo ndodhi; për këtë herë.