Analisti Andi Bushati thotë se çdo shqiptar e di se kush e ka shumicën në Partinë Demokratike.
Në një intervistë për Euronews Albania, Bushati u shpreh se gjykata po sillet në mënyrë skandaloze dhe shtoi se drejtësia po përdoret si mashë nga kryeministri Edi Rama, për të mbajtur opozitën e përçarë.
“Gjykata po sillet në mënyrë skandaloze. Unë kam thënë që strategjia e Edi Ramës do jetë të mos e zgjidhë, por t’i çojë gjykatat që të mbajë Partinë Demokratike në konflikt. Po e arrin këtë. S’ka shqiptar që nuk e di, përveç drejtësisë tonë, se kush është sot shumicë në Partinë Demokratike.
Drejtësia po shërben si mashë për të mbajtur opozitën të përçarë. Ana tjetër është e vetë demokratëve. Konfliktet brenda partive nuk zgjidhen në mënyrë ligjore, por zgjidhen në mënyrë politike”, theksoi ai.
Në datën 3 nëntor, Gjykata e Apelit do të gjykojë ankimin e Partisë Demokratike që kërkon regjistrimin si të bashkuara në një vendim, ndryshimet statutore të korrikut 2021 dhe të dhjetorit 2021.
Ankimi i Alibeajt kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për regjistrimin e statutit të Berishës, ende nuk ka një datë shqyrtimi.