Shkruan Sokol Pepushaj
Këtej janë të gjithë hajdutë, të pasur, antiamerikan. Këta Kushtetutën e bëjnë supost dhe e fusin në ato vende ku nuk thuhet, sipas temperaturave stinore të presionit amerikan për kapjen e ‘Peshqve të mëdhenj’.
Shqipëria pra, nuk ka 1 Qeveri, por 4.
Secila më grykëse e antiamerikane se tjetra.
Objektivi që shihet me sy të lirë prej 32 vitesh dhe mund të skandalizojë pritshmëritë, nuk janë radarët që ia ka fikur NATO-s ish ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli sa herë mbronte drogën e mafies përkundër pagesës 10 000 dollarë ora, as pasuritë e frikshme të cilitdo politikan e pushtetar, por akrepat e orës së demokracisë, që këta hajdutët tanë i kanë kurdisur sipas interesave të veta.
Nëse nuk duam një epokë të shpërlarë që na çon askund, presim që ambasadori i ri, sapo të nisë punën, të flasë pa kode, shqip, si Donald Lu. Të na thotë se 4 Klanet Mafioze që komandojnë 20 familjet kriminale kanë emra e mbiemra, e pse jo, edhe media që nuk është shitur dhe e kapur nga Mafia, të jetë krah tij.
Veç shumë të tjerave, do ishte punë e dukshme, nëse na zhduket hija Bablokut nga sportelet e ambasadës amerikane.
Vetë Babloku, ka shkruar në storyn e tij me germa të mëdha dhe e ka lexuar publikisht, sidomos në fushatat zgjedhore, skandalet, se edhe andej qeveris ai.
Kjo Qeveria që meriton të shkarravitet si sëmundje që i humbtë fara një minutë e më parë, nuk ka qeverisur asnjë orë prej 10 vitesh, nuk ka kaluar as edhe një ditë pa skandale, do t’i hapë krahët si petale lulesh, por ta dish mirë, aty janë gjëmbaçët e fshatit tonë që kanë shpuar nga ekonomia e deri tek liritë e të drejtat njerëzore, çdo njeri të ndershëm.
Edi Rama është sundimtari më i urryer i kombit në marrëdhëniet me demokracinë. E kanë instaluar në sistem hajdutërinë dhe antiamerikanizmin.
Nga kjo substancë kanë krijuar edhe “Qeverinë e non gratave” që është 2-shi pas Qeverisë së tij.
Edhe këta, sa më ëmbël buzëqeshin, më shumë të përqeshin. Po kaq gëzueshëm që të presin, aq athët të përcjellin. Me çdo ambasador amerikan kështu ka ngjarë, se u prin gjenerali i ushtrisë së Firmave Piramidale të vitit 1996 dhe Revolucionit Gjakatar të 1997-ës që pushkatoi 3000 shqiptarë të pafajshëm, Sali Berisha.
Këdo që vjedhin e ngushëllojnë, këdo që përqafojnë e urrejnë, në çdo fjali e kanë të paktën një mashtrim. Edhe këtë Qeveri e ka nën kujdes Babloku. I komandon rubinetin e parave të korrupsionit.
Fshati ynë është unik.
Ne çdo zyrë shteti e pushteti ka hajdutë. Nuk është nevoja fare ti kërkosh. Në Gji të Lalzit e Kodrën e Diellit i kanë vilat komshi me njëri-tjetrin kundërshtarët politikë. Edhe shumica e kolegëve tanë, golle për nga profesioni dhe që u krehin bishtin mafiozëve, kanë nga dy-tre vila. Sa më lart troket, më të pasur, më të rrezikshëm e me bosh për nga kultura, do të takosh. Në parlament e kudo i kemi me diploma e tituj shkencor të falsifikuar, por zor gjen ndonjë pa një milion dollarë.
Një Qeveri tjetër, ajo Nr.3, është krijuar në burg.
Atje janë shumë ministra, deputetë, krye bashkiakë e zyrtarë të lartë që koutohen si “truri” që zhvillon dhe pengon iniciativat e investimet në drejtësi. Bëjnë ca burg, mbajnë ca miliona, lajnë, shpëlajnë e thajnë, por nuk djegin asgjë nga pasuritë, krejt si inceneratorët.
Edhe në burg përfitojnë nga grumbullimi dhe përpunimi i mbetjeve të Qeverisë zyrtare dhe asaj të non gratave, për të vënë në lëvizje nga atje edhe SPAK-un. Por gjithçka me kujdes, sepse kontrolli i Bablokut është absolut edhe në burg.
Qeveria nr.4 është në ekzil.
Janë radikalët, ata që nuk mund të përballen me tre qeveritë e tjera këtu, as me pronat, as me provat. Ja mbathin me pasaporta diplomatike në xhep dhe kërkojnë azil në vendet e tjera.
Pasi rehatohen, SPAK shtiret sikur po i kërkon deri në vrimë të miut.
Ata sakrifikojnë disa miliona dollarë, por jo ato të Parajsave Fiskale apo ndonjë vit pas hekurave. I pari që ka prirë është ish kryeprokurori i Republikës Adriatik Llalla. Edhe kjo Qeveri ka shanse të forcohet me kapacitete të tjera si Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Arben Imami, Genc Pollo, Engjëll Agaçi, Nasip Naço, Monika Kryemadhi, Sali Berisha, Petrit Vasili, Baftjar Zeqo, Ermonela Felaj, Ilir Beqja, Fatmir Mediu, Olta Xhaçka, Genc Rruli, Taulant Balla, Shkëlzen Berisha, Ilir Meta, Jamarbër Malltezi, Belinda Balluku e çdo tjetër patericë e 4 Klaneve Mafioze.
Veprimet dhe lëvizjet e Qeverisë në ekzil, monitorohen përmes dy satelitëve që Babloku me taksat e shqiptarëve ka lëshuar në hapësirë.
Hapësirat e krimit janë pa fund këtej, sa jo rastësisht kemi 4 Klane Mafioze dhe 4 Qeveri./Pamfleti