Operatori i Sistemit të Transmetimit, i drejtuar nga Skerdi Drenova, ka finalizuar tenderin për “pastrimin e imazhit”. Një tender me vlerë 160 mijë euro, i cili u bë disa muaj pasi tenderit të famshëm të trajtimit kozmetik të punonjëseve femra.
Por si do të pastrohet?! Natyrisht me imazhe, me dreka, me darka, dhurata, verë etj, etj. Ky tender u denoncua para disa javësh nga BoldNews.al, ndërsa ditët e fundit OST shpalli edhe fituesin. Sipas dokumenteve, tenderi është bërë pa asnjë garë, pasi dy nga tre firmat që morën pjesë në këtë procedurë nuk dhanë ofertë. Çka lë të kuptohet se gjithçka ka qenë e paracaktuar, apo se imazhi do të pastrohet nga firma e cila dha ofertë.
Disa ditë më parë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, shpalli fituesin e procedurës “shërbime dizenjimi, printimi, materiale promovimi, produkte me qira, si dhe organizime të ndryshme, për nevojat e OST sh.a.”. Kohëzgjatja e kësaj procedure ishte 24 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës, ndërkohë që kriteret e përzgjedhjes ishte “oferta ekonomikisht më e favorshme, bazuar në çmim”.
“Me anë të kësaj bëjmë me dije se, në këtë procedurë /lot kanë marrë pjesë ‘LIZARD’ me vlerë 16.756.040 lekë pa TVSH. ‘ALBDESIGN PSP’ dhe ‘INPRESS’ pa ofertë ekonomike”, thuhet në këtë dokument. Normalisht, nëse s’jep ofertë, do të skualifikohesh, çka lë të kuptohet se gjithçka ka qenë e paracaktuar apo është bërë sa për “sy e faqe”. Në fund, Skerdi i ka dhënë firmës ‘LIZARD’ shumën prej 160 mijë eurosh, pa garë! Nga hulumtimi i BoldNews.al rezulton se kjo firmë ka fituar edhe tendera të tjerë për imazhe në institucione publike, siç është rasti i KESH-it në vitin 2020.
Denoncimi i ‘BoldNews’ për tenderin e imazhit
Disa ditë më parë, redaksia e BoldNews.al denoncoi një tjetër procedurë të Skerdit, i cili duket se po mendon më shumë për “lumturinë” e punonjësve, duke organizuar festa dhe evente të ndryshme. Madje, në këto evente, ai do të shpërndajë edhe dhurata, por do të ketë edhe të ftuar. Kësaj herë, Skerdi është munduar ta kamuflojë tenderin për organizime festash. Në shpalljen e kontratës, OST shkruan se ka hapur procedurën “shërbime dizenjimi, printimi, materiale promovimi, produkte me qira si dhe organizime të ndryshme, për nevojat e OST sh.a.”. Pra, në fillim shkruan se shërbime dizenjimi dhe më pas organizime të ndryshme.
Nuk shkruan kurrfarë shërbimi që kërkon. BoldNews.al shfletoi dokumentet shoqëruese, ku Skerdi e ka lëshuar dorën. Ai kërkon shaje në material saten me imazhe të personalizuara, kurora me lule për raste festash, në formë buqete. Më pas liston një sërë dizenjimesh për kartëvizita, çanta kartoni, çanta normale, dizenjime për ftesa, kalendare, kartolina, çadra etj, etj. OST kërkon organizim eventi, sallë për eveniment të mesëm deri në 100 vetë, sallë të vogël deri në 50 veta apo edhe çadra për organizimin e eventeve. Nuk harrohen edhe ushqimet, pasi ka disa catering. Menuja e parë është me ushqime të lehta duke përfshirë kroketa, brusketa dhe pije. I dyti për 250 persona ushqime si brusketa, djathra të ndryshem (2-3 lloje), proshuta të ndryshme (2-3 lloje) dhe pije. Boldnews.al