Shkruan Zef Ndreka
Vlerësimi i Bashkisë Lezhë si 100% transparente është pa asnjë dyshim, një zhvillim që meriton vëmendje të madhe, sidomos në një realitet si Shqipëria, ku çështja e transparencës publike ka qenë historikisht një nga pikat më të debatueshme të qeverisjeve.
Si fillim, duhet kuptuar se transparenca institucionale nuk është një slogan politik apo një element dekorativ komunikimi me opinionin publik.
Vlerësimi përfaqëson një standard themelor të funksionimit të shtetit modern me punën e administratës, akses në informacione, në llogaridhënie, në gjurmueshmërinë e vendimmarrjeve dhe përdorimit të fondeve publike.
Në këtë kuptim, një vlerësim maksimal nënkupton se institucioni Bashkia Lezhë, sipas metodologjisë së monitorimit, ka përmbushur kriteret e kërkuara për publikimin e të dhënave, të procedurave, të kontratave, të vendimeve dhe të aktiviteteve të saj.
Megjithatë, një vlerësim 100% ngre natyrshëm disa reflektime kritike.
Është e rëndësishme të theksohet, se si asnjëherë tjetër, transparenca në këtë Bashki, publikimi i dokumenteve apo informacioneve në mënyrë teknike, kanë garantuar që qytetarët e kuptojnë, e përdorin apo e ndjejnë këtë transparencë në jetën e përditshme. Transparenca në këtë Bashki ka qënë reale dhe është matur me mënyrën se si qytetari ka ndërvepruar me administratën dheve ka parë sa e lehtë është të marrësh shërbime, se sa të qarta kanë qënë procedurat dhe sa i drejtë ka qënë perceptimi e trajtimi nga Bashkia.
Është po kaq e rëndësishme qëndrueshmëria e këtij standardi. Transparenca është një arritje e madhe dhe objektive që u shpall këtë herë dhe duhet të mbetet e garantuar përgjithmonë.
Kjo kërkon këmbëngulje dhe disiplinë administrative, kërkon kulturë institucionale dhe kontroll të vazhdueshëm. Ndaj për qytetarët është shumë e rëndësishme që kanë ndjerë ndryshimet në drejtim, në staf apo në praktikë pune të kësaj Bashkie.
Por nga ana tjetër, një vlerësim i tillë i merituar ka edhe një dimension politik e simbolik. Në një klimë ku mosbesimi ndaj institucioneve publike është i përhapur, një certifikim i transparencës do të mund të jetë dhe të shërbejë si instrument legjitimimi për drejtuesit vendorë.
Kështu, ky vlerësim pasqyron një praktikë reale dhe të prekshme për qytetarët dhe për fatvtë.mirë të qytetarëve lezhjanë, kemi të bëjmë me një precedent pozitiv për qeverisjen vendore.
Sfida e vërtetë për çdo institucion publik, përfshirë drejtimin e Bashkisë Lezhë nga Pjerin Ndreu, nuk është vetëm të arrijë një standard si ky, por ta kthejë transparencën në përvojë të përditshme të qytetarit.








