Satelitët/ Shpallet kompania fituese, kostoja rreth 6 mln dollarë

0

Rreth 6 mln dollarë është kostoja që do ti kushtojë buxhetit projekti i monitorimit të territorit me satelitë.

Referuar të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike, është shpallur fituesi i tenderit me objekt “realizimi i projektit të monitorimit të territorit me teknologji të avancuar (shërbimi satelitor) me procedurën “dialog konkurrues” e organizuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Fituese e këtij tenderi ka rezultuar amerikane “Satellogic USA” Inc. Sipas dokumneteve të tenderit, shtetit shqiptar do t’i kushtojnë marrrëveshja rreth 6 milionë dollarë, ose 671 760 000 lekë për tre vite.

Ndërkohë, bëhet me dije se procedura është konfidenciale për shkak se kompania nuk do të bëjë publike informacionin e dhënë, përfshirë sekretet teknike ose tregtare dhe veçoritë konfidenciale të ofertave dhe kërkesave për pjesëmarrje, praktikë kjo që qeveria shqiptar e ka ndjekur edhe me vaksinat.

“Satellogic USA” Inc. NC 28036, është me adresë në ShBA konkretisht: 210 Delburg Street, Davidson US dhe është e specializuar në satelitët e vëzhgimit të Tokës, e themeluar në vitin 2010 nga Emiliano Kargieman dhe Gerardo Richarte.

Në Tetor 2021, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se satelitët do të lëshoheshin në hapësirë në muajin mars të këtij viti, afat tanimë i kaluar me disa muaj. Sipas tij, satelitët do të sigurojnë një kontroll më efikas mbi territorin.

“Jo vetëm dronat, dronat po e po, satelitët në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, kontrolli mbi kufijtë, kontrolli mbi gjithçka të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duar e atyre që kontrollojnë me sy që në atë pikë nuk është se dallojnë shumë me njëri-tjetrin.  Kur vjen puna inspektorët aty me virus janë edhe ata që kishit ju edhe ata që kemi pasur ne, ata kanë virusin nuk diskutohet. Sa më shumë t’i heqim atyre kontrollin e jetës së bizneseve, e jetës së vendit aq më mirë do jetë.  Prandaj sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell dhe do i kontrollojmë nga qielli”, tha Rama gjatë një fjalimi në parlament më 14 Tetor.

Nga ana tjetër, opozita ka lëshuar akuza ndaj projektit duke artikuluar se paratë mund të shpenzohen për të amortizuar probleme më emergjente të qytetarëve.

“Kryeministri ynë t’i lejë ëndrrat me satelitë, e të bëjë ndonjë punë për shqiptarët. Për shembull t’u japë urgjent bonusin e qerasë qytetarëve durrsakë të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019 sepse kanë tre muaj pa e marrë. Kur deshi t’u merrte votat derdhi miliona euro, tani i harroi në mes të hallit”, do të shprehej Oerd Bylykbashi në një reagim.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu