Cila është lidhja dhe aktiviteti që bën bashkë Amant Josifin dhe Olsi Ramën dhe si përfshihet ky i fundit në skemën e Call Centerave, paratë e të cilave pastrohen në biznese në dukje të rregullta, tek të cilat do të ndalemi në vijim?
Biznesmeni shqiptar, Amant Josifi, i shumëkërkuar nga autoritetet spanjolle për mashtrimin e 200 mijë shtetasve europianë për një shumë prej 2.5 miliardë euro nëpërmjet call-center, ka qenë ortak me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. “Syri Televizion” publikoi ekskluzivisht një dokument zyrtar, në të cilin thuhet se Olsi Rama dhe Amant Josifi kanë krijuar shoqërinë “Pegasus” shpk, e cila ka si aktivitet kryesor shërbimin e shitjes nëpërmjet telefonit, call-center.
Kompania është regjistruar në maj 2014, vetëm pak kohë pasi Olsi Rama u rikthye në Shqipëri, menjëherë sapo vëllai i tij mori mandatin e kryeministrit. Bashkëpunimi zyrtar ndërmjet Josifit dhe Olsi Ramës ka vijuar deri në janar të vitit 2018. Jo vetëm ortakëri me Olsi Ramën, por Josifi rezulton të ketë lidhje të forta me qeverinë e Edi Ramës. Ai ka qëndruar për shumë vite në krah të ministres Olta Xhaçka, si këshilltar i saj, gjatë kohës që ka qenë Ministre e Mbrojtjes.
Po ashtu, ai është djali i Pranvera Strakoshës, një zyrtare e lartë në qeverinë e Edi Ramës që tashmë mban postin e Komisioneres së Mbikqyrjes së Shqërbimit Civil, për dy mandate e votëbesuar nga deputetët socialistë. Aktualisht, Amant Josifi konsiderohet nga autoritetet spanjolle dhe ato gjermane si personazh kyç në një skemë gjigande mashtrimi, ku janë goditur dhjetëra-mijëra qytetarë europianë. Paratë e përfituara nga kjo skemë, sipas drejtësisë spanjolle e gjermane kanë patur si destinacion më së shumti Shqipërinë, e vetë Josifi vijon ti shijojë ato i strehuar në Dubai.








