Shkruan Ndue Lazri
Ndoshta ishte krejt rastësi, që kur porositëm një apartament në Pragë për një qëndrim treditor, ai na qëlloi në lagjen Malastrana (pjesa e vogël) dhe në rrugën Nerudova. Në fillim menduam se kishte të bënte me emrin e poetit të madh kilian Pablo Neruda, por nuk ishte kështu, ose disi kishte të bënte. Sepse rruga e merrte emrin nga poeti çek, Jan Neruda e këtu mësuam se poeti kilian e ka huazuar pseudonimin pikërisht nga poeti çek.
Lagja Malastrana,ose qyteti i vogël, përfaqëson atë pjesë të kryeqytetit çek ku janë grumbulluar shumë objekte me karakter historik, kulturor, arkitekturor dhe që ka mbetur e paprekur nga djegia që iu bë dikur qytetit më të rëndësishëm të Bohemisë. Rruga Nerudova fillon thuajse që nga bregu i lumit Vltava ose Moldava dhe është mjaft e mundimshme në ngjitje drejt kodrës, ku ngrihet madhështore Kështjella e Pragës. Diku gjendet shtëpia e tri violinave, ku sipas legjendës thuhet se këtu ishte shtëpia e tri familjeve ku bënin pjesë violinistë të talentuar. E edhe sot, në netët kur është hëna e plotë, thuhet se aty dëgjohen tinguj violine. Këtu janë edhe ambasada të shteteve të ndryshme të botës, ndër të cilat ajo italiane e ajo rumune, pallati Lihtenshtein në të cilin sot është Akademia e muzikës. Praga është orkestra ime, thoshte Moxarti. Më tej disa shtëpi me emra interesantë si shtëpia e maçokut, shtëpia e luanit të zi, shtëpia e rrotës së artë, shtëpia e çelësit të artë, shtëpia e karkalecit të gjelbër, që kanë secila legjendën e vet.
Rruga është e mbushur edhe me plot dyqane suvenirësh, minimarkete etj. Marrim një shteg për t’u ngjitur drejt kështjellës së Pragës dhe ai quhet Sokaku i artë. Ai përbëhet nga shtëpi karakteristike, anash sokakut të kalldrëmtë, që të kujtojnë disi sokakët e Gjirokastrës. Ndërtimi i shtëpive i takon shekullit të 16-të. Në këto shtëpi jetonin dikur rojet e mbretërve dhe familjet e tyre. Thuhet se Rudolfi i dytë i Hasburgëve urdhëroi që këtu të ndërtoheshin shtëpi në të cilat do të banonin alkimistë të zotë që nxirrnin ar nga hekuri. Këtu banonin edhe magjistarë e të tjerë. Tek shtëpia me numër 14 banonte dikur fallxhorja e letrave më e famshme në Pragë, e cila thonë se kishte parashikuar edhe fundin e Luftës së dytë botërore. Në shtëpinë me numër 19 banonte regjisori Jozef Kazda, që tani është kthyer në një kinotekë. Ndërsa në shtëpinë me numër 22 ka banuar një vit shkrimtari i famshëm Franz Kafka, bashkë me të motrën. Sot tek kjo shtëpi gjejmë një librari të vogël, ku shiten kryesisht vepra të Kafkës. Nëse ne sot kemi gjithë atë pasuri krijuese të shkrimtarit të madh, duhet t’i jemi mirënjohës mikut të tij shumë të afërt Maks Brod. Kafka botoi shumë pak nga shkrimet e tij sa ishte gjallë.
Mbase ai vuante nga një kompleks inferioriteti, pasi nuk i pëlqente vetja as në aspektin fizik. I sëmurë rëndë nga tuberkulozi, vitet e fundit ai ia la në kujdestari gjithë dorëshkrimet mikut të vet Maks, me porosinë që ai t’i asgjësonte. Por Maksi, që e njihte vlerën e atij thesari, jo vetëm që nuk i asgjësoi, por i publikoi dhe ne sot njohim madhështinë e atij shkrimtari që jetoi vetëm 42 vjet.
Dikush ka shkruar që Kafka është Praga dhe Praga është Kafka. Duke shëtitur lagjen Malastrana dhe kryeqytetin çek, e kupton më së miri këtë. Rrugëve, sokakëve, lokaleve, ngado që ai shkeli, duket sikur ndihet fryma e veprës së tij. Zbresim vetëm pak rrugica më poshtë, gati buzë lumit Moldava dhe në një oborr të bukur e intim gjejmë muzeun Franz Kafka. Një shtëpi e vogël, e ulët, me disa ambiente, objektet e të cilave flasin për jetën dhe veprën letrare të shkrimtarit të madh. Guida,person mjaft i aftë, spiegon më së miri domethënien e çdo fotografie, pikture, dorëshkrimi, duke e sjellë të plotë përpara vizitorit jetën e Franz Kafkës. Përpara hyrjes, në krah të djathtë germa K e madhe prej metali përjetëson personalitetin e madh të letrave çeke e botërore. Në anën e majtë një kafe e vogël dhe e bukur mes gjelbërimit. Në mes të oborrit nuk ka si mos të të tërheqë vëmendjen një shatërvan i çuditshëm, pak alegorik. Një vaskë uji, në formën e hartës së Çekisë dhe në dy cepat e saj dy meshkuj që urinojnë përballë njëri-tjetrit. Një aparaturë elektronike bën që ijet e tyre të lëvizin, duke bërë që “dy kalemat” të shkruajnë me ujin e tyre germa nga thënie të Kafkës.
Na qëlloi të shkonim për një ëmbëlsirë në kafenë “Louvre”, në qytetin e ri, e cila ndodhet në rrugën “Narodnij” dhe që është kafe e restorant që nga viti 1902. Një kafe e bukur luksoze, e cila frekuentohej vazhdimisht nga Kafka dhe nga krijues të tjerë çekë. Në qytetin e vjetër ndodhet edhe sheshi me emrin e tij. Jo larg ndodhej shtëpia e Kafkës, pas djegies së cilës nuk ka mbetur asgjë, përveç një pllake që e tregon vendndodhjen e saj të dikurshme. Qyteti i ka kushtuar edhe statuja e monumente të ndryshme, me forma e domethënie moderne. Ndërsa varri i tij, bashkë me të dy prindërit, ndodhet në varrezën e re të ebrenjve në Pragë.
Me Mozën kishim vendosur të ngjiteshem përpjetë rrugës “Nerudova” për të vizituar Kështjellën e Pragës. Kur ajo doli nga dhoma e apartamentit, e veshur me kostum, m’u duk për një çast si Giorgia Meloni. Duke qeshur i thashë se do të vishesha edhe unë sportiv, si Rama, por më mungonin një palë atlete me yll. U ngjitëm në njërën nga nëntë kodrat e kryeqytetit çek, ku ngrihet kështjella e prej ku qyteti duket si në pëllëmbë të dorës. Me sipërfaqen prej 70 mijë metra katrore, ajo është monumenti më i madh medioval në Europë. Që kur hyn në ambientet e saj të bëjnë përshtypje ruajtja dhe mirëmbajtja e këtij monumenti historik e kulturor, ndërtimi i të cilit nisi që në shekullin e nëntë. Kështjella e fortifikuar përbëhej nga disa pallate mbretërish e princash, të cilat perandoresha Maria Tereza e Austrisë i unifikoi në një ansambël të vetëm arkitekturor. Që në vitin 1992 ajo është shpallur pasuri e njerëzimit nga UNESCO. Të vizitosh ambientet e saj duhen ditë të tëra. Numuri i turistëve nuk ka të pushuar në të gjitha orët e ditës. Në qendër të saj është katedralja gotike San Vito, me një lartësi prej 60 metrash e një numër të madh guljesh që të kujtojnë disi Duomon e Milanos apo Sagrada Familja të Barcelonës. Në këtë katedrale kanë celebruar martesën e tyre 30 princër e mbretër të Bohemisë. Shumë princër e mbretër kanë edhe varrin e tyre në brendësi të saj.
E prisnim me padurim zbritjen në Urën Karlo, që bashkon dy pjesët e qytetit metropolitan të ndara nga lumi Moldava. Kjo është vetëm njëra nga 250 urat, urëzat e passarelat këmbësore të këtij qyteti. Mbi lumin Moldava janë 31 ura, të cilat vijnë në distanca jo të mëdha nga njëra tjetra dhe i japin qytetit një pamje magjike, si ditën, ashtu edhe natën. Ura Carlo është më e vjetra e ruajtur në Pragë dhe e dyta për nga vjetërsia në të gjithë Çekinë. Mosha e saj është gati 700 vjeçare. Pika në të cilën është ndërtuar dhe gjithë kompleksi arkitekturor i saj, e bëjnë atë një ndër urat më të bukura në botë. Studime të ndryshme e kanë renditur atë ndër 6 monumentet më të bukura të planetit. Ajo lidh qytetin e vjetër me lagjen Mala Strana. Ka një gjatësi më shumë se pesëqind metra. Në çdo orë të ditës e të natës ajo është e mbushur me turistë, që fotografojnë pamjet panoramike që ajo ofron mbi lumë dhe në dy brigjet e tij. Ndërtimi i saj u bë me urdhër të Karlit të katërt dhe zgjati për 50 vjet. Për ndërtimin e saj janë përdorur blloqe të mëdha guri, ndaj shpesh atë e quajnë edhe Ura e gurtë. Ndoshta edhe nga fakti që arkitekti që e projektoi u frymëzua nga ura e gurtë e Ratisbonës në Gjermani. Ajo ngrihet mbi 16 harqe. Nga njëra anë asaj i është shtuar një palë shkallë prej guri, nëpërmjet të cilave zbritet në ishullin e vogël të Kampas, që është një tjetër pikë tërheqëse e qytetit.
Në anën e qytetit të vjetër ura ka dy kulla të larta, ku mjaft turistë ngjiten për të soditur qytetin nga lart. Përveç dy kullave bukurinë urës ia shtojnë edhe tridhjetë statuja të ndryshme, të cilat përfaqësojnë figura të kultit fetar katolik.
Siç ndodh për shumë ura, popujt kanë edhe legjendat e gojëdhënat e tyre, ku ndër më të njohurat është ajo e sakrifikimit. Thuhet që punimet për ndërtimin e kësaj ure që bëheshin ditën, shembeshin natën. Për të bërë që ura të qëndronte, projektuesi lidhi një pakt me djallin. Kur të mbaronte ura, kalimtari i parë që do të shkelte mbi të do të sakrifikohej. Për koinçidencë a për habi, kalimtarja e parë qe gruaja e projektuesit, që u sakrifikua. Një legjendë të tillë e kam dëgjuar edhe për Urën e Djallit në Civita të Kalabrisë tek arbëreshët. Veçse arbëreshët u treguan më dinakë dhe nuk sakrifikuan një qenie njerëzore, por një kafshë. Gjithësesi Ura Karlo është si një muze i hapur njëzet e katër orë ndër njëzetekatër dhe ku paguhet vetëm për ngjitjen në dy kullat në hyrje të saj.
Kur kam lexuar librin “Il cimitero di Praga” (Varreza e Pragës) të Umberto Ecos kisha vendosur me vete që kur të shkoja në Pragë, të vizitoja edhe varrezën e vjetër ebraike të kryeqytetit çek. Dhe ja tek erdhi momenti. Pasi kemi vizituar Pallatin e Rudolfit të dytë aty në brigjet e Moldavës, kalojmë në anën tjetër të rrugës e gjendemi në atë që quhet Getoja ebraike, ku janë muzeu, sinagogat dhe varreza e vjetër. Ato përbëjnë një thesar më vete në zemër të këtij qyteti.Që në shekullin e 10-të ishte krijuar kjo lagje ebrenjsh që mbante emrin Jozefov. Me kalimin e shekujve, ata njohën momente kulmore zhvillimi e begatie, por edhe momente urrejtjeje, përzëniesh e deportimesh, që arritën kulmin me Luftën e Dytë Botërore, kur Gjermania naziste shfarosi pjesën më të madhe të ebrenjve dhe në Pragë nuk mbeti as një e dhjeta e tyre.
Në muze më bënë përshtypje muret të shkruara gjithandej me emrat e ebrenjve të varrosur. Por ajo që impresionon më shumë është kur hyn në atë varrezë me shtrirje të vogël sipërfaqësore, ku për më shumë se 300 vjet ebrenjtë e Pragës nuk mund t’i varrosnin të afërmit e tyre përveçse këtu. Janë vendosur deri në 9 shtresa varrimesh njëra mbi tjetrën, pasi nuk mund të kalohej tej sipërfaqes së caktuar. Po t’i shikosh sot, sheh vetëm pllaka guri, shpesh të vendosura edhe njëra mbi tjetrën, në një farë rrëmuje, sa duket sikur edhe në varr ebrenjtë i ka ndjekur një mallkim që nuk iu nda kurrë. Sot janë rreth 12 mijë pllaka guri, por, sipas dokumenteve këtu janë varrosur mbi 100 mijë ebrenj.Pjesës më të madhe iu ka humbur varri.
Pas këtij çasti të trishtë kalojmë rrugëve të Pragës, ku bukuria e ndriçimi arkitekturor i ndërtesave i jep asaj pikërisht atë epitetin e artë. E atmosfera bëhet edhe më e gëzueshme kur kalojmë pranë restorantit që mban emrin e Shvejkut, personazhit të famshëm të romanit të Jarosllav Hashekut.
Bie mbrëmja dhe Praga merr një shkëlqim e gjallëri edhe më të madhe. Përveç turistëve, edhe njerëzit dalin nga shtëpitë dhe shijojnë jetën e natës. Lokalet mbushen plot e vazhdojnë deri në tre të mëngjesit. Ka prej tyre që rrinë hapur edhe deri në mëngjes. Natyrisht, përveç kësaj bukurie, që e bën qytetin magjepsës, nuk mungojnë edhe episodet e atyre të rinjve që krijojnë ambiente degradimi. Më bëri përshtypje që në krah të rezidencës ku ndodhet apartamenti ynë, pashë një pikë shitjeje të legalizuar, ku shkruhej sipër kanabis, me fletën e gjelbër tipike të kësaj bime si reklamë. E nuk ishte se aty shikoje dyndje klientësh, apo lëvizje ilegale siç ndodh në pikat e errëta të shitjes së drogave të tjera.
Praga befason me gjithçka. Ndaj kur vjen momenti për të ikur, mendon se kur do të planifikosh një moment tjetër për të ardhur. “Jam i lumtur që jam rikthyer sërish këtu, në këtë qytet, magjia arkitekturore e të cilit ka mundësi të jetë unike në botë”, shkruan Tomas Man. Ndërsa ne duam të ikim me imazhin që lënë vargjet e birit të Pragës, Franz Kafka:
Njerëz që përmbi ura të errëta lëvizin
përpara shenjtorëve
me fjongo të ndritshme.
Re që sipër qiellit gri kalojnë
përpara kishave
me këmbanoret që mvrenjten.
Njëri që mbi parmakët e urës mbështetet
e shikon ujrat e mbrëmjes
me duart mbi gurët e vjetër.