Një koncert i bukur në Bolzano
Shkruan Ndue Lazri
Kur këngëtarja e mirënjohur mirditore, Mrika Trumshi, e veshur kuqezi, hapi krahët në interpretimin e këngës “Mirësevjen dita e shqiptarit” bashkë me grupin e burrave, në skenën e teatrit Rainerum në qendër të Bolzanos, për një çast m’u duk sikur një shqipe kishte fluturuar që nga malet shqiptare dhe e kishte ndalur fluturimin këtu në prehrin e alpeve italiane. Kjo grua trupvogël ka një zë impresionues, aq sa të vjen të pyesësh veten: Ku rri gjithë ai zë? Nga anët tona thuhej dikur: E ka zanin pushkë.

Sapo ka marrë udhë koncerti i organizuar më 2 mars në përkujtim të atij dy marsit të famshëm të 580 viteve më parë, kur Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti hapi Kuvendin e Lezhës, ku u krijua ajo Besëlidhje e madhe që do bëhej barrikadë e pakapërcyeshme për pushtuesit otomanë. Nuk e di nëse në atdhe është organizuar ndonjë aktivitet me rastin e këtij përvjetori, por këtu në diasporë, dhe pikërisht në Bolzano, u bë një bashkim forcash për të realizuar këtë koncert. Në qendër të organizimit, artisti dhe sipërmarrësi shqiptar Gegë Tuci, i cili e ka ideuar këtë aktivitet. Dhe pastaj, në bashkëpunim me Albert Arapin nga shoqata “Mirdita” në Miçigan të Amerikës, me ansamblin mirditor “Zani i Arbnit”, me shoqatën “Arbëria” në Bolzano, që drejtohet nga Tritan Myftiu dhe me shkollat shqipe në Lana e Merano, arritën të organizojnë një veprimtari të tillë me diapazon të gjerë që nga Amerika e largët, Mirdita shqiptare, Milano e Bergamo, e Alessandria. Gjithnjë e më shumë heroi ynë këmbëtar venerohet e mbahet si krenaria më e madhe kombëtare në diasporë, kur në atdhe disa e shesin e disa e mbulojnë për t’i bërë qejfin “vëllait” pushtues pesëqindvjeçar turk.

Me vijimin e koncertit e ndjen që shqiponja është gjithnjë prezente. Atë e kemi jo vetëm në sfondin e skenës së madhe, por edhe në tupanin e lodërtarit të talentuar Beriland Kadeli, në plisat e bardhë, në xhamadanat e kostumit kombëtar mirditor e deri në veshjet popullore të vogëlushëve të dy shkollave shqipe. Pas tridhjete vite e ca emigracioni shqiponja shqiptare krejt natyrshëm e ndjen veten në vendin e vet edhe këtu në prehrin e Alpeve italiane.

Salla e madhe është mbushur pothuajse e tëra me spektatorë shqiptarë. Është kënaqësi t’i shikosh këta emigrantë të integruar tashmë në jetën shoqërore, ekonomike e edhe politike italiane, të cilët vijnë bashkë me familjet dhe fëmijët e tyre të ndjekin koncertin. Të veshur bukur, si për festë, ata që e kanë kaluar javën në punë nga më të ndryshmet e jo pak të lodhshme, tani vijnë të kalojnë disa orë të gëzueshme me artistët që kanë ardhur nga larg e që sjellin një copëz të Atdheut në skenën e Bolzanos.
Vogëlushët e shkollave janë ata që dhurojnë emocionet e para me këngët, vallet e recitimet e tyre.Tek i shikon me sa krenari e bukuri kërcejnë Vallen e Shpatave apo Katjushkën, sa ëmbël e shqip këndojnë këngët që evokojnë mallin për vendlindjen e Atdheun, sa mirë e artikulojnë fjalën shqipe në recitimet për flamurin e për gjuhën amtare, ndonëse kanë lindur e po rriten në tokë të huaj, e ndjen se e ardhmja e artit tonë është e siguruar. E kjo falë punës së mësueseve të palodhura si Dhurata Tusha, e cila me aq dashuri e pasion i drejton fëmijët edhe gjatë koncertit. Dhurata është një grua e papërtuar dhe një aktiviste e mirënjohur në zonë, e cila ka merituar edhe votat e zgjedhësve shqiptarë e italianë dhe është zgjedhur anëtare e këshillit komunal në qytetin e bukur turistik të Meranos. Astu si edhe Ervin Ramalliu, që është zgjedhur anëtar këshilli në komunën ku banon në zonën e Pordenones. Ai ka bërë gati 300 kilometra rrugë bashkë me familjen e tij për të ardhur të ndjekë këtë koncert. Kur del në skenë me fashon tringjyrëshe përfaqësuese të institucionit italian ku bën pjesë, për të përshëndetur të pranishmit, përveç duartrokitjeve, një ndjenjë krenarie përshkon sallën.

Prezantuesit Mirela Tomazini, e cila është edhe zëri i Radios shqiptare në Bolzano dhe Ariel Tuci, i prezantojnë natyrshëm e me profesionalitet artistët që vijnë në skenë njëri pas tjetrit. Drejtuesi i shoqatës “Artisti” në Rovereto, Aleksandër Kolshi, i papërtuar si përherë, ndodhet ne pultin e komandimit dhe realizon video, të cilat pastaj i përpunon me mjeshtërinë e tij dhe ia servir publikut në portalin e shoqatës. Edhe mikja jonë, Vitore Bungu Melyshi, e cila ka ardhur me bashkëshortin që nga Alessandria, kërkon të përjetësojë në foto e në video çdo moment të këtij evenimenti.
Koncerti proçedon dhe publiku në sallë thuajse shkrihet me artistët në skenë, jo vetëm duke i vlerësuar e inkurajuar me duartrokitje, por edhe duke kënduar bashkë me ta. Kjo të mbush zemrën me gëzim, sepse publiku di të vlerësojë e të ngrejë në piedestalin e duhur artin e vërtetë. Del në skenë sopranoja e njohur Anila Hoxha Gjermeni, e cila ka ardhur që nga Milano. Me origjinë nga Tropoja, e formuar si artiste në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” në Shkodër, pastaj në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe Akademinë pranë teatrit të famshëm “La Scala” të Milanos, ajo është një këngëtare me aftësi e cilësi të larta interpretuese, e cila kalon me lehtësi nga ariet më të njohura të operave të lirikës italiane, tek jaret shkodrane e këngët popullore të të gjitha krahinave shqiptare.

Grupi i burrave i ansamblit “Zani i Arbnit” është tronditës në interpretimin e këngës “Për liri s’të fal shqiptari”.

Delikate dhe e natyrshme Bardhe Gega në interpretimin e këngëve të bukura popullore të Mirditës, energjik, i fuqishëm e premtues këngëtari i ri 25-vjeçar Rolando Mesuli, që di ta zotërojë skenën pavarësisht moshës së tij të re, virtuoz e me origjinalitet të spikatur i mirënjohuri Gjovalin Prroni në këngët me karakter të thellë epik shqiptar. Kosta Bonshi ngjall simpati në publik me interpretimin e këngëve të “Shqipërisë së mesme”, sidomos me këngën “Ma ka prishë mendjen komshija”.

Moza, që e kam pranë, ndjek me emocion të veçantë këngët e krahinës sime dhe kjo më jep shumë kënaqësi. Në një moment, tek duartroket me zjarr këngëtarët me tirq, xhamadana e çifteli në dorë, më thotë: “Sonte e ndjej akoma më shumë veten nuse Mirdite”. Në krahun tjetër kemi mikun, adashin dhe kolegun e dashur Ndue Shabaku me bashkëshorten Mariana. Ai, përveçse ndjek me shumë vëmendje programin, mban herë pas here edhe shënime në bllokun e tij. Në një çast më pyet: Ti do të shkruash reportazh, që unë të di të shkruaj diçka tjetër pa përsëritur njëri tjetrin?…Pa merak, miku im. Ne jemi si dy shinat e së njëjtës hekurudhë, që nuk takohen, por mbartin e propagandojnë trenin e vlerave të vërteta të artit e të kulturës sonë.
Koha kalon pa u ndjerë në koncert, pastaj gjithë artistët dalin sëbashku në skenë e publiku i duartroket sërish. Dritat e sallës ndizen e publiku nuk lëviz nga vendi. Përshëndesin organizatori Gegë Tuci dhe miku nga Amerika Albert Arapi.

Promoted Content