SPAK çon në gjykatë kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci dhe 6 të tjerë, ja akuzat e rënda

0

SPAK ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Shkodrësa, Benet Beci dhe 6 të tjerë. Ndaj tyre rëndon akuza e shkeljes së barazisë në tendera.

SPAK ka dërguar për gjykim kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, së bashku me 6 persona të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike. Krahas Becit, të pandehur janë Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, dhe Rudin Gjoni.

Sipas organit të akuzës bëhet fjalë për tenderin e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit rreth 69.5 milionë lekë.

Nga hetimet ka rezultuar se gjatë zhvillimit të kësaj procedure janë kryer veprime të kundërligjshme nga titullari i autoritetit kontraktor, anëtarët e njësisë së prokurimit dhe komisioni i vlerësimit të ofertave, të cilat lidhen me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve të tenderit dhe vlerësimin e ofertave.

Sipas SPAK, Benet Beci, në kohën kur ushtronte detyrën e administratorit të KESH, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, ka paracaktuar dhe krijuar avantazhe të padrejta për shoqërinë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k., duke shkelur dispozita të ligjit për prokurimin publik dhe aktet nënligjore përkatëse.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 08.01.2026, ka paraqitur kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë.

Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Nga aktet e administruara ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.

Konkretisht, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:

I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

Në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me nenet 1, 2, 20, 24 dhe 46 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe me nenet 28 dhe 61 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu