Ligji për vetëqeverisje lokale ofron bazë të kufizuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, por zgjidhja mund të arrihet vetëm nëse ka vullnet politik të autoriteteve vendore.
Kështu vlerësojnë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, dhe Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 26 korrik se autoritetet e vendit janë duke u përgatitur për zgjedhje në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por se ato nuk mund të mbahen pa u shtensionuar situata në këtë zonë, raporton REL.
Zgjedhjet janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.
Tensionet në këtë zonë janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.
Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Për ta shtensionuar situatën, Kosova ka rënë dakord edhe për zvogëlimin e pranisë policore në ndërtesat komunale në veri.
Por, Bislimi tha më 24 korrik se nuk është i sigurt se ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e zgjedhjeve në veri.Ai, po ashtu, tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.
BE-ja pezulloi disa fonde dhe takime me Kosovën, pasi e bëri fajtore për përshkallëzimin e situatës në veri.BE-ja nuk e komentoi deklaratën e Bislimit, por përsëriti thirrjen për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa nga qytetarët serbë që jetojnë në katër komunat në veri, kërkoi që të marrin pjesë në proces.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha BE-ja më 25 korrik.