Sali Berisha, forcë apo pengesë politike?

0

Shkruan Zef Ndreka

Një nga çështjet më të mëdha të politikës shqiptare sot, është diskutimi nëse Sali Berisha është realisht forca që mban gjallë opozitën, apo është pengesë për rikthimin e saj në pushtet.
Për ta analizuar këtë, shtrojmë pyetjen:
Pse disa demokratë mendojnë se vetëm Berisha e mban gjallë opozitën?
Një pjesë jo e vogël e demokratëve e shohin Berishën si figurë të pazëvendësueshme, e shohin si lider me bazë të fortë elektorale pasi
ai ka ende një mbështetje të konsiderueshme në strukturat tradicionale të Partia Demokratike dhe arrin të mobilizojë militantët dhe strukturat lokale.
Në të vërtetë, Berisha është një figurë me përvojë politike. Ai është një nga politikanët më jetëgjatë në Shqipëri dhe për shumë mbështetës, sidomos foltoristë, përfaqëson përvojë dhe aftësi përballjeje me kundërshtarët.
Disa e shikojnë edhe si faktor bashkimi për një pjesë të elektoratit opozitar. Pas përçarjes së opozitës, Berisha për disa, vazhdon të mbahet ende figura që mban të bashkuar një pjesë të rëndësishme të votuesve antiqeveritarë.
Por vjen natyrshëm pyetja tjetër:
Pse shumë të tjerë mendojnë se Berisha është pengesë për rikthimin e PD-së në pushtet?
Sepse Berisha ka konsum politik shumë të madh. Ai ka qenë në politikë për më shumë se tre dekada dhe për shumë qytetarë ai përfaqëson një cikël të mbyllur politik, herë si Sekretarë i PPSH-së, e më pas si kryetar i PD.
Ai konsiderohet pengesë për rrotacion, për shkak të konfliktit me drejtësinë dhe partnerët ndërkombëtarë. Problemet me drejtësinë dhe sanksionet ndërkombëtare për të, e bëjnë më të vështirë për të mos thënë të pamundur, që opozita të ndërtojë një imazh të ri.
Gjithashtu, Berisha përbën realisht vështirësi për të zgjeruar elektoratin për shkak të sjelljes së tij prej më shumë se tre dekada dhe PD-ja si parti që synon të fitojë zgjedhjet, duhet të marrë vota edhe nga qytetarët e pavendosur, jo vetëm nga baza militante.
Kështu, nga të gjitha sa theksuam, sot është krijuar një dilemë në opozitën shqiptare që pa Berishën, opozita rrezikon të humbasë një pjesë të madhe të strukturës dhe energjisë politike, por me Berishën, opozita e ka të vështirë të zgjerojë mbështetjen dhe të krijojë një imazh të ri.
Kjo është arsyeja kryesore pse kriza brenda Partisë Demokratike ka qenë dhe është kaq e gjatë dhe e thellë.
Pra, me Berishën, apo pa Berishën!
Pyetja e radhës që më duket e rëndësishme në këtë analizë:
A do të arrijë të transformohet opozita rreth një brezi të ri politik, apo do të vazhdojë të mbetet e lidhur me figurat historike të tranzicionit si Berisha, Shehu, Topalli etj?

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu