Shkruan Kol Shkodrani
Ka histori që të vënë ndër mendime apo të bëjnë me qesh për tërë jetën. Një prej këtyre historive është ajo në mes meje e Arian Çanit. Dikush mund të me pyes që në krye a e njeh Arian Çanin? E them hapur se nuk e njoh. E kam parë, e kam soditur ne emisione televizive dhe kaq. Nuk kam patur asnjëherë interes të takohem e flas me gazetarin e bujshëm të Tiranës.
Por ndoshta ai nuk ka patur të njëjtin mendim sepse pasi ka kërkuar në internet shkrime për Jozefina Topallin ka gjetur shkrimin tim “Bukuri shkodrane” dhe është marrur me të. Ai shkrim i imi nuk ishte një shkrim emfatik, sepse nuk shquhem për emfazë, përkundrazi jam tepër skeptik, dyshues, por isha përpjekur të paraqisja një vizion fizik dhe një imazh tradicional të femrës shkodrane si një prej bukurive tipike të këtij qyteti që niste me Teutën, tek Motra Tone e mrekullitë që Marubi kishte fiksuar në xhamat fotografikë pa harruar mësuesen time Jolanda Pogu që ishte një bukuri tipike shkodrane.
Pasi e lexoi atë shkrim, gazetarit Çani i lindi ideja ta përdorte në një intervistë në studio me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli.
Unë as e kam parë atë emison dhe as kam kërkuar nëpër arkiva televizionesh për ta patur. Shkaku kryesor se unë ndodhesha përtej oqeanit Atllantik në Boston që prej verës së vitit 1995.
Por një telefonim nga Tirana pas disa ditësh më vuri në mendime. Ime bijë që ishte në Tiranë e kishte parë emisionin e Çanit dhe intervistën e Jozefinës ku qe përmendur disa herë edhe emri im. Çani e kish pyetur a e njeh Kolec Traboinin. Jozi kishte thënë jo. Dhe kjo qe e vërtetë. Anipse kisha qenë në institutin e Misrit në Shkodër dikur ku punonte dhe ajo. Gjatë një xhirimi në atë insitut, një zë pak si drithshëm më tha me një ton pëshpëritës, “mos e xhironi në fytyrë atë vajzë” dhe bëri me shenjë nga njëra prej vajzave me bluze të bardhë. I thashë se si të mos e xhironim kur ajo kishte fytyrën më të bukur ndoshta në tërë Shkodrën. E, tha ai i Partisë, është si puna e mollës. Ka biografi të keqe.
Ne vazhduam punën,në fund me operatorin i takuam vajzat një e nga një,i dhamë dorën edhe asaj me “biografi të keqe” por me një portret të mrekullueshëm. Ajo vajze ishte Jozefina Çoba. Ende nuk ish martuar që të merrte mbiemrin Topalli dhe ende nuk ishte bërë kryetare kuvendi që të etiketohej soj soj prej kundërshtarëve të vet politik. Duhej të kalonin vite për këtë. Për këtë shkodrane të bukur kisha shkruar.
Ky është aspekti i meditimit tim. Por vajza ime në telefon nga Tirana më tha se më kishin intervistuar edhe mua në telefon. Por….e vajza e ndërpreu bisedën paksa, pastaj shtoi, nuk e di bâ… por nuk m’u duk si zëri yt.
Atëherë vendin e meditimit e zuri buzëqeshja. Çfarë rrengu kishte punuar Arian Çani që kishte thënë në emision se po intervistojmë autorin e shkrimit Kolec Traboini, kur unë kurrë nuk kisha folur me të në telefon!
Kush ishte ai që kishte folur në emrin tim kur unë isha në Boston? Nga cili shtet? Apo ishte thjesht nga një dhomë tjetër e televizionit dhe Arian Çani improvizonte si nëpër studiot e filmave vizatimorë ku dublohen zërat. Kush ishte dublanti im?!
Kjo është një çudi që kurrë nuk kam arritur ta kuptoj, një enigmë që është e bukur sa kohë që është e fshehtë.
Prandaj herë më vë ndër mendime e herë-herë më vjen për të qeshur.
Promoted Content