Mjaftuan 22 minuta që deputetët socialistë në një mbledhje “online” të miratonin në parim projektbuxhetin 103-faqësh për vitin e ardhshëm në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
“Nga diskutimet e deritanishme, unë të paktën nuk jam i bindur për ndërhyrjen te taksa e karbonit e cila bie ndesh edhe me direktivat e Bashkimit Europian. Ka nevojë për rishikime”, tha deputeti i PS-së Eduard Shalsi. “Disa bashki kanë dërguar kërkesa pasi vlerësojnë si të nevojshme rishikimin e transfertës së pakushtëzuar”, deklaroi deputetja Dhima. Duke mbështetur propozimet e Erion Braçes, ndryshime në paktën fiskale kërkoi edhe deputetja e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj.
“Paketa Fiskale duhet të përmbajë heqjen e TVSH për mjetet higjenike të grave dhe lehtësi të tjera për to”, tha Resulaj. Vetëm 22 minuta, me praninë nga opozita vetëm të Edmond Spahos i cili zgjodhi të mos fliste fare, por vetëm të votonte kundër, socialistëve iu doli koha për të uruar njëri-tjetrin edhe për arritje në rrafshet personale.