Deputeti i Vetëvendosjes, ka thënë se serbët në veri të Kosovës janë të armatosur deri në “dhëmbë”.
Duke komentuar situatën në vend pas vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale serbe, Muja ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që serbët janë të armatosur.
Më tej, ai ka thënë se është më mirë që KFOR-i t’i largojë barrikadat.
“Struktura e sigurisë në veri, është policia lokale, policia rajonale, FSK-ja dhe normalisht KFOR-i. Por, FSK-në e kemi përjashtuar vetë nga ajo pjesë. Serbët në veri janë të armatosur deri në dhëmbë. E këtë duhet ta ketë parasysh shumë populli i Kosovës. Policia e Kosovës i ka ata mekanizma edhe forcën proporcionale për t’i hequr barrikadat. Mirëpo, çështja është strategjikisht, pra do jetë më mirë nëse KFOR-i i largon barrikadat për të mos u dhënë mundësi grupeve ekstremiste të ekstremit të djathtë, që ato t’i keqpërdorin pastaj”, deklaroi Muja në emisionin “Këndi i Debatit” në TV 1.
Ai po ashtu ka rrëfyer një moment të para dy vitesh kur kishte vizituar veriun. Muja tha se atje u rrethua nga bandat.
“Sot dy vite kam qenë te Kodra e Minatorëve te shkolla “Aziz Sylejemani”, nuk kam pasur asnjë mandat politik. Pastaj, më kanë rrethekuar këto banda kriminale me maska, duhet ta kuptoni që unë nuk i njoh, unë vij nga atje, çfarë u bëra unë, ose dikush nga Qeveria, unë nuk kam pasur asnjë mandat. Shkova vetëm për një vizitë dhe ata njerëz të maskuar më rrethekuan. Duhet ta kuptoni që kanë qenë të njëjtit sikur këta tani në veri”, ka thënë ai.