Kreu Politikë Shqipëria nuk është vonuar rastësisht në rrugën e saj europiane

Shqipëria nuk është vonuar rastësisht në rrugën e saj europiane

0

Shkruan Zef Ndreka

Nuk është as faji i historisë, as i gjeografisë, as i fatit që kemi mbetur prapa, që na është vjedhur koha për tu integruar në BE.
Është e vërtetë, mbi të gjitha është përgjegjësia e politikës shqiptare.
Për vite me radhë, klasa politike shqiptare ka luajtur me kohën e këtij vendi si të ishte pronë private, me reforma të bllokuara, me konflikte të pafundme, me institucione të kapura dhe një kulturë politike që shpesh ka vendosur interesin personal mbi atë kombëtar.
Ndërkohë, integrimi i Shqipërisë në familjen europiane nuk kërkon ndonjë mrekulli, por kërkon shtet ligjor, kërkon drejtësi funksionale, kërkon zgjedhje të ndershme dhe institucione që punojnë për qytetarët, jo për partinë apo udhlheqësit e tyre, sidomos kur lideri ka probleme me drejtësinë.
Por çfarë kemi parë gjithë këto kohë?
Sa herë kemi bërë një hap përpara për integrim, papritmas na del një pengesë e re!
Pas çdo reformë, ka një prapaskenë!
Pas çdo shprese, na vjen një zhgënjim!
Dhe pastaj, lehtësisht e rëndom, flasim për “armiq të jashtëm”, apo “të brëndshëm”!
Por më të vështirë e kemi ta pranojmë se pengesat më të mëdha i kemi krijuar vetë.
Integrimi i Shqipërisë në BE, përballet me sfida të mëdha, me sfida shpesh të padrejta në arenën ndërkombëtare.
Por për integrimin dhe humbjen e kohës, apo vjedhjen e saj që theksoi sëfundi Kryeministri Rama, shumë nga plagët i kemi vetëshkaktuar.
Kohën nuk e kemi vjedhur vetëm me korrupsion, por e kemi vjedhur më së shumti edhe me paaftësi, e kemi vjedhur edhe me papërgjegjshmëri, e kemi vjedhur edhe me heshtje!
Çdo vit i humbur është një brez i humbur për ne. Dhe tani, ka një të vërtetë që duhet thënë pa frikë se Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke kërkuar fajtorë jashtë vetes. Fajtorët jemi ne.
Integrimi do të ecë vetëm kur politika të ndjejë presionin e një shoqërie që nuk pranon më justifikime, sepse Europa nuk është vetëm një destinacion, por mbi të gjitha është një standard që duhet ndërtuar këtu, çdo ditë nga të gjithë ne. Kush punon të pengojë, do të mbetët vetë pas…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu