Shkruan Denis Dyrnjaja
Hartimet me shumë metafora për ngjarjen tragjike në Kosovë do shuhen si kripa në ujë pas vetëm 3 ditësh. Dhe do përsëriten të njëjtat reagime kur të ndodhë ngjarja e radhës, pak rëndësi ka nëse ndodh në Kosovë a Shqipëri.
Shumica prej tyre që reagojnë të tronditur kanë mundësi të flasin çdo ditë e të mos i përdorin hapësirat mediatke për telenovela politike shterpë.
Ndërkohë media kryesisht duhet t’iu përgjigjet fenomeneve të kohës sikurse është dhuna e vazhdueshme në familje.
Psh nëse do ndodhte në Gjermani, Francë apo Itali media nuk do merrej pak orë e 2 a 3 ditë me këtë çështje por do merrej me fenomenin e dhunës pa ndalim në të gjitha dimensionet e format e mundshme duke kërkuar përgjigje te rëndësishme të pyetjeve themelore si psh:
Përse kjo shoqëri është kaq e dhunshme?
Vjen si traditë apo si fenomen momental i kohës?
Rastet janë të izoluara apo fenomeni është masiv?
Është fenomen i fshehur apo i dukshëm në shoqëri?
Çfarë shkaqesh e shkaktojnë? Depresioni, pasioni, varfëria apo shkaqe të tjera
Si duhet reaguar?
Çfarë legjislacioni ka dhe sa i ashpër është ai?
Si duhet ndërgjegjësuar shoqëria kundër fenomenit?
Kështu ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigjen e sociologëve, psikologëve, antropologëve, kriminalistëve e kujtdo që lidhet ne mënyrë direkte ose indirekte me të tilla fenomene që krijojnë pasoja me efekt të gjerë shoqëror.
Pra gjithnjë merremi me pasojën dhe jo me shkakun, asnjëherë me parandalimin. Parandalimi vjen nga ndërgjegjësimi dhe ndërgjegjësimi vjen nga sensibilizimi.
Pra duhet kursyer ky teatri masiv se shpesh e vrasim për herë te dytë viktimën duke u shfaqur ditëve te mortit për t’u zhdukur deri në thagmën e radhës.
Sa Liridona të tjera po dhunohen ne këtë moment e keni pyetur ndonjëherë veten. Besoj se jo sepse po ta kishit pyetur për fenomenin që i mori jetën Liridonës do ishte folur me shumë e më shpesh e jo kur deti është bërë kos e jeta përshesh!