Kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, ka reaguar pas sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës. Veliaj thotë në një postim në rrjetet sociale se sekuestrimi dhe hetimet e SPAK janë mëse të mirëpritura në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të atyre që kanë abuzuar me publikun.
“Histeria e portaleve të baltës tregon vetëm që baltaxhinjtë e udhëhequr nga ‘Non Gratat’ s’e kanë marrë vesh akoma që jemi në epokë tjetër! Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”, tha Veliaj.
Veliaj shprehet ndër të tjera se institucioni që drejton do të vazhdojë punën pa u ndalur.
“Bashkia e Tiranës ndërkohë do të vazhdojë pa u ndalur punën për një Tiranë që sot është pasqyrë pastërtie edhe si rezultat i transformimit të Sharrës nga një kancer urban në një fushë sanitare me standardet e duhura mjedisore. Koha punon për Tiranën dhe Shqipërinë Europiane, jo për kandilët e ‘Non Gratave’ që do të shkojnë drejt shuarjes”, shkroi ai më tej.
Me kërkesë të SPAK është vënë në sekuestro inceneratori i Tiranës. Vendimi ka ardhur pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme nga ku ka rezultuar se kompania, e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Të dy këta të fundit janw të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Për impiantin e Elbasanit në kërkim ndërkombëtar u shpall nga SPAK dhe ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.
Zoto dhe Mërtiri nga hetimi kanë rezultuar të se janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, thotë SPAK, si dhe janë pronarë të shoqërisë mëmë të saj, themeluar në Holandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.
Për të fshehur gjurmët e tyre si pronarë të vërtetë të kësaj kompanie, SPAK thotë se dy biznesmenët kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera. Po sipas Prokurorisë së Posaçme, Zoto në bashkëpunim me Mërtirin, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, rreth 4 milionë Euro.
Gjithashtu, SPAK thotë se përmes një kompanie të tretë, të quajtur “F.M.O.” sh.p.k. Zoto dhe Mërtiri kanë blerë një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 milionë Euro, në qytetin e Durrësit, gjithashtu e sekuestruar.
Sa i takon kontratës për inceneratorin e Tiranës, SPAK po kryen hetime për disa akuza, nga “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.