Shqipëria rrit eksportet drejt Kosovës me 8.9 për qind

0

Instituti i Statistikave në Shqipëri ka bërë të ditur se eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kanë shënuar rritje me 8.9 për qind gjatë 11-mujorit të fundit ndërsa importet ranë me rreth 38.2 milionë euro.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-nëntor ishin 37.7 miliardë lekë [360 milionë euro], nga 34.6 miliardë lekë që ishin në 11-mujorin e 2022-shit.

Ndërkohë, importet për 11-mujorin llogaritën 10.6 miliardë lekë nga mbi 14.3 miliardë lekë që ishin në 11-mujorin e 2022-shit.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 15.8 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 7.3 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Prej 1 tetorit të vitit 2022 në Doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

Janë mbi 1000 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. Referuar të dhënave nga Dogana, vetëm gjatë këtij viti janë rritur me 50 për qind mallrat dhe kontejnerët që zhdoganohen në Durrës dhe kanë destinacion tregun kosovar.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu