Sot, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet për të shqyrtuar nisjen e procesit për zgjedhjen e kreut të ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Mbledhja do të zhvillohet me pjesëmarrjen e anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesve të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë, EU4Justice dhe OPDAT.
Rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme, diskutimin e shpalljes së vendit vakant për kreun e ri të SPAK dhe vlerësimin etik dhe profesional të tre prokurorëve: Françesk Ganaj, Ermira Manelli dhe Hysni Mulaj.
Kujtojmë se mandati i drejtuesit aktual të këtij institucioni, Altin Dumani mbaron më 18 dhjetor 2025.
Ai e mori detyrën e rëndësishme në vitin 2022, me 5 vota pro të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që u zgjodh pas përfundimit të mandatit të Arben Krajës, i cili ishte i pari pas krijimit të prokurorisë së posaçme. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar.
Zgjedhja e tij u bë nën monitorimin e ndërkombëtareve dhe kryesisht të ish ambasadores amerikane Yuri Kim e cila mbahet mend për paraqitjen dhe qëndrimin në sallë pikërisht në momentin e votimit dhe deri në numërimin e votave të kandidatëve.
Por mesa duke edhe procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri do të ketë të njëjtën vëmendje. Pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.








