Rrezimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut/ Edi Rama ka hallin e tij pasi e ka gati edhe ai burgun!

0

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me vendimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të mos dhënë autorizimin për arrestimin e Belinda Balluku, të kërkuar nga SPAK. Në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po refuzon “t’ia dorëzojë drejtësisë” Ballukun për të mbrojtur, sipas tij, veten nga hetimet.

Sipas Bardhit, vendimi i shumicës socialiste nuk lidhet me mungesën e provave, por me frikën se hetimet mund të çojnë drejt përgjegjësisë politike të kryeministrit. Ai tha se në fjalimin e tij në Kuvend, Rama shmangu përmendjen e provave që, sipas opozitës, ndodhen në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.

Kreu i grupit parlamentar demokrat pretendoi se në dosjen e SPAK përfshihen mijëra mesazhe që tregojnë ndërhyrje të paligjshme në procedurat e tenderave dhe favorizim të kompanive të caktuara, duke përmendur edhe rastin e tunelit të Llogarasë. Sipas Bardhit, këto prova janë arsyeja pse, mazhoranca ka vendosur të mos autorizojë arrestimin e Ballukut.

“Objektivi kryesor i Edi Ramës ishte viktimizimi i Belinda Ballukut, qeverisë së tij dhe atij vetë, duke u përpjekur të diskreditojë prokurorin e çështjes dhe SPAK-un, si dhe të minimizojë rëndësinë e provës së përgjimeve.

A nuk është qesharak dhe i pabesueshëm një kryeministër që flet për linçim politik të partisë në pushtet nga i njëjti sistem, me të cilin mburrej se e kishte ngritur vetë për të shkuar edhe deri në zyrën e tij? Por Edi Rama ndryshe flet dhe ndryshe vepron.

Ai flet për pavarësi të drejtësisë, por voton kundër kërkesës së SPAK-ut për të lejuar arrestimin e bashkëpunëtores më të afërt të tij.

Kam parë me qindra komente në rrjete sociale, dje dhe sot. E kuptoj që shumë njerëz janë të zhgënjyer nga vendimi i Edi Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe aktet korruptive të qeverisë së tij.

Por për të gjithë të zhgënjyerit kam një mesazh: prej sot, shikojeni Edi Ramën ai që është në të vërtetë, një mbrojtës politik i korrupsionit, të cilit tani i ka rënë maska 10-vjeçare e arkitektit të reformës në drejtësi.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë se vendimi i Edi Ramës për t’u bërë avokat i korrupsionit nuk është marrë dje. Ky vendim nuk ka asnjë lidhje me ndonjë fakt juridik, sepse provat janë aty. Ky është një vendim politik i marrë që ditën e parë të ngritjes së akuzës. Është një vendim i paracaktuar, njësoj si tenderat për të cilat është marrë e pandehur dhe po hetohet Belinda Balluku.

Qytetarët meritojnë të dinë gjithashtu se, për herë të parë që nga krijimi i SPAK-ut, një kërkesë e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për hetimin e abuzimit me fondet publike në nivelet më të larta të pushtetit po refuzohet politikisht nga shumica parlamentare, jo mbi bazën e një analize juridike, por mbi bazën e një mbrojtjeje të hapur politike nga Kryeministri i vendit”, u shpreh Bardhi.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu