Qytetari pret zgjidhje, jo tym

0

Shkruan Zef Ndreka

Siç shihet, vetë fotoja paraqet një moment tensioni të lartë brenda sallës së Parlamentit shqiptar me ndezje flakadanësh, me tym që ngrihet drejt kupolës, me lëvizje të shpejta të deputetëve. Kjo ishte një situatë që dukej më shumë si skenë proteste sesa si seancë legjislative. Në dukje, për mitingashët që presin të protestojnë në mbremje, ky është akt simbolik i fortë, por edhe i rrezikshëm, si në aspektin fizik, ashtu edhe institucional.
28 shkurti 2026 shënon kështu një tjetër episod të përshkallëzimit të konfliktit politik.
Por si gjithnjë pyetja mbetet:
a prodhon kjo strategji kapital politik apo vetëm konsumon energji publike?
Ta analizojmë, çfar ishte, protestë apo spektakël?
Ndezja e flakadanëve brenda parlamentit, si gjithnjë mbetët një gjest demonstrativ që synon vetëm të tërheqë vëmendje. Por kur forma e demonstrimit bëhet më e fortë se përmbajtja pse sillën kështu, mesazhi zbehet vetë. Dhe fillon ta shikosh opozitën si reaktive, aspak proaktive.
Shfaqje e sjellje të tilla nga deputetët e opozitës në parlamenin e 2026, nuk i shoh as si revoltë, as si alternativë.
Edhe kur kritikat ndaj qeverisë janë të forta dhe të argumentuara, ato kanë nevojë për një ofertë politike të qartë, kanë nevojë për një program, për vizion, për ekip, për besueshmëri. Por kur mungojnë këto, aktet radikale siç veprohet sot në sallën e Kuvendit, mbeten vetëm akte presioni.
Këto nuk janë gjë tjetër, vetëm kosto për institucionin. Parlamenti është simbol i përfaqësimit. Çdo akt që cenon dinjitetin institucional, pavarësisht motivit, dëmton perceptimin e qytetarëve për politikën si mekanizëm zgjidhjeje dhe jo si arenë përplasjeje.
Historia politike dhe parlamentare shqiptare,na ka mësuar se tensionet ekstreme në parlament shpesh kanë forcuar palën që paraqitet si garante e rendit. Ndaj opozita duhet të matët me kujdes dhe të vlerësoje nëse këto akte e ndihmojnë apo e izolojnë më tej atë.
Revolta është e kuptueshme në një klimë mosbesimi të thellë, por revolta pa strategji është kthyer në ritual për opozitën. Dhe rituali, sado i zjarrtë, nuk ndërton alternativë qeverisëse.
Nga gjithë kjo protestë apo spektakël, humbës është vetëm qytetari, që pret zgjidhje, jo tym.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu